Fatmira Mustafaj: Berati dhe Kongresi i Grave të LANÇ

1030
Sigal

Me pushkën krahut në Kongresin e tyre të BGASH

Fatmira Mustafaj

75 vjet më parë, më 4 Nëntor të vitit 1944, u mblodh në Berat Kongresi i Parë i BGASH. Rruga nëpër të cilën kaluan delegatet për të ardhur në Berat qe e gjatë, e vështirë por e lavdishme. Atyre iu desh të përballoheshin me forcat armike, të kalonin dy herë ujërat e ftohta e të rrëmbyeshme të lumit Shkumbin në atë prag dimri. Por dëshira për tu mbledhur në atë Kongres qe më e fortë se çdo pengesë tjetër. Ishte hera e parë që gratë shqiptare mblidheshin në një Kongres të tillë të zgjedhura në mënyrë demokratike nga fronti i luftës për çlirim, për të kuvenduar së bashku, duke marrë detyra për të ardhmen. Të 311 delegatet përfaqësonin gratë nga e gjithë Shqipëria, pa dallim feje krahine, por që i bashkonte ideali i madh i lirisë së atdheut. Ato u mblodhën në Beratin e lirë dhe si përfaqësuese të 6000 luftëtarëve, të cilat me armë në dorë u rreshtuan përkrah burrave dhe vëllezërve të tyre në ushtrinë ANÇl. Ato erdhën si përfaqësuese të nënave e motrave, të cilat u kishin hapur dyert e shtëpive së bashku me zemrat luftëtarëve të lirisë. Ato erdhën në kuvendin e parë të tyre për të bashkuar mendjet, zemrat dhe forcën e tyre, për të ndërtuar një Shqipëri të lirë, demokratike, duke bërë realitet ëndrrën e të gjithë brezave të grave shqiptare, me gjakun e të cilave, për asnjë çast nuk ka pushuar së vluari ndjenja patriotike, atdhedashuria, dëshira për përparim shoqëror. Duke u bashkuar me idealet e lirisë, ato bënë realitet ëndrrën e Norës, Tring Smailit, Shote Galicës, Sado Koshenës e shumë e shumë të gra të shquara shqiptare. Ato u mblodhën në këtë Kongres për të ideuar një jetë të re demokratike, të lirë e të bashkuara mbi themelet e mbrujtura me gjakun e Zonja Çures, Margarita Tutulanit, Shejnaze Jukës Ramize Gjebresë, Liri Geros, Bule Naipit, Persefoni Kokëdhimës e shumë e shumë grave heroina e dëshmore, që sot emrat e tyre ndrijnë në altarin e lirisë. Në kongres folën mjaft gra si Ollga Plumbi, e cila u zgjodh dhe presidente e Gruas Shqiptare. Folën Liri Gega, Vito Kondi, Kaliopi Ziko, Lutfije Kadija, Nexhmije Xhunglini, Hilmije Kosturi, Feride Çela, Mila Vangjeli, Naxhie Dume, Vasilika Buda, Viti Çepani, Lejla Myftiu, Shaho Luçi e të të tjera. Ato ngritën probleme të tilla si:

  • Fitimi i të drejtave të gruas,
  • Lufta kundër analfabetizmit,
  • Pjesëmarrja e gruas në ndërtimin e vendit, duke zënë vendin që i takon si në jetën politike, ekonomike, e shoqërore.

Në fund u zgjodh Këshilli i Përgjithshëm i BGASH i përbërë nga 36 shoqe. Është pikërisht ky mesazh që na vjen sot nga kjo datë e shënuar historike, ne brezit të rri të grave shqiptare. Në këtë 75-vjetor tingëllon fuqishëm zëri i këtij Kongresi, amaneti i të rënëve, idealet e larta të lirisë, demokracisë dhe emancipimit shoqëror mbeten të përjetshme. Ato jetojnë me ne dhe ne si nëna do të dimë t’ua transmetojmë fëmijëve tanë.