Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Gëzuar Festën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e Imam Aliut!

1475
Kujtim BORIÇI
Nuri ÇUNI
Syrja XHELAJ
Sot, ora 10.00 ceremoni madhështore në Selinë e Shenjtë Bektashiane. Marrin pjesë qindra besimtarë nga vendi, Kosova, Maqedonia e vende të tjera; studiues e zyrtarë të lartë
Një sërë aktivitetesh të larmishme, me pjesëmarrjen e qindra besimtarëve bektashianë nga treva të ndryshme shqiptare, nga shtete të ndryshme të botës, studiues nga vendi e të huaj, shënojnë sot pikun e festës masive të Sulltan Novruzit, ditëlindjes së Imam Aliut. Kjo festë e shenjtë në Selinë e Shenjtë Bektashiane, zbukuruar më së miri nga zemra e dora e organizatorëve, pret me dashuri sot besimtarë e simpatizantë të bektashizmit, të cilët me adhurimin ndaj Zotit, luten e falen me shpresën për më shumë dashuri, paqe e mirësi. “Kjo ditë e shenjtë, është një festë për miliona bektashinj në gjithë botën, është një ditë ku njerëzit adhurojnë më shumë se kurrë Krijuesin, shtojnë devocionin e dashurinë për ‘të, reflektojnë e marrin më shumë energji për dashuri e mirësi. Në cilësitë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, sot në këtë ditë feste i uroj të gjithë nga zemra: Bekim paçi kurdoherë në veprat tuaja të mira. Zoti ju dhëntë shkëlqim dhe dritë në udhën tuaj. I lutemi Zotit të na lartësojë e të na mbushë me dashuri. Të na mundësojë përkushtimin moral e atdhetar duke përbuzur egoizmin, veset e huaja dhe falim dashuri njeriut për njeriun dhe lumturi familjare”- pohoi mes të tjerave Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Ç’është festa e sulltan Novruzit
Në këtë ditë nis stina e pranverës, sepse sot çdo gjë nis të marrë jetë e gjallëri. Dita nis me urimet më të mira për mbarësi, mirëqenie, paqe dhe dashuri. Në këtë festë gjithë besimtarët veshin rrobat më të mira dhe vijnë së bashku për të bërë faljen në këtë ditë të madhërueshme në Selinë e Shenjtë dhe çdo teqe. 22 marsi është shumë e pranishme në botën bektashiane. Sot rigjallërohet jeta, festa e madhe e gjithë bektashinjve në botë. Nevruzi e ka origjinën qysh herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Novruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut. Për këtë festë poeti ynë i madh bektashian Naim Frashëri ka thënë: “Sot është një ditë e re/ që përsëritet moti,/ lind Vera,/ lind ngrohtësia/, lind Aliu,/ lind vet Zoti”. Kjo ditë përkujton edhe ditëlindjen e Imam Aliut, që lidhet me ringjalljen e jetës dhe me shpresën për ditë më të mira. Kjo ditë ka një domethënie të veçantë për gjithë besimtarët. Është dita e Imam Aliut, dhëndrit të profetit Muhamed, ai ka qenë krahu i djathë i Profetit… Imam Aliu është një nga imamët e mëdhenj, i pajisur me një dituri të jashtëzakonshme. Profeti Muhamed thotë: “ Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij” ose “Nuk ka trim si Aliu, nuk ka shpatë tjetër si Zylfikari Aliut. Iamm Aliu la pas tre parime: Shkallën e të menduarit, unitetin njerëzor, drejtësinë. Prandaj mbeti simbol i përhershëm…
Ritet e Sulltan Novruzit
Në këtë ditë feste pihet një gotë qumësht, që simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë, në të cilën ka lindur Imam Aliu… Në këtë ceremoni fetare të rëndësishme këndohet së bashku kënga karakteristike e kësaj feste: “Mirë se vjen, mirë se vjen/ Nevruz Sulltan!/Meraba, meraba/ Nevruzi Sulltan/ Pa shikoni gjithësinë,/ Me sa bukuri,/Sot po pret Imam Alin, /Me gaz dhe liri…” Kjo ditë sipas besimit bektashian shënon ditën e pranverës dhe ditëlindjen e Imam Aliut, e cila cilësohet në gjithë botën si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, edhe pemët, edhe lulet. Në këtë ditë lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re. I gjithë njerëzimi në këtë ditë shpreson për një të ardhme më të mirë. Në vendin tonë kjo festë është edhe festë zyrtare, festa më e rëndësishme e bektashizmit për çdo vit (e njohur si festë botërore dhe nga OKB). Me besimin tek Zoti me besimin tek vetja. Kjo është një nga festat më të mëdha të bektashinjve. Në këtë ditë pjesë e saj është shpërndarja e qumështit, i cili sibolizon qumështin e nënës, bërja e kurbanit apo pulë. Besimtarët vishen me rroba të reja dhe urojnë njeri – tjetrin. Në këtë ditë bëhen dy falje: Një bëhet nga Kryegjyshi në sy të gjithëve të pranishëm në Selinë e Shenjtë dhe tjetra sekrete e secilit besimtar në vendet e shenjta, për të përkujtuar dhe nderuar imamët e shenjtë. Në krahina të ndryshme ka edhe tradita të diferencuara. Në Krujë Sulltan Nevruzi festohej tri ditë rresht: Ditën e parë festohej në familje ku të gjithë anëtarët mblidheshin për të ngrënë drekën karakteristike të kësaj dite. Dita e dytë ishte e pleqve, sepse ata mblidheshin nëpër vende të shenjta për të nderuar imamët. Ata merrnin me vete ushqime të bollshme dhe festonin së bashku. Ndërsa dita e tretë ishte ajo e grave dhe e nuseve të reja. Ato mblidheshin së bashku për të festuar dhe për t’u argëtuar. Festa niste në mëngjes dhe vazhdonte derisa ndizeshin dritat e teqesë. Pas këtij momenti ato shpërndaheshin nëpër shtëpi. Në këtë ditë këndohet mevludi (këngë karakteristike me lutje dhe lëvdata për Imam Aliun) dhe besimtarët vijnë në Kryegjyshatën Botërore të bektashinjve në Tiranë dhe në çdo teqe bektashiane në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Turqi, Amerikë etj. Në këtë ditë bëhen vizita tek njeri-tjetri, shkohet nëpër teqetë bektashiane.
