Fillimi i një lëvizje?

587
Sigal

Nga Çim Peka –

Nëse do të vija bast një kafe, parishikimi im është ky: ditën që Edi Rama të shkarkojë Presidentin në Parlament, ai do dërgojë forcat speciale të Lleshit dhe Gardën e Republikës për të nxjerrë Presidentin nga zyra. Po atë ditë, në ekranet dhe media do të sulen lukunia e analistëve, gazetarëve, ekspertëve kushtetues të paguar nga Rama për të shpjeguar se Presidenti nuk mund të ushtrojë funksionin e tij derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese. Dhe argumenti do të vazhdojë se, në kushtet e vakancës, funksionet e Presidentit do ti ushtrojë Kryetari i Kuvendit. Si rrjedhojë, Gramoz Ruçi do të jetë ai, që si President në Detyrë, bashkë me Edi Ramën do të krijojë Gjykatën e Lartë, dhe Gjykatën Kushtetuese. BUUUM! Ramaforma, të cilës i referohet Meta fillon të zbatohet me shpejtësi. Reforma në drejtësi kështu kalon në një nivel tjetër, më të lartë. Deri tani, reforma ka qenë thjeshtë sms të Engjëll Agacit (Kryeministrit në hije) drejtuar Genta Bungës me urdhërat se kush duhej të kalonte dhe kush të rrëzohet në procesin e vetting-ut.

Konferenca për shtyp plot nerv e Presidentit Meta zuri në befasi shumkënd. Por, Edi Ramën më shumë se këdo tjetër. E ka goditur në ‘thembrën e Akilit’; aty ku nuk mban: tek emri i George Soros. Ato çfarë të gjithë ne i këmi ditur por nuk kemi bërë zë; kemi folur me njeri tjetrin por edhe me veten, por nuk kemi patur kurajon të flasim me zë, i artikuloi Ilir Meta dje. Po ashtu, ai përdori dy terma, njëri ‘deep state’, i cili është kopjim i të njëjtës terminologji të cilën përdor Presidenti Trump kundër një pjese të establishmentit demokrat në SHBA në luftën e tij politike, si dhe ‘state capture-kapja e shtetit’ nga ana e Fondacionit Soros.

Është e pritshme që makineria e propagandës qeveritare do përpiqet që këtë pozicionim të Presidentit të përpiqet e ta paraqesë si anti-amerikanizëm të tij, duke e barazuar Sorosin me amerikën. Madje që dje dolën analistët e Sigurimit të Shtetit duke e goditur Presidentin për anti-amerikanizmin e tij, anti-NATO, anti-BE, etj. Nuk prish punë e mirë bejnë, sepse tregojnë vetë se ku ka arritur puna, saqë spiunët e ish-Sigurimit na dalin tani si mbrojtësit e SHBA-ve në Shqipëri.

Presidenti Meta nuk është i pari që godet Sorosin, fondacionin e tij, dhe axhenden e tij. Po flas vetëm për politikanët. Sali Berisha ka qene konsistent në qëndrimet e tij kritike ndaj këti rrjeti. Qëndrime, të cilat janë lënë në heshtje edhe nga vetë Partia Demokratike. Në fakt, edhe Lulzim Basha, në pozicionin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike, diku në prill të vitit 2017, sulmoi ashpër George Soros me emër, në një nga fjalimet e tij në ‘Çadrën e Lirisë’. Por, e la me aq.

Qëndrimi i djeshëm i Presidentit të Republikës e vendos diskursin politik në një nivel tjetër. Ai flet si kryetar shteti dhe jo si kryetar partie apo deputet i thjeshtë. Mundësia e tij për të përçuar këto mesazhe në Tiranë por edhe përtej Atlantikut janë shumë here më të mëdha. Jo rastësisht, networku Fox News, i shquar si mbështetës i Presidentit Trump por edhe si kritiku dhe kundërshtari kryesor mediatik në SHBA ndaj George Soros i bëri jehonë të madhe konferencës për shtyp të Presidentit Meta.

Ilir Meta ndoshta pak me vonesë, por ka gjetur mesazhin e duhur për të rezonuar edhe me betejën politike të brendshmë amerikane, duke u pozicionuar në krah të kampit Trump. Me këtë pozicionim të ri të Presidentit, ai arrin të paktën tre synime. Së pari, ai tregon fytyrën e vërtetë të networkut të George Soros në Shqipëri, si uzurpues të të gjitha institucioneve shtëtërore dhe të ashtëquajturave reforma; së dyti, duke ndarë Fondacionin Soros nga administrata amerikane, ai hedh poshtë propagandën e Ramës për gjoja anti-amerikanizmin e tij dhe të opozitës, dhe së treti, ai hap në Shqipëri një diskurs politik i cili është në rezonancë të plotë me atë në Washington.

Dy kundërshtarët më të fortë të Soros në Europë janë Mateo Salvini, lideri de facto i Italisë dhe kryeministri Hungares Viktor Urban. Qe të dy janë njerëzit më të sulmuar nga i ashtëquajturi network i njerzve të sponsorizuar nga Soros në Europë. Por, që të dy gjatë muajit Qershor vizituan Washingtonin, Salivini i ftuar nga Zv. Presidenti Mike Pence, dhe Orban i ftuar nga Presidenti Trump. A janë anti-amerikanë këta të dy? Fabula se kush sulmon Soros është anti-amerikan bie akoma pa u artikuluar. Dhe Rama e di mirë këtë. Prandaj ka dy ditë që hesht. Ilir Meta i është futur një loje të rëndë, por një lojë që çmonton përfundimisht Edi Ramën.

Është herët për të kuptuar se ku synon të dalë Presidenti, dhe si rrjedhojë dalin një sërë çështjesh dhe pyetjesh.

Së pari, deri ku do të shkojë Ilir Meta? A do të mjaftohet vetëm me delegjitiminin e reformës në drejtësi dhe të vetë Fondacionit, apo do shkojë edhe më tej duke filluar një lëvizje populiste, nacionaliste, sovraniste, në modelin e Donald Trump? Nëse po, a do ti duhet të levizë më djathtas ideologjikisht? A po del ai jashtë kuadrit politik të LSI, dhe a po formëson një lëvizje të shumë pritur përtej suazave të partive politike tradicionale? Në çfarë pozite do e vendoste kjo lëvizje opozitën e tanishme, PD dhe LSI? A po e rrëmben ai flamurin e opozitarizmit? Kush është pozicioni i Partisë Demokratike dhe i Lulzim Bashës si lider i saj dhe i opozitës në tërësi? Çfarë alternativash ka ai, që të ruajë pozicionin që ka si lider i opozitës dhe opozitarizmit?

Nga dje, loja politike ka ndryshuar në Tiranë. Sfida e Ilir Metës është ndaj të gjithëve. Lulzim Bashës i takon ta ruajë pozicionin e tij si lider i opozitës, por duhet të dijë si ta mbajë.