Rrëfimet e Dhimitër Orgockës/ “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit dhe flokët e regjisorit, Pirro Mani. Reagimet e Enverit: Pse e cilësoi shfaqje frojdiste dhe qëndrimi i njerëzve të partisë në Korçë

905
Sigal

Nga Vepror Hasani

Po bëheshim gati të jepnim provën gjenerale të komedisë “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit, kur dikush na tha: “Mos u nxitoni, provat do të fillojnë vetëm kur të ketë ardhur kontrolli punëtor!” Një drithërimë përshkoi gjithë trupën teatrore. Dreqi e mori! Pamë njëri-tjetrin në sy dhe gjithkush pëshpëriti diçka me zë të ulët: “Iku edhe kjo shfaqe si të tjerat…!”

Dhimitër Orgocka rrëfen:

“Me kontrollin punëtor nuk kishim pasur përvojë të mirë. Sa herë vinin ata, gjendej një sebep që shfaqja të anulohej. Ata bënin sikur e shikonin shfaqjen, sepse ajo që do të thoshin në fund, ishte gjithnjë e gatshme, e parapërgatitur në zyrat e Komitetit të Partisë së Rrethit. Urdhra të tillë vinin edhe nga Tirana. Një dreq e merrte vesh çfarë gatuhej në ato zyra! Ndodhte që dikush edhe internohej. Pirro Manin e shihnin me një farë dyshimi, konsiderohej si regjisor i pakuptueshëm. Këtë gjë e dinte gjithkush nga ne, dhe kjo na frikësonte. Kësaj radhe nuk e dinim çfarë do të ndodhte me ardhjen e kontrollit punëtor.”- rrëfen regjisori i mirënjohur, Dhimitër Orgocka, i cili dëshiron të tregojë disa episodet nga jeta e regjisorit të madh, Pirro Mani.
Kontrolli punëtor
“Më në fund njerëzit e kontrollit punëtor hynë në Teatrin “Andon Zako Çajupi”. Ecnin të gjithë me një mendjemadhësi të dukshme, sikur të ishin gjeneralët e vjetër të luftës. Kritika që mbanin fshehur në xhep ishte koburja e tyre. Nëse do ta shkrehnin, i pari që do të vritej ishte regjisori, por plumbi mund të bënte rikoshetë edhe mbi ndonjë person tjetër. Askush nuk ndihej i sigurt. Ata, njëri pas tjetrit zunë vend në rreshtin e parë të sallës. Mes trupës teatrore pati çoroditje. Nuk dinim çfarë të bënim, duhej të fillonim shfaqjen apo të prisnim çfarë do të na thoshin ata. Piktori i teatrit, Niko Progri, i cili ishte dhe pedagog në Institutin e Arteve, kur kaloi pranë kontrollit punëtor diçka i zuri veshi kur ata po bisedonin mes tyre. Pak a shumë i kuptoi arsyet pse kishin ardhur ata. Qëllimi i tyre ishte të anulonin shfaqen, “Nata e dymbëdhjetë”. Sebepi ishte Pirro Mani”.

Kanë ardhur për Pirro Manin!

“Piktori Niko Progri u ngjit në skenë i shqetësuar dhe kur u gjend pranë nesh, që në atë çast ende vazhdonin të ishim në prapaskenë, na tha: “Ata kanë ardhur për Pirro Manin! Nuk po kuptonim çfarë po ndodhte. Ç’lidhje kishte Pirro Mani me komedinë “Nata e dymbëdhjetë”. Komedinë e kisha vënë unë në skenë, vijon të rrëfejë, regjisori Dhimitër Orgocka. Pirro Mani kishte ardhur si i ftuar nga ana jonë, me qëllim që të shihte provat gjenerale. Megjithatë, situata nuk ishte kaq e thjeshte sa dukej. Kjo komedi për herë të parë në skenën e Korçës ishte vënë në skenën nga regjisori i madh Pirro Mani. “Çfarë kanë ata me Pirro Manin”? – pyetëm gati në një zë piktorin Niko Progri. “Pirro Mani i ka flokët e gjata”! – tha Progri, ky është sebepi, ata nuk do të lejojnë të jepet shfaqja!” Fjalët e Progrit shpërthyen si bombë mes nesh. Nuk ka aktor të mos ëndërrojë të luajë në një komedi kaq të bukur, si “Nata e dymbëdhjetë”. Kishim punuar gjatë për të, kishim ëndërruar shumë, kishim qenë të lumtur deri atë çast, por tashmë sebepi ishte gjetur: i ftuari ynë, Pirro Mani, kishte ardhur nga Tirana me flokë të gjata… Si mund të të dilnim nga kjo katrahurë?”