Çfarë gatuajnë besimtarët këtë ditë
Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh, (spinaq, lëpjetë, majdanoz, fletë lakre, kopër, gjethe prasi, labot, qepë, oriz, etj). Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe më pas i jepet secilit prej anëtarëve të familjes nga një pjesë. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij është me fat. Do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi. Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultiash, që është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe, gjithashtu në disa raste gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra). Në këtë ditë feste pihet një gotë qumësht, që simbolizon lindjen e një dite të re. Në këtë ditë pjesë e saj është shpërndarja e qumështit, i cili simbolizon qumështin e nënës, bërja e kurbanit apo pulë. Nuk ka rëndësi se çfarë kubani bëhet, sepse varet nga mundësitë që kanë njerëzit, e rëndësishme është që të bëhet kurban, byreku, ëmbëlsira ose në fshatë bëhen edhe kuleç me petë dhe fëmijët i rrokullisin në arat me grurë për të sjellë bollëk. 
Një gjë e veçantë që organizohet për herë të parë këtë vit është ekspozita me dorëshkrime dhe antikuar nga koleksionisti Shpëtim Sala, president i qendrës mbarëkombëtare të koleksionistëve dhe ekspozim të traditës popullore etnografike e kostumeve, Edlira Sula, presidente e traditës etnografike popullore si dhe ekspozime nga artizanë të ndryshëm.
“Nevruzi e ka origjinën qysh herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Novruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut. Për këtë festë poeti ynë i madh bektashian Naim Frashëri ka thënë: “Sot është një ditë e re/që përsëritet moti/ lind Vera/ lind ngrohtësia/ lind Aliu /lind vet Zoti”
Sulltan Nevruzi bënë thirrje për t’u ngritur mbi smirën, vesin e ligësinë, përcjell mesazhin për vlerësimin dhe mbrojtjen e vlerës sonë kombëtare, dashurinë për njeri-tjetrin, urtësinë, vëllazërimin mbarëkombëtar, tolerancën fetare dhe ndërfetare.
Aktivitetet
Prej ditësh, në bazë të një program të veçantë, në Selinë e Shenjtë si dhe në teqetë Brenda e jashtë Shqipërisë, janë zhvilluar aktivitete të shumta me rastin e ditës së Sulltan Novruzit. Por sot, është piku i aktiviteteve. Ndër aktivitetet që do të zhvillohen në Selinë e Shenjët Bektashiane, të cilat nisin në orën 10:00, veçojmë: Koncertin festiv “Mirë se vjen Nevruzi Sulltan”; Dorëzimin e dekoratës “Kalorësi i Artë i Ehlibejtit” dy filantropëve , të ndjerit Doktor Honoris Cauza Muhamet Malo (pas vdekjes) dhe Doktor Honoris Cauza Z. Kadri Morina; Celebrimi i liturgjisë së Festës së Sulltan Nevruzit; mbjellja e luleve dhe pemëve, symbol i ditës së pranverës, të Festës së Sulltan Nevruzit; koktej dhe pritje të pjesëmarrësve nga Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj, shfaqje të filmave “Imam Aliu”, dokumentarin kushtuar Haxhi Dede Reshat Bardhit: “Copëza jete” dhe e dokumentarëve të tjerë
Haxhi Dede Edmond Brahimaj
Të gjitha aktivitetet e festës së Sulltan Nevruzit, janë bërë nën përkujdesjen direkt të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Ja çfarë pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Kjo ditë e shenjtë, është një festë për miliona bektashinj në gjithë botën, është një ditë ku njerëzit adhurojnë më shumë se kurrë Krijuesin, shtojnë devocionin e dashurinë për ‘të, reflektojnë e marrin më shumë energji për dashuri e mirësi. Në cilësitë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, sot në këtë ditë feste i uroj të gjithë nga zemra: Bekim paçi kurdoherë në veprat tuaja të mira. Zoti ju dhëntë shkëlqim dhe dritë në udhën tuaj. I lutemi Zotit të na lartësojë e të na mbushë me dashuri. Të na mundësojë përkushtimin moral e atdhetar duke përbuzur egoizmin, veset e huaja dhe falim dashuri njeriut për njeriun dhe lumturi familjare”
Sigal