*Anastas GURMA/ Në kujtim të 70-vjetorit të masakrës Gjermano-Balliste e Hondrovunit

1117
Sigal

Masakra e Hondrovunit, një dëshmi e gjallë e fytyrës së nazizmit gjerman dhe bashkëpunëtorëve të tyre, si dhe një apel mbarë njerëzor jo vetëm shqiptar, për t’ i thënë ndal rizgjimit të këtyre ideve apo rehabilitimit të tyre. Më 23 qershor, mbushen plot 70 vjet nga dita e masakrës naziste me bashkëpunëtorët e tyre, të kryera në fshatrat Nivicë dhe Shën-Vasil të bregdetit e më gjerë në rrethin e Sarandës. Po ç’ndodhi atë ditë të largët qershori, që jehona e saj vjen sot e freskët, e gjallë, me dhimbje, me kushtrim ndaj kujtimit të këtyre viktimave të pafajshme? Forcat gjermane në përbërje të grupimit “Shtajzer”, të shoqëruara nga një kompani ballistësh e komanduar nga Idriz Jazo, pas disa sulmeve dhe bombardimeve, nga datat 1 e deri me 13 qershor, më 14 qershor, mundën të hyjnë në fshatrat Nivicë-Bubar e Shën-Vasil të bregdetit. Nga bombardimet që i paraprinë mësymjes naziste ne bregdet, në këto dy fshatra që janë edhe porta hyrëse e bregdetit përgjatë Sarandës në drejtim të Vlorës, mbetën të vrarë Arsen Munguli dhe Vite Baxheri. Me hyrjen e forcave gjermane në Nivicë, fshati u rrethua dhe burra e gra, pleq e fëmijë u grumbulluan me forcë në varrezat e fshatit. Të njëjtin fat do të kishin më pas edhe banorët e fshatrave të tjerë të bregut. Pas dy ditësh terrori e shtetrrethimi në Nivicë, gjermanët pushkatuan në vendin e quajtur Vilëz, Arsen Gjika, Loni Papadhima, Illo Thoma e Andon Munguli.Të pushkatuarit, për gjashtë ditë nuk u lanë të merreshin nga familjarët e tyre. Terrori gjermano –Ballist, u shoqërua edhe me plaçkitje e bastisje të mallit e banesave. U morën misrin, grurin, vajin, ullinjtë, shtresa e mbulesa të pëlqyera, orendi e gjithçka gjetën, deri edhe kafshët e punës e bagëtinë e qumështit të fëmijëve. Përveç zisë së vrasjes së të pafajshmëve, po i kërcënonte edhe kriza e urisë. Përsëri vrasje për të përligjur grabitjen, mbjellë frikën tek rezistenca e banorëve, për mos t’i penguar drejt përparimit në thellësi të bregdetit drejt Vlorës. Më 17 qershor, vritet në qendër të fshatit edhe Qëndro Shkurti e Shano Pali. Por hakmarrja gjermane me 10 të vrarë për tre ditë, nuk kishte përfunduar me kaq. Masakra mbi popullsinë e këtyre fshatrave, do të vazhdonte. Gjithë fshati i Nivicës, siç qe i grumbulluar në varrezat e fshatit nën terror e tmerr, më 17 qershor veçohen burrat nga 16-60 vjeç dhe nisen në drejtim të Kuçit për hapjen e rrugës Fterrë-Kuç. Gjatë rrugëtimit për në Fterrë, kolona gjermane ndalet në fshatin Lukovë, ku veçohen e pushkatohen nivicjotët Stefan Boçi, Foto Baxheri, Stamat Qirka, Lekë Dami e Sotir Kosta, duke e çuar kështu numrin e të pushkatuarëve në 16 vetë. Ditët e qershorit pasonin njëra-tjetrën. Të dy fshatrat ishin në zi, por edhe vazhdonte plaçkitja. Mbi 140 burra nga të dy fshatrat ishin të arrestuar dhe nuk dihej fati se si do bëhej me ta. Masakrës dhe terrorit nuk i dihej fundi. Më 23 qershor, ajo arriti kulmin. Nazizmi po tregonte fytyrën pas Borrovës. Nga të arrestuarit veçohen një pjesë e burrave, gjithsej 33 vetë:ku 16 nivicjotë, Qëndro Kola e Kiço Kola, Kozma Baxheri e Gol Bituni, Kolaq Duklaska e Spiro Thomari, Perikli Cici e Nin Kapetani, Spiro Dami e Yllo Duka, Vangjel Munguli e