Prof.Qemal Lame: Të mbrojmë kombin nga plaga e migracionit

337

Të mbrojmë kombin nga tragjedia e migracionit

Prof. Dr.Qemal Lame

Publikimi i rënies drastike të popullsisë dhe perspektiva dekurajuese deri në fundin e këtij shekulli me 512 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të OKB-së, përbën një tragjedi kombëtare. Edhe të dhëna INSTAT, por nuk japin optimizëm. ,1,64 milionë shtetas, të barabartë me 36 % të popullsisë jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë. Gjatë vitit 2019 norma vjetore e emigrimit është rritur me 3.6 %. Në këto rrethana, kërkohet vlerësim dhe masa konkrete parandaluese nga institucionet shtetërore, si dhe ndërgjegjësim të opinionit mbarëkombëtar. Problem themelor është përmirësimi i ekonomisë e mirëqenies, veprimtaria e shtetit në shërbim të interesave kombëtare, goditja me rreptësi e korrupsionit e krimit të organizuar. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019, shkalla zyrtare e papunësisë në vend ishte e barabartë me 11.4 % të popullatës të aftë për punë. Shkaqet e kësaj gjendjeje janë niveli e ritmet e pamjaftueshme të zhvillimit të ekonomisë, standardet e kushtet e punës, kualifikimi, nuk investohet në masën e nevojshme për vende të reja pune, niveli i ulët i pagave e i jetesës. Kompanitë shqiptare  edhe gjatë vitit 2019 janë vënë në vështirësi, për shkak të largimit të punonjësve nga puna si pasojë e emigrimit jashtë vendit. Sipas një studimi të publikuar, më 11.01.2020,  nga Instituti Shqiptar i SME-ve “SME Albania”, rreth 61% e ndërmarrjeve kanë pasur të punësuar që janë larguar për arsye të emigrimit jashtë vendit gjatë vitit 2019. Këto kompani kanë theksuar si problem kryesor mungesën e fuqisë punëtore të pakualifikuar si edhe vështirësinë në gjetjen, marrjen e kualifikimin e fuqisë së nevojshme punëtore, pasi ka një ofertë shumë të ulët nga tregu i punës. Nxitja e migrimit ndikohet nga zbatimi i parimeve të ekonomisë së tregut në veprimtarinë konkrete të biznesit, strukturës oligarkike të ekonomisë, korrupsionin e gjithëpërhapur, lidhjen e korrupsionit midis zyrtarëve të lartë dhe sipërmarrësve të preferuar në tenderët me vlera të mëdha nga buxheti i shtetit, mungesën e vizionit për të investuar për punësimin e të të rinjve,të drejtave të punëtorëve etj.

Paga minimale në Shqipëri është 26 mijë lekë dhe ajo mesatare sipas INSTAT ishte 51.870 lekë gjatë tremujorit të tretë të 2019-s, disa herë më ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Paga e ulët nuk është i vetmi faktor. Një të riu sot në Shqipëri i jepen dy alternativa: Të sakrifikohet në “fasoneri”, nëse nuk është i arsimuar, ose në “call center”, kur është i kualifikuar me arsim të lartë!? Struktura e ekonomisë shqiptare është rregulluar me norma ligjore dhe me veprimtari tipike të kapitalizmit të egër që zbatohet në vendet në zhvillim, i cili i shërben kompanive të huaja dhe një grupi shumë të vogël sipërmarrësish me lidhje të fuqishme me politikën që në opinionin publik cilësohen si oligarkia e re shqiptare. Transferimi i fitimeve të legalizuara nga kompanitë e bankat e nivelit të dytë me kapital të huaj ka arritur shifra të jashtëzakonshme për kushtet e ekonomisë shqiptare. Po të hidhet një vështrim edhe në akuzat publike e dyshimet për fshehjen e fitimeve, gjendja është edhe më skandaloze. Shqipëria nuk ka plan strategjik për efektivitetin e shfrytëzimit dhe përpunimit të pasurive kombëtare duke harmonizuar kapitalin shtetëror dhe atë privat. Pasuritë e mëdha kombëtare si nafta, kromi, energjia elektrike, etj, është e domosdoshme të jenë si në Gjermani, Francë, Itali, etj., në përqindje të caktuar nën kontrollin e shtetit dhe jo tërësisht të karteleve të kapitalit të huaj. Fatkeqësisht po përjetohen gjendja e kapitalizmit primitiv dhe neokolonializmit, kur shtetet perëndimore evropiane partneret tona strategjike zbatojnë kapitalizmin demokratik të bazuar në ekonominë e tregut dhe në shtetin me përmbajtje sociale që garanton jetesë dinjitoze për gjithë shtetasit.  Problem që kërkon reflektim është politika zyrtare e Partneritetit Publik Privat –  PPP. Me këtë politikë po synohet të rriten investimet. Por struktura dhe efektiviteti i tyre nuk janë të orientuara në sektorët strategjikë të shfrytëzimit të burimeve minerale, punësimit e zhvillimit efektiv. PPP po zbatohen për rrugë me çmime nga më të lartat të njohura në praktikën ndërkombëtare, shërbime shëndetësore që nuk justifikohen, si për analiza, etj. Kritikat janë të rrepta për arsye se nga buxheti i shtetit përfitojnë vetëm disa kompani të njohura e të përfolura për favorizime nga politika. Pasojat e PPP do të jenë të ndjeshme për buxhetin dhe taksapaguesit në të ardhmen e afërt e sidomos atë afatgjate.

