Vëllezërit Zena, “ikona” e këngës tradicionale elbasanase dhe kënaqësia e shqiptarëve

1990
Mehdi dhe Demir Zena, dy vëllezërit elbasanas njihen prej afro 4 dekadash nga shqiptarët si “bilbilat e këngës popullore të Elbasanit”, por edhe interpretues të papërsëritshëm të këngëve të Artistit të Popullit, Usta Isuf Myzyrit, dhe të madhit Mustafa Bodini. Zëri i tyre, forma brilante interpretative, kanë bërë që vëllezërit Zena nga Elbasani, të njihen, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve të saj shtetërorë. Nuk ka shqiptar jashtë vendit të mos ketë dëgjuar, por edhe takuar qoftë edhe njëherë Mehdi dhe Demir Zenën, në koncertet e shumta që ata prej afro 40 vitesh japin duke kënduar këngët e Usta Isuf Myzyrit dhe Mustafa Bodinit, këtyre artistëve të papërsëritshëm, kompozitorëve të shkëlqyer që i dhanë emrin e përjetshëm këngës popullore të Elbasanit. Vëllai më i madh Mehdiu tregon se “kënga popullore ka qenë dhe mbetet dashuria jonë, e trashëguar në breza tek familja jonë, dhe e skalitur në memorien e çdo elbasanasi dhe çdo shqiptari, pasi këngët tona janë ajka e krijimeve të Isuf Myzyrit dhe Mustafa Bodinit, këtyre njerëzve të mirë, por veçanërisht krijuesve të magjishëm që nuk do t’i kthehen kurrë Elbasanit dhe Shqipërisë së Mesme”. Mehdiu duke u ndalur në fillimet e veta dhe një veçanti interesante që bën fjalë për këngën e “Betejës së Çanakalasë” tregon se “asaj ngjarje i janë kushtuar shumë këngë dhe jehona e tyre ka kaluar kufijtë e Turqisë, duke ardhur deri në vendet e Ballkanit. Shqiptarët, si pjesëmarrës në këtë luftë, nuk kishin si të mos këndonin dhe trashëgonin këngët për Çanakalanë. Sot një ndër qytetet në Shqipëri që e ka bërë pjesë të tij këtë këngë dhe e ka trashëguar ndër breza të ndryshëm këngëtarësh është pikërisht Elbasani”. Ndërkohë këngëtari muzikës popullore shqiptare që ka kënduar këngën e Çankalasë i pari në Shqipëri është Medi Zena. Pas kësaj kënge do të niste rruga e gjatë e artit skenik, duke interpretuar bashkë me vëllain e tij Demirin, dhjetëra këngë në skenat shqiptare dhe ato ballkanike dhe europiane.
Si ka nisur karriera e Zenave
Vëllezërit Mehdi dhe Demir Zena e kanë nisur karrierën e tyre qysh në vogëli, duke u brumosur dhe formuar qysh të vegjël me këngën elbasanase dhe kënduar me familjarët e tyre në gëzime dhe festa këngët e Myzyrit, duke ushtruar dhe rritur në vite talentin dhe zërin, duke marrë duartrokitjet e para dhe më pas angazhimet në aktivitete dhe koncerte fillimisht në Shtëpinë e Kulturës, Ansamblin “Isuf Myzyri”, në Festivalet e Gjirokastrës, në koncertet e RTSH etj. Mehdiu duke folur për nisjen dhe vazhdimin e karrierës tij, tregon se “dashuria për këngët e Shqipërisë Mesme dhe veçanërisht të Isuf Myzyrit, kanë qenë shtysat e një rruge, e cila ka konfirmoi ne si këngëtarë, dhe na bëri të njohim, dhe të na njohin kudo ku njihet dhe pëlqehet kënga e Elbasanit”. Por duke u rikthyer tek Çanakalaja, Mehdiu flet si u njoh për herë të parë më këngën e famshme dhe peripecitë gjatë regjimit komunist. Kënga e Çanakalasë pëlqehet shumë në të gjithë Shqipërinë, madje në Shqipërinë e Mesme dhe veçanërisht në Elbasan nuk ka dasmë që të mos këndohet kjo këngë. Ai tregon se “familja ime e ka pasur traditë këngën, kështu që kjo traditë u pasua tek unë dhe Demiri, ka qenë viti 1972 kur unë jam ngjitur në skenë për herë të parë. Ishte pikërisht festivali i parë i Këngës Popullore Shqiptare dhe kam pas fillimisht një duet me artistin e popullit, të madhin Bik Ndoja. Kjo ishte fillimi i karrierës time. Bashkë me vëllain pas një viti realizova një duet dhe kjo ishte kalimi nga Medi Zena në Vëllezërit Zena”. Mehdiu tregon se “edhe sot e kësaj dite ne vazhdojmë dhe kur ka aktivitete dhe ndonjë organizim marrim pjesë me kënaqësi, lidhur me këngën e Çanakalasë unë jam përballur për herë të parë në Stamboll në vitin 1982, gjatë një vizite time në Turqi në kthim nga Bursa jemi kthyer nga Çanakalaja, ndërkohë kur kalonim afër saj na tregonin se aty ishte bërë një luftë shumë e madhe dhe se kishte shumë dëshmorë nga Ballkani dhe veçanërisht shqiptar. Unë me këtë këngë jam takuar