Sigal

Vetëm pak ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste ndodhi tragjedia kombëtare e Gërhotit, e quajtur si një nga pikat kulmore të vëllavrasjes midis dy forcave politiko-ushtarake shqiptare, Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar, luftë e filluar menjëherë pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, me skenar dhe regji të emisarëve jugosllavë, kryesisht Dushan Mugoshës. Për këtë tragjedi ende nuk është thënë fjala e saktë e historisë. “Dasma shqiptare” qe prishur. Po ç’ndodhi atë ditë të 14 shtatorit 1943 ku u vra me plumba pabesie pafajësia, qetësia, mirëqenia, besa dhe të gjitha virtytet e popullit shqiptar, të popullit martir, duke i zëvendësuar ato me pushtetin e krimit e të vesit, të mjerimit material për krijimin e “njeriut të ri” socialist, sipas trumbetimit të pushtetit komunist? Ditët e 12 e 13 shtatorit të dyja formacionet luftarake të PKSH-së e Ballit Kombëtar filluan negociatat me komandën italiane të Gërhotit. Në mëngjesin e 13 shtatorit, komandanti trim Hysni Lepenica me përfaqësi ballistësh u paraqit në garnizonin ushtarak të Gërhotit. Në takimin me gjeneralin italian Lepenica i kërkon këtij që ti dorëzonte materialet luftarake dhe njerëzore Ballit Kombëtar sipas rregullave luftarake në kapitullim të një ushtrie. Por gjenerali italian s’mund ta merrte vetëm këtë vendim, ndaj i kërkoi komandant Lepenicës se do të mblidhte shtabin e tij, do ta diskutonte dhe të nesërmen do ti kthente përgjigje. Pas largimit të përfaqësisë së Ballit Kombëtar, në komandën italiane shkon përfaqësia e PK-së. Se çfarë u bisedua mes tyre do të merrej vesh pasditen e ditës së nesërme, 14 shtatorit kur Hysni Lepenica me luftëtar të tjerë të BK-ar u paraqitën nga hyrja kryesore e garnizonit. Përgjigjja vonoi shumë nga gjenerali italian dhe për komandant Lepenicën qe e pakuptimtë se gjatë asaj kohe nuk kishin pasur asnjë shkëmbim kontradikte mes njëri-tjetrit. Gjatë kohës së gjatë të pritjes së përgjigjes, ballistët morën si përgjigje sulmin e armatosur nga ana e palës italiane. Ballistët u zunë në befasi dhe krejt të papërgatitur ushtarakisht. Situata qe e papritur dhe koha nuk priste për masa mbrojtëse apo kundërsulm. Me të shtënat e para u vranë shumë ballistë. Lufta filloi e ashpër dhe italianët luftonin nga dy krahët, përballë hyrjes dhe nga ana e Viroit. Në këtë betejë të përgjakshme, përballë një garnizoni të fortifikuar me rreth 6000-10000 ushtarë ranë heroikisht dhe në kushtet e një pabesie, 36 trima të Ballit Kombëtar dhe vetë kryetrimi Hysni Lepenica. Nga dokumentet arkivore të dala pas viteve ’90 dhe në libra të botuar , del se gjatë luftimeve mes garnizonit italian dhe ballistëve, në zyrën e gjeneralit italian ndodhej Shemsi Totozani, por edhe rreth e rrotull Viroit gjendeshin të dislokuara nëpër pozicione luftarake mbi 300 forca partizane duke qëndruar sehirxhinj ndaj kësaj tragjedie të ndodhur para syve të tyre. Më pas komunistët u siguruan italianëve kalimin për në Sarandë e prej aty drejt Italisë, por atë që bënë në Gërhot ndaj ballistëve e provuan në kurriz të tyre me masakrën gjermane të Limionit në Sarandë. Më 15 shtator varrimi i luftëtarëve ballistë u bë përballë Teqesë së Zallit të përcjellë me pikëllim e nderim nga qindra qytetarë të Gjirokastrës dhe banorë të fshatrave përreth. Ja si e kujton këtë tragjedi njeri nga eksponentët komunistë të kohës, Bedri Spahiu në një bisedë me Muharrem Xhaferrin, bisedë e publikuar nga ky i fundit:” Unë vendosa të takohem me Bedri Spahiun për të mësuar diçka më shumë për tragjedinë e Gërhotit. Me anën e shokut tim Lutfi Spahiut arrita të takohem me të në shtëpinë e motrës së tij në Laprakë të Tiranës. Takimin e bëmë më 31 korrik 1991. Për këtë rast ai tregoi:
