Prof. Dr. Pirro Miso/ Një botim i Akademisë së Shkencave rikthen dy shekuj standardet e gjuhës

785
Vitet e fundit doli në qarkullim botimi i fundit i akademikut si dhe sekretarit të përgjithshëm shkencor Vasil S. Tole, me titull: “Sprovë për një fjalës të muzikës popullore homofonnike të Shqipërisë së Veriut”, miratuar për botim nga Këshilli i Botimeve të kësaj Akademie.
Me veprën që kemi përpara lihet të kuptohet se autori përpiqet, së pari, të grumbullojë e madje të formësojë jo vetëm një numër të rëndësishëm të leksikut terminologjik që përdoret rëndom në fushën e etnomuzikologjisë, veçanërisht të etnoorganologjisë dhe së dyti, synon të qartësojë terminologjikisht, në trajtat më të rafinuara semantike, fakturat muzikore të një prej seksioneve specifike të kësaj fushe studimore, siç është ajo e homofonisë, duke inkuadruar atë leksik që autori mendon ta identifikojë e shtresëzojë në hierarkinë përkatëse homofonike në përputhje të plotë me titullin e botimit.
E shoh të arsyeshme që në fillim të gjykimit të këtij botimi që mban stemën e Akademisë së Shkencave, të sqaroj me tej objektin e tij, jo për qëllime didaktike, sesa më tepër për të qartësuar kontekstin e këtij seksioni leksikor të paraqitur jo në mënyrën e duhur, në kuadrin e hierarkisë së përgjithshme në fushën e etnomuzikologjisë dhe etnoorganologjisë shqiptare dhe asaj botërore, çka mendoj se, në planin e sendërtimeve terminologjike, ky botim akademik ka sjellë një konfuzion të përgjithshëm duke rikthyer, veç te tjerash, dy shekuj standardet e gjuhës shqipe.
Mbi titullin e punimit, ndarjen gjeografike dhe mbi përmbajtjen e veprës.
Titulli i këtij punimi “Sprovë për një fjalës të muzikës popullore homofonnike të Shqipërisë së Veriut” lë të kuptojë se përmbajtja e vetë veprës fokusohet, veçanërisht, ne një prej seksioneve të hierarkisë strukturore muzikore, pra me tërësinë e leksikut që i përket homofonisë, që sipas autorit, ka të bëjë vetëm me Shqipërinë e Veriut, çka bie ndesh me realitetin, pasi kjo strukturë muzikore gjendet rëndom edhe në Shqipërinë Jugore, në kundërshtim me leksikun e veprës pasi, në përmbajtjen e saj, jepet një kontekst i gjerë shembujsh edhe nga Shqipëria e Mesme dhe e Jugut. Së pari, titulli i këtij punimi “Sprovë për një fjalës të muzikës popullore homofonnike të Shqipërisë së Veriut”, tregon që në fillim pasigurinë e autorit në përcaktimin e objektit studimor, në realizimin e standardeve dhe përpikërisë terminologjike në fushën e muzikës në përgjithësi, ndërkohë që etnomuzikologjia, veçanërisht etnoorganologjia shqiptare, në kundërshtim e mendimin e autorit që shtron në hyrjen e këtij botimi, sprovat i ka kaluar me kohë përmes botimeve të suksesshme, të patjetërsueshme integrale akademike. Së dyti, koncepti i ndarjes gjeografike të dialekteve muzikorë sipas atyre gjuhësorë, gegërishtja në Veri dhe toskërishtja në Jug (shih hartën e ndarjes në fq. 10 të botimit), i njësuar me strukturat homofonike në Veri dhe ato polifonike në Jug, e shtruar si tezë 50 vjet përpara nga prof. Ramadan Sokoli, është rrëzuar me kohë nga botimet e shumta të albanologëve (etnomuzikologëve) shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve shtetëror, pasi prania e zhanreve muzikore e inkorporuar në strukturat e homofonisë dhe polifonisë, si në Veri ashtu edhe në Jug të Shqipërisë, madje edhe jashtë kufijve shtetëror të saj është vërtetuar katërçipërisht. Madje në Shqipërinë e Veriut të dy zhanret paraqiten më të dokumentuara historikisht sesa në Jug të saj. Së treti, tërësia e termave leksikorë të paraqitur në këtë punim është jashtë përmbajtjes kuptimore të homofonisë, madje edhe sikur të mos ishte kështu, terminologjia e këtij punimi që, në të shumtën e rasteve është gjithëpërfshirëse në hapësirat shqiptare, nuk mundet t’i përkasë vetëm një konteksti të caktuar e të kufizuar gjeografik, siç përcaktohet në titullin e këtij botimi që po analizojmë.
