Petrit BROKAJ/ Më mirë t’ua themi që në fillim…

626
Sigal

Pa dyshim, që, nuk ka qeveri, për të cilën të mos kesh vërejte, jo nga opozita e tipit PD, të cilat shkojnë  deri në shpifje e mashtrime, por edhe nga vet elektorati prej të cilës ka fituar. Pra, është normale që edhe qeveria “Rama” të mos shpëtojë nga kjo dukuri.

 Megjithatë, një nga të mirat e padiskutueshme të kësaj qeverie, është mospjesëmarrja në ‘të e ish- ministrave të qeverisë “Nano”. Ndonëse kanë kaluar mbi 9 vjet qysh nga humbja e PS-së në zgjedhjet e vitit 2005, mbeten akoma të freskëta konfliktet që lindën brenda forumeve të saj për korrupsionin që kishte përfshirë atë, fakt, që çoi në krijimin e LSI e më pas në humbjen e pushtetit. Duke mos përfshirë në qeverinë e tij asnjë nga anëtarët e qeverisë “Nano”, u dha sinjali pozitiv, se Edi Rama e kishte parasysh shkakun e humbjes dhe do të ruhej prej tij. Ngado që ta kthesh shigjetën e kritikës e të akuzës, nuk mund t´i thuash i korruptuar Ditmir Bushatit, Mimi Kodhelit, Haritos, Gjermenit e ministrave të tjerë të PS-së.

Të fitosh pushtetin pas një qeverie të korruptuar (dhe jo vetëm të korruptuar), është avantazh i madh në denoncimin e atyre institucioneve që hapën rrugën e krijuan terrenin e pandëshkueshmërisë së saj. Pra, një qeveri  që s´kanë ç´t´i thonë për korrupsion, ka të drejtën legjitime dhe të justifikueshme që të ngrejë zërin ndaj organeve të drejtësisë, të cilat të zhytura vet në këtë llum, duke shfrytëzuar marifete ligjore, (si p.sh. zvarritjet procedurale), kanë shpëtuar e kanë mbrojtur shumë prej të korruptuarve të qeverisë së Sali Berishës.

Ndodhur në realitetin: “Qeveri e re e pakorruptuar – Organe të drejtësisë të vjetra e në përgjithësi të korruptuara”, qeveria “Rama”, fatkeqësisht, ecën nëpër pengesa që s´është vetëm opozita partiake, e cila humbi pushtetin, por edhe institucionet gjoja të pavarura: gjykatat, prokuroria dhe Presidenti. Këtë e dëshmojnë jo vetëm qëndrimet e tyre të kaluara, por edhe reagimet zvarritëse ndaj denoncimeve të tilla nga Ministria e Mbrojtjes, e Financave, e Punëve të Brendshme, etj.. I ndodhur në këtë situatë, Edi Rama nuk e ka të lehtë të realizojë brenda kësaj periudhe disamujore qeverisjeje, gjithë ato, që premtoi për pastrimin e korrupsionit në institucionet e pavarura. P.sh. a nuk duket si i vetmuar ministri i Drejtësisë në mbledhjet e KLD, kur ngre me të drejtë probleme të mospavarësisë të këtij institucioni? A nuk duket si i pafuqishëm ministri i Punëve të  Brendshme ndaj Presidentit, kur ky i fundit si përfill ankesat e tij ?

 A nuk duket kryeneçe Bashkia e Tiranës ndaj Qeverisë edhe pse drejtuesi saj është i zhytur në disa lloj krimesh, për të cilat nuk ka marrë asnjë “shpërblim” nga organet e Drejtësisë  ?… Duke ecur nëpër të tillë faktesh, në një krah i qan hallin kësaj qeverie, por në krahun tjetër të duket se ajo ecën pak “frenato”  në ritëm dhe jo sa duhet e guximshme në veprime.

Ky pozicion i saj, me të drejtë e ka vënë  në  merak elektoratin e majtë  dhe jo vetëm atë, ndaj dhe lindin pyetjet: A  i kishte parashikuar dhe a i kishte gjetur ajo zgjidhjet e këtyre pengesave qysh,  kur iu drejtua popullit për t´i besuar qeverisjen e këtij vendi, apo do ta bënte këtë  gjatë  rrugës duke qeverisur ? A ishin paramenduar ata që do t’u binte barra për ta nxjerrë këtë vend nga anarkia berishiane në të gjitha fushat, apo e vetmja meritë e tyre duhej të ishte mospërlyerja në korrupsion? Ndofta pyetjet që bëj janë shfaqje të një gjykimi të të paduruarve e pasojë e zhgënjimeve nga qeveritë e mëparshme, megjithatë, ka kaluar aq kohë për të  menduar, se vetëm me cilësinë e të pakorruptuarit, nuk mund të shërohen gjithë ato plagë gjithëpërfshirëse të jetës së këtij populli.

