Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm i UNÇSH

250
10 korriku i vitit 1943 ngjarje madhore në historinë e LANÇ

Në historinë e lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, 10 Korriku i vitit 1943, data e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, mbetet një ngjarje madhore për shndërrimin e ushtrisë partizane vullnetare në ushtri të rregullt me një drejtim operativo-strategjik unik nga një shtab qendror. Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë dhe kolaboracionistët ballisto-zogistë më 29 Nëntor 1944 nga një ushtri e rregullt siç ishte Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare e cila kishte një Shtab dhe një Komandë të Përgjithshme që e udhëhoqi nga fitorja në fitore. LANÇ e popullit shqiptar ishte padyshim epopeja më e madhe dhe më e lavdishme në historinë e popullit shqiptar. Ishte LANÇ që u shndërrua në revolucion mbarëpopullor për çlirimin kombëtar dhe shoqëror, pjesë përbërëse e luftës botërore antifashiste, kundër dy pushtuesve të huaj; Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste që pushtuan vendin tonë njeri pas tjetrit, si edhe kundër qeverive kuislinge, reaksionit të brendshëm e forcave të tyre të armatosura të cilat u bashkuan me pushtuesit. Kjo luftë çlirimtare u zhvillua e pa ndërprerë, me intensitet në rritje shkallë-shkallë, nga aksionet e njësiteve guerile në qytet e fshat dhe të çetave partizane në veprime luftarake të reparteve taktike e njësive më të mëdha. Në këto kushte krijimi i Shtabit të Përgjithshëm ishte një përfundim logjik, domosdoshmëri e zhvillimit të luftës së armatosur, kërkesë e kohës për drejtimin e Kryengritjes së Përgjithshme dhe të UNÇSH sipas ligjeve dhe rregullave të Luftës Popullore. Ashtu siç ishte parashikuar në Konferencën historike të Pezës: “Prej luftës dhe në luftë kanë për të dalë dhe shtabet madhore dhe do të ecet drejt Kryengritjes së Përgjithshme Popullore për çlirimin e gjithë Shqipërisë”. Tashmë ishin pjekur kushtet për t’u bërë realitet i padiskutueshëm shtabi komandues i saj. Në formacione të rregullta ishin 10 mijë luftëtarë, të organizuar në 22 batalione dhe një numër më i madh çetash partizane, 20 mijë luftëtarë të tjerë ishin organizuar në çeta e batalione territoriale si dhe njësite guerile në qytete e fshatra. Kudo zhvilloheshin luftime të përgjakshme me pushtuesit fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogistë. Situata politike ushtarake e jashtme dhe e brendshme në Shqipëri, gjatë vitit 1943, ishte krejtësisht në favor të LANÇ, që kishte marrë përmasa të gjera dhe ishte në rritje të vazhdueshme, drejt kthimit të saj në Kryengritje të Përgjithshme Popullore. Bashkimi politik e ushtarak i popullit shqiptar rreth Frontit Nacionalçlirimtar ishte bërë realitet. Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, duke studiuar e ndjekur situatën e krijuar në LANÇ, thirri në Labinot të Elbasanit, mbledhjen e tij për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ, për organizimin dhe drejtimin e njësiteve e reparteve partizane vullnetare. Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm ishte bërë i domosdoshëm dhe për shkak të gjendjes ndërkombëtare. LANÇ, si pjesë përbërëse e Luftës Antifashiste Botërore, duhej të bashkërenditej si duhej në luftën e shteteve të Koalicionit Antifashist Botëror, të cilin do e realizonte një shtab në shkallë kombëtare, siç ishte Shtabi i Përgjithshëm, i cili do të ndihmonte në forcimin e Frontit të Bashkuar Ballkanik, kundër pushtuesit të përbashkët fashist. Në proklamatën që Këshilli i Përgjithshëm NÇ iu drejtua popullit shqiptar thuhej: “Organizimi i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura NÇ është një ngjarje e madhe dhe një përgjigje flakë për flakë që