Servet TARTARI/ Ismail Qemali ka vizituar Bolenën

217

Kontributi i bolenasve në ngritjen e flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë

Toto Hosi është shoqëruesi i dy Kryeministrave: Sulejman Delvina, që i dhuron edhe një kobure në shenjë kujtimi dhe mirënjohje, për meritat e tij. Shoqërues dhe mbrojtës i qeverisë së Ismail Qemalit.

Toto Hosi, u lind në vitin 1875, në një familje të thjeshtë patriotike. Në Janinë mbaroi shkollën “Zosimea”, ku u lidh ngushtë edhe me birin tjetër të shquar të Bolenës, Isuf Bushi, publicist dhe diplomat, i cili ishte punonjës i Konsullatës Rumune në Janinë.

Toto Hosi vazhdon studimet në shkollën ushtarake në Turqi, ku del oficer artilerie. Këtu pati fatin të njihet dhe të bëhet shok, shumë i ngushtë, me djalin e Ismail Qemalit, dhe që këtu fillon përkrahja dhe përgatitja për ngritjen e flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë. Toto Hosi është Anëtar i Shoqatës “Labëria”, që me themelimin e saj, në vitin 1908, në Vlorë, e cila u bë baza e përkrahjes së Ismail Qemalit për ngritjen e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë.

Toto Hosi, tashmë një oficer i përgatitur dhe me përvojë, e pret Ismail Qemalin tek Ura e Mifolit, bashkë me ushtarakë të tjerë, e shoqërojnë për në Vlorë. Toto Hosi vihet tërësisht në shërbim dhe në mbrojtje të Qeverisë së Ismail Qemalit, trim dhe besnik në mbrojtjen e lirisë dhe Pavarësisë së Shqipërisë, që ishte ëndërruar prej shekujsh, për të qenë të lirë dhe të pavarur, u projektua dhe u realizua nga Plaku i Urtë dhe diplomati Ismail Qemali, që sivjet kujtohet dhe nderohet nga i gjithë Kombi Shqiptar, në 100-vjetorin e Pavarësisë.

Toto Hosi, vetë i tetë, në vitin 1914, e shoqërojnë Ismail Qemalin për në Itali. Kthehet në Shqipëri me misionin e tij të lartë, në luftë kundër pushtuesve të huaj, ku merr pjesë në luftën e viteve 1913-1914, kundër sundimit grek, dhe më vonë kundër sundimit të Italisë fashiste, që kishte pushtuar Shqipërinë. Gjatë luftimit për marrjen e Kalasë së Kaninës, goditet rëndë nga bombardimet, i çahet barku, dhe,  ashtu, me zorrët përjashta, vërsulet mbi oficerin Italian, i rrëmben mitralozin dhe qëllon përmbi ‘ta, e bie në fushën e luftimit. Toto Hosi u kthye në legjendë, si një hero, në krye të Çetës së Selenicës me150 luftëtar, që i udhëhiqte, në këtë luftë epope, të vitit 1920. Në Muzeun e Vlorës ruhen reliket e Tij si: një çantë ushtarake e relike të tjera. Po kështu, ka foto, që ka dalë me Eh’tem Beun, djalin e Ismail Qemalit, Memo Mete (Bratin) e shumë patriot të t tjerë vlonjat, gjatë viteve 1908-1914.

    Rreth vitit 1913, Ismail Qemali, shkon në Bolenë, ku e pret në shtëpi, patrioti, Manxhar Sulçe. I shoqëruar, nga patriot dhe ushtarak, si edhe Toto Hosi, që kudo e kish shoqëruar Kryetarin e Qeverisë së Vlorës, deri në largimin nga Shqipëria.

Sipas një bisede, që u zhvillua me marshallin Dervish Pasha, mik i Ismail Qemalit, 12 ushtarakë, me orgjinë shqiptare, u transferuan në garnizonin e Janinës. Midis tyre ishte edhe Toto Hosi (Bolena), i cili, më pas, u përfshi në lëvizjen kombëtare të kohës. Kjo ndodhi në vitin 1905. Më vonë Memo Mete (Brati) dhe Toto Hosi (Bolena), transferohen në qytetin e Vlorës, në repartin e Ujit të Ftohtë. U paraqitën me një letër tek Kryetari i Bashkisë Xhemil Bej Vlora.

Jeta ushtarake në Vlorë, Toto Hosin e lidhi dhe e miqësoi, me shumë atdhetarë, të asaj kohe; me Hamit Lumin, Kol Kristo Karbunarën, Ymer Radhimën dhe Hamza Isai.

