Mure të vegjël që ndajnë popullin e madh

696
Sigal

Petrit Brahollari

Ka dhe më keq, por dhe kaq nuk është mirë. Muri që nuk bashkon shqiptarët ka dhënë efekt në ndarjen e tij. Në minderin e grisur është shtruar sofra e fukarallëkut dhe në qilimin me fije ari, pasuria marramendëse e atyre që sundojnë Shqipërinë.Pushteti i pandjeshëm dhuron propagandë me kalori të lartë, ushqim për të mbajtur frymën gjallë. I bindur në pavdekësinë imagjinare si Zoti i pazëvendësueshëm, për nevojat e shpirtit të popullit. Të babëziturit e pangopur, dukuri që nuk të entuziazmon. Kriminelët dhe hajdutët shkelin me këmbë. Sunduesit krekosen me vota të vjedhura, mbyllur në shtëpinë e vetë të arreduar me aventura njerëzore. Harbutët dhe provokatorët politikë në qeveri gjenerojnë konflikt. Ata janë licencuar si ustallarë muri, që ndan krijuesit dhe intelektualët. Konstruksion betoni që përçan studentët. Të rinjtë ia mbathin dhe braktisin vendin në botën pa mur. Degëzime muresh në mes të elitave të dijeve dhe arteve. Mur në administratë, deri te pragu i shtëpisë. Gjithandej mur për të shuar bindjet. Fortesë muri që përçan opozitën. Mur spiunësh dhe puthadorësh. Nga lartësia e murit, fishekzjarrë gëzimi, suksesi, lumturie dhe në faqet e tij germa të skalitura prestigji, pasurie, pushteti. Vend që askush nuk e gjen veten në shoqëri, të nënvlerësuar dhe të lënë në mëshirë të fatit, të harruar dhe gojëmbyllur, i këshilluar për të heshtur pafundësisht në emër të stabilitetit. Të ulë kurrizin kur e rrahin, të mbyllë sytë kur e vjedhin. Për stabilitetin dhe kur e lënë pa bukë, kur s’i japin punë dhe e përzënë prej saj. Të heshtë kur ia marrin pronën dhe të rrijë urtë kur s’ia japin. Ta pranojë përbuzjen e nëpërkëmbjen e dinjitetit, se dhe këto duhet t’i mësojë dhe durojë në emër të stabilitetit. Këshilltarët e stabilitetit të botës së madhe e kanë të vështirë ta veçojnë të pamoralshmen nga morali në Shqipërinë e vogël. Populli vuan nga ata që i kanë rënë për pjesë dhe është velur me këshilla burokratësh evropianë. Oazi është mbushur me turbullira të errëta. Humbje besimi dhe shprese për të ardhmen. Ai jeton në vendin e vet të kriminalizuar, vjedhur dhe kërcënuar. Vend tenderësh dhe koncesionesh. Deti s’ka derman. Toka shitet dhe zaptohet nga pallatet si mall pa Zot. Taksë dhe në doganën e qiellit për të përvetuar rrezet e diellit. Malet i çjerrin dhe u rrëmbejnë çdo pasuri duke rrënuar dhe pyjet. Oligarkë, biznesmenë me zë dhe fantazma, zhvatin Shqipërinë te rrugët dhe u shkatërrojnë shtëpitë qytetarëve nga etja për pallate. Ah ky vend i vogël që pastrohen para në lavatriçen e madhe! Buldozerët e pushtetit punojnë natë e ditë gjoja për të ndërtuar Shqipërinë, por jo, kudo makutëri e pisllëk. Ruspa i sundimit ka marrë përpara drejtësinë. Institucione drejtësie s’ka, Gjykatë Kushtetuese jo, Parlament jo e jo. Shtet pa drejtësi, ku pretendohet përparim e mburrje se bëjmë shtet. Qytetarët në udhëkryq. Ky shtet që eksporton cep më cep të botës helmin e të keqes me shumicë, e merr me pakicë prej saj import arbitrash burokratë.