Struktura e botimit
Tërësia leksikografike, prej afërsisht 413 fjalësh i këtij punimi, nuk është gjë tjetër veçse një kopjim digjital i leksikut, nga përmbajtja e një vëllimi tjetër i të njëjtit autor. E thënë ndryshe, ky leksik, pa ndryshime, është transplantuar në mënyrën më “korrekte” digjitale, mekanikisht, etikisht abuziv, nga një vëllim i mëparshëm i autorit me: Select All-Copy-Paste, së bashku me materialet hyrëse të enciklopedisë, e titulluar : “Enciklopedia e muzikës popullore shqiptare”, III, Tiranë, 2001 (550 fjalë), i pa miratuar nga asnjë redaksi shkencore e i cilësuar edhe nga kritika e mëparshme si një botim pa standarde profesionale. I kompiluar me terma të kopjuara, së bashku me gabimet metodologjike të një literature leksikore të botuara kohë më parë dhe në asnjë rast, pa i kaluar ato në vëzhgimin dhe përpunimin e autorit, “Enciklopedia e muzikës popullore shqiptare” shënon standarde të ulëta e të pa pranueshme profesionale. Marrja e faqeve pa ndryshim nga ky botim, natyrisht do ishte një akt jo shkencorë, veç të tjerash edhe për faktin e vetëm se enciklopedia dhe punimi që kemi përpara, i quajtur “Sprovë për një fjalës të muzikës popullore homofonnike të Shqipërisë së Veriut”, duhet të konceptohen të diferencuara dukshëm nga njëra-tjetra, si nga forma ashtu edhe nga përmbajtja shkencore.
Nomenklatura e leksikut
Nomenklatura leksikore e 200 instrumenteve muzikore që paraqiten në këtë punim nga autori me shprehi homofonike, nuk tingëllojnë strukturalisht në funksionet e hierarkisë homofonike,mbështetur ky argument mbi bazën e tipareve organologjike të tyre, duke lënë kështu jashtë përmbajtjes kuptimore një pjesë të konsiderueshme të leksikut në kontekstin përmajtësor të titullit të botimit. Studimet e deritanishme rreth etnoorganologjisë shqiptare kanë shteruar në pikëpamje shkencore dhe rivendosur me kohë një pjesë të konsiderueshme të problemeve terminologjike të instrumenteve muzikore si dhe përkatësive të tyre tingëlluese, bazuar në metodat më të përparuara botërore, duke korrigjuar një mori gabimesh në përshkrimet e kronistëve të hershëm, të autorëve mjaft të njohur vendorë, e pa përjashtim edhe të albanologëve të huaj në fushën e gjuhësisë pa përjashtuar në këtë kontekst edhe të tillë si: G. Majer (Meyer), H.Pedersen, N. Jokli, etj.. Këta albanologë të njohur të linguistikës Shqiptare, historikisht nuk kanë sendërtuar në pikëpamje terminologjike, qoftë edhe në një rast të vetëm, fizionominë e një instrumenti në vokabolarët e tyre , por vetëm kanë bërë të pranishëm emërtimet e hasura në terren të cilat kanë nënkuptuar objekte tingullore muzikore, pa shpjegimet përkatëse terminologjike, të pashoqëruara me hollësi në fushën përkatëse të organologjisë, vetëm duke i krahasuar ato me instrumente të kategorive dhe llojeve të ndryshme e jo përmes shpjegimeve analitike, por të dhëna rëndom të gabuara, nga bartësit popullorë në terren. E shohim të arsyeshme të ndalemi shkurtimisht në botimin që po analizojmë, në rivendosjen e një pjese të kufizuar të këtij leksiku në seksionet përkatëse të hierarkisë strukturore, me qëllim konceptimin e saktë të përmbajtjes leksikore kuptimore të tij.
