Sefer Pasha: Përshtypjet e një miku nga Polonia në Kryezi të Pukës

714
Në këto ditë të fundit të vjeshtës së dytë në kullat e Nuhi Dervishit të Zotnive të Kryeziut takohemi me krushkun e ri të kësaj shtëpie Wladylaw Zielak. Një nga djemtë e kësaj shtëpie, Napoloni, i cili është emigrant me dokumente të rregullta në Londër, është martuar me të bijën e Wladylaw Zielakut prej qytetit të Gostyninit të Polonisë. Nusja e Napolonit quhet Darlena dhe ka mbaruar studimet për gjuhë-letërsi. Napoloni dhe Darlena kanë një djalë të cilit ia kanë venë emrin Henri. Krushku nga Polonia Wladylaw Zielak është i mahnitur me Pukën e me Kryeziun, ku po pushon prej disa ditësh. Mua më flet me pasion për luginën e Kryeziut, për lumin dhe majat e maleve për rreth. Qyteti i tij në Poloni, Gostynini, është afër Varshavës dhe relievi është fushor. Nuk ka asnjë kodër.

 Dielli ne qytetin e tij matet me fushat dhe kurrë me ndonjë mal. Kur polaku Wladylawi ishte ngritur në mëngjes herët dhe kishte dal përpara vilës së djemve të Nuhi Dervishit e ngritur mbi rrënojat e kullës së Zotnive të Kryeziut kishte mbetur pa mend. Dielli kishte lindur midis dy kreshtave të Malit të Kunorë Dardhës. Kreshtat ishin veshur me një mjegull të hirtë dhe miku nga Polonia habitet kur e shikon që dielli si një dem i kuq pasi u fut midis dy maleve u ul poshtë Kunorë Dardhës dhe filloj të zbres dalëngadalë në të tatëpjetën e Luginës së Kryeziut. Nuk kishte parë kurrë një pamje të tillë as në Poloni dhe as në vende të tjera. Wladylaw Zielak i kishte bërë diellit të Kunorës së Dardhës shumë fotografi dhe e kishte filmuar. Ai i mrekulluar e kishte thirrur të bijën, Darlenen, dhe së bashku me Napolonin kishin diskutuar rreth kësaj çudie. Ç’vend i hatashëm do t’më thoshte mua! Atë mëngjes ai kishte ndjekur udhën e diellit nëpër Luginën e lumit të Kryeziut dhe do ta filmonte diellin në këtë udhëtim, që ai nuk e kishte përfytyruar në Poloni. Dielli për të në kamer lëvizte si aktor teatri. Ky ishte thesari më i madh që ai merrte nga veriu i Shqipërisë.
Fotografitë
Miku nga Polonia Wladylaw Zielaku fotografon, filmon dhe mban shënime. Wladylawi flet pak dhe na thotë tek Qershitë e Gjeçovit se njeriu në jetë duhet të luftojë me art dhe jo me luftë. Gjëja që i pëlqen me shumë mikut nga larg është jo vetëm peizazhi, por në radhë të parë njerëzit. Unë i them se kryeziasit, ku ai ka dhënë vajzën, janë të penës dhe të pushkës. Të gjithë në shtëpinë e Nuh Dervishit me djem dhe vajza u bien veglave muzikore. Edhe dhëndri i tij Napoloni është muzikolog. Ai ka mbaruar shkollën “Jordan Misja” në Tiranë. Dhe ndërsa lëvizim nëpër luginë unë i tregoj një tregim të hershëm. Disa kositës nga Kryeziu kishin shkuar për punë në Gjakovë. Dhe kishin mundur të gjenin një punë tek një nga bajraktarët e Gjakovës. Me të kishin bërë Pazar për të kositur bjeshkën e tij. Dhe kryeziasit me kosat në krah kishin shkuar në fundin e bjeshkës e kishin filluar nga puna. Por kishte qenë e pamundur të vazhdonin. Bjeshka ishte tërë gur e shkurre. Qysh në fillim kosat u ishin bërë copa – copa dhe ata s’kishin kositur asnjë metër vend. Të gjithë ishin ulur nën hijen e mollës dhe ia kishin marrë këngës. Ata ishin këngëtar virtuoz. Këndonin si të ishin në Kryezi. Dhe nuk do t’ia dinin se çdo të bëhej me bjeshkën, ku e kishin të pamundur të vazhdonin kositjen. Dhe këndonin këngë trimash. Kënga përhapej si cikloni i bjeshkës. Bajraktari që kishte dal në kullën e tij të madhe habitet me këngën që gjëmonte nëpër rrafshin e bjeshkës. Zbret nga kulla dhe i hipën kalit. Kur mbërrin tek kryeziasit, të cilët po këndonin për shtatë palë qejfe, i pyet ata se përse po këndonin.Dhe kryeziasit i thonë se po pushonin. Por Bajraktari e kuptoi. Bjeshka ishte gjithë gurë dhe qe e zorshme për t’u kositur. Bajraktari që po mahnitej me këngëtarët e mrekullueshëm pa zbritur nga kali i fton kryeziasit në kullën e tij hijerëndë. 

