Lisiena Hysenaj, shqiptarja e suksesshme në oqeanin e shkencës së Biologjisë Molekulare

1014
Sigal

Intervista/ Studentja shqiptare në Francë Lisiena Hysenaj e vetmja nga dega e saj që fiton bursë stazhi në SHBA. Flet me vlerësime shkencëtarja e njohur Shehrezade El Amri

Shqiptarët kanë emigruar në Europe, Amerikë, Australi apo gjetkë, shumica për arsye financiare, por ka edhe shqiptarë që janë në një lloj tjetër, “emigrimi” atë të etjes për dije dhe zhvillim arsimor, në të gjitha degët e kulturave të arsimimit njerëzor. Këta janë një tjetër shtresë shqiptarësh, që quhen studentë universiteti, ose pasuniversitar për Master. Njëra, prej këtyre studenteve që mbaroi maturën me “Medalje Ari” në shkolle e Tiranës “Vëllezërit Kajtazi” në vitin 2008 në Shqipëri, ehte Lisiena Hysenaj. Në vitin 2009, kjo nxënëse e shkëlqyer, erdhi të kryej studimet e larta për të ndihmuar njerëzimin në rigjenerimin e organizmit të njeriut, me qelizat stemale dhe Masterin e saj, të parë mbi shkencat e biologjisë molekulare, në Paris, në Universitetin “Pierre et Marie Curie” në Jessieu, Paris 6. Javën tjetër ajo, do të niset për dy muaj stazh, në “Stovvers Institute for Medical Research” në Kansas City Missouri në SHBA. Kjo ishte edhe një nga arsyet që me shtyu t’i kushtoj vëmendje arritjeve të kësaj vajze 24 vjeçe, për të pasur rezultate kaq dinjitoze. Por, le të prezantojmë studenten tonë:

-Lissiena Hysenaj, a mund t’i tregosh diçka për vetën lexuesve të “Telegraf”?

Unë kam mbaruar për biokimi në Universitetin “Pierre dhe Marie Kyri”, ne Jessieu, Paris-6, jam pajisur me Master 1 dhe kam kaluar për Master 2, që unë vet kam zgjedhur për Farmakologjinë. Në Francë është shumë e kërkuar, dhe për të gjithë Francën janë veç 12 vende në vit, një prej këtyre vendeve e kam fituar unë. Franca ka tre universitete për Mastera mbi farmakologjinë, siç është ai në Luksemburg, Lion dhe Jessieu, pra universiteti im!

Universiteti gjigant ku kryej studimet për Master është pothuajse si një qytet studentor. Në të gjenden mjaft laboratorë kërkimesh shkencore ku nxënësit zbatojnë dijet e mara në shkollë dhe pedagogët konstatojnë nivelin e dijeve të studenteve te tyre.

-Lisiena, si procedohet për të kaluar nga njëri “Master” tek tjetri?

Kalimi nga Master 1 në Master 2, duhet të zbatohet duke ju përmbajtur dy kritereve kryesore, të cilat janë: Në bazë të Dosjes, pra duhen rezultate shumë të larta në nota, edhe kriteri i dytë, në bazë të një interviste.

-Në të dyja këto kritere në cilin nivel gjendeshit Ju në këtë procedurë?

Unë, në bazë dosjeje, kisha përparmi pasi hyj në 10%-in e studentëve më të mirë të Universitetit tim, por edhe në baze interviste, isha po në të njëjtën përparësi. Në këtë pikë, shumë i rëndësishëm, është opinioni i profesorit që të ka ndjekur, sidomos bindjet e tij për ecurinë tënde aktuale, mbi rezultatet dhe dijet e tua. Gjithashtu në Farmakologji, kisha dalë “e para”, në provimin me gojë dhe e “dyta”, në provimin me shkrim. Në atë provim, kisha fatin të njihem me shkencëtaren Chahrazade El Amri, e cila ishte kryetare e Jurisë në Komisionin e Master 2-it. Kjo zonjë, është një eksperte e lartë në Francë dhe e njohur botërisht, sepse boton në revistat e famshme shkencore siç është “Natyre” apo “Science”, ku kjo shkencëtare hedh dritë mbi studimet e saj për prodhimin e Anti-kancerogjeneve, arsyet e plakjes  dhe sëmundjen e Alzheimers-it. Ajo më inkurajoi pa masë, kur më pyeti për origjinën time dhe u gëzua fort, kur ju përgjigja se, isha shqiptare! Ajo më shprehu një admirim të veçantë dhe u ndjeva shumë e gëzuar, sepse të tilla vlerësime, kisha dëgjuar vetëm në Shqipëri,… këtu ishte për herë të parë!

-Kishe pak “frikë” gjatë kësaj interviste?

Jo, nuk kisha asnjë lloj frike! Babai im është ushtarak dhe ai na ka edukuar që “nuk shkohet në betejë me psikologji negative! Kështu, unë para se të nisem, mendoj pikat pozitive dhe pastaj negativet. Pika kryesore pozitive për mua, është se vi nga Shqipëria dhe, nuk është e zhvilluar shkenca Biologjike, qelizat stemale (ose mjeksia rigjeneruese), as prodhimi i antikancerogjeneve, ose diagnostikimi i pacienteve, në bazë të “gjeno-tipit”, kjo e fundit nuk ekziston në Shqipëri, në ndryshim me këtu në Francë, që është tepër, tepër e kërkuar dhe shumë e vlerësuar.

-Lisiena, ti javës tjetër nisesh në Amerikë për stazh dhe do qëndrosh atje dy muaj. Si qëlloi ky stazh?