Mbi përmbajtjen kuptimore të termave homofoni dhe monofoni ose monodi
Termi “homofoni”, që lidhet drejtpërdrejt me titullin e botimit, u gjet rastësisht në këtë punim, jo në rendin alfabetik të shkronjës së parë të tij, “H” (homofoni), por i transformuar dhe kombinuar me një term tjetër pararendës, i paraprirë artificialisht nga një përcaktor i tillë si: “Shqiptare monodia – homofonia” (Shih fq. 117 të botimit të cituar). Termi homofoni në këndvështrimin etimologjik, nuk është me origjinë shqiptare ashtu sikurse edhe vetë termi nuk ka të bëjë me një dukuri specifike vetëm shqiptare, përkundrazi. Fjala homofoni, me prejardhje nga greqishtja (homophonia), në fushën e etnomuzikologjisë parakupton një grup zërash muzikorë, vokalë ose instrumentalë, që lëvizin të gjithë së bashku në një vijë melodike (në oktavë dhe kuinta paralele) dhe jo në një zë të vetëm, siç konceptohet në këtë punim. Veç kësaj, përmbajtjet kuptimore të dy termave të përmendur, që përcaktojnë fakturat muzikore monodi, ose monofoni dhe homofoni, diferencohen në thelb nga njëra-tjetra, jo siç përcaktohen pa dallim nga autori në këtë botim, dukuri që dallohen qartë edhe nga përmbajtja kuptimore e fjalës nga pikëpamja gjuhësore: monofoni = një zë dhe homofoni = melodi e njëjtë (homo), që ekzekutohet nga shumë burime zanore (vokale apo instrumentale, mes zërave pa ndryshime strukturore melodike). Madje, të dy termat e parashtruar nuk janë të pranishme vetëm në praktikën shqiptare, por edhe në fushën e etnomuzikologjisë botërore, pavarësisht nga specifikat e dallueshme temperamentale origjinale shqiptare. Në botimet e veprave themelore të Akademisë së Shkencave hartuar nga specialistët përkatës, përkufizimi i tyre terminologjik është realizuar duke pasur parasysh pikërisht të njëjtat elemente konceptuale të fakturave, që përcaktohen nga etnomuzikologjia bashkëkohore botërore. Shqipëria nuk ka dhe nuk mund të ketë një homofoni që dallohet në pikëpamje terminologjike si dhe strukturore nga ajo botërore, përkundrazi. Veç kësaj, vendosja e një përcaktori, “Shqiptare monodia – homofonia” dhe njëtrajtshmëria kuptimore që autori u jep të dy termave, të diferencuara nga njëra-tjetra, homofonisë dhe monofonisë, apo monodisë, si dhe përkatësisë kombëtare që autori e trajton termin si strukturë, përsëri, janë kategorikisht të gabuara.
Integrimi i leksikut instrumental jashtë përmbajtjes kuptimore të homofonisë
Tërësia e leksikut të paraqitur në këtë botim akademik, veçanërisht zbërthimi i 200 termave që lidhen me instrumentet muzikore nga pikëpamja organologjike, nuk ka të bëjë me seksionin e homofonisë, por kategorizohet në sfera të tjera të hierarkive fakturore. Në fondin e madh të instrumenteve shqiptare dallohen vetëm dy instrumente të cilat inkuadrohen në kontekstin homofonik të këtij fjalori apo botimi të akademikut në fjalë, të cilat janë :zumarja homofonike dhe bishnica homofonike. Pjesa tjetër prej 200 fjalësh janë jashtë kontekstit terminologjik që autori gabimisht i trajton si të tilla. Dallimi mes tyre është pothuajse i papërfillshëm në strukturë dhe përmbajtje. Kemi të bëjmë me të njëjtin instrument nga pikëpamja organologjike dhe funksionale, njëra prej kallami, tjetra prej druri, pra diferencimi i vetëm i tyre qëndron në materialet përbërëse. 
