Liqeni i Fierzës i pasur me peshq të llojeve të ndryshme

5749
Liqeni artificial i Fierzës është krijuar në shtratin e lumit Drin në vitin 1978, në funksion të hidrocentralit të Fierzës. Ky është një liqen oligotrof dhe ka një bosht gjatësor prej 70 kilometër dhe me një sipërfaqe maksimale prej 7 mijë hektarësh, ku 5 mijë hektarë merren në konsideratë për qëllimin e rritjes dhe kultivimit të peshkut. Ky liqen ka lartësi 167 metra, sipërfaqe të pasqyrës së ujërave prej 72,5 km², thellësinë më të madhe prej 128 metra dhe një vëllim prej 2,7 miliardë metër kub ujë. Sipërfaqja e përgjithshme e pellgut ujëmbledhës është 11.829 km². Kapaciteti maksimal ujëmbajtës i Liqenit të Fierzës, arrin rreth 3,2 miliardë metër kub ujë, ndërkohë që kapaciteti minimal, i cili mund të shkaktojë edhe situatat më kritike të prodhimit të energjisë elektrike, është rreth 1,2 miliardë metër kub ujë. Liqeni shërben edhe si nyje lidhëse mes banorëve të rretheve Kukës, Tropojë, Has dhe Pukë. Gjithashtu, ky hidrocentral shërben si rregullator i furnizimit me ujë për dy hidrocentralet e ngritura në kaskadën e Drinit, atë të Vaut të Dejës dhe Komanit.

Flora dhe Fauna
Liqeni i Fierzës është i pasur me peshq të llojeve të ndryshme. Pas përfundimit të digës dhe mbushjes së basenit me ujë, fauna e Liqenit të Fierzës u shtua me lloje të ndryshme peshqish, si ballëgjeri, krapi e luçiperka që u hodhën si rasat dhe gjetën një mjedis shumë të përshtatshëm për t’u shumuar e ushqyer. Krijimi i liqenit solli dhe zhdukjen e peshqve që më parë popullonin lumin Drin si trofta, ngjala e peshq të ujërave të rrjedhshëm, por favorizoi rritjen e peshqve të liqeneve. Gjitarët ujorë që jetojnë në ujërat e Liqenit të Fierzës, janë lundërzat. Gjithashtu krijimi i liqenit, bëri të mundur dhe rritjen e midhjeve të vogla të ujërave të ëmbla.

Komani dhe Fierza
Askujt, madje as imagjinatës më ekstreme dhe më të guximshme të krijuesit legjendar të eposit të Kreshnikëve të Veriut, nuk do t’i kishte shkuar kurrë ndër mend të “ngjitej deti në mal” dhe të bëheshin bashkë Zanat e malit me Sirenat e ujit. Por ja që sot ky është një realitet me liqenet e Vaut të Dejës, Komanit dhe Fierzës, të cilët, me një panoramë magjepsëse, zënë të gjithë luginën e Drinit. Të krijuar nga digat e hidrocentraleve si rregullatorë të furnizimit me ujë të këtyre hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, liqenet shërbejnë edhe si nyje lidhëse mes banorëve të rretheve Kukës, Tropojë, Has dhe Pukë me një korridor lundrimi ujor të papërsëritshëm me traget dhe mjete të tjera ujore. Udhëtimi me anije në liqenin e Komanit kalon përmes malesh që arrijnë 1000-1500 metra lartësi me brigje të mrekullueshëm dhe të ndërlidhur, ku me vështirësi gjen ndonjë shenjë të veprimtarisë njerëzore në brigje. Peizazhi i egër është disi i ngjashëm me fjordet norvegjeze dhe të ofron një pamje që nuk mund ta gjesh askund tjetër në vendin tonë. Duke lundruar në këta liqene harron se funksioni dhe destinacioni i tyre kryesor është tjetër gjë, është drita elektrike që kemi në çdo shtëpi, dhe se udhëtimi në të është i fundit për nga rëndësia, është, si të thuash, një “qelepir”, që siç thotë populli, për hatër të borzilokut pi ujë edhe vazua. Rruga ujore ka shpëtuar krahina të tëra, por ajo është kthyer në një atraksion mbresëlënës turistik. Itinerari ujor Koman-Fierzë është një shëtitje e mrekullueshme, një përvojë unike dhe e rrallë që sjell relaks dhe kënaqësi të pa përshkruar. Duke udhëtuar në këtë segment përrallor mbetesh pa fjalë nga natyra e mrekullueshme, shpatet e veshura me gjelbërim, thyerjet dhe reflekset e dritës që krijon uji me rrezet e diellit, gjarpërimi i ujit kur futet nëpër shkëmbinjtë që dikur ishin shpate luginash.

