Hyqmet Zane: Kujt vazhdon t’i shërbejë ende Kacifas, Micotakis apo shovinizmit grek ?

426
Sigal

 

Hyqmet Zane

Përrallat me të drejtat e njeriut të minoritetit grek që dëgjojmë të thuhen shpesh e më shpesh nga politikanët grekë, bile edhe nga vetë kreu i qeverisë aktuale në Athinës, duket se ua plas bombën në dorë nëna e Kacifas me fjalët që pohoi më 26 tetor në ditën e vrasjes së djalit të saj. Më keq akoma që palë me këta qafirë të pafytyrë u bë edhe Vangjel Dule, si kryetar i PBDNJ dhe një ish-deputet i minoritetit. Mungoi vetëm Janullatos, siç duket ai mund të ketë dhënë orientimet e gjithë show-t të manifestuar të shtunën në Bularat.

Ndoshta do ta justifikoja disi nënën e Kacifas, se është nënë dhe i dhemb shpirti që humbi djalin e saj. Por nuk kam asnjë arsye të pranoj gjithë atë zallamahi fjalësh ekstremiste që tha nëna e Kacifas në tokën shqiptare, sa nuk dihet se çfarë mund t’u ishte bërë shqiptarëve po të ishin në tokën greke. Me gjithë keqardhjen për humbjen e një jete njerëzore, duhet thënë që e gjithë çka u u organizua sikur dihej, se çfarë do të bënte një djalë i kurdisur nga “Agimi i Artë” në atë formë sa i kushtoi jetën një djali nëne. Më saktë këtë e ka konfirmuar në një përgjigje një kushëriri i Kacifas që u përgjigjet shokëve të tij, ekstremistëve të “Agimit të Artë”. Zhurma e bërë me flamuj grekë dhe pjesëmarrës të ardhur nga Greqia, me të shara dhe ceremoni kishtare, më shumë kanë emrin e një dore antishqiptare që qarkullon lirshëm në Greqi dhe që vjen po aq lirshëm edhe në Shqipëri.

Çfarë bëhet në këtë vendin tonë, hyn derr e del dosë, hyjnë shovinistë dhe bëhen altoparlantë të luftës antishqiptare dhe ikin në Greqi për të marrë mbështetje, flet nëna e një të vrari apo të vetëvrari dhe bëhet mishëruese e urrejtjes njerëzore a thua se paska pasur të drejtë djali i saj që bënte thirrje për Vorio-Epirin dhe luftë në emër të ekstremizmit grek. Dhe këtë njeri dhe filozofinë e shprehur nga të gjithë ata që e mbështesnin kërkojnë ta bëjnë hero, edhe pse me të drejtën e logjikës një shtetas grek e tha aq qartë se do mund të lejohej një shqiptar apo turk që të bënte të njëjtën gjë në Thesali apo në një fshat të Epirit? Kurrsesi jo, por hajt tu mbushësh mendjen neonazistëve që në emër të pushtimit të Vorio-Epirit, bëjnë parada dhe japin shfaqje me thirrje e vrasje, sa do tua kishin zili edhe vetë nazistët, por do i duartrokisnin vetëm çetnikët serbë.

Një tablo tjetër mund të shohësh me shqiptarët që bëjnë ndonjë shfaqje atdhedashurie kur fiton skuadra e Albania ndaj Greqisë që vriten si pa të keq si një 17 vjeçar apo djemtë e vrarë në burgjet greke pa më të voglin mëshirë dhe asnjë njeri, as familja nuk janë lejuar të shkojnë të bëjnë verifikime, të kërkojnë një avokat apo të pretendojnë për të drejtat e njeriut.

Lind pyetja çfarë do të thonë të gjitha këto poshtërsi tipike me pabesi greke, ç’janë këto tendenca si gati për luftë mes Greqisë dhe Shqipërisë, ku fle lepuri? Me siguri që qëllimet janë të silogjeve antishqiptare që marrin dhenë në të gjithë botën dhe në Evropën tonë ku heshtja duket se favorizon thëniet dhe domethëniet e zyrtarëve të lartë grekë dhe, kur vjen fjala për të drejtat e komunitetit çam që u vra dhe u sakatua me gjenocid nga bandat tipike e ekstremiste greke të llojit të “Agimit të Artë” që po i përsërit në kohë dhe në hapësirë. Përse një gjë e tillë?

Standardet evropiane për të drejtat e njeriut sipas Deklaratës Universale të Kopenhagenit janë standarde që kërkojnë të zbatohen dhe që për fatin e keq tanimë janë hapur qëndrime pa reciprocitet ndërshtetëror që do të duhet të bëhet standard edhe në mes shteteve fqinjë në rajonin e Ballkanit. Duhet të ndodhë një ngjarje si shumë nga ato që kanë ndodhur në këtë vendin tonë nga ana e grekëve, që të sensibilizohet opinioni dhe qarqet qeveritare për realitetin e marrëdhënieve shqiptaro-greke?

Flet Vangjel Dule sikur të jetë zëdhënës i Kryeministrit Micotakis, hesht Janullatos si të jetë inekzistent, flet nëna e Kacifas sikur do vijë ushtria greke kundër shqiptarëve, hesht politika shqiptare dhe diplomacia e Shqipërisë a thua se kemi një gjë normale dhe jo që Kacifas u bë simbol i shërbimit shovinist grek që t’i japë Micotakis apo shovinizmit grek të flasin për të drejtat e njeriut sikur ka qenë një gjë normale dhe jo që është manifestim i antishqiptarizmit.

Metodat tipike që dinë të bëjnë grekët me varret e ushtarëve që erdhën si pushtues dhe po trajtohen si heronj të Greqisë në Shqipëri, si dhe me tipin e mbajtjes në këmbë të Ligjit të Luftës apo të vrasjes së Kacifas janë vetëm sebepe që duan të bëjnë grekët për të ndërkombëtarizuar ngjarjet e tyre, a thua se ne hamë barë dhe Evropa dhe bota nuk e di se cilët janë grekët me pabesitë e tyre. Më shumë se kushdo këtë gjë duhet ta flasë një diplomat, një qeveritar dhe një shtetar që të mos bëjnë të heshturin kur ballafaqohen me realitete të tilla.