Leksiku tjetër i botimit, jashtë përmbajtjes, koncepteve muzikore dhe fakturave homofonike 
Në kontekstin muzikor të 400 fjalëve të këtij punimi, mund të gjesh pak terma, të numëruar me gishta, që i referohen korrektësisht titullit të botimit, pra, vetëm homofonisë. Madje edhe në këto terma nuk ndeshim as edhe në një rast të vetëm një nivel fillestar përpunimi apo sendërtimi të termit nga autori. Po japim shkurtimisht vetëm disa prej termave që mendojmë se nuk duhet t’i përkasin jo vetëm këtij punimi, por edhe dy fushave përkatëse studimore, etnomuzikologjise dhe etnoorganologjisë: Bejte, bejtexhi, (shënim i autorit të artikullit: term letrar – jo muzikor);bigjiron (blegërimë e deles – jomuzikor) ; çamçakëz (objekt jomuzikor); çapëra (objekt jomuzikor); çengi (valltare – jo muzikore, koreografike); bogdani (jepen një tufë fjalësh pa kuptim muzikor); cukurmon (thuhet për kalin e vendosur vetëm se termi haset ne ciklin e kreshnikëve) etj., etj., pa u zgjatur, në këtë botim paraqitet një numër i shumtë i këtij leksiku jashtë përmbajtjes kuptimore si dhe fakturave homofonike.
Formësimi terminologjik i leksikut.
Formësimi i termave, gjithsesi, nënkupton përpjekjen e studiuesve që ata të përsosen, të përcaktojnë në mënyrë sa më specifike kuptimore, dukuritë, problemet dhe proceset me të cilat lidhet përmbajtja e tyre semantike në një leksik të gjerë. Etnoorganologët shqiptarë, në hapësirën kohore të një shekulli, kanë mbledhur në terren nga bartësit popullorë një leksik të pasur madje duke i sendërtuar profesionalisht ato. Madje këta specialistë të fushës kanë korrigjuar gabime të shumta të kronistëve, albanologëve apo gjuhëtarëve vendës e të huaj. Kështu që, pretendimet e autorit, të paraqitura në hyrjen e këtij punimi se: “Skedimi, studimi dhe shpjegimi i fjalësit të muzikës popullore si dhe vetë muzikës popullore në një vështrim më të gjerë, siç dihet, deri më sot është bërë në mënyrë të pjesshme”, nuk qëndrojnë. E themi këtë, pasi në tërësinë e këtij punimi, është pikërisht, “kontributi” i akademikut Vasil S. Tole që mungon në mënyrë integrale në formësimin terminologjik shkencor jo vetëm të këtij leksiku por edhe më gjerë. Autori ka operuar vetëm me të dhënat e gatshme, të kopjuara e mbi të gjitha, të gabuara, pa dhënë në asnjë rast kontributin e tij origjinal në formësimin e termave, gjykimin e tij, madje edhe ndihmesën e tij në botimin që po analizojmë. Veç kësaj, qëndrimi i autorit kundër arritjeve dhe pro gabimeve terminologjike të mëparshme është një miopi e theksuar e, si i tillë, i papranueshëm, i qëllimshëm dhe denigrues. Autori i këtij botimi akademik nuk evidenton, në asnjë rast, pasaktësitë terminologjike të autorëve të mëparshëm, kronistëve, terminologëve etj., përkundrazi, nga ana tjetër, nuk citon arritjet e specialistëve të mirëfilltë shqiptarë në botimet e mëparshme e sidomos ato të fundit në botimet enciklopedike akademike realizuar nga brezi aktual e i fundit. Në tërësinë e rasteve të dhënat e këtij botimi, bazohen në citime nga autorë të hershëm të tejkaluar me emërtime të gabuara të instrumenteve muzikore. Pikërisht këta të fundit, çuditërisht ngrihen në piedestal duke u nisur thjesht nga madhështia e emrave të albanologëve në fushën e linguistikës, pse jo edhe të shkrimtarëve të njohur, disa prej tyre edhe të mitizuar. Të tjerë shkrimtarë të njohur, kur e kanë parë veten në këto dy botime akademike të përmendur si kontribuues në disiplinën e etnoorganologjisë, me siguri duhet ta kenë ndjerë veten vërtetë moralisht në një pozitë të vështirë. Kjo tregon qartazi se autori nuk ka operuar me kuptimësinë e termave që trajton në këtë botim madje me laboratorin e tij personal, përkundrazi, ka rivendosur të dhëna të gatshme, pa kuptuar përmbajtjen semantike dhe pa i përpunuar ato. Shpesh herë të formohet bindja se autori kërkon në çdo rast mbështetjen e figurave të njohura pa çka se autorësia e këtyre të fundit nuk justifikon aspak praninë e tyre si ekspertë në fushat përkatëse.
