Korçë/ Riza Cufe: Shoqata “Tomorri”, shembull i patriotizmit

615
Sigal

Riza Cufe: Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” në Korçë, shembull i patriotizmit dhe atdhedashurisë

 

Nga Vepror Hasani

 

Nëse pyet sa anëtarë ka shoqata kulturore dhe atdhetare “Tomorri” e Korçës, sekretari i saj, Riza Cufe, pasi të vështron paksa me habi, sikur kërkon të të thotë: “Pse, ju nuk e dini?”, përgjigjet: “Është shoqëri e madhe, shumë e madhe, vetëm në qytetin e Korçës ka mbi 1000 anëtarë, shtrihet në shumë fshatra e zona, rritet përditë, ka pasur sukses të jashtëzakonshëm, madje do të vijojë të rritet nga viti në vit. Kemi në mes tonë intelektualë të të gjitha fushave, njerëz të thjeshtë, studentë, gra dhe burra, vajza dhe djem, por mbi të gjitha të gjithë jemi miq të mirë., në ndihmë të njëri-tjetrit kurdo që është e nevojshme”. Megjithatë, ne dëshirojmë të dimë edhe diçka tjetër. Kemi dëgjuar se shoqëria “Tomorri” u kushton rëndësi vlerave historike të shqiptarëve, bashkëpunimit mes tyre. Ndaj pyetja jonë e parë është:

 

Cilat janë arsyet që shoqëria juaj pati kaq sukses?

 

Këtë pyetje ma kanë bërë edhe njerëz të tjerë. Shpjegimi që do të jap nuk ka asnjë gjë të veçantë, ajo që do të them është mjaft e njohur: Jemi të gjithë vëllezër, nuk na ndan asgjë. Miqësia jonë fillon që kur kemi lindur në këto troje, kemi pasur krushqi me njëri-tjetrin, kemi shkuar bashkë në luftë, kemi ndarë bashkë fitoret dhe humbjet dhe i jemi gjendur pranë njëri-tjetrin sa herë që dikush është ndodhur në nevojë dhe dhimbje. Por kjo pasuri e madhe vlerash, virtytesh dhe traditash duhet njohur, duhet vlerësuar, duhet të jetë e vetëdijshme nga gjithkush, duhet aktualizuar, pasi vetëdija është një nga gjërat për të cilat njeriu ka nevojë. Atdhetaria është një vlerë që nuk duhet të shterë asnjëherë. Këtu i ka rrënjët suksesi i shoqatës tonë. Shqiptarët kanë një histori të mrekullueshme, prej saj mund të mësojmë shumë, madje nëse gjithkush i referohet historisë së vendlindjes së vet, atëherë ne të gjithë dimë shumë. Të gjithë bashkë dimë më së miri historinë e vendit tonë.

 

Si arrini të ndikoni te anëtarët nëpërmjet historisë?

 

Është mjaft e thjeshtë: ne nuk bëjmë histori, ndalemi vetëm te pikat më kulmore të saj, te ngjarjet që flasin shumë, që thuhen me pak fjalë dhe që janë të kuptueshme nga të gjithë. Po marr një shembull nga historia e Skraparit, i cili ka qenë i banuar që nga kohët më të hershme. Gjetjet arkeologjike u përkasin kulturave neolitike. Janë gjetur banesa tip-shpellë me inventar të pasur arkeologjik. Zbulimet “mikrolitike” janë të kohërave 400-500 vjet p.e.s. Skrapari u pagëzua me këtë emër nga Iliri, bir i Polifenolit, bijtë e të cilit ishin tij ishin Eneleu, Autari, Dardeni, Medi, Taulanti, Perrebi dhe vajzat Partha, Daortha, Dasara etj. Fiset e ndryshme ilire mbajnë emrat e tyre. P.sh., Desaretia shtrihej nga bregu i lumit Vjosa dhe deri në liqenin Lychnid, Ohri i sotëm. Me këtë dua të them se lidhjet tona me njëri-tjetrin janë shumë të hershme. Askush nuk mund të ndihet i huaj, kudo që ndodhet në trojet shqiptare. Dhe është kjo vetëdije që anëtarët tanë i bën të jenë të hapur, miqësorë, të gatshëm për t’ju gjendur pranë njëri-tjetrit.

