A do të bëhen shqiptarët?

210
Dr. Jorgo Mandili. 
Mora shkas për këtë shkrim nga një bisedë me profesorin e nderuar, të shumëpërkushtuar Dritan Spahiu, të cilin arroganca e mediokritetit i ndërpreu në mes leksionet e një disipline speciale, që ai e kishte propozuar, lëvruar dhe lektuar prej disa vjetësh. Dhe zëvendësuar nga një pedagoge e cila, pavarësisht se ka studiuar për fizikë, kësaj disipline nuk ja ka haberin. Nuk do të zgjatem në këtë argument, se nuk është qëllimi im këtu, që të flas për integritetin shkencor, profesional e moral të profesor Dritanit, firma e të cilit do të ishte sinjifikative në librezën e atyre studentëve, të cilëve abuzivizmi, nepotizmi apo .., ua la përgjysmë leksionet, por fakti se si mediokriteti ka uzurpuar edhe vende të tilla akademike, që ndoshta individëve të tillë në drejtim të njësive akademiko – shkencore, në një shtet që do të kishte prioritet meritokracinë , jo vetëm nuk do t’u shkonte ndërmend që të drejtonin njësi të tilla (departamente apo fakultete) , por as për laborant nuk do të vlenin. Duke diskutuar për këtë dukuri specifike shqiptare, biseda u zhvendos tek protesta e çuditshme e një turme militantësh në Lezhë për mbrojtjen e kryetarit të bashkisë, që dyshohet për abuzime skandaloze me pronat së bashku me disa zyrtarë të tjerë. Në asnjë vend të botës nuk ndodhin protesta të tilla, që ushtrojnë presion mbi policinë apo drejtësinë. Si do t’i vejë halli me ne shqiptarët?A do të bëhemi njëherë qytetarë? – e pyeta unë. Në çast, profesori u përgjigj: Gjergj Fishta në 1913,në 1923 dhe 1933, pra në çdo 10 vjet ka shkruar tre artikuj me të njëjtin titull: “Shqipëria u bë! A do të bëhen shqiptarët”?. Pyetje kjo që është aktuale edhe sot e kësaj dite. Me të vërtetë a do të mendojmë ndonjëherë për vete? A do të bëhemi ndonjëherë qytetarë si gjithë evropianët?. Nuk do të ndalesha në këtë temë në qoftë se protesta e lezhjanëve militantë nuk do të ishte e vetme dhe e rastësishme. Të njëjtën protestë me ë njëjtin motiv kemi parë edhe për S. Tahirin. Por kemi parë gjatë këtij çerek shekulli nxënës, studentë, mësues e profesorë, nëpunës e fermerë, që nuk e kanë për gjë të mblidhen për të protestuar nëpër mitingje, apo të firmosin peticione, jo për interesat e tyre, por për interesat e partive apo shefave të tyre; ndonjëherë pa e ditur “përse-në ”apo kauzën e protestës , nganjëherë vetëm për “inat të vjehrrës shkon e fle me mullixhinë”. Pa arsye e argument, shpeshherë irrealja u duket gati njëlloj si realja, gënjeshtra si e vërteta, gjë që e bën të lehtë përpunimin dhe manipulimin e tyre nga partitë, feja, mediat etj.” Kujtoni protestat për armët kimike, e trumbetuar si qytetare apo protesta kundër parkut të lojërave tek liqeni e, më interesantja, ajo para parlamentit kundër zgjedhjes së kryeprokurorit të përgjithshëm, të përkohshëm. Qesharake edhe protestat e disa studentëve kundër reformës së arsimit të lartë, për një arsim falas. Sinjifikative ka qenë protesta e naftëtarëve të Ballshit. Me kërkesa të qarta larg partive dhe shefave të tyre, të vetë organizuar marshuan drejt Tiranës për të drejtat e mohuara nga një kompani private dhe nga indiferentizmi i qeverisë (por “me një lule nuk vjen behari”), që i detyroi pushtetarët t’i “venë gishtin kokës” dhe të marrin masat për zgjidhjen e problemeve të tyre dhe jo për b…. e politikanëve apo kryetarëve të bashkive, që me lakminë, babëzinë, arrogancën, hipokrizinë, cinizmin e marrëzinë e tyre, mbasi vjedhin, vrasin, mashtrojnë e gënjejnë, për interesat e tyre bëjnë sikur u “qajnë hallin popullit”,për varfërinë, padrejtësitë etj, kur për vete “lundrojnë” në luksin e siguruar me afera të dyshimta. A nuk duken cinike dhe hipokrite thirrjet e disa shefave partiakë e “çinovnikëve” të tyre, që herë si Robin Hud, e herë si Don Kishot shfaqen në krye të turmave apo grupeve militantësh të improvizuar për show-n e radhës. Kaq ironike, komike dhe tragjike! Atëherë,njerëzit duke i ditur këto marrëzi të politikanëve e pushtetarëve përse u shkojnë pas këtyre partive? Çfarë ndodh me ne? Jemi injorantë që besojmë çdo gjë, ndjehemi të kënaqur që na gënjejnë apo mashtrojnë, nuk i kuptojmë apo jemi indiferentë ndaj të vërtetave? Harrojmë shpejt apo kemi ngelur si njëqind vjet më parë? Kur i madhi Konica ironizonte se “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve…”Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari “. 