Rreth koncepteve etimologjike të përdorur.
Arritjet në fushën e etimologjisë janë tepër të dukshme në gjuhësinë shqiptare. Emra të tillë mjaft të njohur, si ekspertë në disiplinën e përmendur, së pari, saktësojnë termin, para se të nisin kërkimet rreth prejardhjes. Ata njihen me leksikun, semasiologjinë e tyre, përmes formësimeve terminologjike, të përcaktuara kryesisht nga specialistët e fushave përkatëse, duke u treguar tepër të vëmendshëm në përmbajtjen kuptimore të leksikut të termave të caktuara. Më pas hulumtojnë mbi origjinën e prejardhjes dhe më tej, përmendjen e tyre në proceset krahasimore në gjuhë të tjera duke respektuar me korrektësi, në radhë të parë, përmbajtjen kuptimore të termit. Madje, mbështetja fillimisht në etimologjinë e termit para proceseve formësuese, shpesh herë nuk të ndihmon në proceset formësuese madje, rëndom edhe të nxjerr nga rruga përmbajtësore. Përndryshe, pa ndriçimin e përmbajtjes kuptimore te termit përmes metodave analitike me synim formësimin e tyre strukturor e shkencor, etimologjia do ishte e pa kuptimtë. Në rastin konkret të këtij botimi, para se autori të shfrytëzonte arritjet e etimologëve në studimet e tyre, ka qenë e domosdoshme që “specialisti i fushës”, autori i këtij botimi akademik së pari, të sillte një kontribut të ri në sendërtimin leksikor ose t’i përimtonte ato nga formësimet e autorëve të fundit të botimeve aktuale akademike, në qoftë se do ishte i aftë ta kryente këtë proces, e jo të bazohej tek ata specialistë të njohur të linguistikës të cilët, pavarësisht nga madhështia e emrave të tyre, kanë operuar me metoda shkencore të tejkaluara. Së dyti, domosdoshmërisht akademiku duhet të formësonte, nga pikëpamja terminologjike, leksikun e fushës përkatëse, çka nënkupton në radhë të parë, një njohje të thellë të specifikave të një disipline shkencore akademike, siç është ajo e etnomuzikologjisë në përgjithësi dhe në veçanti, ajo e etnoorganologjisë. Autori akademik duhet të rishikonte e përvetësonte metodat analitike në fushat studimore të etnomuzikologjisë e veçanërisht në atë të etnoorganologjisë, të konsoliduar tashmë që prej dy shekujsh si disiplina të pavarura, veçanërisht ato të botimeve integrale si dhe arritjet terminologjike të fundit enciklopedike në botimet e Akademisë së Shkencave, si dhe botimet e autorëve shqiptarë në organet shkencore të njohura jashtë kufijve të atdheut. Ndaj Akademia e Shkencave, në përpilimin e fjalorëve gjuhësorë enciklopedikë (veçanërisht në përpilimin e FESH II, 2008) operoi me kujdes përmes redaksive të specializuara, në krye të të cilave vendosi, kohë mbas kohe, autoritetet kryesore të fushave përkatëse. Në këtë kontekst, mendoj se autori duhet të ishte më i vëmendshëm në pasqyrimin e sendërtimeve e përimtimeve terminologjike të arritura së fundi në botimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, ed. II-të tre vëllimesh të Akademisë së Shkencave, në formësimin terminologjik të një pjese të konsiderueshme të fondit në të dy disiplinat përkatëse akademike albanologjike, të etnomuzikologjisë e veçanërisht në atë të etnoorganologjisë e, t’i pasqyronte në botimin e tij të fundit.
