Ismail Qemali, mysafir në Libofshë

1144
Sigal

Të vërtetat e udhëtimit historik të Ismail Qemalit nëpër Myzeqe

Në  mjediset e qytezës së Libofshës, zbukuruar historikisht me buste dhe lapidarë, si Obelisku i Mësonjëtores së parë, (1908), lapidari  i mbi 20 dëshmorëve të atdheut, apo busti i mermertë i Naun Doko Priftit, (1896-1934), rrëzëllen edhe lapidari  në nderim të Plakut të Flamurit. Dihet tashmë se  pas zbritjes në Durrës dhe mbërritjes në Çermë të Lushnjës, Ismail beut iu desh ta ndërpresë ose ta ndryshojë itinerarin e udhëtimit historik drejt Vlorës, nën kërcënimin e redifëve osmanë, që nxitonin  nga Berati drejt Lushnjës, dërguar me urdhërarrest nga  pashai i Janinës.  Dihet gjithashtu  që ky udhëtim, i cili  parapriu “mëvetësinë” e Shqipërisë, vazhdoi pasi Ismail Qemali e mori në sy ta kthejë karvanin e shoqëruesve dhe t’ju prijë përmes Myzeqesë, baltërave dhe ujërave të frikshme të këtyre  anëve, sidomos në fundvjeshtën e atyre viteve. Kësisoj, karvani i Pavarësisë, tanimë i shoqëruar  nga qindra myzeqarë dhe i udhëhequr ndër shtigjet e kalueshme,  vatë   dhe lundrat e lumenjve, pasi kaloi në Divjakë, Gur e Babunjë, në mbasditen e  24 nëntorit, u ngrys në Libofshë. Nata, dimri dhe përmbytjet e  lumenjve, nuk jepnin asnjë mundësi për të vazhduar drejt Fierit. Ndaj, që në mëngjesin e kësaj dite, ishin njoftuar me ngut njerëzit e besuar në Libofshë dhe rrethinat e saj, për të pritur dhe siguruar ca mysafirë të lartë, nderimi, sigurimi dhe mbrojtja e të cilëve,  bëhej dhe paguhej me kokë…Shumë nga çka thamë, janë të njohura, të shkruara dhe së fundmi të dëshmuara lexueshëm edhe në pllakën e lapidarit përkatës, ngritur në  hyrje të komunës së Libofshës, pavarësisht se dikur, në monizëm, kur u ngrit muzeumi në fshat, ka patur diskutim, ka patur edhe përpjekje për përvetësim të meritës se kush e strehoi Ismail Qemalin në nëntor të vitit 1912. Madje një kuadër me influencë në atë kohë, ka dashur ta bëjë shtëpinë e tij “historike”, gjoja se kishte strehuar Ismail Qemalin. Po në të vërtetë cila qe shtëpia që priti  mysafirin e lartë, ardhur aq larg, tek ecte mes rreziqeve drejt kryengjarjes shqiptare. Cili bujk ndër këta vendas, pati nderin, kurajon dhe trimërinë ta pres e të darkojë bashkë me burrin e madh te Flamurit? Ku dhe si hëngri e fjeti mysafiri i lartë, në koliben e një bujku? Dhe, vërtetë fjeti qetësisht, ndonëse rrinin syhapur të zotët e shtëpisë? Se mos vetëm këta? Kronikat e kohës rrëfejnë për qindra pushkë që ruanin me gishtin në këmbëze tërë vargun e kodrave të Ardenicës, nga Mbrostari deri  tej Divjakës, për t’ju prerë rrugën redifëve dhe koshadheve turke që zbrisnin me ngut nga Berati e Lushnja, të kapnin e bënin tërbjet “bukëshkalin” e Stambollit. Ndaj, i zoti i shtëpisë që i hapi portën dhe i shtroi sofrën këtij mysafiri dhe  shpurës së tij, meritonte gjithë nderimet e miqve dhe bashkëfshatarëve këtu. Se miku i madh ishte bej, me selamllëk e trashëgimi denbabaden, nga Vlorajt e hershëm. Ismail bej e thërrisnin, apo jo? Por as titulli bej, as trashëgimia e stërgjyshërve s’e penguan ta braktiste kolltukun e deputetit në parlamentin osman, të çante baltërat e Myzeqesë dhe të gjithë Shqipërisë, për pavarësimin e  atdheut. Ashtu