Pirro Mani duhej qethur
“U desh të kalonin vetëm disa minuta, – tregon më tej regjisori Dhimitër Orgocka. “E kisha gjetur zgjidhjen. Pirro Mani duhej qethur, dhe kjo gjë duhej të ndodhte atë çast, para se kontrolli punëtor të jepte urdhër të fillonin provat gjenerale. “Ku është Pirrua”, – pyeta, aktorët. “Ai është ulur në rreshtin e parë dhe pret të fillojë shfaqja”, – m’u përgjigjën. Nuk prita asnjë sekondë, shkova drejt e te Pirroja. “Ngrehu, Pirro, – i thashë,- do të shkojmë diku”. Çfarë ka ndodhur mo Taqi?” – ma ktheu ai, me atë zërin e tij të veçantë, por pa e prishur shumë terezinë. “Ngrehu, – i thashë, – do ta marrësh vesh, çfarë ka ndodhur”. U ngrit dhe nisi të vinte pas meje. “Taqi, (kështu më thërriste ai), do më thuash çfarë ka ndodhur apo ke vendosur të më çmendësh?” “Do shkojmë te rrobaqepësi i teatrit”, – iu përgjigja. “ Po çfarë do të bëj unë atje, ndonjë kostum, mirë i kam këto rroba që kam sjellë nga Rusia”. Pirroja edhe donte të tallej, por edhe donte të merrte vesh çfarë po ndodhte. “Do të të qethim dhe do të të rruajmë”, – ia ktheva. “Ç’thua, bre Taqi, që kur rrobaqepësit e teatrit na qenkan bërë edhe berberë”! “Kështu e kemi ne këtej nga Korça!”. “Taqi, je çmendur ti apo unë, apo jeni çmendur të gjithë!…”

Te rrobaqepësi

“Kur trokita te dera e rrobaqepësit Pirro Mani u gjet krejtësisht i befasuar. Priste të merrte vesh çfarë do të ndodhte pas kësaj. “Ulu”, – i thashë, duke i treguar një karrige. Pirroja u ul gati i bindur. “E tani çfarë do të bëjmë”?- pyeti. Po atë çast, në rrobaqepësi hyri edhe piktori Niko Progri. “Kapja duart”, – i thashë piktorit. Progri i kapi duart. “Mos e lër të lëvizë!”. “Keni vendosur të më ekzekutoni, bre Taqkë?” – tha Pirrua “Po, – iu përgjigja, – sepse ju keni ardhur me misionin të na prishini shfaqen! Ku vjen ti kështu i paqethur, nuk e more vesh që kontrolli punëtor ka ardhur për leshrat tënde?!” Pirroja, që ende nuk po besonte asgjë nga fjalët e mia, ia dha një të qeshuri të papërmbajtshëm. “Hallall, atëherë flokët e mia, që po sakrifikohen për Teatrin e Korçës!” “Gërshërët”!- iu drejtova Kolit, rrobaqepësit të teatrit dhe ai më zgjati një palë gërshërë të mëdha. Pirro Mani nuk kishte shumë flokë, vetëm në pjesën e prapme i mbante disi të gjata. “Do të t’i presim, Pirro”- i thashë. “Po priji mo Taqkë, nuk ta prish miku tënd ty”. Atë çast i futa gërshërët mes flokëve dhe i hoqa një gëzhdallë… Flokët ranë përdhe… Pirroja, që deri atë çast e kishte marrë si një lojë, hapi sytë dhe pyeti gjithë habi: “Pse ore, e gjitha kjo lojë e vërtetë paska qenë?!”,- tha, dhe bëri të ngrihej. “Mos lëviz!- i thashë, por në ata çast mua, rrobaqepësit dhe piktorit nuk po na mbahej të qeshurit. Pirroja vështronte sikur të kishte zbritur nga ndonjë planet tjetër. Nuk donte ta besonte.”

