Dr. Apostol KOTANI/ Kuvendi i Lurës i 40 krerëve prishi de fakto Marrëveshjen e Mukjes dhe i hapi rrugën bashkëpunimit me pusht

675
Sigal

* historian publicist

 Është folur e stërfolur për marrëveshjen e Mukjes më 3 gusht 1943 dhe për prishjen e saj, por në këndvështrime të ndryshme, sipas interesave partiake (madje një autor, Z.Klement Shalari, në librin e tij të titulluar “Marrëveshja e Mukjes Kullon ende Gjak” dhe qysh në hyrje shtron pyetjen jashtë çdo logjike, “Nëse pranojmë që Balli Kombëtar ishte vazhdimisht dhe terësisht bashkëpunëtor me fashistët, perse Partia Komuniste pranoi të bashkëpunonte me të?!). Pra te komprometohej në Mukje me një organizatë kolaboracioniste.

Po te njihte mire Zoti Shalari programin e Partisë dhe të Frontit Antifashist, dhe arritjet e Luftës Antifashiste, po të njihte gjithashtu mirë programin e Ballit Kombëtar dhe historinë e tij, nuk do të fliste kështu dhe s’kishte pse shtronte atë pyetje. Ne që i kemi jetuar ngjarjet dhe kemi marrë pjesë në luftë, i themi opinionit me kompetencë se përpjekja që u bë në mbledhjen e Mukjes për ta larguar Ballin Kombëtar nga rruga e bashkëpunimit me pushtuesit, në rrugën e mbarë të luftës kundër tyre, ishte e madhe. Dhe kjo nuk ishte një rastësi por një shprehje e dashamirësisë së udhëheqjes. Ne jemi dëshmitarë se, detyra parësore e organizatave të Partisë dhe të Frontit, apo dhe e komandave të çetave partizane dhe e Këshillave NACL ishte puna me nacionalistët, bile edhe me kolaboracionistët për t’i tërhequr në Frontin dhe Luftën Antifashiste. Në mbledhjen e këtyre organizmave, puna me nacionalistët ishte një nga pikat e rendit të ditës, ku raportohej për punën e bërë, rezultatet e arritura dhe detyrat për të ardhmen. Ishte rezultat i kësaj pune që shumë nacionalistë u bashkuan me Frontin, me luftën Antifashiste. Por një pjesë e tyre mbajtën qëndrim pritës. Edhe me këtë kategori vazhdoi të punohej deri në momentin e fundit. Është rezultat i kësaj pune pjesëmarrja e mjaft nacionalistëve në Konferencën e Pezës. Aty u thirrën edhe Mit’hat Frashëri dhe Ali Këlcyra, por ata nuk pranuan të vinin. Fronti dhe Këshilli i Përgjithshëm që u formuan aty ishin plotësisht pluraliste, pa dallim feje, krahine dhe ideje. Nga të 7 anëtarët e këshillit vetëm 3 ishin komunistë. Pushtuesit bënin kërdinë, nga shtatori deri në dhjetor të vitit 1942 kryen 27 operacione, nga Peza, Martaneshi, Mallakastra, Kurveleshi etj., asnjë qëndrim nga Balli Kombëtar dhe “Nacionalistët”.