-Ne, me një forcë prej 300 partizanësh, ishim vendosur guvës së Viroit deri në Mashkullorë. Ndërsa ballistët ishin të vendosur në krahun e poshtëm të xhadesë, përpara garnizonit të ushtrisë italiane dhe tek kodrat e Teqesë së Shtufit. Ndërkohë qytetin e kishin ballistët. Përveç kësaj ne kishim batalionin “Misto Mame” të vendosur në Konçek. Këtij batalioni i dhashë urdhër që më datën 14 shtator të afrohej tek ura e lumit dhe ta kalonte lumin për të hyrë në qytet. Ndërsa unë, Shefqet Peçi, Shemsi Totozani dhe majori anglez Tilman, më datën 14 shtator paradite, me ndihmën e një togeri komunist italian që komandonte artilerinë kundërajrore, mundëm të hynim në Gërhot. Aty u kërkuam italianëve që ky garnizon të na dorëzohej neve, prandaj qëndruam në pritje të përgjigjes nga gjenerali. Në pasditen e 14 shtatorit 1943, rreth orës 18, italianët sulmuan ballistët që ishin në pritje përpara postobllokut kryesor. Mbas dy orë luftimesh mësuam për eliminimin e krerëve të Ballit. Ndërkohë batalioni ynë “Misto Mame” ishte orvatur të kalonte urën, por aty u vra një partizan, për këtë batalioni u tërhoq në pritje…”. Me gjithë këtë refleksion, përsëri Bedri Spahiu i rrëshqet të vërtetës, por lë të nënkuptuar arsyen e sulmit italian ndaj krerëve të Ballit Kombëtar. Ndërsa ish-partizani Ihsan Budo në librin e tij: “Unë partizani shqiptar që shpëtova 20 mijë ushtarë italianë”, në faqen 91 të këtij libri, shkruan në kapitullin “E vërteta lidhur me tragjedinë e Gërhotit”: “Gërhoti është një vend fushor në qytetin e Gjirokastrës, ku ushtria italiane, nisur nga pozitat strategjike që ka ky vend, e kishin kthyer në një bazë nga më të rëndësishmet në Shqipërinë e Jugut. Nisur nga të njëjtat konsiderata dhe avantazhet e tjera që gëzon kjo qendër është trajtuar si e tillë edhe nga forcat tona të armatosura gjatë gjithë kohës e në vazhdim. Në datën 09 shtator 1943, Italia fashiste e kryesuar nga marshalli Badolio, shpalli kapitullimin pa kushte. Shtabi i Zonës së Parë Operative, që ishte koka drejtuese e gjithë operacioneve ushtarake për qarkun e Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, u vu menjëherë në lëvizje për të marrë në dorë situatën e re që u krijua. Ndër ato ditë, lidhur me luftimet që ishin zhvilluar ndërmjet forcave italiane dhe atyre partizane, gjë që ishte e zakonshme, në zonën e Kurveleshit, në afërsi të katundit Nivicë, u bë një përpjekje e madhe midis forcave italiane dhe atyre partizane të Zonës së parë, ku forcat italiane u thyen keq dhe lanë në ikje e sipër edhe një oficer rob me gradën e togerit, person ky që u trajtua i tillë nga forcat partizane. Meqë vendimi i kapitullimit të Italisë fashiste korrespondon me kapjen e togerit rob, u mendua që pikërisht ky toger të ngarkohej si korrier për të krijuar lidhjet me bazën ushtarake të Gërhotit ku ishte stacionuar divizioni “Peruxhia” i komanduar nga gjenerali Kiminelo, që kishte në dispozicion një efektiv prej 7000-10000 ushtarësh. Letrën që iu dërgua gjeneralit Kiminelo e hartoi shoku Bedri Spahiu. Në këto kondita togeri rob u nis drejt bazës ushtarake të Gërhotit. Në njëjtën kohë shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër dhe Mallakastër, për çdo eventualitet mori masat paraprake për t’u përballur me çdo të papritur. Për këtë në afërsi të repartit të Gërhotit, në vendin e quajtur Gufa e Viroit, që është rreth 2-3 Km. Nga baza ushtarake, u stacionuan 300-400 forca partizane që ishin në gatishmëri për luftime të mëtejshme. Togeri në fjalë u kthye me përgjigje pozitive ku kërkonte për të vajtur në qendrën ushtarake të Gërhotit një delegacion ushtarak për t’u marrë vesh me komandën italiane. Delegacioni përbëhej nga shokët; Bedri Spahiu-komisar i Zonës së Parë, nga delegati i shtabit të Mesdheut në forcat e Zonës së parë, Majori Tilman, nga komandanti i batalionit “Asim Zeneli” shoku Shefqet Peçi dhe anëtari i komitetit qarkor të partisë shoku Shemsi Totozani. Pasi u përshëndetën me komisionin e gjeneralit, fjalën e mori shoku Bedri Spahiu, i cili me një italishte të kulluar aq sa majorit anglez i bëri shumë përshtypje, i paraqiti kërkesat palës italiane që konsistonin:
1-Krijimi i një shtabi të përbashkët për të luftuar nazizmin gjerman.
2-Në rast të kundërt dorëzimin e gjithë armaturës, në konformitet me vendimin e Qeverisë suaj, ku ka shpallur kapitullimin pa kushte.
Biseda u zhvillua e zjarrtë për arsye se gjenerali italian kërkonte që një gjë të tillë ta bënte në Sarandë, duke kërkuar nga pala jonë rrugë të lirë deri në portin e Sarandës. Gjenerali italian kërkoi një farë kohe për t’u konsultuar me shtabin e tij. Këto biseda dhe pritja e delegacionit partizan nga pala italiane shikoheshin me kërshëri nga ana e Ballit Kombëtar, i cili dërgoi dhe ai delegacion bisedues “