Sipas dëshmisë së lëshuar nga Ymer Radhima, në rreshtat e saj thuhet:- “Në vitin 1905-1907, Toto Bolena e Memo Brati, kishin miqësi me Hamit Lumin e Musa Çakërrin. Ata na sillnin me postë, Austriake, nga Preveza; libra e gazeta, në qytetet që duheshin për të përhapur shqipen…”

Në kujtimet e tij Ibrahim Abdullahu shkruante: -” Midis atyre që takoi Ismail Beu, kur erdhi në Vlorë, ishin edhe Abaz Mezini, Ymer Radhima, Qazim Kokoshi, Memo Mete, Toto Hosi, Alem Mehmeti, Jani Minga, Hamza Isai, Murat Tërbaçi, Hamit Selmani etj..”

U poqëm e kuvenduam me të, për zgjedhjet e reja, për deputet në Parlamentin e Stambollit. Në mbrojtje të kandidaturës; së Syrja Bej Vlorës. “Po midis fjalëve të tyre, turqisht, kishte edhe ofendime dhe sharje për Ismail Qemalin. Toto Hosi(Bolena), nuk i duroi dot, u ngrit dhe vuri dorën në pisqollë, ndërsa ushtaraku Memo Mete (Brati), me shpejtësi e zgjuarsi të habitshme, ia hoqi armën nga dora, dhe kjo shpëtoi zararin…”

Në mbledhjen, që u zhvillua, në shtëpinë e Ymer Radhimës, më 22 Tetor, 1912, ishin të pranishëm 29 vetë, midis tyre shënohen: Ibrahim Abdullahu, Hamza Isai, Et-hem Vlora, Sali Hallkokondi, Osmën Haxhiu, Toto Hosi, Ymer Radhima, Qazim Kokoshi, Zaçe Xhelo, Muço Sharra, Toli Arapi, Kanan Maze, Kristo Karbunara, Hajri Kreshpa, Beqir Velo, Sadik Shaska, Leonidha Beshani, Bektash Cakrani,  Mulla Xhafer Drashovica e të tjerë.

Shpallja e pavarësisë dhe ngritja e Flamurit u bë në ballkonin e shtëpisë së Xhemil Bej Vlorës. Edhe këtu Memo Mete, Mulla Xhaferi-Drashovica, Toto Hosi Bolena, u vunë të komandonin një repart luftëtarësh për mbrojtjen e portit të Skelës.

Më 29 Janar 1913, Këshilli i Ministrave në Vlorë, mori zyrtarisht, vendimin; të mbrohej me çdo kusht Janina, dhe u bëri thirrje të gjithë patriotëve shqiptar të rroknin armët dhe të shkonin në ndihmë të saj. Në këtë kohë, dy përfaqësuesit e Bolenës, Arif Rushani e Habip Lila, shkuan tek Ismail Qemali në Vlorë, për të marrë udhëzime, lidhur me situatën. Shumë fshatarë, bolenas, shkuan në Janinë. Në këto luftime, nga Bolena dhanë jetën: Dalan Çelo, Difo Shameti, Goxho Veshaj, Hasan Memushaj, Jaçe Balili, Maliq Memaj, Maze Tartari, Meço Islamaj, Mejdi Rrapo dhe Saç Zahaj.

Me dorëzimin e Qeverisë së Vlorës, Janar 1914, Ismail Qemali u largua në drejtim të Italisë, i shoqëruar nga 8 veta: Ahmet Durmishi, Memo Mete, Toto Hosi, Beqir Velo, Hamza Isai, Hajri Kreshpa, Xhafer Xhuveli dhe Ali Dauti.

Toto Haxhi Hosi, u shqua si trim dhe udhëheqës i Çetës së Selenicës, ku iu thurë edhe një poemë; “Në atë luftën heroike, të vitit Njëzetë, zbrite Toto Hosi zbrite, në Vlorë me çetë. Zure kalanë në Kaninë, gjoksin mbi bedena, lumë e derdhe trimërinë, O Toto Bolena. Zbrite nga malet e larta, se të dhimbsej vendi, Këtu the: do gjykoj shpata, por jo breshkaqeni. U the shokëve – përpara, t’i zëmë të gjallë, t’i hedhim armiqtë e vendit, në detin me valë. Luftove me zorrët jashtë, pushkën nuk e ndave, shkrove histori të artë, o trimi me halle…” Revista Minevra,1934.

Pas vrasjes së Toto Hosit, ishte Mato Robi. Populli rapsod thotë: “Ata që mor kalanë, Totua me Arif  Ruashanë, Sinua me të vëllanë. Mato Robi një trim djalë, veshur ngjeshur me gjerdanë, gjithmonë gjendet në ballë, si shqiponjë mbi italianë…

Për këto merita, si komandant, dhe luftëtar trim, që dha jetën për mbrojtjen e lirisë dhe Pavarësisë së Shqipërisë, në luftën e Vlorës 1920.

Me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Toto Haxhi Hosi (Bolena) u dekorua nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, në Vlorë, më 27 Qershor 2012, me rastin e 137- vjetorit të lindjes dhe 92 -vjetorin e rënies, trimërisht, për marrjen e Kalasë së Kaninës.