Të ndjekim më tej rrjedhën e ngjarjeve

Në tetor të vitit 1942 krerët e parisë së Matit, të ashtuquajtur nacionalistë formuan një besëlidhje të quajtur antikomuniste, por në thelb ishe profashiste, kolaboracioniste. Në nenin 2 të saj thuhej “Ne me Italinë Fashiste jemi vëllezër të një nënë e të një babe, që është mbreti Perandor, prandaj kush e fyen me fjalë këtë, kush ngre dorën kundër Italisë do ta shfarosim dhe do ta përjashtojmë për tre vjet dhe do t’i konfiskojmë pasurinë e tundshme dhe të patundshme”. Ç’i bukur antikomunizqm! (Shih Gazetën Tomori datë 7 nëtnor 1942). Kjo besëlidhje u shkoi kaq për shtat, jo vetëm fashistëve por edhe bashkëpunëtorëve të tyre, sa që Kryeministri Mustafa Kruja, me një qarkore të posaçme ua dërgoi gjithë rretheve për model. (Fondi 249, dosja 3,v.1942.AQSH). Në dhjetor emrat e shumë “nacionalistëve” i gjejmë në protestat e organizuara nga Këshilli i Epërm Korporativ Fashist, kundër deklaratave të Fuqive të Mëdha Antifashiste që njihnin Luftën Antifashiste, duke i quajtur ato si ndërhyrje në punët tona të brendshme dhe cënim të sovranitetit dhe betoheshin se do të ruanin edhe me pikën e fundit të gjakut vëllazërimin me Italinë Fashiste. (Shih Gazetën Tomori, datë 27 dhe 28 dhjetor 1942). Patrioti dhe antifashisti Duleman Cela nga Patini i Matit, që guxoi të denonconte  protestën e Matit, gjeti vdekjen nga një repart milicësh më 9 prill 1943. Më tej akoma, kur PKSH dhe Fronti Antifashist NACL kishin krijuar një serë çetash partizane dhe ishin gjakosur me pushtuesit dhe kur kërkohej bashkimi i gjithë forcave politike në luftë kundër pushtuesit, krerët e Ballit Kombëtar Ali bej Këlcyra dhe Nuredin bej Vlora, më 15 mars 1943 nënshkruan “Protokollin Dalmazo-Këlcyra” me anën e të cilit merrej zotim se në Shqipërinë e Jugut nuk do të lejohej asnjë goditje kundër ushtrive italiane. (Fondi l056 dosja 3 f.20.AQSH). Në veprën e Kaloshit ky quhet një veprim individësh. Atëherë lind pyetja, po pjesa tjetër e krerëve të Ballit Kombëtar me Mit’hat Frashërin në krye, perse nuk e dënoi këtë marrëveshje? Sipas njoftimit të datës 29 maj 1943 të Comando Superiore të FF AA Albania drejtuar Luogotenences, Miftar Kaloshi i kish deklaruar gjeneral Parianit se “Në qarkun e Dibrës  dhe gjithkund ku ushtrohet ndikimin ynë nuk do të goditet asnje ushtar Italian”. (Fondi 250, d,53 AQSH). Në informacionin e datës 22 maj po të komandës së sipërme thuhej “Çeta filo-Italiane e Abaz Ermenjit ka zhvilluar një veprimtari të madhe antikomuniste në zonën e Gramshit. (Po aty.) Nga Korça jepeshin njoftime se “Çeta e Safet Butkës ka marrë direktiva nga qeveria dhe zhvillon propaganda kundër Luftës Nacionalçlirimtare, për te bindur popullin që të heq dorë nga kjo lëvizje” (Shkresa nr.306/13 datë 5.03.1943 AQSH). Më vonë, më 14 qershor me shkresën 5/1 të Komandës se Xhandarmërisë së Korçës thuhej “Në një mbledhje që kemi bërë me 100 nacionalistë, Safet Butka deklaroi se ka vendosur tu bjerë pas shpine komunistëve nëse këta tentojnë të mësyjnë Ersekën”. Është e pamundur të radhitësh në një shkrim gazete gjithë marrëveshjet dhe aktet e tradhtisë. Megjithatë, udhëheqja e Luftës duke parë rezultatet e luftës së deri atëhershme si edhe rënien e Kabinetit të Musolinit, më 24 korrik, që paralajmëronte fundin e Italisë Fashiste, të cilat shtronin nevojën e domosdoshme të mobilizimit dhe bashkimit të të gjithë forcave në luftë për t’i dhënë goditjet e fundit pushtuesit fashist, mendoj tu bëjë edhe një herë thirrje forcave të ballit, legalitetit etj., për të hequr dorë nga rruga e tradhtisë dhe të radhiteshin në luftën e përbashkët. Mbi këtë bazë u arrit mbledhja dhe marrëveshja e Mukjes më 3 gusht 1943.

