Në Selanik kënga e Ali Pashës i ndezi grekët në duartrokitje

1347
Sigal

INTERVISTA/  Flet përgjegjësi i grupit lab të këngës polifonike Marko Kordha

Një grup që është ngritur vitet e demokracisë, por që ka një emër po aq sa gupet më të vjetra të fshatrave të këtij qyteti mistik. Më parë e në të gjitha veprimtaritë apo në festivale, Tepelena është  paraqitur me grupet e disa fshatrave të veçantë si Bënça etj.. Në  Festivalin e vitit  2004 në qytetin e Gjirokastrës, ky grup u paraqit me këngën “Sabahu që përcjell yjet”. Ishte një këngë lirike, e ngrohtë, plot atmosferë, me një përcjellje zërash shumë korrekt dhe të ngrohtë. Pas këtij eventi ky grup është ftuar në shumë Festivale në Europë, ndërsa në Ballkan grupi është ftuar thuajse dy herë në vit.

   Kur është formuar grupi i Tepelenës?

 Grupi që ne përfaqësojmë sot dhe që jemi mbledhur për të nderuar Akademikun e Madh Rexhep Qose është formuar në vitin 2000. Ne jemi formuar në sajë të përpjekjeve dhe të dëshirave të një grupi që e kultivojnë këtë këngë, për të bërë prezent si grup me vete, pasi vetë qyteti i Tepelenës nuk ka pasur një grup të mirëfilltë. Pra ne në të gjitha veprimtaritë apo në Festivale jemi paraqitur me grupet e disa fshatrave të veçantë si Bënça etj.. Kjo ka qenë dëshira jonë. Pra kjo ishte si shtyllë.

 Ku e gjetët mbështetjen kryesore?

Tek shumë i nderuari, i ndjeri Maliq Lila, që e kërkoi me ngulm këtë krijesë. Ai mbetet një nga poetët më të mirë të Labërisë që i dha shtysë grupit tonë dhe i ndërtoi themelet. Ai kishte shumë krijime, të cilat na i dhuroi me dëshirën e madhe për t’u bërë prezent në mënyrën sa më profesionale. Kështu lindi ky grup i qytetit tonë, që nuk kish ekzistuar asnjëherë. Filluam menjëherë provat dhe u bëmë një ndër grupet më të pëlqyer.

 Cili është prezantimi i juaj i parë zyrtar me këtë grup?

Është Festivali i 2004-s, në qytetin e Gjirokastrës.  Në këtë Festival ne u paraqitëm me këngën “Sabahu që përcjell yjet”. Ishte një këngë lirike, e ngrohtë, plot atmosferë, me një përcjellje zërash shumë korrekt dhe të ngrohtë. Morëm vlerësime jo të pakta. Pas këtij Festivali ne na u hapën rrugët jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë. Në Shqipëri kemi marrë pjesë në të gjitha festivalet e ndryshme, por kemi shkuar dhe në shumë vende të Europës.

 A keni realizuar ndonjë album?

Ne deri tani kemi realizuar 3 albume. Tre albume me nga 14 këngë, pra 42 këngë, të cilat na i kanë sponsorizuar dashamirësit e këngës labe të qytetit tonë. Pra për këtë u jemi mirënjohës, pasi na kanë bërë një reklamë të madhe.

Po në Tepelenë kush mbizotëronte në regjimin komunist?

Me thënë të drejtën nuk kishte grup polifonik dhe mbizotëronte grupi i sazeve. Ai është një grup me nam në gjithë Shqipërinë, por ndihej mungesa e një grupi të tillë. Grupi i sazeve “Ali Pashë Tepelena” edhe sot ka një emër të madh, ka një emër të mirë dhe ne tashmë kemi krijuar emrin tonë.

 Cilët ishin grupet e fshatrave të Tepelenës në regjimin komunist?

 Ishin disa, por do të veçoj grupin e Bënçës, Hormovës, Salarisë, Kalivaçit. Sidomos grupi i Bënçës, mbetet më famozi.

