Kristaq Nanushi/ Bisedë me Xhevahir Spahiun

538
Sigal

Jeta e njeriut poet e nëpërkëmbur nga politika, por e diellzuar nga shoqëria

Ndër tiparet që kushdo veçon në poezinë tënde është konsekuenca, kontinuiteti yt shpirtëror

– Njëherë, kur dole nga nëntoka në mbitokë, një mik të tha”ec horizontalisht”, por ti “mend s’xune kurrnjiherë

– Sulmove përsëri qiejt e nxirë të qeverisë, por fitove miqësinë e gjithë popullit

Erdhe përsëri, Xhevo. Me zërin tënd, si gjithmonë. Në maja të mendimit, si ngaherë. Erdhe pa trokitur, se dyert i ke të hapura prej shumë kohësh.

Ajo dorë skeletike në ballinën e vëllimit të mëparshëm “Rreziku” drejtuar (sikur u jep munxën) shtëpive, duke u thënë “… o shpella, ç’paskëshit mbajt brenda”është njëherazi dhe një “ndal” në rrugën ku ecim ne skeletikët e tjerë, që në rrugë të jetës s’po dimë ku vëmë. Unë kështu e pashë. Këto plasaritje në mermerin e ballinës së vëllimit të sapodalë “Vetëtimë”, si plasaritje të kohës që jetojmë. Si plagë. Unë kështu i shoh. Pra erdhe. Ke gjysmë shekulli në poezi, që vjen e vjen me mendime të bukura, herë-herë të çuditshme, ndonjëherë të harlisura në papandehje, por gjithmonë befasuese. Po aq kohë kanë edhe njerëzit që të presin e nuk të përcjellin, rrinë me ty e rreken të kuptojnë kohën. Se ti me poezi kohën prin. Edhe bashkë kemi gjysmë shekulli shoqëri, por më shumë se fizikisht, unë me ty jam takuar nëpër metaforat e tua. Dhe jetën nga metaforat ta di.

Nuk e di sa ke vuajtur ti nga ajo që kohët e fundit po quhet “pengu i moskuptimit”. Mendoj se për ty ky peng duhet quajtur i mospranimit. Sepse për ty nuk ka pasur moskuptim. Poezia jote vërtetë ngrihet me figura të befasishme, të guximshme, ndonjëherë larg mendësisë së zakonshme, por asnjëherë hermetike. Madje unë moskuptim nuk shoh as tek të tjerët e përmendur, si Faik Konica, F. Arapi, L. Poradeci etj.). Mendimi, larg e brenda perceptimeve njerëzore, drejtuar njeriut të thjeshtë e intelektualit të lartë, ka qenë i përthithur çdo herë. Është tjetër gjë vlerësimi i shtetarëve, të cilët kanë lëshuar rrufe mbi to. Dhe është për t’u çuditur: me ty s’janë marrë shtetarë dosido, por edhe diktatori vetë, siç e dimë. Por kjo poezisë sate s’i ka prishur punë. Ty të kanë kërcënuar, ndëshkuar, transferuar, mbuluar me heshtje. Por tjetër gjë jeta jote e tjetër gjë jeta e poezisë. “Heshtje s’ka” ke thënë ti.Kjo kështu veçse i ka forcuar ashtin poezisë.

Njëherë

Njëherë, kur dole nga nëntoka në mbitokë, një mik të tha”ec horizontalisht”, por ti “mend s’xune kurrnjiherë”. I harrove fjalët e njeriut “me një barrë mend në kokë”, dhe sulmove përsëri qiejt e nxirë. Do nxësh ndonjëherë? Nuk e di, a do dish të heshtësh kur të jesh në amëshim? Se  thërret lajtmotivi tjetër “Nesër jam aty”. Dhe je vërtet, sepse “prej shpatës dhe shpifjes merr plagë, po s’rrëzohesh”.  Ndër tiparet që kushdo veçon në poezinë tënde është konsekuenca, kontinuiteti yt shpirtëror, që mbeti i njëjtë, i pathyeshëm as nga Zeusi. Çdo vëllimi yt është një rreth idesh që zgjerohet dhe rëndesa filozofike shtohet. Por ka mbetur konstante frymëmarrja e popullit tënd dhe tonaliteti i shprehësisë, që është vetëm yti. Po marr për ilustrim dy nga motivet e tua të dashura:

Motivi i parëUdhëtimi. Duke qenë njeri i hapësirave, ky mbetet një shqetësim i pandërprerë nëpër kohë. Dikush ikën./Dikush vjen./Ndarja/si lumi/gërryen – thoshe dikur, në rininë tënde (“Vdekje perëndive”1977). Të gërryente ndarja, ndonëse nga stacioni i udhëtarëve, ku vëzhgoje, e dije që udhët e Shqipërisë lëviznin vetëm brenda gardhit të Shqipërisë. Pastaj, kur njerëzit në eksod ikën larg, rrugë e pa rrugë si të mundnin, ku të mundnin, veç të iknin, ti klithe: Iku truri/mbeti kafka/dhe huri/iku truri – (“Rreziku”, 2003). Edhe sot , në ikje më të lirë, ti përsëri shqetësohesh e vuan: Në udhë të pamundura/nisin zogjtë/ëndrra dhe re – (“Vetëtimë”, 2014, f.15).

