Dinos Kubatis: Edhe në brezin e gjyshes time flisnin gjuhën shqipe në shtëpinë e tyre

931
Sigal

PERSONAZH/ Flet shkrimtari, aktori dhe regjisori arvanitas, Dinos Kubatis: Në vitin 1996, kur njoha Xhevahir Spahiun, filloi lidhja ime me letërsinë shqiptare

Dinos Kubatis është shkrimtar, aktor dhe regjisor grek. Ka punuar në Greqi dhe jashtë saj dhe ka fituar shumë çmime ndërkombëtare, si Çmimin Ndërkombëtar të UNESCO-s për punën e tij regjisoriale dhe të Akademisë Franceze të Letrave, Doktor Nderi i Bizantologjisë në Universitetin e Valencias (Spanjë), Akademik Nderi i 50 akademive të botës, ka botuar 26 libra në gjuhë të ndryshme dhe ka regjisuar në Greqi, Francë, Belgjikë, Kanada dhe Shqipëri mbi 150 vepra teatrale. Njëzet vitet e fundit ka zhvilluar aktivitet edhe në Shqipëri, ku është botuar dy herë libri i tij: “Iliana, jeta jonë mbaron tek tanket”, por është edhe ndër organizatorët e aktivitetit të madh teatror njëvjeçar “Arti pa kufi”, aktivitet, i cili zhvillohet në qytetin e Sarandës, nën kujdesin e bashkisë vendore.  Me të jam njohur në vitin 1995 kur isha gazetar në Greqi. Prej asaj kohe takimet dhe lidhjet tona thuajse kanë qenë të përhershme. Në shtëpinë e tij në ishullin Salamina (të cilën e kam vizituar dy herë) kanë bujtur shkrimtarët Dritëro Agolli dhe Moikom Zeqo. Dino Kubatis njihet si një ndër intelektualët që ka mbrojtur denjësisht dhe drejtësisht emigrantët shqiptarë në Greqi.

 -Cila është prejardhja e familjes tuaj?

– Është vështirë të përcaktojë ndokush me saktësi prejardhjen e vet, pasi me siguri “ngatërrohen” breza të ndryshëm. Ndërkaq, ajo që mbizotëron në prejardhjen time, besoj se është prejardhja shqiptare prej tim eti, madje, deri edhe në brezin e nënës së tij flisnin gjuhën shqipe në shtëpinë e tyre.

        -Si ju lindi dëshira për t’u bërë aktor?

 -Besoj se…lindi së bashku me mua! Që prej viteve të fëmijërisë,- më thonë, – se më pëlqente të imitoja dhe meqë familja ime kishte edhe marrëdhënie të mira me teatrin, mendova se edhe unë mund të hyj aty dhe të përpiqem.

 -Cili është roli juaj i parë, të cilin e interpretuat si profesionist ?

– Interpretimi im në monologun e Anton Çehovit “Pasojat dëmtuese të duhanit”. Dhe, përveç faktit se, isha ende tepër i ri për një rol të tillë të fuqishëm, thanë se ia arrita.

     – Sa role keni interpretuar dhe cilët janë më të rëndësishmit për ju?

– Rolet që kam interpretuar janë të shumtë, të shkrimtarëve grekë dhe të huaj, sa në Greqi, edhe jashtë saj. Prej roleve që kam dashur më shumë dhe që shënuan një ngacmim tek unë si interpretues, është vepra “I sëmuri imagjinar” i Molierit, “Kalendari i një të çmenduri” i Nikollaj Gogolit, “Njeriu me lule në buzë” i Luixhi Pirandelos, “Më pe lakuriq” i Ari Haxhidhaqit, prej tragjedive “Tirani udhëtar” dhe “Antigoni” të Sofokliut. Gjithashtu, edhe roli i Ali Pashës tek vepra “Zonja Frosinë”. Si regjisor, kam dashur veçanërisht veprën e Gëtes “Torkuato Taso”, me të cilën bashkëpunova në Paris me Alen Delon dhe “Sivila” dhe “Orfeu” të Angjelo Siqelianoit.

