Floresha Debinja, Bilbili i Këngës Qytetare Beratase

2361
Sigal

Dikur ishte një vajzë e re, punëtore në Kombinatin e Tekstileve në Berat.

Ndërsa nga duart e saja të brishta dilnin prodhimet e bukura shumëngjyrëshe, në thellësinë e shpirtit të saj vlonte një zjarr. Ishte zjarri i këngës.

Vajza e druajtur nuk mund të rinte pa kënduar edhe kur qëndronte mbi makinen e saj të punës. Zeri i saj i ëmbël si kanarine, sikur nuk i shkonte t’i fshihej karakterit të saj të druajtur. Kërkonte të shpërrthente, të dilte nga ai kraharor i asaj vajze që kishte lindur për t’i kenduar vendit te saj, popullit te saj.
Në Dhjetorin e vitit 1974, do të ngjitej për herë të parë ne skenën e Festivalit të 13-të të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar për te kënduar këngën: “Syrin pish, zemrën barrot”, e kompozuar nga Kristo Kote.
Edhe pse këngën e ka patur përherë në buzë që e vogël, por, prezantimi i saj si këngëtare në festivalin kombëtar të këngës, do ishte dhe fillimi i saj për të ecur në udhën e gjatë e të bukur, në artin e të kënduarit.
“Ju keni një këngëtare te madhe,” do të thoshin ne Shkodër a ne Gjirokastër, në Kukës a në Vlorë… nëse dikush prezantohej nga Berati. Dhe beratasit do ndjeheshin krenarë për këngëtaren e tyre qe ishte bërë aq e njohur.

Floresha Debinja!

Kush e dëgjon këtë emër edhe sot i tingëllojnë ende të freskëta këngët e bukura qytetare beratase, që mjeshtrja e këngës Floresha me zërin e saj te ëmbël i çoi ne çdo familje. “Çupë thyej ato gjilpera”, “Trëndafili i bukur shumë”, “Kur këputa borzilokun”, “Kur hyn në Mangalem” “odë e vogël me gëlqere”, “Trëndafili i bukurisë”,e shumë e shumë te tjera, kush nuk i dëgjoi dhe nuk u dashurua pas zërit te saj te ëmbël.
Nuk ka shtepi, jo vetëm në Berat, por në gjithë Shqipërinë ku të mos këtë hyrë zëri i saj i ëmbël e melodioz. Dhe Floresha, bashkë me tingujt e saj do t’u dhuronte emocione të shumta gjithë atyre që i adhuronin këngët e saja, gurën e pashtershme popullore beratase.
Për shumë vite këngëtare e Estrades Profesioniste te Qytetit te Beratit, pjesemarrese e shumë festivaleve te këngës popullore, si këngëtare e festivaleve të këngës në qytetin e Beratit, do ta çonte zërin e saj edhe atje, ku e kërkonte vete jeta, pranë bujkut në arë, tek përurohej një lapidar dëshmori apo inagurohej një fabrikë, në repartet ushtarake pranë ushtarëve.
Si bijë e Beratit, qytetit, djep i kulturës së lashtë, aq sa është vetë lashtësia e tij mbi 2400 vjeçare, Floresha Debinja i erdhi në kohë qytetit të saj, për të kënduar folklorin e tij të pasur e të pashtershëm, ashtu siç e kanë kënduar paraardhëset e saja, Virgjinia Mile, Hyrije Saraçi…
Përkrah këngëtarëve të tjerë beratas,vëllezërve Dhimitër e Kozma Dushi, Ludmilla Baballëku, Rolanda Riko, Kujtim Babunja, Petrit Berisha, Merita Sino,… duke punuar për vite me radhe me ata, në ato vite, Floresha do ta çonte këngën qytetare beratase edhe atje, larg atdheut, ku ndodheshin bashkeatdhetarët e saja, në mërgim, jashtë Shqipërisë me Ansamblet Popullore Tomorri dhe Myzeqeja, kur jepnin koncertet e tyre te suksesshme, duke u çuar bashkatdhetarëve një pjesë te munguar nga atdheu i tyre, Këngen e bukur Popullore Shqiptare.
Floresha Debinja i erdhi Beratit në atë kohë për t’i “ushqyer” shpirtin atij populli me zërin e saj te ëmbël dhe Berati do dinte si t’ia shperblente, jo vetëm me duartrokitje dhe respektin ndaj saj, por edhe duke e quajtur: Bilbili i Këngëve të tij.
Për formimin e saj si këngëtare një punë të madhe nëpër vite ka bërë edhe drejtuesi i orkestrës së Estradës së Beratit, kompozitori, Artisti i Merituar Sotiraq Konçi, i cili nuk do gabonte në zgjedhjen e tij për të punuar vite e vite me radhë me Floreshen.
Gjithashtu një punë te palodhur kanë bërë edhe drejtuesi i Grupit Karakteristik i Kënges Beratase, i paharuari, i ndjeri Asqeri Kadëna dhe Teki Luari.
Në vitet e vështira te tranzicionit Floresha është e vetmja artiste që nuk u largua nga vendi i saj, Shqipëria.
“Kam lindur e jam lindur ne Berat, i kam kënduar popullit dhe qytetit tim dhe Beratin nuk mund ta gjej kurrë ngado që të shkoj…” do t’i përgjigjej këngëtarja atyre që do ti ofronin një “shtegëtim” jashtë Shqipërisë.
Këngët e saja të kënduara ndër vite janë e vetmja pasuri e saja që Floresha ka ditur të prodhojë e ta shpërndajë atë pasuri në popull.
Edhe pse është vlerësuar me çertifikata të ndryshme mirënjohjeje, Floresha Debinja nuk mban titull zyrtar nga ndonjë institucion kulturor shtetëror.
Vlerësimi i madh që spektatori, bashkqytetarët e saj i kanë dhënë e i jep, janë respekti dhe dashurinë, mirenjohja për gjithshka ajo ka bërë gjatë karierës së saj si këngëtare, është më shumë së Artiste e Merituar, pse jo dhe Qytetare Nderi e Qytetit te Beratit.
Këngët e bukura që ajo ka kënduar dhe vazhdon të këndojë me aq ndjenjë, zjarr e mjeshtëri e kanë bërë këngëtaren Floresha Debinja të quhet: Mbretëresha e Këngës Qytetare Beratase

Pandeli Simsia