Akademia e Shkencave dhe Instituti i Gjuhësisë kanë devijuar nga rruga shkencore

Luftulla PEZA

- Vijon nga numri i djeshëm -

Me këtë shkrim Homeri shkroi në gjuhën e vet amtare pellazge, “Iliadën” dhe “Odisenë”, Hesiodi shkroi “Theogoninë” e vepra të tjera, që shënojnë fillimin e letërsisë evropiane. Banorët e parë të Italisë historia njeh pellazgët dhe etruskët, nga të cilët romakët dhe latinët mësuan gjithçka, artin e ndërtimit të shtëpive, artin e luftës, shkrimin, që e përhapën në botën perëndimore etj. Edhe faraonët dhe koptët e Egjiptit të lashtë dhe të largët kanë folur po atë gjuhë, si i gjithë Mesdheu, gjuhën pellazge/shqipe. Për çdo dijetarë dhe njeri të thjeshtë, të gjitha këto të ngrohin shpirtin dhe sjellin krenari. Përse nuk i mësojnë këto të dhëna historike historianët shqiptarë, të cilët sorollaten me penën e tyre gjithë kohën vetën në mesjetë, kohën e pavarësisë dhe të LANÇ ndaj fashizmit? Nuk dinë dhe nuk mësojnë, sepse historia e popullit tonë fillon 5-6 mijë vjet para popujve të tjerë, në një kohë, që historianët tanë i kanë prekur asaj vetëm degët, sepse trungu dhe rrënjët tona historike janë shumë më thellë, fillon që në gurlashtësi, rreth 25 mijë vjet më parë, ahere kur fillon të flitet gjuha e lashtë shqipe. Nga këto sjellje antishkencore dhe antikombëtare të akademisë dhe albanologjisë sonë, përfitojnë. Akademitë serbe, Maqedoni, malazeze, greke etj., që e trajtojnë historinë në favorin e tyre. Në përputhje me këto interesa, në enciklopedinë maqedonase japin këtë përkufizim për shqiptarët autoktonë në Maqedoni: “Shqiptarët në Maqedoni kanën ardhur nga Shqipëria veriore. Ata kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin e XVI, duke dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre. Vërshimin e tyre drejtë Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena. Shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijtë e këtij shteti i zgjeroi në rajonin e Maqedonisë perëndimore. Shqiptarët, veç të tjerash, njihen edhe si njerëz malokë, primitiv...”/Enciklopedia e re e Maqedonisë, botuar nga Akademia Maqedoni e Shkencave dhe e arteve/. Ky trajtim mbi shqiptarët e Maqedonisë është i rremë dhe tendencioz, sepse shqiptarët e Maqedonisë, e kanë origjinën tek maqedonët e vjetër dhe flasin po gjuhën e tyre, gjuhën shqipe. Të mos e kundërshtosh këtë përkufizim të turpshëm, është turp në radhë të parë për akademikët shqiptarë në akademinë Maqedoni, që nuk dinë origjinën e popullit të vet. Por turp i madh dhe ngarkon me përgjegjësi edhe akademinë e Tiranës. Akademia jonë e shkencave asnjë herë, pas vitit 1990, nuk mori pjesë si bashkëqeverisëse për politikat tona të brendshme dhe ndaj BE dhe vendeve të tjera. Akademikëve shqiptarë asnjë herë nuk i solli dhimbje varfëria e madhe vendit, papunësia e madhe, korrupsioni marramendës, eksodi i shqiptarëve, ulja e numrit të lindjeve, falimentimi i bujqësisë etj. Nga Shqipëria po largohen me shpejtësi mjekët dhe qysh tashti spitalet nëpër rrethe nuk kanë mjekë specialistë. Për këto tema mjaft të rëndësishme për vendin, duhet të ishin organizuar nga akademia konferenca kombëtare me specialistë të njohur, ku të paraqitej gjendja, të gjendeshin shkaqet dhe rrugët e zgjidhjes, për ti a bërë të ditur qeverisë dhe organeve të tjera. Ligji famëkeq 7501 ka futur në qorrsokak vendin lidhur me zhvillimin e bujqësisë, kthimin e pronës tek i zoti dhe i ka mbyllur rrugën Shqipërisë për në BE. Çështjen duhet ta studiojë akademia, me specialistë nga vendi e bota, për një zgjidhje sa më të drejtë për vendin tonë. Me studimin e thellë të problemit dhe me përfundimet e paraqitura qeverisë shqiptare, sigurisht që ajo do të ndërmerrte ndryshimet e nevojshme dhe përmirësimet në këtë ligj, që torturon Shqipërinë nga viti 1991. Akademia duhet të bashkëpunonte ngushtë me shoqatat shkencore të vendit, në dobi të zhvillimit të shkencës dhe jo ti përçmojë ato, siç ka ndodhur me “Qendrën e Studimeve Pellazgjike”, e cila i është drejtuar akademisë për bashkëpunim disa herë, por është refuzuar prej saj gjithmonë.