Pa frikë dhe ndrojtje duhet ta pranojmë, ashtu siç e kanë pranuar rilindësit tanë Konica, Fishta, M. Frashëri etj se në përgjithësi ne jemi popull tribal, turmë dhe fatkeqësisht gjatë gjithë ekzistencës mbi 100-vjeçare si shtet, në të gjitha regjimet si turmë jemi trajtuar. Dhe ende si turmë trajtohemi edhe në këtë regjim hibrid. Se të tillë jemi! Ekziston një fakt, i cili sot ka një rëndësi kryekëput në jetën politike të vendit tonë. Ardhja e turmave në një fuqi të plotë shoqërore. Nga vetë përkufizimi i tyre, turmat nuk duhet e nuk mund të drejtojnë as ekzistencën e tyre, e jo më të qeverisin shoqërinë në përgjithësi, pasi jeta publike nuk është vetëm politike, por mbi të gjitha intelektuale, morale, ekonomike dhe kulturore. Turma është mediokriteti, mesatarizimi. Tek ne individi e ka humbur identitetin e vet mendor e individual. Kësisoj, potencialisht jemi kontingjente për t’u kthyer në turmë. Dhe jo rastësisht, në vendin tonë mund të evidentojmë disa lloje turmash, por më të spikaturat janë turmat militante që përdorin aksionin apo dhunën për t’u imponuar, turmat anonime që janë indiferente dhe kryesisht pragmatiste dhe minoriteti “qytetar”. Turmat militante formohen zakonisht nga individë,që pavarësisht shkollës apo profesionit, nuk kanë ndonjë vlerë, madje as nuk përpiqen për t’i fituar, e ndërkaq e ndjejnë veten njësoj si të tjerët, e për më tepër ndihen të lumtur në një gjendje të tillë. Zakonisht këto turma përfaqësojnë partitë apo organizata të veçanta nacionaliste. Kjo turmë ushtron mbi individin një fuqi të pakufizuar e me rrezikshmëri te lartë e me pasoja shpesh të paparashikueshme kur “pompohet”nga “prijësi”, të cilin e përfytyron si “zotin”e vet pavarësisht se “prijësi”as që do t’ia dijë për të .Shpesh ai sillet si sundimtar, bajraktar, narcizist, i plotfuqishëm. Janë pikërisht këta inspiruesit e turmave për protesta për të realizuar synimet e tyre politike. Individët e inkuadruar në turma, janë pa identitet personal. Kur ai “kurmëzohet” nuk është më vetvetja, nuk është më i vetëdijshëm për veprimet e tij. Tek turma çdo ndjenjë e çdo veprim është ngjitës, turma shkon menjëherë në ekstrem. Fillimi i një antipatie kthehet menjëherë në urrejtje të egër. Për individin e turmës, nocioni i të pamundurës nuk ekziston. Kushdo që vepron mbi të, nuk ka nevojë të peshojë logjikën e argumenteve të tij, mjafton të paraqesë një tablo duke e ekzagjeruar e përsëritur vazhdimisht të njëjtën gjë deri ne sugjestionizëm. “Që një njeri mund të ndjejë kënaqësi, duke marshuar në turmë, mjafton për mua për ta përçmuar. Truri i është dhënë gabim një njeriu të tillë; shtylla kurrizore do t’i kishte mjaftuar. Kjo njollë murtaje e qytetërimit duhet hequr me shpejtësinë më të madhe.”-thekson Ajnshtajni. Fatkeqësisht kjo “njollë murtaje”e qytetërimit, siç duket, do të na mbetet ne shqiptarëve edhe për shumë kohë, në qoftë se nuk urbanizojmë mentalitetin rural, otoman e “haxhiqamilist” të atyre individëve militantë e lehtësisht të “kënaqur për të marshuar në turmë”. Lloji tjetër i turmave janë turmat anonime. Zakonisht, këto turma formohen nga individë, që e ndjejnë veten plot me ide, por intelektualisht të hermetizuar. Të kënaqur me këtë dhe duke mos ndjerë mungesën e asgjëje, këta e gradojnë aparatin e tyre mendor në një pozicion të ndërmjetëm – një vetëshuarje, që i transformon në anonimatë. Në përgjithësi këto turma, përfaqësojnë administratën publike në të gjitha tipologjitë e saj. Ndërkaq ekziston edhe një minoritet qytetar i formuar nga individë që i vënë vetes kërkesa