Lirio Nushi: Vangjel Ljapi, arvanitasi 90 vjeçar, i cili ka botuar 26 libra për Arvanitasit

753
Sigal

 Shkrimtari, avokati i arvanitasve që çliruan Greqinë

Sapo kisha marrë një e-mail nga At Antonio Belushi, Prifti Arbëresh i cili është personaliteti më i njohur për diasporën shqiptare kudo në botë, kështu që do ta quaja të tepërt paraqitjen e tij. Më shkruante se për librin e tij të ri mbi arvanitasit e Greqisë që do të botonte, donte një parathënie nga Vangjel Ljapi, arvanitasi 90 vjeçar i cili banon në Elefsina të Greqisë, vend i cili ndodhet në periferi të Athinës rreth 45 kilometra larg qendrës. Nga të gjithë studiuesit, por edhe nga vetë vendasit njihet se kjo zonë është në përqindjen e saj më të madhe me popullsi Arvanitase. Sapo mbërrita shkoj tek furra e bukës dhe pyes se ku banon baba Vangjeli. Djaloshi që në fillim më vështroi me pak çudi për familjaritetin që unë tregova, më përgjigjet: Ja tek është, ai plaku atje në anë të rrugës. E pashë për herë të parë atë njeri, i cili ka botuar 26 libra për arvanitasit dhe katër pret me durim që t’i botojë. Disa prej tyre janë: Martesa Arvanitase, Laografia Erotike e Arvanitasve, Zakone Arvanitase-Mentalitete, Vajtime Arvanitase, Kënga Erotike Kundurjotase, Lojrat fëminore të arvanitasve, Tradita Popullore dhe përralla, Vallet Arvanitase,… etj. Një thesar me të vërtetë i pasur i kulturës së Arvanitasve të Greqisë dhe tabanit tonë kulturor kombëtar. E kisha përfytyruar ndryshe me thënë të drejtën, mendoja të takoja një plak të shëndoshe dhe të rëndomtë të kërrusur nga mosha dhe vitet që mbante mbi shpinë. Por u çudita kur vërej një plak me të vërtetë elegant dhe me një vështrim mjaft krenar që tejshponte retë. E shoqëronte një vajzë ruse e cila e ndihmonte me sa duket për nevojat e përditshme. E pyeta vajzën rusisht se si e quajnë dhe ajo duke qeshur e befasuar më tha se quhej Txia. Kurse ai vetë m’u paraqit me një krenari që i ngjante më shumë fisnikëve të lashtë shqiptarë. Më zgjati dorën dhe më tha plot krenari dhe solemnitet: Vangjel Ljapi, Arvanitas dhe qeshi. Më befasoi me thënë të drejtën, pasi janë të rrallë arvanitasit që e tregojnë me aq krenari origjinën e tyre këtu në Greqi. Atëherë kuptova pse At Antonio kërkonte dorëshkrim nga baba Vangjeli, ish avokat në profesion. Ishin disa metra deri tek shtëpia që duhej t’i bënim në këmbë. Parkova makinën dhe u drejtova për tek porta. Pashë mbi pesë qenë të mëdhenj që u sulën. “Nëse nuk i lidhni qentë, i thash duke qeshur, as që bëhet fjalë të futem brenda”. “Ja edhe një shqiptar që paska frikë nga qentë”, më tha edhe ai duke qeshur. U futëm brenda. Ishte një shtëpi tepër tradicionale me motive popullore druri. -Këtu kam lindur më tha. -Ja, kjo është vatra ime, urdhëro e hyr. Jam shumë i gëzuar që më jepet mundësia të shkruaj për librin e mikut dashamir, Antonio Bellushi në lidhje me arvanitasit e Greqisë,- më tha.