Po! Jam shumë e gëzuar për këtë shans të madh që mua dha në “Stouers Institute for Medical Research” në Kansas City Missouri në USA. Janë zoti dhe zonja Stouer, dy personalitete të fuqishëm, që financojnë këtë qendër shumë të madhe kërkimesh bio-mjekësore, për qelizat stemale (rigjeneruese). Qëllimi i këtyre qendrave të mëdha është që të marrin pak persona shkencëtarë nga e gjithë bota, që ju ngjallin atyre interes shkencor. Ata vijnë në universitetin tonë se është më i miri në Francë, propozojnë stazh dhe marrin vetëm një person.

-Ti je ai “njëshi¨ këtu tani?

Po! Por, jo se jam më e mira, unë hyj të 10% i më të mirëve të universitetit por nuk jam numri një. Unë besoj se intervista ime shkoi shumë mirë dhe ata më zgjodhën. Më paguajnë të gjitha shpenzimet, që nga bileta e avionit, e gjithçka. Qëllimi i tyre është që të më marrin për Doktoraturë atje, sepse ma diskutuan këtë gjë. Tani më duhet të shoh si do shkojë dhe do vendos. Nga ana ime dua shumë të bëj një Doktoraturë, sepse dua që të jem e kompletuar deri në fund, nëse kjo do të ndodhi në Francë apo në Amerikë, nuk e di, koha do ta tregojë!

-E quan veten një studente të suksesshme sot dhe një shkencëtare e ardhshme?

Po! Sigurisht që po!

-Suksese Lisiena Hysenaj, të presim!

 

Duke dashur të plotësoj një portret të një njeriu të ri, jo vetëm me rezultate të larta e premtuese, por mbi të gjitha, një njeri që aspiron të jetë një shkencëtare e ardhshme në shkencat e biologjisë molekulare e farmakologjike shqiptare, kërkova një mendim nga vetë Profesoresha, që Lisiena përmendi me aq respekt dhe vlerësim, znj. Chahrezade EL AMRI (Professor HDR, PhD, Enzymalogist-Biochemist UPMC Sorbonne Universites). Profesoresha El Amri pranoi të intervistohet për pak minuta nga koha e saj e çmuar.

-Cili është mendimi juaj mbi studenten shqiptare, Lisiena Hysenaj, që kryen studimet në universitetin tuaj këtu, në Paris?

E njoh studenten Lisiena prej disa muajsh dhe kam pasur rastin të njihem me angazhimet dinamike të saj veçanërisht, në një iniciativë pozitive e krejt personale të veten, për promovimin Biologjisë Molekulare dhe Biokimisë në nivel eropian! Kjo është diçka e rrallë për studentët dhe ndodhi që, kjo nxënëse, që bëri një promovim të tillë, të ishte shqiptare! Për këtë e kemi përgëzuar të gjithë! Pastaj nëse flasim për punën universitare, gjithashtu kam konstatuar kuriozitetin e saj, finesën e shpirtit dhe kapacitetin, për të analizuar punën shkencore!

-Meqenëse shkenca Biologjisë-Molekulare dhe ajo Biokimike në Shqipëri nuk janë zhvilluar në nivelet europiane, nëse një ditë kjo studente me rezultate premtuese, dëshiron të kthehet në Atdhe, a do të ketë ajo një suport nga ana Juaj, ose universitetit?

Sigurisht që po! Duke pasur parasysh, energjinë dhe kapacitetin e saj që të krijojë lidhjet e veta, dhe rrjetëzimin me të njohurit, që ajo ka sot, deri në nivel ndërkombëtar, mendoj se, Lisiena është e aftë ta bëjë ketë, por më parë, i kam rekomanduar, të bëjë Doktoraturën pastaj në post-Doktoraturë, të krijojë një laborator, ku edhe këtu ajo nuk ka problem, pasi Lisiena, mund të marrë me vete edhe studentë të tjerë shqiptarë, që kanë dalë nga auditorët tona.

-Jeni shkencëtare e studimeve kundër plakjes së njeriut, gjithashtu, mbi sëmundjet e rënda siç është Alchaimer, si dhe kërkuese e rrugëve dhe mënyrave shkencore, për prodhimin e ilaçeve ¨anti-kancerogjene¨. Çfarë mund të thoni për lexuesit tanë, a kemi shpresa t’u shpëtojmë këtyre maktheve njerëzore?

Unë mendoj se nuk mund të shërohemi plotësisht, por ne, mund të arrijmë të përmirësojmë jetën e pacientëve dhe të ngadalësojmë pak procesin e plakjes. Sëmundjet varen nga shumë faktorë kështu, deri me sot, shërimi total është i pamundur, – kjo është pikëpamja ime! Ndoshta një ditë do të arrijmë të ndërrojmë “gjenet” njerëzore, ndonëse kjo, është ende shumë larg, por gjithsesi ende nuk e dimë nëse etika do ta lejojë ketë gjë. Fillimisht e shpirtërisht, synojmë kryesisht të përmirësojmë cilësinë e jetës, duke zhvilluar rigjenerimin në simptomat që e kanë origjinën, në degradimin e organizmit

Toksinat, janë një nga shkaktarët e zhvillimit te sëmundjeve. Çfarë mendoni ju mbi toksinat?

Mendoj që është e mundur dhe nuk më duket aspak e çuditshme. Duke parë gjithë këtë ndotje ambienti, sigurisht kemi edhe toksina, në produktet ushqimore!

Duke marrë një shembull, pijet e gazuara që kanë përmbajtje toksine?

Po! Ka toksina në këto pije dhe studimet janë kontradiktore. Besoj, se kjo vjen nga fakti që ka njerëz, ku organizmi i tyre e “toleron” toksinën dhe ka njerëz ku organizmi i tyre, nuk e “toleron”. Kjo varet nga Metabolizmi i secilit!

Seferina Serani