Për t’i ardhur në ndihmë turistëve e vendasve janë vënë në funksionim mjete lundrimi për pasagjerë, makina e mallra. Janë rreth 40 km që përshkohen për rreth 3 orë. Për vendësit ndoshta kjo është e mërzitshme dhe nuk kanë ndonjë ndjesi të veçantë, pasi e përshkojnë çdo ditë këtë rrugë, por për vizitorin apo turistin, udhëtimi nuk duhet të mbarojë kurrë. Çdo ditë trageti Koman-Fierzë-Koman ofron udhëtime në kushte shumë të mira, që lehtësojnë lëvizjen e popullsisë së kësaj zone e të udhëtarëve që duan të shkojnë në veri të vendit. Në traget gjen edhe shërbimin e barit dhe ushqim të shpejtë. Krahas natyrës, këtu mund të vizitohen veprat gjigante energjetike, Hidrocentralit të Fierzës dhe Komanit, duke marrë leje paraprake nga autoritetet përkatëse. Hidrocentralet janë me të vërtetë objekte madhështore që ofrojnë surpriza pa fund gjatë eksplorimit të tyre deri në 170 metra në thellësi.

Rreth e rrotull, në tokë dhe në ujë
Me krijimin e liqenit, u shtua sipërfaqja e uji çka ka bërë edhe një zbutje të klimës në të dy brigjet. Bimësia këtu është e dendur dhe e harlisur. Në shpatet e maleve mbi liqen gjen të gjithë llojet e drurëve, shkurreve dhe barishteve, karakteristike të Alpeve. Liqeni i Fierzës është i pasur me peshq të llojeve të ndryshme. Pas përfundimit të digës dhe mbushjes së basenit me ujë, fauna e Liqenit të Fierzës u shtua me lloje të ndryshme peshqish, si ballëgjeri, krapi e luçiperka që u hodhën si rasat dhe gjetën një mjedis shumë të përshtatshëm për t’u shumuar e ushqyer. Krijimi i liqenit solli dhe zhdukjen e peshqve që më parë popullonin lumin Drin si trofta, ngjala e peshq të ujërave të rrjedhshëm, por favorizoi rritjen e peshqve të liqeneve. Gjitarët ujorë që jetojnë në ujërat e Liqenit të Fierzës, janë lundërzat. Gjithashtu krijimi i liqenit bëri të mundur dhe rritjen e midhjeve të vogla të ujërave të ëmbla.

Liqeni i Komanit
Një nga tre liqenet artificiale të kaskadës së lumit Drin të krijur më 1985 me ndërtimin e digës në grykën e ngushtë të Melgunit në Koman. Diga e lartë 113 metra që mbyll këtë grykë, ka krijuar një liqen me vëllim të përgjithshëm 4555 milionë metra kub ujë dhe sipërfaqe të pasqyrës së ujit rreth 12 mijë km katror në kuatën 172 metra mbi nivelin e detit. Thellësia maksimale arrin në 110 metra. Forma e përzgjatur e pasqyrës së liqenit prej 36 km e gjatë nga Komani në Fierzë ndjek konturet e relievit të luginës kryesore dhe luginave të dyta në të cilat është formuar. Sipërfaqja e përgjithëshme e pellgut të lumi Drin në Koman është 11020 km katror dhe bën pjesë në zonë me klimë kontinentale mesdhetare me reshje të bollshme në stinën dimrit. Liqeni veç prodhimit të energjisë elektrike përdoret edhe për peshkim dhe transport mallrash dhe udhëtarësh me tragete.

