Nuk ka një treg të mirëfilltë arti të strukturuar apo të kodifikuar

Albert Z. ZHOLI

Piktori i talentuar Edmond Kojani: Ekspozita “Udhëtim në kohë” synoi, sjelljen në vëmendje të monumenteve të kulturës

Edmond Kojani është një piktor që ka hapur ekspozitë qysh në sistemin socialist. Vlora i ka dhënë atij aromën e detit për një ideim dhe forcë interpretuese krejt të ndryshme. Plot 12 ekspozita që ka hapur (në Vlorë të parën në vitin 1988) në Vlorë, Greqi, Tiranë, Durrës, Fier, Sarandë, Berat, etj dhe rreth 100 piktura në gjininë e peizazhit përbëjnë arkivin e tij që do ta kishte zili çdo piktor. Por ekspozitën e tij të fundit të para disa ditëve në Muzeun Kombëtar “Udhëtim në kohë” ai e quan të veçantë për specifikën e tij. Qëllimi i ekspozitës ishte promovimi dhe sjellja në vëmendje e monumenteve të kulturës dhe siteve arkeologjike, si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore.

- Ekspozita e fundit në Muzeun Kombëtar si titullohej dhe me sa piktura u paraqitët?
Ekspozita ime e fundit në Muzeun Historik Kombëtar titullohej “Udhëtim në kohë” dhe përbehej prej 35 veprash, peizazhe në vaj. Ishte një ekspozitë që ngjalli shumë interes për vetë tematikën e saj. 

- Çfarë kishte si qëllim kjo ekspozitë? Mbi çfarë baze apo kërkesash u organizua ajo?
Qëllimi i ekspozitës ishte promovimi dhe sjellja në vëmendje e monumenteve të kulturës dhe siteve arkeologjike si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Kjo përsa i përket tematikes të saj.

Por kërkesa ime në realizimin e tablove ishte thjesht artistike. Imazhet e objekteve të pasqyruara vinë të përpunuara në filtrin e laboratorit tim krijues, pa paragjykimin detyrimisht të konkretësisë. Ato i dominon drita apo dritë-ngjyra, ajo dritë e brendshme e ngjyrave të pikturave të mia, si instrument kryesor për të paraqitur realitetin.

-Sa ekspozita keni hapur, ku dhe cila ka qenë më e suksesshmja? 
Kam hapur 12 ekspozita (në Vlorë të parën në vitin 1988) në Vlorë, Greqi, Tiranë, Durrës, Fier, Sarandë, Berat. Nga këto do veçoja dy të fundit “Gjirokastra në penelin e Edi Kojanit” në 2015 në MHK dhe “Udhëtim në kohë” ku ka më shumë siguri profesionale. Kontrapunti i ngjyrave, ngjyra tonesh të larta e të ulëta. Këto jo si nevojë më shumë e gjendjes sime shpirtërore por sipas nevojës ekspresive. Po kështu marrëdhënia me objektin nuk shprehet tërësisht me narracion por dhe me mjete formale të koloritit, linjës, formës, kompozimit dhe kontrastit në ekspresionin e tyre.

-Pikturat tuaja janë në vaj, kjo është teknika-boja që ju preferoni dhe pse?
Teknika e vajit të mundëson të shprehesh maksimalisht në thellësi e ne gjerësi. Me anë të kësaj teknike arrin të thellosh efektin fillestar emocional dhe pasurinë e dëshiruar koloristike.

-Sa piktura me peizazhe ruan në arkivin tuaj?
Kam rreth 100 piktura ne gjininë e peizazhit nga disafish të krijuara.

-A mund të jetoj sot në piktor vetëm duke pikturuar?
Është e vështirë, por nuk mund të themi që jemi tërësisht në një terren të shkretë. Ka artistë që janë të kërkuar në treg falë punës e artit qe ofrojnë. Gjithsesi ky problem ka kontradiksionet e veta me ulje ngritje të ndikuara nga faktorë të ndryshëm.

- A është bërë kulturë nga shqiptarët pasja e një pikture në shtëpi?
Elemente të kësaj kulture kanë ekzistuar në Shqipëri dhe mund të themi që kjo kulturë është zgjeruar e nuancuar dukshëm. Kjo duket që nga prania e ndjekja e ekspozitave të pikturës nga qytetarë e artdashës. Sipas shkallës së kulturës e raporteve shoqërore të secilit. Artdashësit konsumojnë art. Një pjesë e mirë e tyre janë selektive në zgjedhje të orientuar si nga instinkti emotiv i tyre ashtu dhe nga emri i artistit. Jo të rrallë janë ata që janë kthyer në koleksionistë të vërtetë.

-Cilat janë problemet e piktorëve shqiptarë sot dhe cilat janë pikturat më të preferuara ato klasike apo abstraksioniste?
Nuk ka një treg të mirëfilltë arti të strukturuar apo kodifikuar. E kam fjalën për mungesë menaxheri apo galerie që me kredibilitetin e tyre të krijojnë pak a shumë statuse artistësh, kuotim vlerash. Iket me opinione kolegësh e deri diku të disa segmenteve me një fare asesi në këtë drejtim. Gjithsesi po krijohen disa koordinata të këtij sistemi por të orientuar mbase në vektorin e artit postmodernist.

- Piktorët tanë a janë konkurrues me piktorët në Evropë?
Pse jo..ka artistë si Helidon Haliti, Gazmend Leka por dhe te tjerë që janë avangardë e këtij rivaliteti.

-Portreti, natyra e qetë, peizazhi, kompozimi, cila gjini dominon në pikturat e tua apo më mirë në cilën gjini e gjeni më mirë veten?
Peizazhi dominon si gjini ne krijimtarinë time. Aty gjendem në burimin e përhershëm te përjetimit ndjesor.

-Je penduar që je bërë piktor?
Jo aspak..do pikturoja sikur dhe një tjetër jetë të kisha, pasi ndjej që kam e dëshiroj të bëj shumë gjëra në pikturë e me pikturën.

-Cilët janë piktorët e preferuar tuaj në botë?
Tintoretto-për anën kompozicionale. Goya, për eksprevitetin shprehës. Sisley -për dritën e koloritin. Nikolay Fechin-për tensionin e penelatës.

-Në ekspozitat dhe konkurrimet a keni marrë çmime?
Vlerësimin për punën time e kam ndjerë që para viteve 1990, kur kam marrë çmim të 2-të në Ekspozitën Kombëtare të talenteve të reja në vitin 1988. Gjithashtu, kam punë të vlerësuara që ndodhen në Galerinë e qytetit të Vlorës etj. Çmim i 2-të në Ekspozitën ballkanike në Pejë, në vitin 2007. Vlerësim për punën më të mirë në koloninë e organizuar nga Bashkia Korçë. Personazh i vitit 2015 në qytetin e Vlorës. I vlerësuar nga kritikë arti e artistë shqiptarë dhe jam pjesë e koleksionit të koleksionistëve në vend e jashtë.