Flokët e Pirros

“Flokët tënd po mbajnë peng Tetarin e Korçës, – i thashë, dhe nisa t’i tregoja diçka… “Nata e dymbëdhjetë” ishte vënë për herë të parë në skenën e Korçës nga Pirro Mani. Edhe atë radhë, kur do të jepnim provat gjenerale erdhi kontrolli punëtor. Hynë si gjithnjë gjithë madhështi, zunë vend në rreshtin e parë, dhe po atë çast dhanë urdhër që regjisori Pirro Mani së bashku me aktorët të parakalonin në skenë. Ishte një çudi e madhe. Kontrolli punëtor nuk kërkoi të shihte shfaqen, por të parakalonin aktorët. “Pse u dashka të parakalojmë?!” – pyeti Pirro Mani. “Është urdhër”,- u përgjigj një nga njerëzit e kontrollit punëtor. “Po mirë atëherë, – tha Pirroja, – po parakalojmë”. U vendos në krye të rreshtit dhe nisi të ecte nëpër skenë, pas tij vinin gjithë aktorët e shfaqjes. Bëmë disa parakalime sikur të ishim ushtarë. Edhe atë ditë, si gjithnjë, Pirroja i kishte flokët të gjata. Mjafton me kaq, thanë njerëzit e kontrollit punëtor. Aktorët janë mirë nga pamja e jashtme, por shfaqja nuk do të jepet. Ata nuk patën guxim t’i thoshin Pirro Manit që ishte i paqethur, por ama shkatërruan gjithë punën e tij. “Pse nuk do të jepet shfaqja, – pyeti Pirroja, – të paktën të kishit parë punën që kanë bërë aktorët!” “Nuk është e nevojshme të shihet shfaqja, sepse ne e dimë përmbajtjen e saj”, – thanë njerëzit e kontrollit punëtor. Dukej qartë që dikush i kishte mësuar çfarë duhej të thoshin.

“Nata e dymbëdhjetë” është shfaqje borgjeze

 

“Ne e dimë, – e mori fjalën njëri prej tyre, – që “Nata e dymbëdhjetë”, flet për mbretër, gëzon borgjezia dhe nuk gëzon populli. “Nata e dymbëdhjetë” nuk ka vlera, le ta ketë shkruar edhe Shekspiri, pak rëndësi ka kjo”… Pirroja nuk po u besonte veshëve. Kontrolli punëtor pasi tha ato që kishte për të thënë, ashtu siç hyri, ashtu doli sërish. Të nesërmen Pirron e larguan nga Teatri i Korçës. Në çastin që po e përcillja më tha: “Taqi, po çfarë ishte ajo bre që na bëri kontrolli punëtor, kuptove gjë ti, se unë për veten time, nuk mora vesh gjë?”. “Nuk e di”,- i thashë. “Mirë, Taqi, mirë, por po të lë amanet një gjë: Nëse të jepet rasti, vëre në skenë “Natën e dymbëdhjetë”, është një komedi që e dua shumë, po dëgjo do të më lajmërosh edhe mua që ta shoh”. “Nëse do të mundem Profesor, – i thashë, do ta vë atë komedi”. Ditë më vonë morëm vesh se komedia ishte anuluar sepse Pirroja kishte qenë i paqethur. Tashmë kontrolli punëtor kishte ardhur për të njëjtën gjë, sepse Pirroja i kishte flokët të gjata. E di pse e anuluan shfaqjen herën e parë, i thashë Pirros, teksa mbaja në dorë gërshërët e rrobaqepësit dhe kisha hequr gëzhdallën e parë mbi flokët e Pirro Manit. “Sepse gëzojnë mbretërit dhe borgjezia, ma ktheu Pirroja,- dhe sepse nuk ka rëndësi që e ka shkruar Shekspiri madh, po flokët e mia ç’lidhje kanë me “Natën e dymbëdhjetë”! “Sepse edhe herën e parë shfaqja për këtë arsye u anulua, sepse ju i kishit flokët të gjata”. “Taqi, pse nuk më thua që qenkan çmendur të gjithë, por po më duket se të paska ikur mendja edhe ty, i beson edhe ti kësaj përralle?”
Pirro Mani të parakalojë në skenë!
“Kur, sapo kisha mbaruar së qethuri regjisorin Pirro Mani, nga kontrolli punëtor erdhi urdhri: “Regjisori Pirro Mani, së bashku me regjisorin Dhimitër Orgocka dhe gjithë aktorët e tjerë të parakalojnë në skenë!” “Tëmën, paska qenë e vërtetë, bre Taqi, kjo punë e flokëve të mia! Pas pak minutash, ishim gati të gjithë. U rreshtuam dhe parakaluam në skenë. Bëmë një herë para dhe një herë prapa. U rrotulluam nga të gjitha anët. Kontrolli punëtor nuk po u besonte syve. Dy minuta më parë, Pirro Mani kishte qenë me flokë të gjata, kurse tani nuk i kishte më. Ata diçka pëshpëritën me njeri-tjetrin. Po dyshonin mes tyre. Kush mund ta kishte nxjerrë sekretin, pse kontrolli kishte ardhur aty. Kjo pyetje nuk po i linte të qetë. Mesa dukej nuk dinin çfarë të bënin. Ndoshta do t’u duhej të bisedonin me njerëzit e partisë. Dikush u ngrit dhe doli. Ai dikushi me siguri do të kthehej me urdhra të tjerë. Gjithë trupa teatrore përsëri në ankth”…