 DISA PËRGJITHËSIME MBI ARVANITASIT E GREQISË

 Para së gjithash, dua të them se ne arvanitasit e Greqisë, më tha, e flasim pak ndryshe gluhën. Kështu që unë po e shkruaj ashtu sikurse ne e flasim, pra me drejtshkrimin e të folmes sonë. Këtu e shtatëdhjetë vjet studioj për arvanitët e Greqisë. Jam nga rrënjë arvanite e për këtë do të mundohem të flas sa më thjeshtë. Dua të pohoj se historianët gjithçka kanë shkruar për atë popull kanë bërë shumë gabime dhe kjo jo për arsye se ata nuk njohin të vërtetën, por me dashje kanë mohuar të vërtetën. Dua të flas për atë popull, i cili u lartësua gjate kryengritjes greke të vitit 1821. Ata morën armët në dorë, dhanë jetën e tyre për t’i dhënë lirinë Greqisë, e cila ishte skllave për katërqind vjet me radhë. Dhe në gjithçka që u shkrua për ta, askund nuk përmendet origjina e tyre arvanite. I përmendin ata si gjeneralë, si admiralë, shkruajnë për Kanarin, Karaiskaqin, Mjaulin, Bubulinën, Marko Boçarin edhe shumë të tjerë, por as edhe një fjalë të vetme nuk gjendet e shkruar të thojë se ata ishin nga rrënjë arvanite, në një kohë kur ata kishin për gjuhë të mëmës së tyre gjuhën arvanite. Ata që në njërën dorë kishin penën dhe në tjetrën dyfekun nuk dinin të lëshonin pe atje ku s’duhej. Dhe nuk mjaftoi e gjithë kjo, por kur vendi fitoi lirinë, krijuan një klimë e cila i përfliste arvanitasit si njerëz nga shtresa të një kategorie të ulët, të trashë e budallenj, të cilët vlenin vetëm për çobenj e punëtorë krahu. Unë kam lindur në vitin 1914, atëherë kur arvanitasit kishin filluar ta fshihnin emrin e tyre, duke mos treguar më se kishin rrënjë arvanitase. Akoma edhe sot më vjen ndër mend gjyshi im i cili më mbante ndër gjunjë e më thoshte: “Të mos flasësh arvanite, se do të bënesh budalla”. Nuk më vinte fare mirë kur e dëgjoja e një ditë i thashë: -Po mirë, o gjysh, ti që e flet budalla je? Im gjysh nuk e priste këtë përgjigje dhe ashtu plot namuz më tha: “Për neve lëre, për ju është problemi”. Mu ngulit për keq ajo fjalë. E shikon, i thashë vetes, jam nga fara e budallenjve. Qysh nga ai çast fillova të studioj ditë e natë. Doja të mësoja të vërtetën e të largoja nga shpirti atë lëndesë që më shkaktoi biseda me tim gjysh. Një ditë në shkollë në orën e mësimit të historisë, mora guximin edhe pyeta mësuesin se përse libri nuk e shkruan që ata që i dhanë lirinë Greqisë janë Arvanitas? Përgjigja që mora ishin dy shuplaka të rrufeshme të pashoqëruara me asnjë fjalë. Kjo ishte lëndesa e dytë që dalëngadalë në shpirtin tim po fillonte të krijonte një plagë. Ndërrova shkollën. Kur vajta tek shkolla e dytë, prapë bëra të njëjtën pyetje. Doja patjetër një përgjigje. I them mësuesit shqetësimin tim. Ai ishte njeri i mirë. Nuk më qëlloi aspak, por më pruri të lexoja broshura ku shkruanin të vërtetën. Mora një përgjigje, e cila më bëri të ndjehem i gëzuar për origjinën time, për rrënjën time arvanitase. Vazhdova të lexoj, të lexoj e të shkruaj njëkohësisht, e të them se do të shkruaj sa të jem gjallë për origjinën e popullit tim. Studiova aq shumë, sa hyra deri në thellësi të së vërtetës. Kam shkruar 30 libra dhe kam botuar 26. Ndjej se kam bërë atë që duhej të bëjë një arvanit i vërtetë. Shkrova të drejtën edhe ndjehem tepër i plotësuar dhe i gëzuar për këtë. Më pyesin akoma edhe sot e kësaj dite: -Nga jemi, cilët jemi, si erdhëm ne këtu në Greqi? Unë ju përgjigjem! -Do t’ua them si përrallë. Këtu e para gjashtëqind-shtatëqind vjetësh, një herë e një kohë, na ish një popull shumë i varfër. Nuk kishte as bukë të hante. Të korrat e nga pasuria ishin tharë. Lanë vendin e tyre e nisën të kërkojnë një tjetër më të mirë. Morën ato pak plaçka, bën kryqin përpara perëndisë e morën udhët. Mbërritën ndër vende të buta e me njerëz të urtë e zunë një vend atje ndër ta. Panë se atje njerëzia kish bërë prokopi edhe ishin ortodoks si ata, morën toka jo fort pjellore, ngritën një kasolle, shtin ndë të konak edhe mbështetën kokën. Me vendasit u miqësuan e ashtu pak nga pak filluan edhe ata të rregulloheshin e të shohin edhe ata figurën e perëndisë. Filluan të bëjnë prokopi edhe mbetën të bashkuar si grushti. Zgjidhnin një prijës dhe i bindeshit atij si ushtarë. Filluan të ndërtonin shtëpi e pak nga pak krijuan fshatrat e tyre. Akoma edhe sot e kësaj ditë rreth e rrotull qyteteve janë fshatrat arvanitase që rrethojnë qytetet si kurorë. Vitet kalonin dhe ata tashmë kuptuan se për ta ai ishte vendi i tyre, sepse atje ata qanin të vdekurit e tyre, atje kishin shtëpitë, atje lindeshin djemtë e tyre, atje shkonin në shkollë fëmijët e tyre, aty hanin bukën e elbtë. Çdo mbrëmje, mbas pune ato zemrat e tyre këndonin e hidhnin valle.

