Qazim Sejdini rrezikon pezullimin për 8 ton drogë

593
Përparim HALILI

Përse nuk pezullohet kryebashkiaku i Elbasanit, deri sa të “kullohen” ujërat e “Ujorit” të bashkëshortes së tij
Sasia prej 8 ton drogë e kapur në Itali, që çoi në pranga 8 doganierë dhe 10 policë kufiri e dogane të shtetit, nuk ka fluturuar si “mushkonjë”, por është tranzituar në pikat doganore e kufitare tokësore. Pas arrestimeve të bëra në dogana e polici dhe hapjes së letrave të doganim-zhdoganimit, hetimet kanë “trokitur” tek firma doganore “Ujori” me qendër në Elbasan, për të zbardhur letrat e “mallit” 8 ton drogë që, pasi erdhi rrotull nëpër pikat doganore kufitare nga lindja në veri e anasjelltas, më në fund kaloi për në Itali, i shoqëruar me letrat e firmës “Ujori”, fuqia e të cilave ngriti traun e doganës e të kufirit në Portin e Durrësit! Dhe kjo nuk është rastësi, kur mëson se firma “Ujori” është biznes i bashkëshortes së kryebashkiakut të Elbasanit, “rilindësit” Qazim Sejdini. Sipas letrave që i dhanë të drejtën automjetit me 10 ton drogë për të kaluar detin, rezulton se firma “Ujori” ka kryer gjithë procedurën e këtij transiti “malli”. Burime nga organet e hetimit, shprehen, se ka nisur kontrolli i dokumentacionit të firmës doganore “Ujori”, për të zbardhur procedurën dhe letrat faktike që kanë “certifikuar” kalimin e automjetet ku u kap sasia e drogës! Sipas të dhënave faktike tashmë, Agjencia Doganore, që ka kryer procedurat e tranzitimit nëpër Shqipëri, të kamionit që vinte nga Maqedonia dhe që është bllokuar me 8 ton drogë në Itali, ka si pronare zonjën Xhuljeta Sejdini, bashkëshorten e kryebashkiakut të Elbasanit. Firma “Ujori”, nëpërmjet përfaqësuesit të saj në Pikën Kufitare Qafë-Thanë, M. Kadilli, ka hartuar e firmosur dokumentet për hyrjen dhe kalimin tranzit, të kamionit që drejtohej nga i arrestuari në Itali, Zoran Stanojoski, i cili më parë kishte leje kalimi tranzit nga pika kufitare Hani i Hotit, por që ndryshoi drejtimin. Pasditen e datës 5 shkurt 2017, “Ujori” i Sejdinëve, paraqet kërkesë të “posaçme e urgjente” për ndryshimin e “portës” së daljes së kamionit, duke përcaktuar daljen nga Porti i Durrësit, me motivin se Hani i Hotit ishte shkruar gabimisht në formularin e deklarimit të kalimit tranzit. Kërkesa për ndryshim kalimi kufiri e dogane është pranuar dhe letrat janë plotësuar përsëri po nga “Ujori” i Sejdinëve duke u nisur drejt Durrësit. “Çuditërisht”, në Portin e Durrësit, automjeti nuk është kontrolluar as si procedurë rutinë, duke përfunduar në Ancona (Itali), ku edhe u kap me 8 ton drogë të transportuar me letrat doganore të “Ujorit”! Tashmë, kjo firmë është nën hetim dhe drejtësia po bën detyrën e saj. Por po hesht qeveria, kryeministri dhe kupola e “Rilindjes” që përfaqëson Qarkun e Elbasanit dhe që ka treguar, se përballë abuzimeve e krimeve brenda “oborrit” të saj, ajo vepron me disa standarde klienteliste. Disa i sulmon, disa i gradon me poste të larta, disa i lë të goditen, disa i sekuestron, disa i përzë edhe nga partia për një copë tender, ndërsa disa i mbron duke heshtur, siç po ndodh me skandalin e njërit prej bizneseve të “Sejdinëve”. Kryeministri që mban fjalime, reciton citate për “Veting e drejtësi”, nuk po vepron ndaj këtij rasti, që si autor ka familjen e kryebashkiakut “rilindës” në Elbasan! Pyetja shtrohet thjeshtë e qartë: Mirë kryebashkiaku Sejdini, që nuk jep dorëheqje sipas “Kodit të Etikës” që ka miratuar “Rilindja”, po kryeministri përse nuk e pezullon nga detyra, deri sa të “kullohen” ujërat e “Ujorit” të bashkëshortes së tij?!
Sigal