po i japim armikut”. Në Shtabin e Përgjithshëm u zgjodhën 12 anëtarë. Komandant i SHP u zgjodh Major Spiro Moisiu, Komisar Politik i Shtabit u zgjodh Enver Hoxha. Shtabi i Përgjithshëm, duke studiuar e vlerësuar në mënyrë të gjithanshme gjendjen politiko-ushtarake, urdhëronte: “Të gjithë të goditin pareshtur dhe pamëshirë ushtritë e okupatorit, të priten rrugët dhe të goditen kolonat e armikut. Mos të pritet në asnjë mënyrë që ai të na godasë ne, por duhet që ne të jemi çdo ditë në ofensivë, në rrugë, në kazerma, në depo dhe materiale ushtarake dhe kudo ku ka grumbullime ushtarake të karabinierisë italiane dhe gjermane”. SHP lëshoi urdhrat për organizimin e ushtrisë partizane. 10 korriku 1943 mbeti dita e krijimit të UNÇSH. SHP urdhëroi formimin e grupeve dhe shtabeve zonale e qarqeve dhe për krijimin e reparteve dhe njësive të reja operative. Krijimi i Brigadës I Sulmuese më 15 gusht 1943 e dhe brigadave të tjera rriti në mënyrë të ndjeshme veprimet luftarake dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare mori impulse të reja. Shtabi i Përgjithshëm mori drejtimin operativo-strategjik të ushtrisë partizane, komandën e njësive operative të zonave e qarqeve, koordinimin e veprimeve luftarake të tyre, duke kombinuar drejt drejtimin e armatosur me iniciativën vetëvepruese të komandove, sipas situatave dhe mjeteve teknike. Hartoi planin e veprimeve operativo-strategjike të UNÇ dhe si organ i planizimit, organizimit dhe drejtimit të UNÇ, siguroi drejtim të pandërprerë të LANÇ dhe bashkëveprimin e njësive të saj. UNÇSH ishte ushtri e rregullt me organizim e drejtim të kohës e përgatitur dhe e gatshme të kryente çdo detyrë në çdo situatë, sa do e vështirë që të paraqitej. Në Kongresin e Përmetit, në maj të vitit 1944, me krijimin e Komandës së Përgjithshme të UNÇ, me Komandant Enver Hoxhën dhe me përsosjen e strukturës organizative të UNÇSH, me krijimin e njësive të reja, brigadave, divizioneve e korparmatave, detyrat e Komandës së Përgjithshme u përsosën më tej, veçanërisht në planizimin, organizimin dhe drejtimin e operacioneve operativo-strategjike për çlirimin e zonave nga Jugu në Shqipërinë e Mesme, në Veri të vendit, si dhe jashtë kufijve shtetërorë të kohës. 10 Korriku njihet edhe si Dita e Krijimit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. UNÇSH, si ushtri e popullit dhe e sakrificave të mëdha duhet të kujtohet me krenari e të respektohet në breza për gjithçka që ka bërë për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe për demokracinë e vërtetë. Është turp që, nga shteti e qeveritë e sotme shqiptare të injorohen e të mos njihet kjo datë madhore që përbën një kulm në historinë e popullit e të ushtrisë në luftën e madhe për liri e pavarësi. Gjithkush sot në ushtri ta ketë për nder që është pasardhës i UNÇSH. Ahmet Zogu që e tradhtoi Atdheun, tradhtoi popullin dhe ushtrinë më 7 prill 1939, nuk meriton të ketë ditë feste për ushtrinë e tij. Edhe mbreti Zog, i cili vodhi floririn, shiti vendin tek të huajt dhe u arratis, nuk meriton të ketë monument në Tiranë. Çlirimi i plotë i vendit tonë të dashur Shqipërisë, më 29 Nëntor 1944, radhitja e LANÇ në krah të shteteve të Koalicionit Antifashist Botëror, me në krye: BS, SHBA dhe Britaninë e Madhe, krijimi i SHP dhe Komandës së Përgjithshme të UNÇSH, si dhe i njësive partizane janë nga pikat kulmore të LANÇ, meritë e udhëheqjes së saj me në krye Enver Hoxhën, meritë e SHP, e KPNÇ dhe PKSH, meritë e komandove, kuadrove, partizanëve dhe i popullit që i furnizoi, i besoi dhe i mbështeti pa marrë parasysh persekutimet, djegiet, vrasjet e shkatërrimet që pësoi nga armiqtë e egër e barbarë. Veteranët dhe pasardhësit e tyre u janë përjetë mirënjohës dhe do t’i nderojnë dhe përkujtojnë vazhdimisht!