Qendra e Studimeve Pellazgjike, megjithëse pa asnjë ndihmë financiare nga shteti dhe krejtësisht mbi baza vullnetare, ka bërë një punë mjaft të madhe për tema të tilla studimore, si:

1-Studimin e gjuhëve të lashta të Ballkanit, Lindjes së Afërt dhe të Mesdheut: gjuhët pellazge, ilire, sumere, thrake, hitite, koptike etj., duke zbuluar lidhjet e tyre të ngushta me gjuhën e sotme shqipe, nga që të gjitha e kanë origjinën tek gjuha më e lashtë pellazge. Objekt i rëndësishëm i kësaj qendre kanë qenë edhe: 2- Studimi i historisë dhe i shtrirjes gjeografike të popujve shqipfolës në kohërat e lashta: pellazgëve dhe të popujve me origjinë pellazge, ilirët, maqedonët, thrakët etj. 3- Studimi i historisë dhe i trashëgimisë kulturore e tejmadhe pellazge dhe e popujve, që rrjedhin prej tyre, si veshja: qeleshja, fustanella, xhubleta, besimet dhe perënditë e lashta etj. Këto tema studimore nuk studiohen në asnjë qendër shkencore në botë dhe si të tilla kanë rëndësi mjaft të madhe shkencore. Prandaj kërkohet ndihma e shtetit, sepse janë në dobi të shkencës dhe të shoqërisë sonë. Neve shqiptarët duhet të jemi krenarë për stërgjyshërit tanë pellazgët, të cilët themeluan qytetërimin e parë botërorë, ndryshuan jetën e endacakut me vendbanime të përhershme, me shtëpitë e para, përpunuan të parët në histori gurin, baltën, qumështin, lëkurën, metalin, ndërtuan fshatrat dhe qytetet, zbuluan shkrimin dhe shkruan librat e parë: Iliadën, Odisenë, Theogoninë etj. Ata lanë trashëgimi vepra teknologjike, arti dhe kulture dhe i sollën mjaft dobi njerëzimit. Të mos i luftojmë ata me bukë në trastë, siç ka vepruar Akademia Shqiptare e Shkencave dhe albanologjia. Shihni Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, hartuar nga akademia jonë në vitin 2008-2009, lexoni jetëshkrimet e De Radës dhe të Xh. Krispit. Prej tyre është hequr thelbi i jetës së këtyre dy figurave të ndritura të kombit tonë, janë hequr pjesa e veprave të tyre, që bëjnë fjalë për qytetërimin pellazg, perënditë pellazge, gjuhën pellazge dhe përfundimet e tyre se gjuha shqipe dhe shqiptarët kanë origjinë pellazge. Këtë falsifikim të qëllimshëm e ka bërë një akademik i akademisë sonë dhe miratuar nga akademia, që është mirë të kërkojë falje për falsifikimin e madh. Janë edhe mjaft dëme të tjera të mëdha, të shkaktuara nga përgjumja e akademisë sonë, që tregojnë se ajo nuk ka qenë në pozitat e duhura, shpesh larg interesave tona kombëtare. Të gjitha këto më çojnë në mendimin, se përpjekjet që po bëhen për ta reformuar akademinë nga brenda do të jenë pa rezultat, vetëm një furçe për të kaluar radhën, për të ruajtur privilegjet personale. Mendoj se Akademia jonë e Shkencave, ashtu siç ka bërë edhe herë të tjera, do të kalojë hendekun, por të keqen nuk do ta heqë nga vetja. Kjo formë e reformimit të akademisë është bërë edhe herë të tjera, për interesat personale të akademikëve, për të ruajtur privilegjet e pa drejta. Me këtë gjendje të sëmurë është më mirë, që akademia e shkencave të mbyllet përkohësisht, për tu bërë një e re, me detyra të qarta dhe rezultate në të mirë të vendit, pas reformës. Këtë e kam propozuar para ca kohësh edhe për Institutin e Gjuhësisë në Tiranë, pasi në te ka skandale të mëdha, që dëmtojnë gjuhën shqipe (shih: Skandalet në Institutin e Gjuhësisë, internet). Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Instituti i Gjuhësisë kanë devijuar nga rruga shkencore, duke shkelur me të dyja këmbët disiplinën shkencore në kërkimin shkencor dhe vazhdojnë me metoda jo demokratike të sabotojnë njohjen e prejardhjes pellazge të gjuhës shqipe dhe të kombit shqiptar. Kam besim se vetëm mbyllja e përkohshme e këtyre dy institucioneve dhe përzgjedhja e specialistëve të aftë dhe duke larguar të mefshtë dhe sabotatorët, do ti sjellë këto institucione shkencore në binarë shkencorë, për ti shërbyer mirë dhe drejtë shkencës në përgjithësi dhe kulturës sonë kombëtare. Kam punuar dhjetë vjet si studiues në Akademinë e Shkencave Çeke, në Pragë dhe kam qenë i pranishëm mjaft herë në komisionet e përzgjedhjes së specialistëve dhe kryesive. Përzgjedhja e specialistëve dhe e drejtuesve të qendrave kërkimore-shkencore ka rëndësi të madhe, sepse shoqëria do të investojë për to, por këto qendra duhet të ndërmarrin studime me nivel të lartë shkencor dhe për to duhet të zgjidhen njerëzit më të aftë. Për të ringritur akademinë tonë mendoj, që Ministria e Arsimit dhe e Shkencës të ngrejë komisionin e përzgjedhjes, të përbërë nga 15-17 anëtarë me përvojë në punën shkencore nga institucionet e vendit dhe vetëm 2-3 prej tyre të jenë nga akademia. Komisioni duhet të hapë konkursin ndërkombëtar për akademinë e shkencave, që aty të konkurrojnë konkurrues edhe nga jashtë, shqiptarë ose të huaj. Grada shkencore, që duhet të ketë fituar konkurruesi duhet të jetë doktor i shkencave, sepse shumica e shkencëtarëve të huaj kanë këtë gradë, më e larta në shkencë, sepse titulli profesor është pedagogjik, për ata që japin mësim në universitete. Nga kërkesat zgjidhen ata më të mirë, që kanë kryer studime shkencore, kanë referuar nëpër konferenca ndërkombëtarë. Mosha nuk duhet të ketë rëndësi, sepse ata që janë në moshën e pensionit, pranohen me 50% të kohës së punës dhe 50% të pagës. Rëndësi ka, që të gjithë të përzgjedhurit duhet të ngarkohen me projekte studimore dhe të gjithë të jenë të gatshëm të referojnë nëpër simpoziumet ndërkombëtare. Fillimisht bëhet kontrata e punës 6 mujore, në se kandidati punon mirë, kontrata zgjatet për një vit dhe më pas për 4-5 vjet. Fondi i shtetit për akademinë dhe institucionet shkencore duhet të jetë i ndarë në: fondi i pagave, fondi për pajisje dhe fondi për projektet shkencore. Projektet janë vjetore dhe për to duhet të ketë botim shkencor. Pa projekte studimore asnjë nuk duhet të paguhet në akademi. Komisioni duhet të formulojë detyrat themelore të akademisë së shkencave, e cila duhet të ketë edhe institutet e saj kërkimore për shkencat: natyrore, teknike, sociale dhe humanitare. Njeri nga institutet shkencore mund të jetë ai i studimit të gjuhëve të lashta, që lidhen me gjuhën shqipe. Për këtë Qendra e Studimeve Pellazgjike specialistët i ka gati. Mendoj se në vendin tonë është e domosdoshme të ringrihet Komiteti i Shkencave, ku të grupohen njerëzit që sot merren me shkencën në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Komiteti do të ketë për detyre të ndihmojë ecurinë shkencore, në përputhje me nevojat e vendit dhe vendimet e qeverisë, por edhe të kontrollojë veprimtarinë e institucioneve shkencore, që paratë e shtetit të mos keqpërdoren.