Gjatë gjithë kohës mblodha mijëra këngë që dalin nga fryma e pasur dhe nga bukuria e shpirtit.

 Për katundin:

Për katundin kur luftove tër të miratë i çove

tek katundi dhashë një herë, do më japi një mijë herë.

Për Besën:

Fjalën çdo kujt mund të e jap, se jap çë ta marrë prapë

Mbahem tek fjala çë dhashë, e do bëjte siç e thashë.

Dheu ynë:

Këtë botë të gjithë e kemi, kësaj bote djelmë jemi.

Këtu gjakun kemi derdhur sa kan hyr i kemi ndjekur

Derdhëm gjakun për Greqinë neve i dhamë lirinë.

Për gjuhën:

Arvanitas, të këndojmë, gjuhënë të mos e harrojmë

goj me goj mbetet tek jeta, mbahetë me këngë e drejta

 Për zakonet:

Le të jemi siç jemi e të mbajmë ato që kemi

Mbajmë fort zakonet tënë, ti lem siç na i kanë lanë.

Si e ruajtëm kulturën

Ja kështu ne Arvanitasit e Greqisë e ruajtën kulturën tonë. Vitet kalojnë dhe të tjera vite të reja vijnë, e përgjatë saj gjuha arvanitase filloi të zbehet. Rinia s’e di gjuhën, pleqëria e di, po nuk e flet. Disa fshatra malore e flasin paksa akoma. Ajo çka mbeti e mbetet nga vitet trashëgim është një psikologji e veçantë, e dallueshme, një karakter tepër i thellë, që sot të hershmit nuk e dinë nga vjen dhe ku i ka rrënjët. Ajo çka ka mbetur nga rrënjët arvanitase, sipas analizave që kam bërë me veten time janë se në përgjithësi arvanitasit karakterizohen nga këto tipare të veçanta: – Nuk flasin shumë, janë shumë të vendosur, e mbajnë besën, bëjnë punë të pastër, njerëz me këmbë të forta që nuk tremben nga vështirësitë, janë burra trima, janë kryelartë e nuk skllavërohen më çdo kollaj. Por po t’i pyesësh se nga e kanë rrënjën (origjinën) nuk e dinë. Shumica e arvanitasve ishin të varfër, por ajo që më duhet të pohoj, është se kurrë s’e ulin kokën. Çdo shtëpi kishte avlli të madhe rreth e rrotull. Në oborr të saj kishin furrin, kotecin, stanin për dele, dhi, kalin e gomarin, një vend për zarzavate. Qysh në verë shkonin në pyll për të bërë dru për dimër. E kështu shtëpia kishte mish, qumësht, djath, perime, lesh për mbulesa e për fanella trupi e plot të mira. Por koha ecën. Kushdo që është i sotëm bëhet i shkuar. Të reja lindin çdo ditë. Jeta ndryshon vazhdimisht. Populli Arvanitas i Greqisë ecën përkrah historisë, e përgjatë saj lë pas gjenin e tij, të mirat e të ligat. Ajo që më duhet të them është: A la gjë pas? DHE UNË THEM, SE LA ATË QË NE KEMI SOT, ATË QË KEMI NDË SHPIRT !