Llamb Kuçi, Cane Mëhilli e Lon Dhimëspira, Aristidh Dhimërtika e Koço Leka, qenë mes tyre edhe 10 Shënvasiot: Leo Martiko e Gaqe Martiko,Yllo lepuri e Qirjako Vjerri, Pilo Jovani e Foto Gjoni, Thodhori Vogli e Pilo Vjerro, Anastas martiko e Pilo Stefani, katër lukovjotë, Arqile Kosta e Kiço Shameti, Koço Mëhilli e Filip Spiro Hajdhi, Gligor Kaçi dhe qeparotasit Ksenofon Dilo e Kol Stefani. Këta, të rrethuar nga forcat gjermane, me kazma e lopata, me duart e tyre po hapnin varrin e përbashkët. Të rreshtuar buzë gropës, mbi ta u lëshuan plumbat sharrues të mitralozit të mikut të paftuar. Trupat e tyre pa jetë u hodhën në gropën e vdekjes. Dhuratë e bukur e nazizmit, se gjoja nuk kishte ardhur për pushtime. Kjo masakër mbi popullsinë e pafajshme të bregut të detit, u krye në fshatin Shën –Vasil, në dalje të tij në vendin e quajtur Hondrovun. Në kujtim të kësaj masakre dhe gjakut të këtyre martirëve, lartësohet një lapidar aty mes ullinjve, bimës së paqes, mes dafinës që ta bëjnë gjumin të qetë dhe një selvie, ku kënga e kumries kujton vajtimin dhe ditët e asaj zie, shpërndan dhimbjen e asaj historie të dhimbshme e masakre të rrallë mbi popullsinë, por tregon edhe fytyrën e nazizmit. Për 9 ditë, 56 të pushkatuar. Bilanc tepër tragjik. Të gjitha shtëpitë e dy fshatrave Nivicë e Shën –Vasil, të bastisura e plaçkitura, 12 prej tyre të djegura, 3000 krerë të imta dhe 300 lopë të rrëmbyera, rreth 100 dynym grurë i djegur si dhe drithëra, vaj e sende me vlerë të rrëmbyera. Një bilanc tragjik e i pashoq. Janë 56 shpirtra njerëzor nga të gjitha moshat, nga 16-60 vjeç, që lanë nënat në të zeza, gra të veja dhe shumë fëmijë jetimë, të pafajshëm, vetëm se aspironin për liri, u shpërblyen me vdekjen barbare. Masakra vijon me internimin e 206 burrave nga të cilët 42 nivicjotë, 48 shënvasioët, 59 lukoviotë dhe 52 piqerasiotë, të gjithë internohen në kampet e Gjermanisë. Mbas 9 ditësh udhëtimi me tren , pa ngrëne e pa pirë ujë, të sfilitur e të pashpresë për jetën, të lodhur e drobitur, të internuarit e bregdetit përqendrohen në kampin nazist të “Stalag Vila”-Mosburg, Gjermani, ku ndodheshin 200 mijë robër nga vende të ndryshme të botës. Të mbijetuarit tregojnë, se në këtë kamp kishte vetëm vuajtje, tortura dhe punë. Konsumohej 150 gr bukëthekre dhe një lugë lëng karote në ditë nga çdo i internuar. Çdo ditë pushkatoheshin me dhjetëra robër. Kjo gjendje krijonte edhe viktima si nivicjotët, Arsen Papadhima e Nako Spiri, të cilët gjetën vdekjen nga vuajtjet dhe keqtrajtimi. Kështu këta burra ndenjën një vit jete në internim, një vit vuajtje, dhembje e masakër. Një vit me shpresë për të mbijetuar, për t’ u kthyer në atdhe, deri sa me 9 maj 1945, aleatët anglo-amerikan çlirojnë të internuarit dhe rilindën shpresat për rikthim në atdhe. Kanë kaluar 70 vjet nga dita e masakrës. Çdo vit përkujtohet me dhimbje dhe nderim kjo ngjarje. Me dhimbje, por edhe me krenari për ata që u flijuan për lirinë e atdheut. Masakra gjermano-balliste, e ka zanafillën në këtë aspiratë të fshatrave të Nivicës, Shën-Vasilit dhe gjithë bregdetit. Brezat do t’ i kujtojnë e nderojnë me respekt çdo 23 qershor, duke bërë homazhe e vendosur në varrin e tyre të përbashkët, gjithmonë lule të freskëta.

 * Ish-komandant i divizionit të jugut “LABËRIA” deri në pluralizëm