Isa Mustafa, kreu i ri i Kuvendit të Kosovës

580
Sigal

Kryeparlamentari i Shqipërisë, Ilir Meta dhe Kreu i PD-së, Lulzim Basha, dërgojnë urimet e para

Kryetari i Lidhjes Demorkratike të Kosovës, Isa Mustafa, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, në seancën konstituitive të thirrur nga Presidentja Atifete Jahjaga. Mustafa mori 65 vota pro nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe pakicat, ndërkohë që nga 18 vota abstenim ishin 16 të lëvizjes Vetëvendosje dhe dy të Nenad Rashiç e Emilia Rexhepi po nga pakicat. Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, e cila doli fituese në zgjedhjet e 8 qershorit por pa shumicë absolute, ka paralajëmruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, pasi e konsideron të paligjshëm këtë votim. Në fjalën e tij para deputetëve, Mustafa premtoi se do të jetë një kryetar mbi palët dhe se interesat e qytetarëve të Kosovës do të jenë në plan të parë. “Faleminderit për besimin. Do punoj në interes të të gjitha grupeve parlamentare, sepse një sjellje e tillë është në interes të qytetarëve. Do të punohet për integrimin e komuniteteve pakicë dhe do siguroj që në seancën e ardhshme të votohet për nënkryetarët, që të plotësohen kushtet që rregullorja e Kuvendit parashikon. Do punojmë për dialogun me vendin fqinj dhe për implementimin e marrëveshjes”, deklaroi Mustafa. Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosja u votua për nënkryetar të Kuvendit me 82 vota. LDK, AAK dhe Nisma kanë thënë se propozimin do ta bëjnë në seancën e ardhshme, sikurse edhe Lista Srpska, ndërsa grupi parlamentar 6 Plus ka propozuar Duda Baljen dhe dy kandidatë të tjerë me rotacion.

URIMET NGA TIRANA

Zgjedhja e Isa Mustafës si kryeparlamentar solli edhe urimet e para në adresë të tij nga politika shqiptare. Kështu përmes një bisede telefonike, homologu i tij shqiptar Ilir Meta i shprehu urimet për postin e ri liderit të LDK-së, ndërsa ka shtuar do thellohet edhe më tej bashkëpunimi mes dy vendeve.  “Do të thellojmë më tej bashkëpunimin e të dy Kuvendeve tona”, – citohet të ketë thënë Meta, sipas faqes zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Një urim tjetër ka ardhur edhe nga lideri i opozitës Lulzim Basha, I cili përmes një postimi në rrjetin social “Facebook, duke shprehur besimin se me zgjedhjen e Mustafës si kryeparlamentar të Kosovës do tu jepet zgjidhje çështjeve kryesore të Kosovës si dhe një dimension i ri i politikës së Kosovës. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur urimet e tij për zgjedhjen e Isa Mustafës në krye të Parlamentit të Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Basha shpreh bindjen se kjo zgjedhje do të ndihmojë Kosovën në realizimin e objektivave të saj qeverisëse. Sipas Bashës, Mustafa do t’i japë një ridimensionim parlamentarizmit në Kosovë duke vijuar në rrugën e progresit dhe zhvillimit. “Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike dua ti shpreh urimet më të përzemërta kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, zotit Isa Mustafa. Shpreh bindjen se ligjvënësit kosovare nën drejtimin e zotit Isa Mustafa do te arrijnë të orientojnë drejt rrugët e zgjidhjes së çështjeve që u shërbejnë interesave të të gjithë qytetarëve të Kosovës për zhvillim ekonomik, punësim dhe mirëqenie për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin europian dhe euroatlantik. Duke i uruar suksese Kryetarit të ri të Kuvendit, jam i sigurt se me urtësinë dhe përvojën e tij zoti Isa Mustafa do të arrijë ti japë një dimension të ri parlamentarizmit në Kosovë duke vijuar në rrugën e progresit dhe zhvillimit.” shkruan Basha.

  Protesta e Flora Brovinës

 Para kryerjes së votimit për Kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, si deputetja më e vjetër e Kuvendit, deklaroi se kryesia nuk kishte kompetenca për të zgjedhur kryetarin. Më pas, opozita mblodhi 40 firma për shkarkimin e saj, me pretendimin se po bllokonte punën e Kuvendit dhe në vend të saj u caktuar deputetja nga pakicat serbe, Milka Vuliç, nën drejtimin e të cilës u votua dhe zgjedhja e Mustafës kryetar.

Meta

“Do të thellojmë më tej bashkëpunimin e të dy Kuvendeve tona”

Basha

“Mustafa do ‘i japë një dimension të ri parlamentarizmit në Kosovë”

Reagimi i ndërkombëtarëve

 Ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosh, komentoi zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se, Mustafa u zjodh kryetar në mënyrë kontradiktore. Ambasadori holandez në Kosovë Robert Bosh ka komentuar seancën dhe zgjedhjen e Mustafës. “Mustafa u zgjodh Kryetar i Parlamentit me 65 vota prej 120, në një kontradiktë të madhe. Ky sipas të gjitha gjasave nuk është fundi” citohet ambasadori Bosh nga mediat e Kosovës.  Ai komentoi edhe për flamujt shqiptar të Vetëvendosjes. “Vështirë të shihet por Vetëvendosja i kishte flamujt shqiptarë në tavolinat e saj në seancën inauguruese të Kuvendit” ka shkruar ai.

  Limaj: “Çdo gjë sipas Kushtetutës”

 Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, duke komentuar zgjedhjen e Isa Mustafës në krye të Parlamentit tha se në seancën e sotme ka mbretëruar pjekuria politike dhe se janë në rrugë të mirë në përmbylljen e konstituimit të të gjitha organeve shtetërore të vendit. “Çdo gjë ka shkuar sipas rregullores, sipas kushtetutës së vendit. Pres që të gjithë të relaksohemi, të fillojmë të punojmë me këtë përbërje të re të parlamentit. Na presin detyra dhe përgjegjësi të mëdha në shërbim të qytetarëve të vendit. Do të doja të vazhdonin atë praktikën e pjekurisë politike. Natyrisht që ka momente te pakënaqësisë të paqartësisë, që njerëzit i shfaqin, por tash është koha që secili të relaksohemi dhe të vazhdojmë t’i ushtrojmë detyrat dhe përgjegjësitë që i kemi, që na i ka dhënë kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, tha Limaj pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit.