Fate Velaj / 100 vjet Shqipëri, një ide e qartë dhe një vizion

614
Sigal

Ky simpozium është ndërtuar për të diskutuar mbi një ngjarje të madhe në historinë e kombit shqiptar, si dhe të të gjithë hapësirës shqipfolëse, mbasi data 28 nëntor nuk i përket vetëm Shqipërisë së sotme, por edhe Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, ashtu si dhe gjithë shqiptarëve kudo ku janë. Unë nuk kam për qellim të sjellë fakte e detaje të reja mbi momentet të cilat shoqëruan këtë akt final të historisë së Shqipërisë, mbasi ky panel është i ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk krijon hapësira boshe por, ajo që unë jam i interesuar është të ndriçojë sadopak hapësirën kohore të së ardhmes së Shqipërisë, atë të periudhës 2012-2112. Nëse do të më pyesnin sot, së çfarë i duhet Shqipërisë në këtë vigjilje të 100 vjetorit të Pavarësisë së saj, unë do t’i përgjigjesha vetëm me dy fjalë: “një ide e qartë dhe një vizion”. Historia 100 vjeçare e Shqipërisë, prej shpalljes së pavarësisë dhe deri më sot, është e mbushur me ngjarje të cilat populli im nuk i kishte të nevojshme dhe aq më tepër të domosdoshme për t’i përjetuar. Eksperimente politike dhe ekonomike te pafundme, të cilat e lodhen, e robëruan, e izoluan atë dhe e mbajtën larg nga ëndrrat gjeopolitike të atyre që shpallen pavarësinë dhe në të njëjtën kohë i dhanë përkufizimin absolut se, ky popull nuk është në gjendje të orientojë të ardhmen e tij në atë drejtim nga e cila rrjedh dhe ADN-ja e tij: kultura perëndimore. Tashmë ne jemi në fillimin e një shekulli të ri, atë të pavarësisë, të periudhës 1912-2012. Si në çdo vend të botes ky vit jubilar festohet dhe për këto festime ka pasur dhe një kohë përgatitore relativisht të gjatë, por ajo që vërtetë mua me ra në sy në këtë vit jubilar dhe që në fund më hidhëruan pa masë, ishin se gjatë gjithë vitit nuk u dëgjua asgjë më shumë se “melodia” e debateve funebre, të një klase politike e drejtuese të stërlodhur nga ethet e dëlirit e të patjetërsueshmërisë së tyre në histori. Pra, mbi gjithçka u fol ne fillim të këtij viti jubilar, fatkeqësisht nuk u tha asgjë në këtë 100 vjetor nëse do të ndërtohej një monument apo areal politiko-kulturor dedikuar shekullit të ri të pavarësisë që kemi hyrë, atë të pavarësisë së mendimit, të ideve, të vizioneve, ëndrrave të brezit të ri që në mbyllje të një epoke 50 vjeçare të izolimit dhe mbajtjes larg Europë thërrisnin me zë kumbues: “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ju tregova se telefonata e Dr. Busek më gjeti në Fier, për të realizuar atë që qyteti më “thirri”: të realizoja idenë time të vjetër, atë të “Europa Plaza”, një shesh që i kushtohet kontinentit tonë, identitetit tonë të përbashket e të ardhmes së përbashkët europiane. Ideja ime e ndërtimit të “Europa plaza” në Fier, vjen mbas suksesit të ndërtimit të “Europa Boulevard – 100 hapa drejt Europës” në Pogradec, i cili është klasifikuar si projekti më prestigjioz në përmbushjen e sloganit të Bashkimit Europian “ta bashkojmë Europën nëpërmjet kulturës”. Një bulevard që mbi shpatulla mban historinë mijëra vjeçare të kontinentit tonë paraqitur bukur nëpërmjet veprave të artit në mermer dhe hekur. Projekti ka për qëllim të paraqesë historinë e përbashkët europiane, ta vendosë atë thellë në ndërgjegjen e popullsisë në veçanti të rinisë, dhe mbi të gjitha të paraqesë specifikat e çdo identiteti në një kuadër më të përgjithshëm pluralist, europian. Këto projekte fituan zemrat e miqve tanë të mëdhenj si: Jose Manuel Barosso, Benita Ferrero Waldner, Werner Faymann, Vaclav Havel apo çmimi Nobel Imre Kertesz, ministra, mendimtarë e filozofë, dramaturgë e poetë…e të gjithë këta shkruajtën për një rrugicë 250m e një shesh të vogël e jo për autostrada e rrugë që inaugurohen përditë. Ne jemi te bindur se inaugurimi i “Europa Plaza” në Fier do të jetë një festë e madhe e europianëve për Europën, e cila do të shërbejë si simbol i asaj se historia jeton dhe se e ardhmja ka një ngjyrë: atë blu të Europës së bashkuar. Ideja ime e patjetërsueshme është se, Europa e bashkuar përpara se të jetë një union ekonomik, është një union vlerash të përbashkëta dhe që Shqipëria të bëhet pjesë e këtij unioni vlerash, duhet të rishikojë dhe ridimensionojë vlerat e saj, ato të dialogut, mirëbesimit dhe të tolerancës. Sigurisht që Shqipëria nuk është Austria, sigurisht që nuk është as Franca e Anglia por nuk mund të presësh më shumë nga një popull që për 500 vjet ka qenë nën pushtimin e një perandorie obskure. Shpallja e pavarësisë ishte një ëndërr, që sado u vonua në realizim, erdhi më në fund por që u shoqërua me ngjarjet fatale për kontinentin, si fillimi i Luftës së Parë Botërore, prishja e strukturës së aleatit të madh të saj, Perandorisë Austro-Hungareze, pushtimin nga Italia….Lufta e Dyte Botërore e deri në 50 vjet diktaturë komuniste. Mos vallë është Shqipëria fajtore edhe për këto? Komunizmin nuk e shpikën shqiptarët, ai u shpik diku larg, por u soll në Shqipëri dhe fatin e Shqipërisë e përjetuan edhe shtete me një strukturë e kulturë më solide se ajo. Sigurisht që Shqipëria është një vend fraxhil por unë nuk e mbështesë mendimin tuaj se vendi im është një faktor problematik dhe mos stabiliteti në rajon. Shqipëria është stabiliteti i rajonit dhe këtu më duhet të sjellë në kujtesë të akademisë ushtarake, që mban emrin e perandoreshës Maria Theresia, se nga territori i Shqipërisë nuk është startuar asnjë agresion a luftë karshi popujve të tjerë por e kundërta ka ndodhur dhe ne jemi dëshmitarë të historisë recente, asaj të luftës në Kosovë, ku Austria dha një ndihmesë. Në fund më duhet të sjell në kujtesë vitin 2006, atë kur Dr. Busek më ftoi të organizoja një ekspozitë ne forumin europian të Alpbach-ut. “Shqipëria-e parë ndryshe” e quajta unë atë ekspozitë me fotografi e referat dhe që fitoi zemrat e mendjet e të gjithëve e që jam i bindur se do të fitojë zemrat e mendjet e të gjithëve atyre që do vizitojnë Shqipërinë. Unë, Fate Velaj nga Kanina erdha në Austri si askush, por tregova se Shqipëria ka djem e vajza si unë nga të cilët mund të përfitojë Europa dhe bota.