Letërsia në zi/ Miqtë e Dritëro Agollit: Vdekja tokësore s’i ndal dot figura të tilla

137
Pas këtij lajmi të hidhur për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, miqtë e tij shkrimtarë dhe jo vetëm shprehen se dhimbjen në këto momente po e ndjen gjithë Kombi shqiptar. Moikom Zeqo është i mendimit se figura kaq të mëdha si Agolli është vështirë t’i ndalë vdekja tokësore, pasi sipas tij, Agolli do mbetet gjithnjë i gjallë me veprat që la pas.
Moikom Zeqo: Është një dhimbje e freskët duket sikur fjalët paralizohen. si mik i tij i vjetër, si autori i një libri për të e prita lajmin me dhimbje të madhe. Njerëzit janë vdekatarë, të gjithë do vdesim, por ky lajm pati një lloj parapërgatitje, u fol për gjendjen e rënduar të tij edhe në media, por tani u bë fakt i patjetërsueshëm.
Vdekja e tij nuk është vetëm për familjen, ai hyn tek njerëzit që dhimbja bëhet tërësore, ndjehet edhe në Shqipëri këtej dhe andej Drinit siç thoshte vetë Agolli. Dhimbje e shumëfishtë, substanciale për një komb, për kulturën e tij. Ky është kryepersonazhi i letrave shqipe. Ai gëzonte respekt popullor.
Vdekja fizike është gjithmonë konvencionale, vdekja për një figurë të tillë nuk është shumë e fuqishme. Jeta e vërtetë është ajo që vjen më pas, u mbyll një portë, por ai do trashëgohet tek gjeneratat e ndryshme, vendin e ka të pashmangshëm dhe të patjetërsueshëm. Ishte pasuri për letërsinë.