Megjithëse këtu, pas shumë mendimesh dhe debatesh, u arrit një marrëveshje, më tepër në favor të Ballit, Legalitetit etj., për shkak të oportunizmit të Ymer Dishnicës, ata nuk mbeten të kënaqur. Prandaj fill pas mbledhjes së Mukjes krerët e Ballit Kombëtar, të Legalitetit, bajraktarët dhe paria e viseve të veriut ju përveshen punës për thellimin e përçarjes dhe të goditjes së mëtejshme të forcave të ushtrisë Antifashiste NACL si dhe për të shtënë në dorë pushtetin me rastin e kapitullimit të mundshëm të ushtrisë fashiste. Kështu Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Dosti e të tjerë u nisën për në Dibër dhe Kukës për bisedime dhe për një besëlidhje me krerët e këtyre zonave për veprime të përbashkëta kundër Frontit dhe Ushtrisë NACL. Pas bisedimeve me Fiqiri Dinen, Miftar e Selim Kaloshin në Dibër më 22 gusht, zhvilluan bisedime në Kolosian të Kukësit me Muharrem Bajraktarin, ku edhe me këtë gjetën një gjuhë të përbashkët. Pas kësaj u nisën drejt Lurës, ku më 28 gusht 1943, gjithë krerët e Jugut  dhe të Veriut, Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Fiqiri Dine, Hysni Dema, Miftar Kaloshi, Cen Elezi, Sul Kurti, Selman Mena, Bilal Kola, Shaban Valteri, Kapllan Allamani, Ibrahim Koleci, Murat Basha etj., plot 40 veta u mblodhën në një kuvend në Lurë që e quajtën “Kuvendi i 40 Krerëve të Maleve”. Ata, pas bisedimesh  morën këto vendime:

1.Të lidhim besën për mirëmbrojtjen e Shqipërisë.

2.Të luftohej Fronti Nacionalçlirimtar.

3.Të krijohej një Komandë e Përbashkët Ushtarake me në krye Hysni Demen dhe komanda ushtarake nepër rrethe. (Fondi Kuvendi i Lurës 556 AQSH).

Pra vetë Balli, Legaliteti dhe forcat e tjera kolaboracioniste ju kundërvunë marrëveshjes së Mukjes. Jo vetëm kaq, por u bë thirrje edhe për luftë kundër Frontit dhe Ushtrisë NACL.