 E them këtë, sepse te disa ministra të saj gjenden mangësi të tjera, që nuk mund të mos jenë të papërfillshme… Të papërvojë,  të pakalitur dhe do të thoja dhe të paprovuar në frontin e luftës kundër shkatërrimit që i solli Sali Berisha nëpër vite këtij vendi, nuk do të thotë, se vetëm papërlyerja në korrupsion, është i vetmi faktor kryesore për të qeverisur një vend në kaos…Të  duket sikur për disa prej tyre kjo  periudhë  që  ka kaluar, ka shërbyer si kurs për të  njohur situatën e për të mësuar se si të  qeverisin. Që të mos kesh përvojë e të mos kesh aftësi për të zgjidhur në kohë e mirë këto plagë , padyshim, nuk është as përgjegjësi dhe as faj i tyre. Këtë ngarkesë e mban vet Kryeministri, por unë mendoj se këtu nuk përjashtohet edhe përgjegjësia e kryesisë së PS, sidomos e disa veteranëve të saj, si Gramoz Ruçit, Namik Dokles, Arta Dade, etj., për të cilët mendoj, se duhet të kenë qenë  bashkëdiskutues për përbërjen e qeverisë së re dhe që, sipas meje,  kanë qenë të pa përfolur për abuzime me pushtetin. Ata e të tjerë, duke e njohur elektoratin e PS-së më shumë e më afër se Edi Rama, duke njohur më mirë se ky vlerat e çmuara që ka në përbërjen e saj kjo Parti, nuk dua të besoj se kanë heshtur dhe heshtin për besimin që i ka dhënë vota popullore Partisë Socialiste.

Të marrësh në makinën tënde një fëmijë rom e ta shoqërosh në spital, është një gjest njerëzor, por pas disa muajsh, kur digjen dy veta nga ky komunitet për arsye të kushteve jetësore të tyre, këtu harrohet dhe humbet seriozitetin njerzëillëku yt dhe do të jetojë gjatë përgjegjësia jote.

Kur ti nxjerr ushtrinë për të pastruar plehrat, siç bëjnë disa shoqata humanitare në vendet e pazhvilluara të Afrikës, në një kohë, kur populli paguan taksë për pastrimin dhe ka njësi të posaçme që kanë fituar tendera nga Bashkitë e Komunat, ky është një vetëdiskreditim që te ne s´ka pushtet, s´ka administrim territori, s´ka traditë kulture, etj.. Kur një drejtuese e një institucioni këtu në Vlorë, veshur për festë, me minifund, gjen 8 Marsin, Ditën e Gruas për të mbjellë një pemë, nën shoqërimin e kamerës televizive,  këto janë shfaqje komike e për të tallur. Kur në vendin tonë ka qenë dikur një muaj tradicional i vitit për pyllëzimin, ku merrnin pjesë pothuajse gjithë popullsia, i madh e i vogël, nxënës shkollash, civil e ushtarake, s´ka pse bën spektakle duke mbledhur 15-20 veta, të veshur me ca uniforma basme e të shoqëruar nga kamerat televizive, kur çdo ditë e çdo vit priten ose digjen sipërfaqe të tëra me pyje.

Jemi të ndërgjegjshëm se nuk mund të presim që në muajt e parë të kësaj qeverie plotësimin e premtimit për shëndetësinë falas, por kur nëpër spitale po vazhdon e njëjta gjendje për ilaçet, deri diku edhe për aparaturat e korrupsionin, s´ke pse  “shet” për reformë edhe punimet komunale që bën rreth territorit të spitalit. Kjo të ngjall zemërim.

Përse të gjitha këto?

Thonë për sensibilizim të opinionit.

Për cilin opinion?

Për opinion e popullsisë së xhunglave të Kenias e Zanzibarit?

Këtu kemi përfunduar ?

Përfytyroni që gazetari i TCH, Marin Mema te emisioni sensibilizues “Shqipëria tjetër” në vend që të bënte sensibilizimin e opinionit shoqëror e qeveritar nëpërmjet ballafaqimit të një fshati, se “ç´ka qenë dje e ku është katandisur sot”, i veshur me kostum e kravatë të ndihmonte një fshatar për të ngritur një mur të prishur. Sa jo serioz e teatrale do të dukej ai si gazetar sensibilizues.

 Boll me këto spektakle. Me spektakle nuk qeveriset. As me fjalime e zbërthime. Le të mbeten këto, marifete të qeverisë së Sali Berishës.

 Vlorë