Pëllumb Kulla/ A e di ku ndodhem tani, shpirt?

127
Një çift burrë e grua patën dalë në një qendër të madhe tregtare të blinin një listë të gjatë dhuratash për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri që qenë në prag. Duke u futur dyqan më dyqan, befas, gruaja vuri re me habi se kish ndonjë gjysmë ore që të shoqin nuk po e shihte gjëkundi. Shumë e zemëruar, se kishin ende pa blerë shumë nga gjërat që kishin planifikuar, ajo nxori celularin dhe me të nisi të kërkojë të shoqin. Burri e dëgjoi zilen, e ngriti telefonin dhe e qetësoi gruan. 
“A e di ku ndodhem tani shpirt? Të kujtohet ai dyqani i bizhuterive, ai i shtrenjti fare, ku ishim bashkë para pesë vjetësh dhe pamë atë varësen me gurëza diamandi, që ti për pak luajte mendsh nga dëshira për ta pasur në qafë? Ti nuk po shqiteshe nga ai dyqan dhe unë t’u shfajësova, se atëherë nuk na dilte hesapi, por të premtova se sapo t’i sillnim punët në vijë, unë nuk do të rrija pa ta blerë… Të kujtohet”. Me zemrën që nisi t’i rrihte me vrull, e shoqja nisi të qajë: “Po zemër, po! E kujtoj me saktësi ku ndodhet ai dyqan”!
“Sigurisht që e kujton”, tha burri. “Ballë atij dyqani është një lokal dhe me një shokun tim jemi ulur e po pimë nga një gotë verë”.
2-KOLEGËT
Doktori nuk kishte lënë takime në fund të javës dhe ia kishte qejfi ta kalonte tërë vikendin në gjah. Thirri kujdestarin e klinikës e i tha se nuk donte që e shtuna ta gjente klinikën mbyllur.
“Ti nuk je as mjek e as infermier, por t’u bënë kaq vjet këtu dhe dy tri gjëra i ke parë dhe mësuar. Prit se mos të vjen njeri me ndonjë nevojë urgjente dhe ndihmoje. Merr telefonata mbaj shënime dhe pastaj i kontaktoj vetë”. “Si urdhëron doktor”, tha kujdestari. “E me që do të të zëvendësoj, doktor, si zot i së shtunës në klinikë, a mund t’i thërresim njëri tjetrit ‘koleg’ tani e tutje”? “Mos qoftë e prishur”! ra dakord doktori.
Të hënën, pas gjahut, doktori thirri kujdestarin t’i raportonte. “Hë, koleg, si vajti e shtuna”?
“Shumë mirë, koleg. Telefona nuk pata. Vetëm tri urgjenca. I ndihmova. I pari erdhi dhe tha se kishte një dhimbje të tmerrshme koke. I dhashë ‘Tylenol’ e i pushoi”.
“Të lumtë, koleg! I dyti çfarë halli kishte”? “Stomaku. Kishte djegie të padurueshme. Atij, koleg, unë i dhashë ‘Maalox’ dhe nuk e besoja që ‘Maaloxi’ të vepronte aq shpejt”. “Bravo, bravo! Qenke shumë i shkathët! E i treti, pastaj”? pyeti doktori. “Ishte femër. Unë isha ulur e po pija diçka, kur ajo shtyu derën. Pa nxjerrë llaf nga goja u zhvesh cullak. Hoqi gjithçka kishte mbi trup, u shtri përpara meje dhe m’u lut: Dua ndihmë. Nuk kam parë mashkull me sy që prej dy vjetësh”! Doktori nuk u besonte veshëve: “Të tha nuk kam pare mashkull…me sy”! “Kështu më tha”. “E ti, si veprove, or koleg”? “I hodha nga dy pika në secilin sy, prej asaj shishes aty në raft”!