Liqeni i Fierzës
Ujëmbajtësi artificial i krijuar më 1979 me ndërtimin e digës së hidrocentralit të quajtur në atë kohë, “Drita e Partisë”. Ky liqen u krijua mbi lumin Drin, në Fierzë, pas bashkimit të Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi. Shërben për rregullimin e rrjedhjes së këtij lumi për hidrocentralin. Liqeni i Fierzës ka lartësinë 167 m, sipërfaqe të pasqyrës së ujërave 72.5 km katror, thellësinë më të madhe 128 m dhe vëllimin 2.7 miliardë metro kub ujë. Forma e përzgjatur e pasqyrës së liqenit ndjek konturet luginave në të cilat është formuar. Sipërfaqja e përgjithshme pellgut ujëmbledhës të tij është 11829 km katror, ndërsa lartësia 983 m. Si rrjedhojë ujërat janë relativisht të ftohta. Liqeni shfrytëzohet për peshkim. Është i zhvilluar edhe transporti i brendshëm ujor me traget për pasagjerë e mallra. Në brigjet lindore është ndërtuar Kukësi i Ri, pas përmbytjes të Të Vjetrit.

Vau i Dejës
Liqeni i Vaut të Dejës ndodhet vetëm 23 km larg Shkodrës. Ka një sipërfaqe prej 24.7 km, me thellësi maksimale 52 m, formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin më 1971, ku është ngritur hidrocentrali i Vaut të Dejës me 250 kw/orë. Liqeni është magjepsës për nga bukuria. Kur kalon nëpër gryka të ngushta malesh, brigje pyjesh ose dukurish interesante karsti, të krijohet një ndjenjë gëzim. Liqeni shërben edhe për transport, peshkim e turizëm. Për shkak të hidrocentralit, në mes të liqenit është formuar edhe ishulli i Shurdhahut ose ishulli i Sardës, në zonën e të cilit në mesjetë sundonte dinastia e Dukagjinëve. Edhe sot ju mund të shikoni aty rrënojat e kishës së dikurshme dhe murin rrethues të fortesës.

Kultura e Komanit
120 vjet më parë konsullin francez në Shkodër, por edhe një arkeolog klasi në vitet 1893 – 1899, Zhyl Aleksandër Degrand, është çuditur me dy gjëra në këtë trevë, që edhe kanë qenë zbulimet e mëdha të tij, Sarda dhe Komani, që më pas u studiuan edhe nga të tjerë. Degrand habitet që në këtë anë si Sarda nuk jetojnë më njerëz, në një qytezë kaq me emër që përmendet nga historiani i lashtë Etienne i Bazancit dhe gjeografë të tjerë të kohës antike. Ptolemeo shkruan për banorët “Sardiotae”, Straboni grek për “Sardiaci”, Plini romak për “Sardiatoc”… 

Degrand ndalet gjatë te zbulimet arkeologjike, por edhe ato që ka parë vetë në Koman dhe që lidhen me antikitetin deri edhe te Troja e lashtë. Ai sjell të dhëna interesante, të cilat më pas kanë shërbyer për një studim më të thellë të Kulturës së Komanit, e cila lulëzoi në Shqipërinë Veriore e të Mesme në shekujt VI-VIII. E ka marrë emrin nga fshati Koman i rrethit të Pukës, ku u zbulua për herë të parë një një varrezë të Dalmaces. Kërkimet në varrezën e Krujës, të kalasë së Dalmaces, të varrezave të Buklit në Mirditë, të Lezhës dhe të tjera më të vogla kanë zgjeruar njohuritë për këtë kulturë. Kultura e Komanit është zbuluar edhe në vendet fqinjë, në Mjelë, Mali i Zi, në Afionë të Korfuzit etj. Nga të dhënat arkeologjike, materialet më të pasura janë zbuluar në nekropolin pranë fshatit Koman që ndodhet mbi një pllaje mali në krahinën e Pukës, jo shumë larg luginës së Drinit. Objekte të ngjashme me ato të Komanit u zbuluan edhe në vende të tjera të Shqipërisë si brenda në Krujë, në Kepin e Rodonit, në Malin e Robit e gjetkë. Kultura materiale u zbuluar në këto vende ka marrë prej kohësh në historiografi emrin Kultura e Komanit. Objektet e kësaj kulture u zbuluan për herën e parë në Koman më 1898. Ato u gjetën në një shumicë varresh që bënin pjesë në nekropolin e një qendre banimi të lashtë, sot të zhdukur. Pranë nekropolit ndodhen gërmadhat e dy kishave. Tani është provuar plotësisht se kultura e Komanit i takon Mesjetës së hershme dhe se bartës të saj janë banorë vendas autoktonë, arbrit.
Sigal