siç kishin bërë dhe bënë edhe bejlerë të tjerë shqiptarë, para e pas tij, si  Abdyl dhe Naim bej Frashëri, Hasan bej Prishtina, Bajram begu prej Currit, etj. Ky bej dhe zotëri i fisëm, ngritur dhe graduar nga dovleti sulltanor me të gjitha ylyfet e kohës, i bëri haram të tëra dhe një natë gjendet këtu, mes myzeqarëve. Ua e besoi kokën atyre dhe  shpurës që printe. Më shumë akoma; Ismail Qemal beu, iu besoi myzeqarëve misionin e tij historik, “Mëvehtësimin e Shqipërisë”, Flamurin që nxitonte ta ngrinte dhe që ndoshta, do vononte ende, nëse ky burrë nuk do kalonte shëndosh e mirë në rrugën e zgjedhur, përmes Myzeqesë dhe myzeqarëve. Kurrsesi nuk mund të shkruajmë sot se Ismail bej Qemali u fsheh pyjeve dhe gdhiu kasolleve sikur të ishte kaçak mali, që fuste kokën në çdo derë të hapur. Fjala është për një diplomat e burrë shteti, i cili s’mund të nisë udhë pa ditur ku do shkel dhe kush e pret. E pra, edhe ardhja dhe fjetja në Libofshë e Ismail bej Qemalit, më 24 nëntor, ishte e përgatitur dhe, doemos, e mbrojtur. E dimë që Libofsha, si qendër e  administratës së Krahinarisë që më 1886, kishte disa ndërtesa, zyra, konakë e grazhdare, ku grumbullonin dhe administronin  të dhjetat e të tretat e  bereqetit  për Myzeqenë e poshtme dhe Karatoprakun. Dihet se drejtori i këtyre sulltanateve në Myzeqe, ishte emëruar nga Stambolli Nedin bej Leskoviku i cili, me  zellin dhe njohuritë e  gjëra bujqësore, i shërbeu shumë Myzeqesë dhe sidomos Libofshës. Konakët dhe çardhaqet e tij këtu, ishin një selamllëk e saraj i vogël për atë kohë,  ku qenë vendosur edhe nëpunësit e administratës së Libofshës me gjithë mjetet e punës, hamamin, hanin dhe hanxhinjtë,  çertexhinjtë, dyqanxhinjtë dhe zanatçinjtë për gjithë  krahinën. Ndonëse, pak kohë më parë vet Nedin beu kishte vdekur, (maj, 1911), ishin aty mëkëmbësit, gjithë nëpunësit dhe vartësit e tij, myzeqarë dhe të ardhur. Pikërisht këta e pritën, e sajdisën dhe e darkuan Ismail bej Qemalin. Në këta  konakë pra, gjithsesi bejlerësh, pushoi, darkoi e gdhiu heroi ynë. Sigurisht,  bashkë me të zotët e shtëpisë ishin këtu edhe gjithë patriotët e  krahinës, dhjetëra burra që e çuan natën me gishtin në këmbëzë si Ikonom Dhima me shokë. Ja, kjo është e vërteta e kësaj që po shkruajmë dhe duhet të shkruajmë për këtë ngjarje historike. Njëra nga stacionet e shumta që pritën dhe përcollën Burrin e Flamurit tonë, nisur nga Stambolli, endur nëpër Europë e Shqipëri, gjithnjë drejt Pavarësisë së atdheut, sigurisht, është edhe Libofsha. Vërtetësinë e këtyre fakteve e shkruajnë  arkivat e shtetit. Dhe jo vetëm për këtë. Janë qindra dokumente që rrëfejnë gjithë udhëtimin e Ismail Qemalit, shoqëruesit dhe mbrojtësit, shtigjet dhe vatë nga kaloi përmes Myzeqesë, nga Çerma, Divjaka e Babunja, darkën  në Libofshë dhe nisjen të nesërmen (25 nëntor), për në Fier. Kalimi i njerëzve, kafshëve dhe vet Ismail Qemalit në lundrën e Petovës, porosia e tij proverbiale dhënë patriotit  Ikonom Dhima, këtu; (Farën e mbollëm, kujdesuni të mbijë -Do mbijë e do rritet se toka është plot vlagë-i tha Ikonomi), dreka në sarajin e Omer pashë Vrionit në Fier dhe kalimi i Vjosës në Mifol, ku e prisnin qindra burra të njohur si Vlorajt dhe Jani Minga me shokë…