Një ditë më parë, më 27 gusht 1943 Mit’hat Frashëri, me qarkoren Nr.7 u shkruante forcave të Ballit “Marrëveshja jone, (Mukja-shënim i autorit), me komunistët, nuk lypset në asnjë mënyrë të bëjë të pezullohet propaganda jonë, ose të lejojmë komunistët të shtohen në veprimtarinë e tyre… Vëmendja e Ballit Kombëtar në këtë kohë duhet të përqendrohet në kapjen e pushtetit politik në momentin e tërheqjes së ushtrive italiane (Fondi 270.Dosja 11 AQP). Mbas përfundimit të Kuvendit, krerët u shpërndanë nëpër rrethe për të bërë të njohur vendimet. Abas Kupi, qe ish anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ-it, në vend që të shkonte në Labinot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, më 5-6 shtator shkoi në Mat, ku organizoi një mbledhje me parinë e 7 fshatrave të Klosit, paraqiti këtë vendim “Ne jemi të vegjël, me Italinë nuk e qesim dot, ajo është fuqi e madhe, na djeg, na vret se asht e fortë, prandaj ne do t’i nënshtrohemi, komunistët nuk do t’i lejojmë me ba aksione. Për te ruejte qetësinë e rrugëve dhe me ndalue partizanët, do të krijojmë një forcë të armatosur me nga dy vetë për çdo katund”. (Fondi Nr.4 Dosja 13 AQP). Në këto kushte a kishte më vlerë marrëveshja e Mukjes? Shkaqet që u përmendën më lart dhe jo ndikimi i jugosllavëve sikur lakohet nga elementët dashakeqes, e detyruan Konferencën e Labinotit të denonconte dhe dënonte marrëveshjen e Mukjes. Vetë Ymer Dishnica në këtë konferencë në diskutimin e tij ndër të tjera tha: “Në Mukje Ballit i dhanë iluzionin se e konsideronim shok lufte, e frymë, i dhamë frymën e një organizate që ecën barabar si shok lufte, i shtuam kredibilitetin kurse popullit i dhamë tymin, iluzionin e bashkimit fals, shkopinj nën rrota, dhe më poshtë: “Dy muaj më parë ne kujtonim se Balli Kombëtar mund të kishte një përmirësim, por tani e shoh se janë tepër reaksionarë. (Fondi 41. Dosja 12. Fleta 174-179 e procesverbalit AQP). Kurse Prof. Sejfulla Malëshova ndër të tjera tha: “Me këtë marrëveshje fshiheshin Këshillat Nacionalçlirimtare, fshihej Konferenca e Pezës. Po të realizohej kjo marrëveshje do ta fshinte gjithë luftën tonë. Faji që nuk është bërë bashkimi duhet t’i mbetet Ballit. (Po aty faqe 171-173.)

Atë e dënuan, Dr.Omer Nishani dhe të tjerë.

Sikur të mos mjaftonin ato që përmendëm, Mit’hat Frashëri më 7 tetor 1943 me një qarkore tjetër u drejtohej forcave të Ballit Kombëtar me thirrjen “Të sulmohen forcat partizane dhe të bëhet propaganda kundër Frontit Nacionalçlirimtar”. (Fond.270.Dosja.11.AQP). Kurse Abaz Kupi më 28 tetor thirri në Klos të Matit parinë e tre bajraqeve të Kthellës, Lurës dhe Lumës dhe me ta bëri një besëlidhje tjetër kundër Lëvizjes NACL, e cila u shpreh hapur për bashkëpunimin me Këshillin e Lartë të Regjencës dhe qeverinë kolaboracioniste me nazistët të kryesuar nga Mehdi Frashëri. Njëkohësisht u dhanë sigurime se ushtria gjermane mund të kalonte lirisht nëpër Mat dhe se kundër atyre që do të godisnin forcat gjermane do të merreshin masa të rrepta”. (Fondi 41. Dosja 13 AQP). Dhe nga fjalët u hodhën në veprime të hapëta kundër forcave partizane përkrah pushtuesve të rinj nazistë, sidomos gjatë operacionit të dimrit 1943-1944, dhe operacionit të Qershorit 1944. Këtë bashkëpunim e nënvizon edhe misionari anglez Filip Brod në një raport që i dërgonte Londrës në shtator 1944. Në këto kushte shtrohet pyetja ç’duhet të bënte PKSH, Fronti dhe Ushtria partizane! Prandaj më 3 nëntor, e theksoj më 3 nëntor, pas gjithë këtyre veprimeve u lëshua direktiva për shkatërrimin me armë të këtyre organizatave tradhtare, jo si força politike të kundërta por si bashkëpunëtorë të hapur me pushtuesin. Ndërkohë u dha porosia që të punohej me njerëzit e gënjyer për t’i larguar nga rruga e gabuar. Këto janë të vërtetat historike dhe jo ato që shkruhen e fliten nëpër mbledhje, gazeta e libra nga pinjollët e atyre forcave dhe njerëzit dashakeqës. Sikurse vepron edhe Z Alimadhi që kërkon t’i njihen Ballit Kombëtar meritat e luftës kundër pushtuesve. Brezave u duhen thënë të vërtetat, ashtu siç kanë ndodhur, pa shtrembërime, pa mllefe.