-Aktor, por edhe shkrimtar. Cili ishte libri juaj i parë, kur u botua dhe si e priti kritika letrare?

 Libri im i parë, të cilin e pashë duke u botuar, ishte vëllimi im poetik me titull “Shpirti im, Jerusalem”, në vitin 1982. Do të thosha se kritika e priti me shumë simpati. Që prej asaj kohe vijuan 24 libra të mitë, të cilët përfshijnë të gjithë zhanret e Fjalës, si romane, esse, komente politike, vepra teatrale etj.. Dhe të shtoj se përveç përkthimeve të librave të mi në gjuhë të huaja, kanë qarkulluar libra të mitë të botuar në Francë, Kanada dhe Poloni, ku madje dy vepra janë bërë objekt i studimeve për doktoraturë në Universitetin e Varshavës, Katedra e Studimeve Neogreke.

 -Jeni i martuar me bashkëatdhetaren time, Luljeta Nuraj. Si u njohët dhe përse zgjodhët atë?

-Besoj se nuk e zgjodha. Jeta shkruan skenarët e saj dhe i bashkon njerëzit, madje edhe ata që jetojnë larg njëri- tjetrit dhe takohen rastësisht. U gjendëm pranë njëri- tjetrit, vlerësuam njëri- tjetrin dhe pas njëzet vjetësh bashkëjetese, u bindëm se nuk gabuam në vlerësimet tona. Luljeta është një njeri i veçantë, me ndjenja shumë bujare dhe një Kulturë të veçantë. Jemi lidhur, pra, në jetë deri në fund…

-Si e keni vlerësuar Shqipërinë gjatë vizitave tuaja aty?

-Që prej fillimit, në vitin 1996 kur e vizitova për herë të parë, e ndjeva se e njihja përherë. E njëjta zonë gjeografike me Greqinë, të njëjtët njerëz të mirë, të njëjtët zakone. E ndjeva, pra, shumë timen. Dhe njerëzit më mirëpritën, më deshën dhe i desha.

  -Jeni ndjerë ndonjëherë keq në Shqipëri?

-Nëse do të thosha një gjë të tillë, atëherë do të thosha gënjeshtra. Përherë ndjehem shumë mirë dhe të gjithë njerëzit që kam njohur dhe që më rrethojnë, besoj se më duan, siç i dua edhe unë. Dhe më duhet të them se kam njohur shumë njerëz, njërin më të mirë se tjetrin.

     -Mendoni se ekzistojnë ndryshime ndërmjet Shqipërisë që njohët në fillim dhe Shqipërisë së sotme?

 – Patjetër. Ka ndryshime të mëdha dhe të rëndësishme. Dhe mjerë po të mos ishte ashtu. Ndoshta ka shumë që duhet të bëhen ende, por do të thosha se do të vijë çasti që do të bëhen edhe ato. Nga ana ime do të doja të tërheq vëmendjen e qeverive ndaj Kulturës. Kultura e një vendi, nuk është vetëm pasaporta e tij, por edhe vula e qenësisë së tij ligjore në një planet, i cili me qëllim i kundërvihet kulturës, me qëllim që të humbasin dhe të shuhen pasaportat kombëtare.

  -Gjatë kohës së sistemit komunist, kishit lexuar shkrimtarë shqiptarë?

-Jo. Në Greqi na flisnin për një vend-fshat dhe asgjë më tepër. Një vend pa rrugë, pa shtëpi, pa kulturë. “Propaganda” helmon dhe shkatërron… Për herë të parë letërsi të plotë shqipe lexova në vitin 1996, kur miku im i dashur, Xhevahir Spahiu, më dhuroi një vëllim në gjuhën frënge, nën përkthimin e Aleksandër Zotos, në të cilin njoha Kadarenë, Agollin etj… Që prej asaj kohe u lidha me letërsinë bashkëkohore shqiptare, por edhe me më të hershmen dhe tani më lejohet të flas për shkrimtarë realisht të mëdhenj dhe të tjerë veçanërisht të rëndësishëm.

