148 autorë në Panairin e Librit në Peshkopi

736
Sigal

Halil RAMA

Në Peshkopi prezantohen botime te poetit, romancierit dhe kantautorit Naim Berisha

-Librat, dhurata më e çmuar për Ambasadoren e Republikës së Sllovenisë në Republikën e Shqipërisë, Znj. Lea Stançiç

Më 5 Tetor, në mjediset e Qendrës së Edukimit dhe Komunikimit, Pallati i Kulturës, Peshkopi, u prezantuan disa nga botimet e poetit, romancierit dhe kantautorit dibran, me banim në Londër, Naim Berisha. E pranishme në këtë veprimtari promovuese, Ambasadorja e Republikës se Sllovenisë në Republikën e Shqipërisë, Znj. Lea Stançiç, e cila u shpreh, ndër të tjera, për domosdoshmërinë e intensifikimit të punës me librin, sidomos nga institucionet arsimore e kulturore. Si redaktor i disa prej botimeve Shtëpisë botuese “M&B”, që në fillim evidentova faktin, që ndër 148 autorët e prezantuar në Panairin e Librit, në Peshkopi që qëndroi i hapur nga data 4 tetor deri më datë 6 tetor, në mjediset e Qendrës së Edukimit dhe Komunikimit, Pallati i Kulturës Peshkopi, Naim Berisha është ndër më produktivët dhe cilësorët. Kjo për faktin se në harkun kohor të dy dekadave të fundit, Naim Berisha ka hyrë me dinjitet në historinë e letrave shqipe si poet dhe prozator. Dëshmia më e qartë për këtë është botimi i 30 vëllimeve me poezi për fëmije e të rritur, i dy vëllime me haike e sonete dhe i gjashtë romaneve të vlerësuara nga lexuesi e nga kritika letrare. Vëllimet poetike dhe romanet e tij janë vlerësuar nga korifenjtë e letrave shqipe; Dritëro Agolli, Teodor Laço, Odhise Grillo, Fatos Arapi, Bedri Dedja etj. Kështu, nëse për Dritëro Agollin: “Naim Berisha shkruan pastër dhe pa estetizime e letrarizma të pa nevojshme, duke e përballuar me sukses maratonën e pamëshirshme në hapësirën e poezisë, këtë vrapim të madh që është krejtësisht i pakorruptueshëm, ndaj dhe si i tillë premton shumë për të ardhmen”, T. Laço është shprehur se: “Naim Berisha nuk vjen nga librat, por nga nëna. Ai mëson nga letërsia, por nuk imiton letërsi. Ashtu si në jetë edhe në krijimtari, ai është një zë i sinqertë, një talent gjenuin, veprat më të mira të të cilit, bëjnë pjesë në fondin më të mirë të letërsisë sonë.”. Ndërsa Fatos Arapi e vlerëson poezinë e Naimit si të veçantë, për faktin se ajo mbart historinë dhe filozofinë e Dibrës, vendlindjes së tij.