Sigal

Të lumtë t… o Babale!

Babalet gjenden në çdo qytet të Shqipërisë: Në Vlorë, Fier, Kavajë, Shkodër, Korçë, Durrës, Lushnjë, Elbasan e kudo. Jo rrallë mbajnë një kapele të lerosur me strehë, që prekjen e ujit e kanë provuar vetëm në ditë shiu, flokët e qethura tullë dhe një buzëqeshje standard që e nuk u shqitet edhe kur flenë gjumë. I njeh gjithë qyteti sepse gëlojnë gjithandej: Në klube, në bare, në lloto, në bilardo, e çdo mejhane në qendër e periferi. Vijnë vërdallë gjithë ditën me atë nuhatjen e miut që ia ndjen erën copës së djathit nga qindra metra larg. Nëse je me PD-në ata e dinë mirë dhe vijnë e ulen, pa të pyetur në tavolinë. Dhe fillojnë: Po ku je o gjigant? Ku je o vëlla? Të hoqën edhe ty nga puna këta motërq…. e PS-së? Hajdutë janë të gjithë këta. Edhe tenderët i marrin për vete. Ja ai tenderi i rrugës … Ndërhyri vëllai i ministrit (kryetarit të bashkisë, i prokurorit, vetë kryeministri) dhe ia dhanë atij legenit…. që nuk ka asnjë lekë në bankë. Ishim mirë me Berishën, o vëlla. Ah të vish edhe një herë, o Sali Berisha të shikojnë këtë robq….. e PS-së! Në kohën e Saliut edhe në punë ishim edhe ndonjë lekë lart e poshtë e fitonim. Tani po ngordhim për bukë. Pastaj kthehen nga kamerierja (kamerieri) dhe porosit me zë të lartë: O motra (o vëllai)! Sill një kafe e një raki Babales se nuk shtyhet kjo jetë qeni! Sapo i sjellin rakinë e rrëkëllen me eks, duke bërë ncëq-ncëq ndërsa fërkon mollën e Adamit dhe pohon: Çka nuk e mbajnë të keqe rakinë këta shkërdhatat! Njerëzit kur janë të ngeshëm e pyesin për situatën dhe Babalja fillon e bilbilos pa frena. Kur nuk ia varin, gjoja i mërzitur me ato që po ndodhin në Albanistan psherëtinë: Kështu o pasha kështu! Mbetëm keq me këta motërq….. socialistë. As punë kemi dhe as ku të ankohemi. Duke u ngritur ashtu si pa mendje të afron gojën që qelbet erë raki e pocaqi dhe të mërmërit te veshi: Shef, na jep ndonjë lek se jemi keq! Të çojmë ndonjë lekë në shtëpi se po ngordhim për bukë! Duhet thënë se Babalja ka aftësi hipnotizuese. Ti nxjerr pa kuptuar një pesëshe apo dhjetëshe dhe mekanikisht ia zgjat, se durimi dhe neveria të ka arritur kulmin. Babalja zgjat dy gishta që veprojnë më shpejt se gjuha e kameleonit kur kap gjahun, e rrëmben, e puth e vë në ballë, pastaj në xhep dhe largohet, jo duke të kthyer shpinën, por duke ecur praptas, me sytë e përlotur: Rrofsh o vëlla rrofsh! Ti je për fukaranë. Inshallah vjen PD-ja në pushtet që edhe ne fukarenjtë të shohim ndonjë ditë të bardhë se po vdesim për bukë. Mua këtej më keni. Mos me kurseni! Pesëdhjetë metra me tej Babalja me atë syrin e tij prej skifteri në një bar-kafe tjetër dallon një tavolinë po këtë herë me socialistë. I drejtohet atij që është me kollaro ose që është veshur më me sqimë dhe pa e zgjatur fillon aktrimin: Po ku je o vëlla? Po ku je o gjigant se na thave sytë? Hallal, hallall! Ka lezet qyteti që kur e kanë marrë socialistët. Shiko sa e bukur është bërë qendra, llamburitin dritat anembanë. Hallall, ia bëftë zoti Ramës! Po një gjë ama nuk ia fal. Si ore nuk e futi në burg atë malokun, Sali Bershën? Këtë nuk ia fal Edi Ramës. Nuk votuam kot ne për PS-në si fis i madh që jemi…. Dikush në tavolinë rrudh buzët dhe Babalja fillon e betohet: Nuk beson? Po pse për këta shkërdhatat e PD-së do të votoja unë? Ja pyet dhe (thotë një emër kot) sa vota kam hedhur unë për PS-në. Më vdektë plaka, o pasha, më vdekshin fëmijët po të gënjej! (Babales plaka ka dhjetë vjet që i ka vdekur.)

S’më beson mua ti? Vendos gishtin nën qerpikun e poshtëm të syrit, tërheq lëkurën dhe vazhdon: Shikomë në sy Nuk gënjen Babalja mos paça njeri! Prapë nuk më beson? Kur të jem burrë motre! Po tani më beson? Ndërkaq e ka rrëkëllyer gotën e rakisë që e ka porositur sërish me nisiativë dhe ngjëron me zhurmë kafenë. Ngrihet për të ikur gjoja i ofenduar, pohon që prap për PS-në do të votojë, vendos kapelen këllirë që shndrit plot shkëlqim nën rrezet e diellit, tund kokën si një nuselalë dhe bën atë ritin e zakonshëm: O Gjigant, o pasha! Na jep ndonjë lek se kemi mbetur keq. Kam qenë pa qejf dhe nuk kam vajtur fare në punë këto ditë. As ilaçet nuk i kam blerë. Se mos keni ndonjë gjë se unë gati jam. Jo për ndonjë gjë, por kam respekt për socialistët. Socialisti ndërkaq e ka kollofitur karremin dhe nxjerr një pare letre prej xhepit. Babalja zgjat dy gishtat, rrëmben paranë e letrës, e puth, e vë në ballë dhe largohet sërish duke mos kthyer shpinën, e duke falënderuar: Rrofsh o vëlla rrofsh! Ti je për fukaranë. Lart e më lart të pafsha! Do t’i mundim prapë malokët e Berishës, keni për të parë. Dhe mos më kurseni, nëse ju duhem për ndonjë punë! Tash pesë muaj Babalja i Vlorës dhe ai i Fierit janë bërë personazhe VIP e me ta merren drejtuesit më të lartë të shtetit, analistët, filozofët, policët, prokurorët, gjykatësit, shkurt gjithë shteti.

Babalja i Vlorës sipas një dëshmie sekrete që do të dalë së afërmi kur po e arrestonin paska thënë: Ç’më kujtojnë mua këta bij kurvash se do t’ia hedhin pa lagur!? Jam zog klloçke unë nuk jam zog inkubatori si Salianji dhe Taulanti. Pastaj gjithë krenari paska shtuar: Jam prodhim bio unë! Babalja i Fierit ( këtij i thonë dhe kokëtul) nuk qenka menduar shumë. Ai e ka më të thjeshtë dhe paska thënë: Pse budalla jam unë që të ma hedhin ata robq… Nuk do të flas fare, se kështu më ka thënë avokati. Po jua mbajti, le të më fusin në burg se dy duar për një kokë janë. Më tej i revoltuar ka zenë herdhet me dorë. Informacione të tjera shumë të sigurta thonë se Babalet e Durrësit dhe Korçës qenkan zemëruar dhe kanë ofruar shërbimin e tyre falas boll të dalin në gazeta e televizorë, duke thënë: Ju lumtë trapi, o babalet e Vlorës e Fierit…!