 –Në 1996 isha lidhja e njohjes tuaj me Dritëro Agollin dhe Moikom Zeqon, të cilët madje i mikpritët në shtëpinë tuaj. Cili është mendimi juaj për Agollin?

 -Agolli është një shkrimtar shumë i rëndësishëm, të cilin madje, po atë vit e nderuam me Medaljen e Artë të Aleksandrit të Madh dhe të Shoqatës Kulturore Ndërkombëtare “Kafeneja e Ideve”, në të cilën kam nderin të jem kryetar.

 -Cilët shkrimtarë të tjerë shqiptarë keni takuar dhe cili është mendimi juaj?

-Pas Spahiut, sapo mbërrita për herë të parë në Shqipëri, njoha Ilirian Zhupën, me të cilin i lidhëm familjarisht më pas, i cili botoi për herë të parë shqip librin tim “Iliana, jeta jonë mbaron tek tanket”. Në vijim njoha poetin e madh të Kosovës, Ali Podrimja, me të cilin gjithashtu, u lidhëm ngushtë, shkrimtarët e njohur Skënder Rusi, Rexhep Shahu, Novruz Shehu, Sinan Kerpaçi, Vojsava Nelo, Kozeta Zavalani dhe shumë të tjerë, medie edhe nga Kosova, duke veçuar Agim Gjakovën, Agim Vincën, Muharrem Kurtin, Reshat Sahitaj e të tjerë. Prej përfaqësuesve më të mëdhenj të brezit më të ri të shkrimtarëve, njoha dhe e vlerësoj veçanërisht Mujo Buçpapajn. Por edhe prej shkrimtarëve shqiptarë që ndodhen në Greqi, doja të përmendja të mrekullueshmin Iliaz Bobaj, Edmond Shallvarin dhe Spiro Xhavarën.

 -Mendoni se përsa i përket  emigracionit,  arvanitët përbëjnë një urë midis grekëve dhe shqiptarëve?

  – Një pjesë shumë e madhe e grekëve janë me prejardhje arvanitase. Besoj se kjo i thotë të gjitha. Megjithatë, lidhjet e dy popujve janë shumë të lashta, që prej epokës së  Pellazgëve dhe në vazhdim.

  -Si e pritët dyndjen shqiptare në Greqi?

– Me dëshirat më të mira, larg qëllimeve politike. Më herët, për grekët emigracioni ishte mënyrë mbijetese. Edhe sot, gjithashtu, me krizën ekonomike, bëhemi sërish emigrantë.

  – Keni botuar libra për Shqipërinë ?

        – Po. Pas vizitës sime të parë aty, shkrova mbresat e mia, të lidhura këto me hyrjen e atëhershme të shqiptarëve në Greqi, me titullin “Duke udhëtuar

 – Shqipëria”. Qarkulloi vetëm në Greqi në botimet “Skaraveos”. E vërteta është se kam shkruar edhe shumë libra të tjerë për Shqipërinë, pas marrëdhënieve të mia njëzetvjeçare me të, por mbeten ende dorëshkrime.

 

-Doni të thoni diçka për aktorët shqiptarë ?

-Sigurish që dua të them. I kam njohur pothuajse të gjithë, më të vjetrit nëpërmjet filmave në të cilët kanë qenë protagonistë. Personalisht, domethënë nëpërmjet njohjeve personale, do të doja të ndalesha veçanërisht tek e madhja Margarita Xhepa, madje edhe tek Tinka Kurti, të cilat më nderuan duke u ngjitur së bashku me mua në skenë përkatësisht vjet dhe sivjet, në aktivitetin teatror ndërkombëtar “Arti pa kufij”, në Sarandë, një aktivitet vërtet i vlefshëm, i cili zhvillohet nën kujdesin e Kryebashkiakut të Sarandës, Stefan Çipa. Prej më të rinjve do të doja të shprehja admirimin tim për Luiza Xhuvanin, njëkohësisht të theksoj vlerësimin tim për regjisorin Alfred Bualoti dhe Kiço London.