Ambasadorë evropianë të dallueshëm në Shqipëri që shikojnë me sytë e tyre se si makineria e rëndë e sundimit çrrënjos nga nëntoka identitetin, lokale të fortësh janë bërë edhe në murin e kalasë. Dëgjojnë rënkimin e fukarasë në këmbët e kalasë dhe muzikë dasme në bedenat e saj, ku martohet zengjini. Media e murosur nga drejtimi i vendit e ka humbur davanë, nga dita që i bën fresk atij. E shtypur dhe e ndarë, i ka krijuar rehati dhe komoditet. Por jo të gjithë gazetarët e kanë parapëlqyer murin ndarës. Kurajozët, dinjitozë dhe të vërtetë në shërbim të popullit kanë qëndruar larg kolegëve frikacakë, të përkëdhelur dhe fajtorë sa vetë e keqja. Muri i ndarjes mbart të joshurit, të larguarit nga objektiviteti me mendje të përmbysur dhe larg murit të murtajës. Ata janë misionarët e vërtetë të gazetarisë shqiptare, që paraprijnë. Pronarë mediash që godasin murin e përçarjes dhe të tjerë që lidhen me interesa të fshehta, meremetojnë plasaritjet e tij. Tashmë është ndier tërmeti i fuqishëm në murin e kutive që pollën mur deputetësh. 28.000 km2, mur, beton, bunker dhe prapë mur. Këtij vendi s’i është ndarë muri. Çuditërisht dhe ndonjë eurodeputet apo ambasador evropian bën fresk murit shqiptar, si duket ngaqë nuk e ka në vendin e vet. Shumë qytetarë pyesin: Bashkë me murin do na fusin në Evropë?! Përgjigjen e pyetjes e ka marrë përsipër opozita për të prishur murin që ndan shqiptarët. Maxhoranca e shtrin murin në parlament, deputetë, opozitarë dorëzuan mandatet. Loja filloi e rëndë, opozitë – maxhorancë. Arbitri i ardhur nga Evropa, zoti Fleken jep penallti kundër opozitës, ndihmësit e tij e quajtën gol pa u gjuajtur topi. Ish-deputetët e opozitës, me organizatorët e skuadrës e kundërshtuan penalltinë e padrejtë dhe protestuan. Arbitri kryesor, i nervozuar, ankon se po e humb durimin dhe largohet duke marrë në xhep bilbilin e falur nga maxhoranca. Në parlament, tani janë futur disa deputetë, të rinj nga opozita. Ligjvënës, të bindur në taktikat e mazhorancës. Muri është i pavlerë dhe ata po e prishin së bashku, rrinë bashkë dhe janë miqësorë. Si një trup i vetëm ndjekin brazdën e Kuvendit Popullor të PPSH. Mandatet e hedhura riprodhohen me figura të tjera besnike të atij parlamenti. Kokë të ftohta dhe mendere të buta në ngrohtësinë dhe rehatinë kolltukore, të shqetësuar ngrenë zërin për dëmin që i shkaktuan Shqipërisë, paraardhësit e tyre opozitarë. Përqafohen ëmbël me mazhoritarë të stazhionuar. Pse të prishin qejf! Të dalë ku të dalë. Kohë kanë boll, pse mos të krijojnë një parti të re me modelin Ramizian. Parlamenti mori formë. Ashtu siç e do një sistem demokratik, me studiues ku rrinë bashkë ligji dhe Maliqi. E ligjshmja u strehua në parlament, e moralshmja shpërtheu në shesh. Jo vetëm kaq por historia do regjistrojë futjen e rigonit në sallë, për t’i dhënë oksigjen ambientit të karbonizuar të jetës parlamentare.

Parlamenti shqiptar ka shumë histori, por mua nuk më hiqet nga mendja ajo ngjarje e dhimbshme e liderit të dhjetorit, Azem Hajdari. E plagosën në parlament dhe ia morën jetën jashtë atij. Ai lis gjigant nuk u pajtua asnjëherë me komunistët që donin ta mbanin gjallë atë sistem. Vetvetiu, më lindin pyetjet: po sot çdo të bënte ai gjigant po të ishte gjallë? Ai lis që i jepte oksigjen parlamentit? Do përqafonte të ashtuquajturën të ligjshme dhe të zinte vend në kolltuk me erën e qullit të qullosur, apo do paraprinte protestat e moralshme për një Shqipëri demokratike? Përgjigjen e gjen te urtësia e popullit: “Nuk bëhet rigoni lis”. Sa ka ndryshuar natyra, u thanë lumenjtë dhe vërshuan përrenjtë.