të larta, duke u përballur me detyra, vështirësi, synime e objektiva,që në jetën e tyre udhëhiqen nga fisnikëria, arsyeja dhe ligji. Zakonisht këta janë të “padukshëm” sepse nuk janë të pranishëm as në studio, as në komisione, as në intervista, as në aktivitete solemne etj. Janë të izoluar nga mediokriteti! Nuk ua “fërshëllen” njeri. Sepse këta nuk janë, as politikanë, as deputetë, as pushtetarë, as biznesmenë, as “show-man” apo “jesman”. Si përfundim, mund të themi, se jetojmë në një mënyrë komike, pasi komikja ekziston kudo ku jeta nuk ka kurrfarë dinjiteti, në mënyrë që një qëndrim i caktuar të merret si i vërtetë pa asnjë lloj rezerve. Sepse njeriu i turmës parapëlqen një ekzistencë jo reale, të mbetur pezull në ajër. Kësisoj ne jemi në prani të këtyre jetëve pa rrënjë apo substancë, të lëna të lëkunden edhe nga puhiza më e lehtë. Jetojmë pra në “rënie” të lirë. “Si lavjerrësa pa fërkim” – do të thoshte shpesh herë profesori i mençur Niko Thomo. Sa do të vazhdojë kështu? Aq, sa ne do të lejojmë që të tjerët të ushtrojnë vullnetin e tyre ndaj nesh, të na detyrojnë që të zbatojmë ato që thonë ata, përderisa te na orientojnë gjykimet e tyre apo të na grumbullojnë në mitingje e protesta pa qenë në të vetëdijshëm se përse mblidhemi, cila është kauza që mbrojmë. Me pak fjalë, deri sa të ndalin së ndrydhuri lëndën e papërpunuar të personalitetit tonë në shkolla, administratë, universitete e kudo ku punohet e jetohet, ne nuk duhet të shpresojmë se më vonë në jetë do të mund ta ringjallim atë. Deri atëherë a duhet të protestojmë? Padyshim, se ka shumë arsye për të protestuar. Kanë arsye për të protestuar pensionistët për diskriminimin dhe nëpërkëmbjen e dinjitetit të tyre, të varfrit që nuk trajtohen me minimumin jetik, punëtorët e fasonëve, minatorët e naftëtarët që skllavërohen, fermerët që përmbyten, qytetarët që sorollaten zyrave e tallen e nëpërkëmben nga administrata e mbi të gjitha studentët, ata që konsiderohen si “fermenti” i shoqërisë së re, nuk u falet të rrinë të mefshtë, të nënshtruar e të politizuar, por duhet të ngrihen në këmbë e të protestojnë për sigurimin e diplomave cilësore për të konkurruar suksesshëm në tregun e punës, të protestojnë për universitete të lirë, për kampuse universitarë, për bazë materiale, për punë kërkimore e hulumtuese, të protestojnë kundër rekrutimit të pedagogëve të paaftë, kundër plagjiaturës dhe abuzivizmit me gradat dhe titujve, kundër korrupsionit, nepotizmit dhe mediokritetit të menaxhimit të universiteteve nga një lidership “bordesh e tenderësh”, pa asnjë lidhje me akademizmn, kërkimin apo hulumtimin. Qytetarët kanë shumë arsye të protestojnë, kundër qeverisë, por jo për kauza false apo për interesa të caktuara të partive apo grupeve politike të caktuara. Të protestojnë për standarde të larta të mirëqenies së tyre, për të drejtat e tyre për arsimim, drejtësi, shëndetësi, për barazi sociale, për shtet të së drejtës etj. Me kauza dhe kërkesa të qarta që i detyron pushtetarët t’i “venë gishtin kokës” dhe të marrin masat për zgjidhjen e problemeve të tyre. Kuptohet në qoftë se do bëhej fjalë për qytetarë, që në veprimet e tyre do të udhëhiqen nga arsyeja dhe ligji dhe jo nga instinktet e emocionet, atëherë partitë apo shefat e tyre do izoloheshin vetëm me militantët dhe fanatikët e tyre. A do të bëhen shqiptarët, që Shqipëria t’ia arrijë kësaj dite? Kësaj pyetjeje Gj. Fishta i madh i ka dhënë këtë përgjigje profetike : “Shqipëria dhe shqiptarët do të bëhen! Zoti do t’i bëjë edhe për inat të djallit dhe të vetë shqiptarëve!”