 Nga sa veta përbëhet grupi juaj?

 Grupi ynë përbëhet nga gjashtë veta. I pari është Shpëtim Selimi (marrës), Muharrem Zija (kthyes),  Gramoz Caca (hedhës), Shkëlqim Shema (iso),  Agim Hita (iso), Marko Kordha (iso). Pra grupi është i kompletuar dhe funksionon në mënyrë harmonike.

 Si funksionin grupi juaj?

Ne mblidhemi vazhdimisht sidomos në fundjavë edhe n.q.s nuk kemi ndonjë angazhim. Pra duam të mbajmë gjallë  kërkesat tona, të mbajmë në formë zërin dhe të përgatitemi për këngë të reja.

 Kur jeni ndjerë më mirë në këngët tuaja?

Përveç Festivalit të Gjirokastrës, ditën që u vendos statuja e Ali Pashait në Tepelenë, ne kënduam një këngë që u mirëprit shumë. Atë ditë binte shumë shi. Por ne kënga na ngrohte.  Ne kënduam këngën e Ali Pashait:

Ditën që erdhe Pasha,

Qante koha me allah

 Goliku dhe Shëndëlli

S’duronte malli për ty

Erdhe prapë në Tepelenë

 Si zogu që gjen folenë

 Një monument madhështor

Qytetit i ri kurorë

 O Pasha ballë stuhie

Tepelenës i dhe hije

 Në Tepelenë dhe Janinë

Bust i madh për Pasha Alinë

 Keni bërë shumë këngë për Aliun?

Po, kemi bërë disa. E dimë që këngët për ‘të janë shumë të pëlqyeshme, pastaj ai ka histori të madhe. Jo vetëm tek ne, por edhe në Greqi ka këngë për Ali Pashanë.

 Po mediat a ju kanë propaganduar?

Sigurisht, janë shumë televizione që na kanë ftuar, por unë do të veçoj emisionin në Top Shou për dasmën labe. Ishte një emision, ku ne shpalosëm të gjitha vlerat tona. Tek ky emision ishte dhe grupi i Bënçës.

 Ku jeni pritur më mirë jashtë shtetit?

Në Kosovë, aty na kanë pritur si heronj. Se di ndoshta nga që na lidh gjaku, por ata i duan shumë këngët labe.

  E veçanta në këto festivale kush ka qenë?

Pritja e ngrohtë në  Selanik. Nuk e di, por ato duartrokitje rrallë i kam parë. Në fund na mbushën me lule. Madje ne kënduam dy këngë dhe na kërkuan të këndonim dhe një këngë të tretë. Nuk e di nëse ishin grekë apo shqiptarë por përderisa nuk na folën shqip më le të besoj se ishin grekë. Kënduam dhe një këngë për Pashanë.

  A po ruhet si thesar i UNESCO-s kënga labe?

Besoj se jo. Nuk duhet të jetë vetëm dëshira e jonë, por edhe interesimi i shtetit. Pa financim asgjë nuk ruhet.  Ne çdo gjë deri tani e kemi bërë vetë dhe me ndihmën modeste të pushtetit vendor. Edhe në Festivale përkrahja ka qenë nga simpatizantët dhe nga pushteti vendor.

Me se po angazhoheni tani?

Po përgatisim një album të katërt.  Tre albumet e parë i kaluam me sukses që u shpreh dhe në shitjen e tyre.

 Si titullohen albumet që keni bërë?

Albumi i parë “Erdhe prapë në Tepelenë” i kushtohet Ali Pashës. I dyti “Labëri me sherqe bore” d.m.th me shark çobanësh, sharqe bore. Albumi i tretë “kënga labe të rinon”.  Para disa ditësh erdhën nga Greqia disa emigrantë dhe donin në origjinal tre albumet. I kishin marrë në treg, por i kishin marrë të kopjuara keq, pa atë pastërtinë e incizimit. U detyrova dhe shkova në Gjirokastër dhe jua mora.