 

Por, kumtesave të tilla kërkojnë studiues, ju i keni këto mundësi?

 

E thashë edhe në fillim të bisedës sonë, një shoqëri kaq e madhe si “Tomorri” ka studiues të të gjitha fushave. Shpeshherë kemi pasur të ftuar arkeologun, Skënder Aliu dhe të tjerë. Prej tyre dhe jo vetëm, dimë që territoret e banuara nga dasaretët patën zhvillim të madh. Mbetjet e kështjellës së Skraparit janë të njëjta me ato të Beratit dhe Irmaj të Gramshit, nga pikëpamja arkitektonike është e ngjashme me kalanë e Zgërdheshit të Krujës. Për sa i përket periudhës së ndërtimit është e njëjtë me atë të Beratit. Skrapari ka pasur edhe kështjella të famshme, si: kalaja e Lavdarit, e Dhoresit, e Bregut të Koronit e Bargullasit dhe e Prishtës. Por, me këtë rast dëshiroj të vë në dukje se, ngjashmëritë mes kalave tregojnë për bashkëpunimin e shqiptarëve në të gjitha kohërat. Dhe këto nuk janë të vetmet shembuj: Enët e zbuluara në tumën e Strenecit kanë analogji me qeramikën e shek. VIII-VI, të gjetura në tumën e Barçit të Korçës; një fibul bronzi në trajtë majë heshte e gjetur në fshatin Visokë është e ngjashme me një fibul të gjetur në varrezën e Gajtanit të Shkodrës, datuar në gjysmën e parë të shek II p.e.s.; qeramika e pikturuar e luginës së Osumit ka tipare të përbashkëta me qeramikën e pikturuar të luginës së Kapinovës dhe të pellgut të Devollit; enët e tipit lekite, të gjetura në Zogas, Grepckë e Sevran të Skraparit ngjasojnë me lekitet e Apolonisë. Prej Apolonisë është gjetur në luginën e Kapinovës edhe një monedhë bronzi. Pra, gjithçka tregon për një lidhjet e forta mes shqiptarëve si vëllezër të një gjaku. Këto vlera janë frymëzimi ynë.

 

Kjo ka qenë filozofia e shoqatës, që nga fillesat e saj?

 

Sigurisht, shoqëria kulturore atdhetare “Tomorri” u krijua në nëntor të vitit 1906, sot është 112 vjeçe. Në fillesat e veta anëtarët e parë të shoqatës ishin kryesisht nga zona e Tomorit, Skrapar, Berat, Dangëlli e gjetkë, por ajo as atëherë nuk mbeti e mbyllur, u shtri në shumë qytete të botës dhe në shumë vende të Shqipërisë. Ishte atdhetaria ajo që i bëri bashkë shumë shqiptarë të krahinave të ndryshme; ishte historia dhe qëllimet e tyre të përbashkëta që synonin një Shqipëri të lirë dhe të përparuar. Ndaj edhe sot shoqëria kulturore, atdhetare “Tomorri”, i mban dyert hapur për cilin do; një anëtar më shumë është një vlerë më shumë, jo vetëm për shoqërinë por edhe për çdo anëtar që është pjesë e saj, pa bërë dallimin në është nga fshati apo qyteti apo cilit besim i përket. Shoqëria “Tomorri” promovon çdo ide të mirë, çdo vlerë dhe çdo traditë, çdo figurë historike me kontribute shoqërore etj. Në këtë shoqëri nuk ndihesh kurrë i huaj. Ajo ndihmon në njohjen e vlerave më të mira të vendit dhe shoqërisë shqiptare dhe më gjerë.