për herë të parë në Stamboll në vitin 1982, një shqiptar nga Kosova që jetonte atje më dha një letër ku shkruhej kënga origjinale e Çanakalasë në shqip. Faktikisht kjo këndohej pak më ndryshe dhe përbëhet nga dhjetë strofa”. Mehdiu tregon se “letrën e kam ruajtur që nga viti 1982 dhe deri më sot, kurse kënga që ne këndojmë sot për Çanakalanë nuk përkon më këtë tekst shumë pasi në Turqi kjo këngë është pak më e zgjatur”. Gjatë muajit të Ramazanit, Bashkia e qytetit turk Bajram – Pasha shtroi një iftar në Elbasan dhe një grup, i cili kishte ardhur nga Turqia i kërkoi të bënim një duet me këngën e Çanakalasë, në shqip dhe turqisht. Mehdiu tregon se “ne do ta këndonim në shqip dhe ato në turqisht, muzika ishte e njëjtë dhe nuk e kishim të vështirë të bënim këtë duet, ndërkohë pas këngës kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini, i cili është edhe një fans i kësaj kënge me habi më pyeti se “sa ditë kishim punuar për këtë duet, pasi i kishte pëlqyer shumë”. Mehdiu dhe Demiri shprehen se “gjatë kohës së komunizmit edhe na kritikonin, për shkak të përdorimit të fjalëve osmane, pasi në këngët e vjetra shqiptare ka pas shumë fjalë turke, për shembull ne kemi një këngë që e këndojmë sot, “Ç’ke moj Fiti që po qan”, dhe babai im këtë këngë e këndonte në turqisht, pasi ai e përdorte gjuhën turke për qëllime të ndryshme. Ka disa këngë që origjinalen faktikisht e kanë nga turqishtja si “Mora mandolinën dola në sokak”. Babai im ka ndërruar jetë në vitin 1958. Kjo ishte një fatkeqësi shumë e madhe për mua dhe vëllain që e ndiqnim atë nga ana e këngës dhe si rrjedhojë dhe shumë këngë të tij ë i kemi harruar ose nuk i mësuam dot”. Vëllezërit Zena shprehen se “falë zërit dhe interpretimit dhe emrit tonë ne kemi marrë pjesë në shumë festivale jashtë vendit duke filluar që nga vendet e Ballkanit deri në Gjermani, Turqi, Suedi madje edhe në Amerikë, dhe natyrisht në Kosovë. Shkurtimisht aktivitetet tona kanë qenë të shumta brenda dhe jashtë vendit. Kënga e Elbasanit është e pëlqyeshme në çdo vend ku ka shqiptarë. Kur në një eveniment përmendej emri i Isuf Myzyrit strofa e parë kalonte me brohoritje. Kënga elbasanase është mirëpritur gjithmonë, si në veri ashtu edhe në jug, kurse nga trevat shqiptare ka pasur më shumë marrëdhënie të mira me Gjakovën pasi ky qytet është vendi që pëlqen më shumë këngën e Shqipërisë së mesme”.
Largimi i Demirit në SHBA
Që nga fillimi i karrierës të dy vëllezërit Zena do të këndonin si dy bilbila, por ndarja e përkohshme do të ndodhte në tetorin e vitit 1997, kur Demiri, bashkë me familjen, ngarkoi dy valixhe me plaçka, pasi vendosi në xhep letrën me emra te atyre që u kishte marrë borxhe, ndahet me të afërmit, miqtë e shumtë e shokët për të marrë rrugën e emigrimit. Më tepër derdhi lot, Mediu, që e kishte më shumë shok se vëlla. Kishte një jetë që këndonte me vëllain. Demiri pas mbërritjes në SHBA, këndon me artistet e njohur Anita Bitri e Merita Halili, por edhe Mehdiu nuk ndalet. Ai këndon në Elbasan vetëm, me ndonjë koleg tjetër pse jo edhe me të birin, Aliun, që sapo ka nisur me babain e tij rrugën e këngës popullore.
E drejta e autorit… ligj
Me mijëra kaseta të tija dy vëllezërve Mehdi dhe Demir Zena ndodhen nëpër kioska në gjithë Shqipërinë, që tregtojnë pa asnjë detyrim financiar zërin dhe talentin e tyre. Mehdiu dhe Demiri shprehen se “si kudo edhe në Shqipëri duhet të respektohet e drejta e autorit, pasi ne kemi kontributin tonë, zërin, talentin dhe famën tone, dhe atë e menaxhojnë dhe shesin kioskaxhinjtë, ndaj shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht pasi artistët janë sot më të pambrojturit se asnjë kategori tjetër”. 
Turnetë e mirëpritura jashtë Shqipërisë
Në 1979-për herë të parë në Tetove-në 1981 me RTSH+RTP në Prishtinë, por do të mbahej me kolegë të tjerë për disa ditë nga policia serbe si “nxitës të demonstratave-në 1982, me ansamblin “Isuf Myzyri” në Selanik-në 1983, dy herë në Turqi me ansamblin e Durrësit-në 1984, në Kalabri me ansamblin e shtetit-në 1986 në Gjermani-në 1996, në Suedi- në 2000, në Amerike-Gjatë viteve i ftuar 5 herë në Gjakovë.
Sigal