Largohuni…!

666
Sigal

Adriatik Riza Dosti

Kjo parullë e vendosur në një kënd ku qëndronin tifozët e paktë të Tiranës gjatë ndeshjes është titulli më i saktë i këtij shkrimi a komenti tim pas asaj humbje turpëruese 0-1 me Laçin në ”S. Stërmasi” të Bardhebluve, pasditen e së dielës së 7 tetorit 2018 në ndeshjen e radhës së Superligës. Mbasi e turpëruan si kurrë më parë në historinë e saj 98-vjeçare klubin më popullor e më të titulluar në Shqipëri, duke e zbritur vjet në kategorinë inferiore, këta palaço drejtues të sotëm, këta mercenarë lojtarë pa asnjë lloj lidhjeje me historinë e këtij klubi e me peshën e rëndë të fanellës së tij, sot po e degjenerojnë Tiranën ashtu sikurse askush nuk ka guxuar ta bëjë kurrë më parë. E përderisa Presidentit Halili i dhimbsen më shumë 120 mijë eurot e prishjes së një kontrate 2 vjeçare me brazilianin Ze Maria, se sa Tirona e historia, tradita, fanella e tifozët e saj unikë. Atëherë që këtu duket se çdo gjë ka marrë fund e do të vazhdojë, jo vetëm të shkojë keq e më keq, por ka rrezik që skuadra të pësojë të njëjtin fat si të një edicioni më parë.

REFIK HALILI, Tirona as ka vlejtur, as vlen e as ka për të vlejtur kurrën e kurrës 120 mijë apo edhe 120 milionë euro të qelbura të tuat e të Ze Marias. Por shumë e shumë më tepër, vlen moralisht, vlen në gjakun e sedrën tonë, vlen në traditën e historinë e saj brilante, vlen në dekada me radhë, në emra futbollistësh e trajnerësh, drejtuesish e tifozësh të pa përsëritshëm të saj, që i dhanë klubit tonë gjakun e shpirtin e tyre, që i dhanë, Tironës që prej themelimit të saj, më 1920: Dritë, shkëlqim, krenari, tituj e trofe pa fund klubit tonë të shtrenjtë, por edhe nder e respekt historisë së futbollit shqiptar, për vite e vite me radhë. Ndaj, asnjë prej atyre afrikanëve të tu të gjetur nëpër stacione autobusi a treni, Ngo, Atingah, Oduamadi, Kobinah e Mavejeh që vijnë vërdallë si pordha nëpër brekë e që bëjnë 15 pasime skandaloze për të shkuar nga mbrojtja në sulm e që nuk arrijnë në asnjë rast të godasin për 90 minuta një herë të vetme kuadratin e portës së Laçit, nuk duhet të qëndrojë më tek Tirana. Asnjë lloj justifikimi i çfarëdollojshëm i trajnerit Ze Maria këtë radhë nuk ka më bythë të qëndroje kurrkund. 8 pikë në 8 javë, No Comment! Asnjë lloj përgjegjësie e maqedonasit Bllazhevski, i cili as e ka fare idenë se çdo të thotë të luash për atë fanellë, në momentin e ekzekutimit të penalltisë në fund të ndeshjes. Edhe këtu, unë fajësoj totalisht trajnerin brazilian të bardhebluve, duke e pyetur profesionalisht, si ka mundësi ta lësh të ekzekutojë një penallti tepër deçizive një lojtar të tillë kur më shumë se të gjithë të tjerët në ato momente ai ishte tepër nervoz e i ngarkuar psikologjikisht? Mund të luash futboll e mund të humbasësh dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, askush nuk mund të marrë shpatën e të kërkojë kokë-prerjen tënde, pasi futbolli i tillë është, ndaj edhe ka surpriza e është i bukur dhe emocionues, por jo kështu, as lojë e as rezultat për javë të tëra. Por problemi është se kjo Tiranë e sotme e Halilit dhe Ze Marias, jo vetëm që ka krizë të tmerrshme rezultatesh nga ndeshja në ndeshje, por më keq akoma, nuk po luan një ndeshje të vetme, futboll të vërtetë, ku të na detyrojë të themi: “Humbën vërtetë, por luajtën ama futboll. Dhamë, bëmë e premtojmë diçka për mirë nesër”. Një ekip që gabon rënde në mbrojtje dhe pëson gola më shumë për faj të vet se sa për meritë të kundërshtarit. Një mesfushë që as mbron e as ndihmon sulmin, por vetëm pason pafundësisht e shpesh pa adresë, duke mos krijuar asgjë, e duke qenë konfuze deri në bezdi. Një vijë sulmuese tepër e lexueshme, aspak e shpejtë dhe aq më pak e rrezikshme, që nuk di as se si ta godasë portën kundërshtare, pa nerv, pa grintë, aspak agresive e rezultative dhe fare e thjeshtë nga mbrojtjet kundërshtare për t’u nxjerrë lehtësisht jashtë loje. Një trajner që nuk di se kë të fajësojë më parë, duke ”harruar” se fajtori kryesor për këtë gjendje të ekipit është, së pari ai, e pastaj me radhë lojtarët në fushë, bankina e tij, presidenca, stafi i klubit etj., etj. Ndaj dhe tifozët e Tiranës kanë më shumë se sa të drejtë ta braktisin këtë ekip pa gjak Tirone, pa sedër e respekt ndaj vetes, pa as më të voglën përgjegjësi të historisë e fanellës që përfaqësojnë. Ndaj pa e zgjatur më fare, kjo Tironë e sotme duhet shembur nga themelet, duhet shkrirë e duhet përzënë prej nga aty ku është sot, sepse me emrin e klubin tonë nuk e lidh kurrkund asgjë. Ndaj LARGOHUNI të gjithë një orë e më parë, sepse ju s’jeni Tirona e kurrë kësisoj nuk mund të jeni krenaria jonë BardheBlu ndër dekada. IKNI dhe mos vazhdoni më ta bëni pis atë fanellë të super respektuar në historinë e futbollit shqiptar…!