Dhe në odën e madhe mbledh djemtë, nuset, kushërinjtë dhe miqtë më të afërt. Tërë natën pinë, hanë dhe këndojnë. Këngët e kryeziasve gjëmonin si gurgullimat e lumit të Kryeziut kur ai zbret nga Kuonrë Dardha. Të nesërmen bajraktari qysh herët në mëngjes u bën kafen miqve të largët, u shtron mëngjesin dhe gjithashtu i paguan për bjeshkën të cilën ata nuk e kositën. Të gjithë këtë histori e bëri kënga aq e bukur e kryeziasve. Kjo ndodhi tregohet brez pas brezi në Kryezi dhe më tutje. Kënga i ka shoqëruar këta njerëz denbabaden. Dhe krushku i Wladylaw Zielakut, Nuh Dervishi, ka qenë njeri i artit. Ai si instrumentist i çiftelisë ka marrë pjesë në festivalin e parë kombëtar të Shqipërisë.

Wladylaw Zielakut i pëlqen jeta në Kryezi.
Unë i tregoj një këngë dhe ai e mban shënim: – /Medet ne për mendjen tënë/ /Mbetëm shamata e grënjë/ /Nga e gjithë puna që bëjmë/ /Një metër vend do zëmë/ /Dhe ajo gur e shkëmbënjë/ /O baltë e kuqe këlkënjë/. Miku nga Polonia ka kulturë të gjerë. Atij i kishte bërë përshtypje një zog i gdhëndur tek Ura e Bardhetit e cila të çon për në Kryezi. Një zog e ftonte njeriun për të shkuar në fshatin e thellë malor. Dhe Wladylawi më reciton vargje nga Volteri: – / Një ditë, në fund të një lugine/ /Një gjarpër helmoi Freronin/ /A dini se çfarë ndodhi?/ /Ky mbeti gjallë, gjarpëri ngordhi.  Me mikun polak lëvizim nëpër Luginën e Kryeziut. Bashkë me ne është dhe shkencëtari Xhemal Meçi. Ky i fundit na çon tek rrënojat e të parëve të Shtjefën Gjeçovit. Xhemal Meçi i flet me pasion mikut të largët për Shtjefën Gjeçovin. I tregon gurët e të parëve, qershitë, gështenjat, mullirin, vijën e ujit, udhët që të çojnë për tek Qafa e Benës, muret e serbit e kreshtat që të nxjerrin në Udhën e Madhe. Xhemal Meçi i premton mikut të largët se do t’i jap si dhuratë veprën e Shtjefën Gjeçovit “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Pyetjet e mikut janë të shumta. Wladylawi do të dijë hollësira për “muret e serbit”. Dhe përgjigjet e Xhemal Meçit nuk mungojnë. Ashtu siç nuk mungojnë dhe këngët e trimave në luftë me shovinisët serb: – /Çesi djelsh që na i ka Fjeti/ /Si ka krali i si ka mbreti/ /Kur ka ardh Shëngjergj i ri/ /Digjen kishë, digjen xhami/ /Serbi në bjeshkë na paska hi/ /Kë ka gjet, tan tuj gri/ /Tan tuj gri e tuj coptue.

Me vëmendje e vështrim të përqendruar një nga vazhduesit e denjë të Zotnive të Kryeziut Bylbyl Dervishi i rrëfen krushkut, që vjen për herë të parë, për odën ku ka fjetur e ka ngrënë bukë trimi i maleve Bajram Curri. Por tek Zotinitë e Kryeziut kanë qëndruar dhe burra të tjerë me emër si Hasan Prishtina, Azem Galica e Avni Rustemi. Wladylaw Zielaku prek trungjet e gështenjave qindra vjeçare, ku burrat e shquar të kombit kuvendonin për fatet e atdheut. Dhe miku nga Polonia çuditet që të gjithë këto burra, të cilët janë strehuar tek Zotintë e Kryeziut, të gjithë janë vrarë nga dora gjakatare e tradhtarëve dhe e bashkëpunëtorëve të tyre prej Serbisë. Për Wladylawin ky vend është një bum. Ai vazhdimisht mban shënime të qelibarta. Për të ditët në Kryezi janë një përvojë universale. Rokaqiejt e Kryeziut e ç’prangosin nga ankthet “se do të shkojë në një vend të paqetë, ogurzi e gati, gati marsian”. Në drekën e shtruar posaçërisht për të, nën hijen e mollëve të Nuh Dervishit, ku ka miq nga Tirana, Shkodra, Mirdita, Kukësi, Tropoja e Kosova, Wladylaw Zielaku, dëgjon të flitet për drama në beteja, ngjarje autentike, protokolle të jetës, thënie mes klasikes dhe romantikes, qarkullojnë libra të vjetër, këndvështrime të shumanshme për jetën, vlera kulturore të mirëfillta, dialekt gjeografik specifik, kryevlera e besës, zhanre të ndryshme këngësh, talenti natyral i njerëzve, kudo artikulohet identiteti, lufta ndaj nazeve dhe hileve, triumfimi i ekzistenciales, ofshamat e baladave, mjeshtëria e të ligjëruarit në kulla, të jetuarit me muzikalitetin e ngjyrave, dëgjimi i këngëve të gjelit trumbetar të mëngjesit në Kunorë Dardhë, sensi i fjalëve të urta, këngët, vallet, vajet, doket, zakonet e lojërat e pafundme popullore. Në Luginën e Kryeziut janë gjurmët e livadheve ku bëheshin gara me kuaj, piknikët, poligonet për qitje e sheshet për këngë e për valle.

