Suplementi Pena Shqiptare/ Robert Haxhi: Koha vjen dhe ikën

505
Sigal

Iku koha, ikën koha,
Dje pardje, tej e me tej,
Iku sot edhe vjen nesër
Vjen pasnesër, edhe dej.

Koha vjen, vjen edhe ikën
Dhe unë iki s’rri ne vend
Pluhuri i gjurmës time
Ndofta gjendet në një kënd

Çelin lule, thahen lule,
Lindin rriten, ikin breza,
Vishen nuset me të kuqe,
Vishen plakat me të zeza.

Po dhe jeta qe u çel,
Që shkëlqente gjithë rreze,
Sa e sa breza ka fshehur,
Në një shtrat të një varreze.

Sa herë kënga e bylbylit,
Fshihej pas një boçe pishe,
Sa herë bukuri e vajzës,
Fshihej mbrapa një këmishe.

Fshehur ëndrrat që s’u thanë,
Në një cep të shpirtit tim,
Heshtën aty ku i lamë,
Ngelën mall dhe dëshpërim.

Gjithë kjo botë u rrotullua,
Rreth tik takut të një ore,
Sa here jeta zvarrë na hoqi,
Me një dorë të rendë mizore.

Rreth tik takut të një ore,
Po dhe ky tik tak mbeti,
Si dhe dielli që lind,
E perëndon pas një deti!