Kaim Murtishi, strugani që i ka kushtuar një jetë këngës dhe folklorit shqiptar në ish-Jugosllavi

186

INTERVISTË/ Flet për “Telegraf”, muzikologu, folkloristi dhe poeti Kaim Murtishi, shqiptar nga Ladorishti i Strugës

Sot është 79 vjeç, në këto ditë të fillimit të festivalit “Këngë Jeho”, pensionist, e takuam gjatë angazhimit të këtij aktiviteti që asnjëherë nuk ju ndahet jo vetëm në Strugë e Tetovë, por dhe në të gjitha viset shqiptare, që gjithë kohën ja ka përkushtuar kombit shqiptar, traditave, kulturës, muzikës dhe botimeve në shqip, quhet Kaim Murtishi, një shqiptar nga Ladorishti i Strugës, një muzikolog, folklorist, shkrimtar dhe botues i disa librave të ndryshme. Shtëpinë e tij a ka kthyer në një muze etnografik, ku gjen gjithçka që as edhe një muze nuk e ka. Në një intervistë për “Telegraf”, Kaim Murtishi shpjegon se si ka mbledhur instrumentet muzikore që tek çiftelia, mandolina, ku këtë të fundit ja ka mësuar profesori nga Elbasani, Gani Jahja, i cili e ndihmoi dhe krijoi grupin e parë të mandolinave, ku më pas Kaimi e ngrita grupin e mandolinave në fshatin e Ladorishtit si fillim në vitet 1957, i cili i ka dhënë mësimet e para në Shkup, kur ishte normalist. Ka incizuar këngë të zonës së Prespës, Ohrit, Tetovës, Kërçovës, Dibrës dhe gjithë trevave shqiptare. Të gjitha i ka regjistruar më një magnetofon, në shtëpinë e tij.

Kur keni filluar të merreni me muzikë?

Ishte koha kur shqiptarët ishin ndarë në dysh dhe nëna Shqipëri ishte e vështirë për t’u mbledhur dhe për t’u ruajtur tradita, zakonet dhe doket shqiptare, regjimi i Beogradit ndalonte këngët dhe vallet shqiptare sidomos pas vitit 1974. Në atë kohë nga Shqipëria kishte shumë profesorë që jepnin mësim. Udhëzimet e para i kam fituar nga babai, i cili ka patur një çifteli shumë të vjetër, ku unë e kam përdorur që nga viti 1948. Babai im i binte shumë çiftelisë, vëllai im Ukshini, fëmijët e mi e me radhë. Në Ladorisht  ka patur mjaft familje që i kanë rënë bukur çiftelisë si Haxhi Cenka, Rexhep Çermnika, Abdurrahman Çermnika, Fadil Çermikina etj.. Të vetmit fshatra që këndojnë këngët toske dhe gegë janë  fshatrat Ladorishti, Zagrocani, Kalishta. Fshatrat e shumtë janë gegë si: Livadhia, Dologozhdi, Dollovjani, Veleshta.

Nga ka ardhur çiftelia deri në Strugë?

Çiftelia ka ardhur nga Kosova, sepse të parët tanë kanë punuar në Gjakovë e Pejë. Ata i kanë rënë shumë bukur dhe kanë kënduar bukur, doja të thoja që për çudi lindi dhe një këngë, për çiftelinë. Autori është anonim, pasi është krijuar herët. Ja disa nga vargjet e kësaj kënge: Çifteli një dru prej mani, engleiset të gjithë insani, çifteli një dru prej fiku, engleiset gjithë e gjithë ashiku, çiftelia na rri në arkë, na i la cucat dhe pa darkë, çiftelia na rri mbështetur na i la cucat pa fjetur, çifteli t’u këputet teli, na i zuri cucat prej beli. Kjo këngë është incizuar disa herë si nga Haxhi Cenko nga unë vetë dhe nga shumë të tjerë në Ladorisht.

Si i keni regjistruar këto këngë, kur dihej që ishin të ndaluara?

Në atë kohë ishte vështirë, njerëzit nuk kishin bukë të hanin, por për t’i ardhur në ndihmë popullit tim, hoqa disa para nga kursimet e mia dhe bleva një magnetofon dhe fillova të regjistroja këngët e Ladorishtit në fillim, e pastaj me radhë. Kam incizuar polifoninë e Prespës, kam regjistruar këngë në Dibër, Kërçovë, në të gjithë viset shqiptare të Strugës etj.. Në fshatrat toske gjithë vallet përpara bëheshin me çifteli ose këndohej toskërisht. Dasmat shqiptare në të gjithë Strugën përdoren njëlloj, madje kam incizuar një grup folklorikë atë kohë me shpenzimet e mira, realizova një dasmë dhe regjistrova të gjitha ritet që bëhej dasma shqiptare në atë kohë, vallë e këngë që i kam regjistruar nga e para, sot nuk përdoren më, por nga një grup artistësh popullorë që kanë qenë gjallë. Kam regjistruar vallet: çalokja, alinaja, toskançja e re, toskançja e vjetër, dervençja, kërçovka të gjitha vallet i kam të regjistruar. Në fshatrat Kranjë, Arvat dhe Gërnçar të Prespës kam regjistruar, “O Tomor o mali lartë”, “Do të marr bardhojë e bardhë”, “Më martoi nëneja në prill”, melodi vajtimi me fyell etj… Po kështu dhe nga Zija Vinca, këngën e Rustem Alisë, “Ç’ke bilbil që m’rri mazum”, këngën e Xhem Rizvanit. Këngën e Dilaver Vincës, këngë në Haxhi Cenka si këngën e Ali Pashë Tepelenës, këngën e Sul Starovës etj., një numër i madh këngësh të trevave shqiptare.

Juve e keni kthyer shtëpinë në një muze, mund të na thoni diçka rreth kësaj dëshire?

Pistoleta me mulli që kam në shtëpi është 170 -vjeçare e stërgjyshit tim e përdorur në luftë ndaj pushtuesve të huaj, ku shqiptarët kanë luftuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Po kështu çiftelinë, njërën ma ka dhuruar Bajram Kryemadhi nga Bërzeshi, Islam Biçaku nga Letmi, Gjin Markagjini nga Mirdita, bashkatdhetarë të arratisur nga Shqipëria, të cilët jetonin në emigracion në Bruksel, të cilët kishin mall për vendlindjen. Po kështu dhe kostumet kombëtare të Strugës i ruaj me kujdes.

Ndërkohë merreni dhe me shkrime, keni botuar disa libra apo jo?

Kam botuar dy libra si “Ladorishti histori dhe tradita”, më 2001. “Plagët e një shekulli-kurbeti në trevën e Strugës dhe Ohrit 1903-2007”. Të dy librat janë voluminozë më rreth 800 faqe. Jam duke përgatitur për botim një tjetër libër, edhe ky voluminoz, që flet për gjithë shqiptarët e zonës së Strugës-Bërzeshtës e Mokrës. Një libër që po punohet në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave në Tiranë. Së shpejti do të dalë në qarkullim, kur lexuesi do ta marrë në dorë do të gjejë histori të vërteta, ku janë të bazuara në fakte dhe dokumente.