 

Është e pafalshme që të mos shfrytëzohen, në radhë të parë, nga vetë shteti burimet natyrore për të zhvilluar industrinë në sektorët strategjik, hapjen e vendeve të reja të punës, kualifikimit të punonjësve e digjitalizimin. Paratë e fituara në Shqipëri është e natyrshme dhe e domosdoshme të investohen në Shqipëri, duke vënë në vend të parë stimulimin dhe investimin në burimet natyrore dhe ato njerëzore. Shembull pozitiv është marrja nga një shqiptar e nxjerrjes së kromit. Ridimensionimi i ekonomisë mund të arrihet nëse në Shqipëri do të rikthehet konkurrenca e lirë në vend të monopolizimit dhe nëse shteti do të ndërhynte në treg fuqishëm me investime publike. Është për tu vlerësuar koncerni ndërkombëtare gjerman “Luftansa”, që ka investuar e krijuar në Rinas kompaninë për prodhimin e pajisjeve elektronike për avionët. Deri në mars 2020 do të rrisi në 300 numrin e punonjësve të kualifikuar shqiptarë. Ndikime të rëndësishme kanë dhënë edhe lëvizja e lirë. Njerëzit nuk ikin me eksod nga kufiri e me anije si në vitet 1990-1991, por si qytetarë të lirë. Kushtet lehtësuese të krijuara nga Gjermania për punësimin e shqiptarëve do ta rrisin edhe më shumë largimin legal. Do të ishte e dobishme njohja e vërtetë e migrimit. Mendimet për zgjidhjen me largimin nuk janë ashtu si imagjinohet nga ata që nuk e njohin realitetin në vendet perëndimore. Ata që largohen nuk gjejnë atë që kishin idealizuar. Detyrohen të punojnë atje ku nuk duan vendasit. Rastet e suksesshme janë të rralla. Ministria e Diasporës dhe media kërkohet të kontribuojnë edhe me realitetin e vërtetë të jetës së emigrantëve. Perëndimi është shumë tërheqës nga ekrani i televizionit, por shumë i vështirë për të ndërtuar një jetë të re. Migrimi shfrytëzohet edhe si masë për realizimin e politikave shoviniste që kanë copëtuar shqiptarët. Serbia nxit largimin e shqiptarëve, u heq regjistrimin si ndodhi vitin e kaluar me 7000 shqiptarë nga Lugina e Preshevës, me pretekstin se jetojnë në Gjermani, Zvicër etj. Në Greqi kanë shkuar më shumë se 700 mijë shqiptarë. Gjirokastra e fshatrat e saj po boshatisen. Greqia financon pensione, jep pasaporta greke e rrit numrin e asimilimit artificial të shqiptarëve në Jug, ju kërkohet të mos flasin gjuhën shqipe, arriti të ndërtojë dy varreza për ushtarët pushtues, të ngrihet përmendore në Finiq për një shovinist që ka vrarë shqiptarë, inkurajon hapur grupimet antishqiptare ultra-nacionaliste për të bërë fakt të kryer Vorio Epirin dhe nuk lejon asnjë diskutim për Çamërinë, Epirin, arvanitët e identitetin e shqiptarëve pas vitit 1990. Në Maqedoninë e Veriut është zyrtarizuar gjuha shqipe, por politika e asimilimit dhe nënvleftësimit të shqiptarëve është akoma e ndjeshme. Gostivari ka 72,6 për qind shqiptarë, por gjuha shqipe radhitet e treta, pas maqedonishtes dhe turqishtesh. Është jetike mbrojtja e sovranitetit dhe identitetit kombëtar, si dhe përballimi i presioneve e kushtëzimit të votës për integrimin evropian. Në ligjin për shtetësinë të vihen kriteret evropiane për dokumentet origjinale për lënien ose ndryshimin e shtetësisë, pagesa për veprimet administrative, etj. Studentët që shkojnë në shtetet perëndimore, të kenë edhe detyrimin për tu kthyer e punuar për një kohë të caktuar. Të merren masa për korrigjimin e ndryshimeve të paligjshme në regjistrat e gjendjes civile, akteve noteriale, vendimeve të gjykatave me dokumente të falsifikuara. Është e domosdoshme ta shohim me sy dhe të ndjejmë përgjegjësi për gjendjen e shkaqet e largimeve nga vendlindja, të luftojmë korrupsionin politik dhe ekonomik, të forcojmë shtetin e drejtësinë, të zhvillojmë ekonominë dhe ta bëjmë jetën më të mirë për të gjithë. Kështu do të dëshmojmë se e duam identitetin, nderojmë secilin, mbrojmë dhe e zhvillojmë Shqipërinë e kombin shqiptar.