MIKU I MADH, TE BEU I MADH

E dimë që Libofsha, si qendër e administratës së Krahinarisë që më 1886, kishte disa ndërtesa, zyra, konakë e grazhdare, ku grumbullonin dhe administronin  të dhjetat e të tretat e  bereqetit  për Myzeqenë e poshtme dhe Karatoprakun. Dihet se drejtori i këtyre sulltanateve në Myzeqe, ishte emëruar nga Stambolli Nedin bej Leskoviku i cili, me  zellin dhe njohuritë e  gjëra bujqësore, i shërbeu shumë Myzeqesë dhe sidomos Libofshës. Konakët dhe çardhaqet e tij këtu, ishin një selamllëk e saraj i vogël për atë kohë, ku qenë vendosur edhe nëpunësit e administratës së Libofshës me gjithë mjetet e punës, hamamin, hanin dhe hanxhinjtë, çertexhinjtë, dyqanxhinjtë dhe zanatçinjtë për gjithë  krahinën. Ndonëse, pak kohë më parë vet Nedin beu kishte vdekur, (maj, 1911), ishin aty mëkëmbësit, gjithë nëpunësit dhe vartësit e tij, myzeqarë dhe të ardhur. Pikërisht këta e pritën, e sajdisën dhe e darkuan Ismail bej Qemalin. Në këta  konakë pra, gjithsesi bejlerësh, pushoi, darkoi e gdhiu heroi ynë. Sigurisht,  bashkë me të zotët e shtëpisë ishin këtu edhe gjithë patriotët e krahinës, dhjetëra burra që e çuan natën me gishtin në këmbëzë si Ikonom Dhima me shokë.

FILMI “NËNTORI I DYTË” DHE MYZEQEJA

Ngjarjet e udhëtimit të Ismail Qemalit nga Durrësi deri në Vlorë janë pasqyruar bukur në filmin “Nëntori i Dytë”, prodhuar në Shqipëri në vitin 1982 dhe rikonstruktuar këto ditë me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Filmi trajton në mënyrë të saktë dhe të besueshme udhëtimin e Ismail Qemalit nëpër Myzeqe, që është quajtur historik. Në mënyrë artistike, por edhe besnikërisht siç ka ndodhur, në film janë futur personalitetet më të famshëm të kombit të udhëhequr nga patrioti Ismail Qemali që pas shumë pengesash arrijnë të ngrenë flamurin shqiptar dhe të shpallin kështu Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë në 28 Nëntor 1912.

ITINERARI I LËVIZJES

Janë qindra dokumente që rrëfejnë gjithë udhëtimin e Ismail Qemalit, shoqëruesit dhe mbrojtësit, shtigjet dhe vatë nga kaloi përmes Myzeqesë, nga Çerma, Divjaka e Babunja, darkën  në Libofshë dhe nisjen të nesërmen (25 nëntor), për në Fier. Kalimi i njerëzve, kafshëve dhe vet Ismail Qemalit në lundrën e Petovës, porosia e tij proverbiale dhënë patriotit  Ikonom Dhima, këtu; (Farën e mbollëm, kujdesuni të mbijë -Do mbijë e do rritet se toka është plot vlagë-i tha Ikonomi), dreka në sarajin e Omer pashë Vrionit në Fier dhe kalimi i Vjosës në Mifol, ku e prisnin qindra burra të njohur si Vlorajt dhe Jani Minga me shokë…