Viktor Hygo:Ali Pashë Tepelena

1118
Sigal

 Shkonte në krye të grupit të rreptë të arnautëve,

Shkonte Ali Pashai me ballin nëpër re,

Gjithë populli përqark nderonte i tmerruar,

Përgjunjur dhe kryet përkulur gjer në dhe.

Befas u ndje nga turma: “Më prit, Ali Pasha!”

Një dervish mjekërbardhë, sy të pafrikë te balli

Përpara i dolli të ashprit Ali Pashë Arnautit

Dhe kalin pullali ia mbërtheu për kapistalli.

“S’ta kam frikën as ty, as të ndyrës thikës tënde

O shenjti i shejtanit, tiran, mizor e qen,

Mos këtyre të tremburve e trimave tuaj të çartur

Vdes sot, por kush je ti, jam unë që do ta them!

Pallatin e ke ngritur mbi eshtra e xhenaze

Me atë dorë gjakatare, kushedi se sa ke vrarë!

Ke vënë thikën një populli, por s’di, ore lugat,

Pranë të është hapur e po të pret një varr!

E jotja shpatë njerëzve u shkon si kosë mbi bar…

Por shpirti do të dalë ndër çengela zinxhirësh,

Me dorë të vet Allahu do të varë, o kusar,

Në pemën e segjinit plot me shpirtra qafirësh!

As paratë, as dredhitë, intrigat as kalatë,

Asgjë, o shpirtkatran nuk do të bëjë derman,

Për jetë fantazma jote do të tmerrojë dynjanë,

Jot ëmë përse të lindi shtatë herë është bërë pishman!

Jezit e faqezi, nxirre thikën nga mylli!

Ma ngul në gjoks, hiç frikë s’të kam me sua e xhins!

Kur shpirti të më dalë , njatje, te grahmë e fundit,

Pështymë në surrat do të hedh, o përbindësh!

“A ke më për të sharë, dervish?” – pyeti Pashai

“S’kam më! Ja gjoksi im! Ngule thikën, shëmtirë!”

Aliu ra thellë në të thella… buzëqeshi… edhe dervishit

I dhuroi qyrkun e vet stolisur në xhevahirë

Dhe i tha lamtumirë.

Përkthyer në shqip nga Riza Lahi