Enver Hoxha në shfaqje

“Prisnim fjalën e kontrollit punëtor. Njeriu që kishte dalë ende nuk ishte kthyer. Një çast mendova se flokët e Pirros kishin shkuar kot më kot. As flokët e tij nuk do të na nxirrnin dot nga halli ku kishim hyrë. Pirroja vështrohej me dyshim nga njerëzit e partisë. Me t’u kthyer nga studimet në Rusi, e caktuan në Teatrin e Korçës. Vepra e parë që vuri në skenë ishte “Pamje nga ura”, të Artur Miler. Ajo shfaqe u dha, por pati mjaft peripeci. Në provat gjenerale erdhi Këshilli Artistik i Teatrit: Kristo Kono, kompozitor dhe Andon Mara, Drejtori i Bibliotekës, së bashku me disa të tjerë. Ata e panë shfaqen, por mbeten krejtësisht të pakënaqur me dekorin dhe skenografinë. Kërkonin skenë realiste, krejtësisht të vërtetë. “Ku janë muret e shtëpisë, – pyeste Kristo Kono dhe Andon Mara, ku janë avllitë, oborri, çatia, dyert, dritaret? Gjithë skenografia ishte konceptuar një podium, një palë shkallë dhe asgjë më shumë. “Ky është teatër absurd”,- shpreheshin anëtarët e Këshillit Artistik. “Nuk është teatër absurd, -u tha Pirroja, por teatër bashkëkohor”. U bënë mjaft debate, por më në fund shfaqja u lejua të jepej. Kjo shfaqje u pa edhe nga Enver Hoxha, ku ai pas shfaqjes tha: “Pirro, kjo shfaqje është frojdiste, por ju e kini realizuar mirë”. Që ditën që Hoxha e konsideroi Pirron, frojdist, njerëzit e partisë në rreth nisën ta shihnin me dyshim. “Nuk i dihet këtij njeriu, – thoshin ata,- është i pakuptueshëm. Mund të na bëjnë ndonjë gjë dhe të na marrë në qafë të gjithëve. Mirë do të ishte ta largonim nga Korça, sepse nuk e kontrollojmë dot. Edhe drama “Rrethimi i bardhë” i Naum Priftit nuk kaloi pa probleme. Ajo vepër u quajt brgjezo-revizioniste, nxirëse e realitetit socialist. Që nga ajo ditë Naum Priftin e internuan në rrethin e Lushnjes për riedukim në gjirin e klasës punëtore”.

Shfaqja të jepet

“Njëri prej njerëzve të kontrollit punëtor që kishte dalë pak më parë u kthye sërish në teatër. Diçka biseduan mes tyre. Ai që i kryesonte u ngrit dhe tha: “Nuk është e nevojshme të shohim shfaqjen. Aktorët janë të rregullt nga pamja e jashtme. Shfaqja të jepet që nga mbrëmja e sotme”. Mbaj mend që çdo shpirt aktori nxori një “uuuf” të gjatë që kishte qëndruar pezull në gjoksin e tyre që nga çasti që kontrolli punëtor kishte hyrë në teatër dhe deri në atë moment që anëtarët e tij kishin dhënë përgjigje pozitive. U përqafuam të gjithë. E kishim fituar betejën. “E bre Taqi, – tha Pirro Mani, po paska qenë e vërtetë, që flokët e mi po mbanin peng Shekspirin e madh!” Në atë komedi unë kisha rolin e gaztorit (lolos), rrëfen me tej Orgocka, më duhej të bëjë një salto dhe pas kësaj më duhej të këndoja një arie, me një orkestër të gjallë, të vendosur në skenë. Kjo ishte lëvizja më e vështirë, por nuk e di as vetë, atë çast unë fluturoja. Më në fund dëshira e regjisorit të madh Pirro Mani ishte realizuar. “Nata e dymbëdhjetë” ishte vënë në skenë. Pirro Mani kishte zënë vend në rreshtin e parë dhe vështronte. Herë pas herë qeshte me të madhe. Nuk kuptohej qartë, nëse qeshte vetëm me shfaqjen, me kontrollin punëtor apo me flokët e tij që ishin prerë me gërshërët e rrobaqepësit. Ai qeshte pa pushim…. ndoshta qesh gjithnjë sa herë i kujtohet “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit”, përfundoi rrëfimin e tij, regjisori Dhimitër Orgocka.