Unë lëviz me Wladylan Zielakun gjer afër digës, ku është ngritur diga e hidrocentralit të Kryeziut. Wladylawi gëzohet që Kryeziu nuk u asimilua nga lëvizjet e egra të këtij tranzicioni. Jeta vazhdon që nga Ura e Bardhetit e gjer në Kunorë Dardhë. Edhe ata që kanë ikur po ndërtojnë vila siç është ajo e Tonin Alisë dhe e studiuesit Jaho Brahaj. Duke ecur nëpër mal Wladylaw Zielak më flet për shkrimtarin Oliver Sackos, i cili thotë: – “Jeta ime është argumenti im”.
Nëpër udhëtimet në Kryezi
Nëpër udhëtimet Kryezi bashkë me mua e me Wladylaw Zielakun është dhe e bija e tij, Darlena. Ajo ka ardhur dhe herë të tjera në Kryezi. Tani kujton tregimet e vjehrrës, nënës së Napolonit, Gjylës. Nënë Gjyla ka një mot që ka vdekur. Darlena mban mend kur nënë Gjyla i rrëfente pranë oxhakut jetën e saj dhe të burrit Nuhi Dervishi. Gjylës i vinte keq që nusja e Napolonit nga Polonia nuk dinte shqip. Por Darlena disa fjalë shqip i kishte mësuar. Darlenës nuk i harrohen netët pranë oxhakut, që bubullinte nga zjarri me dru dardhe. Nuk ka si Kryeziu thotë ajo. Dhe i thotë të shoqit Napolonit, që dhe ata qysh tani duhet të mendojnë të ndërtojnë një vilë mbi Arën e Epërme. Dhe aty të vijnë çdo vit me djalin Henrin dhe të bëjnë pushimet. Por Darlenës më shumë i pëlqen dimri. Bora në malet e Kryeziut nuk ka të paguar. Ajo është e gëzuar që babait të saj i pëlqen Kryeziu dhe viset e tjera të Shqipërisë. Një ditë më parë Wladylaw Zielak kishte dal për “gjah” me vëllain e Napolonit, Shkelzenin. Ai si mik nga një vend i largët nga Polonia e dinte që gjuetia ndaj kafshëve të egra është e ndaluar për një farë kohe në Shqipëri. Por ai ishte ngjitur gjer tek Qafa e Benës për të parë qoftë dhe gjurmë të kafshëve të egra. Ishte lodhur tërë ditën. Por ishte kënaqur me lehje zagarësh “pa zot”. Dhe nga ky gjah i pafat nuk ishte kthyer bosh. Në Qafën e Benës kishte gjetur një kafkë ujku me të gjithë dhëmbët. Atë kafkë do ta merrte me vete në Poloni. Ishte një kujtim i bukur nga Veriu i Shqipërisë. Atje larg në një qoshe të Bibliotekës së tij Wladylaw Zielak do kishte dhe kafkën e ujkut të marrë në Kryezi të Pukës. Wladylaw Zielakut po i mbaronin ditët dhe ai ishte i shqetësuar për këtë. Donte që të kishte dhe më shumë lejë. Po kaq ishte koha. Kur ai më pyeti se çfarë kisha lexuar nga letërsia polake unë i fola me admirim për poetin e madh Adam Miskjeviç. Para se t’i ktheja përgjigje unë gjithashtu e pyeta: – Po ai çfarë kishte lexuar nga autorët e Shqipërisë?. Ai më tha se dhëndri Napoloni i kishte blerë veprën e Migjenit. Por Wladylaw Zielaku ishte i emocionuar kur kishte marrë vesh nga shkencëtari Xhemal Meçi se poeti i madh shqiptar Migjeni kishte ardhur dhe në Kryezi. Miku polak me sugjeroi mendimin se udha kryesore anës lumit duhet të marrë emrin “Migjeni”. Mua kjo gjë nuk më kishte shkuar kurrë në mendje. Pastaj fillova të recitoj vargjet makbethiane të Migjenit. /Do herë shoh qartë e më qartë/ /e vuaj thellë e më thellë/. Kurse Wladylaw Zielak recitonte polonisht vargjet e Miskjeviçit, të cilat na i përkthente e bija Darlena:
Thuaj, çfarë i duhet shpirtit,
që t’i largojë mendimet?
A mos do lavdinë e qiellit,
apo bukë të bekuar?
Ka boll qumësht edhe bukë,
kemi pemë dhe mana toke,
fol, çfarë i duhet shpirtit,
që të shkojë lart në qiell?
Sigal