Motivi i dytë – jeta e njeriut e nëpërkëmbur nga politika. Thonë se ylberi ka shtatë ngjyra. /S’ka se si. /Sytë e mi/shohin vetëm bardhezinë e një  peizazhi të mallkuar: /prokurorë dhe të akuzuar – (“Heshtje s’ka”, 1989). Po ky peizazh i mallkuar, bardh e zi, vazhdoi më pas si fatkeqësi: O unë/o ti/botën e sheh/si qeni/bardh e zi – (“Rreziku” 2003). E, për fat të keq, ky peizazh ka mbetur edhe sot: Shi e mërzi kullojnë pa pushim/ … natë e përnatshme/ … me kot pret agimin të shquash seç je/shi, njeri, apo mërzi – (“Vetëtimë”, 2014, f. 104).

Si kjo e të tjera shqetësime të shoqërisë shqiptare ti i ke marrë mbi kurriz si Sizifi gurin e rëndë dhe i ngjit në majat e mendimit e të kuptimit shoqëror. E në këto ngjitje, në këtë përpjekje sizifiane nuk ta përcakton mosha poezinë, por mungesa e moshës, gjithkohshmëria, pra universaliteti. Fjalën “politikë” ti e shqipton “polithikë” dhe në kllapa qëllimisht vë “pa datë” (“Vetëtimë” 2014, f.121)

Tjetër gjë bëhesh në temat lirike të peizazhit e të dashurisë. Në këto trëndafili erëmon për të gjithë, por ti, vetëm ti, ia dëgjon edhe tringëllimën. Ca fletë trëndafili i hedh dhe mbi gotën me verë. Dhe i ndjen si puthje intime. “Mos e tremb dashurinë, – u tha të tjerëve, – ngjalle dashurinë atje ku mungon”.

Ke një cikël poezish në këtë vëllim të ri, me titull “Mjellmat e liqenit”. Shkruar në Festivalin Botëror të Poezisë, në Strugë si në shtrungë, ku fjalët e poetëve mblidhen “për yje netëve”. Buzë kaltërsisë ti si “kavaku – penë”pret erën e hyjshme t’i këndosh liqenit. Dhe hapet haiku, zgjon të dashuruarit. Unë, lindur e rritur buzë liqenit, shoh nositin gjoksçarë të Lasgushit, tani shoh dhe mjellmat e tua si zambakë pa rrënjë. Shoh shqiponjën e Lasgushit që arratiset në Mal të Thatë, shoh dhe pulëbardhën tënde që plugon liqenin. Prej erës që fryn Lasgushi sheh krivec mbi liqen, ti e sheh atë të rrëqethur. Drini për ty e mëdysh liqenin dhe hap plagë mes ujërave, për Lasgushin  ai çan mespërmes Shqipërinë. E, kështu, secili me zërin e vet, ti andej e Lasgushi këtej. Liqeni në mes.

 Dashuria e përhershme

Kapitulli tjetër “Gjuhë” mban të shtrydhur dashurinë e përhershme për gjuhën amë. Fjala, që është e para, ngrihet në kult. Gjithmonë në kërkim të formave të reja të figurshme për të eksploruar botën e njeriut. Dhe shkon në ballë të poezisë moderne. Fjala jote formon vargje nëpër vetëtima. “Fjalë a zjarre/në fletoren e natës?” . Shkon në shtëpinë e De Radës dhe mendon se poeti bluan e bluan “ullinj dhe të zitë e ullirit”. Hyn në kangjelet e Z. Serembes dhe dëshiron një skutë të prehesh si ai. Sheh Fatos Arapin dhe ndjen se bota është “vrasëse e gazavajit” të poetit. Kujton Pano Taçin me fatin e tij “prej helmete me tëmtha të gjymtuara”. Kështu dhe për të tjerë. Edhe pse me këmbë në tokë, poezinë e lexon “në qiell, midis neve. Hyji dëgjon. Vdes të dish në ç’gjuhë e shkruan ai poezinë”.

Ja, për këto e për shumë të tjera poezia jote vjen e mirëpritur. Kështu ndodh kur zemra rreh njësh me atë të popullit. Kështu personalizohet dhe identiteti i poezisë, i cili, në rastin tënd është i pangjashëm me të tjerët.

Të presim të vish përsëri, Xhevo!