“Mami, mami, ma”, kënga fituese në Festivalin 52 për Fëmijë

1264
Sigal

Shkodër/Eda Muça, është fituesja me këngën e kompozuar nga i madhi Ylli Kalaja

 Në teatrin “Migjeni” në Shkodër, u mbajt për herën e 52-të, Festivali Kombëtar i Fëmijëve, për tre net me radhë. Atmosfera ishte e ndezur nga këngëtarët që merrnin pjesë nga çdo cep i Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Mali i Zi dhe diaspora, këngë të interpretuara Live. Si gjithmonë ky aktivitet mbante vulën e Drejtorit të Festivalit, Kujtim Alija, po ashtu nuk mungonte edhe Udhëheqësi Artistik Roland Guli, Redaktori Përgjegjës Bardhyl Hysa. Si gjithmonë në këtë festival, nuk mungonte as firma e regjisorit Osman Mula. Skenari u shkrua nga duart e Manjola Lloja, koreografia nga i mirënjohuri Adnand Kastrati, ndërsa koreografia u punua mjeshtërisht nga Vladimir Saiti. Elementi i veçantë i këtij festivali ishte edhe kori i fëmijëve shkodranë, që përbëhej nga rreth 95 solistë, që kanë kaluar audicionet midis 300 fëmijëve. Në garë gjithsej konkurronin plot 24 këngë, me autorë të njohur si Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Ylli Kalaja, Edmond Zhulali, Naim Krasniqi dhe autor tekstesh si Jorgo Papingji, Agim Doçi, Mimoza Bici dhe Aulon Kalaja. Kënga fituese e këtij festivali u shpall kënga me titull “Mami, mami, ma”, çmim që u dorëzua nga zëvendësministri i Kulturës, Zef Çuni, ndërsa vetë fëmijët ishin juria e festivalit. Kënga interpretohej nga vogëlushja Eda Muça, me kompozim të Ylli Kalasë, orkestracion të Alfred Kaçinarit dhe tekst të Aulon Kalasë.

 Kompozitori Ylli Kalaja mbështjell rreth vetes një karrierë të pasur 40–vjeçare. Ai ka përfunduar Akademinë e Arteve, Dega Kompozicion, kursin pasuniversitar (Master) dhe mban titullin “Kritik Arti”. Fillimisht e nisi karrierën në Pallatin e Kulturës Laç, ndërsa më vonë u emërua Drejtor i Pallatit të Kulturës Krujë. Rreth viteve ‘90 emërohet Drejtor i Pallatit të Kulturës Fushë–Krujë, detyrë që e mbajti deri më 1 shtator 2013-të, pasi e shkarkuan. Aktualisht është lektor në Akademinë e Arteve, Dega Kompozicion “Universiteti Kristal”. Është autor i shumë këngëve për fëmijë në Festivalin Mbarë kombëtar të Fëmijëve Shkodër dhe festivale të ndryshme në Tiranë, Durrës, Përmet, Tepelenë, Librazhd, po ashtu edhe jashtë kufijve administrativë, si në Prishtinë, Gjilan, Prizren, Strugë, Tetovë, Shkup dhe Ulqin. Para disa muajsh u nderua me çmim të tretë në Festivalin e Fëmijëve në Nevv York, organizuar nga diaspora. Po ashtu, pjesëmarrës dhe fitues në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Së bashku me bashkëshorten soprano e mirënjohur Rakipe Karaj, kanë themeluar Ansamblin “Albanopolis” për këngë dhe valle dhe janë të pranishëm në të gjitha aktivitetet brenda dhe jashtë vendit. Në 6 qershorin e këtij viti, në qytetin e Krujës, përmbyllën me sukses edicionin e 14 të “Festivalit të Interpretuesve të Këngës Popullore për Fëmijë” (Fest – Folk 2014). Kompozitori Kalaja i kishte provuar të gjitha çmimet në Festivalin Kombëtar të Fëmijëve në Shkodër, ndërsa në edicionin e 52-të, mundi të vlerësohej me çmim të parë. Vlen për t’ u përmendur fakti se në këtë aktivitet, Kalaja nuk ka qenë i pranishëm vetëm si kompozitor, por disa herë atë e kemi parë edhe si anëtar jurie. Vihet re një bashkëpunim i ngushtë midis tij dhe kompozitorëve të tjerë si Alfred Kaçinari dhe Roland Guli. Nga ana tjetër, ai ka bashkëpunuar shumë me autorë tekstesh si Jorgo Papingji, por më shumë tekste për muzikën e tij i ka shkruar Aulon Kalaja, siç ishte dhe rasti i këngës fituese të edicionit të 52 të Festivalit të Shkodrës. Por, planet e tij nuk ndalen këtu, ditën e enjte ai niset drejt Prizrenit me një këngëtar 5–vjecar, Mario Zaja, me një këngë të kompozuar nga vetë ai me titull “Kam një Balo, kam një qen”. Sigurisht që plani pasardhës do të jetë pjesëmarrja në aktivitetet në shtete ballkanike, turne që do nisin në muajin shtator.