Në këtë stad të tejkaluar të sendërtimit e kompilimit terminologjik, të trajtuara në botimin në fjalë, nuk do ishte me vend të jepej edhe prejardhja e emrit. Përndryshe, etimologjia në botimin e Akademikut V. S. Tole, rezulton e pakuptimtë, në shërbim të objekteve të paformësuara e si të tilla, të pa identifikuara e të pa sendërtuara semasiologjikisht.
Mbi mënyrën e operimit të specialistëve të fushës me bartësit në terren
Mes specialistëve të fushës, të etnoorganologjisë si dhe atyre të gjuhësisë ndeshen shpesh praktika dhe koncepte të gabuara në procesin e mbledhjes në terren. Në vetë thëniet e bartësve popullorë përmendet shpesh se ky apo ai instrument ka edhe këtë emër, siç është rasti i cituar më sipër, kur një fyell përcaktohet nga bartësit popullorë edhe me termin zumare, madje si pipëz apo fyell i bariut, fyell dyjar etj.etj., e këto terma merren nga mbledhësit në terren e rivendosen pa u ndryshuar e arsyetuar në botimet e tyre. Në këtë mori emërtimesh kakofonike mendoj se është pikërisht detyra dhe arsyetimi i studiuesit specialist, me njohuri të thella në klasifikimin e detajuar të instrumenteve muzikorë, në se është vërtetë një njohës i tillë, të identifikojë llojin e instrumentit, klasin e tij mbi parimet bazë të organologjisë, tashmë të konsoliduara metodologjikisht të pa cenueshme e të pranuara nga shkenca botërore, duke e veçuar dhe përcaktuar emërtimin e një instrumenti në atë mori termash kakofonike që paraqet bartësi apo cilido qoftë edhe ndonjë studiues nga më të njohur i linguistikës shqiptare, leksikolog, terminolog apo studiues i etnomuzikologjisë apo i etnoorganologjisë shqiptare.
Nga arsyetimet e mësipërme, rreth këtij botimi të ripërsëritur e të kopjuar nga autorë të ndryshëm, madje nga një tjetër, i të njëjtit autor, në mënyrën më abuzive të mundshme, me një titull të tjetërsuar, të nxjerrë në treg nga Akademia e Shkencave, del se, përmbajtja leksikore tërësisht emocionale e këtij botimi, metodologjia e tejkaluar e dy shekujve më parë, mund të vlerësohen si një magazinim i çoroditur e i pa përpunuar i një leksiku jashtë kontekstit të homofonisë ku mungon në mënyrë integrale pasqyrimi i arritjeve bashkëkohore, qëndrimi dhe laboratori shkencor i autorit.
Këto dy disiplina të rëndësishme albanologjike, nga mosnjohja dhe mosvlerësimi i kontributeve të dhëna në kontekstin e botimeve akademike në fushën e albanologjisë janë lënë edhe jashtë përfshirjes në forumet më të larta të Akademisë së Shkencave, përfshirë specialistët e kualifikuar, pikërisht nga strukturat e brendshme të Akademisë së Shkencave Shqiptare. Prej kohësh, rëndom po krijohen mjaft probleme në ecurinë e trashëgimisë muzikore, që i përkasin, jo vetëm fushave multidiplinare të etnomuzikologjisë dhe etnoorganologjisë, por edhe në vetë linguistikës shqiptare.Në mirëkuptim me autorin ky botim akademik u paralajmërua, në shenjë miqësie, në ruajtje të personalitetit të akademikut, por edhe vetë të kësaj akademie, para proceseve realizuese në Këshillin e Botimeve Akademike, përmes një recensioni të hollësishëm analitik më të gjerë nga autori i këtij artikulli. Me sa duket këto vërejtje nuk u përfillën, jo vetëm nga autori i botimit, por edhe nga strukturat përkatëse të Akademisë që morën përsipër, mes të tjerash edhe përgjegjësitë e botimit të kësaj “vepre”.
Sigal