Drita Lazri/ Si e kam njohur Drago Siliqin, një bisedë që nuk pati fund

162

Njohja

Drago Siliqin dhe Drita Shundin i kam njohur prej së lashti, secilin më vete. Për Dragon nuk di të them ku e si. Ishin kohët e para pas luftës dhe ai ishte i kudogjendshëm, vazhdimisht në lëvizje dhe gjithmonë me njerëz. Nuk ishte zor të zije miqësi me  Dragon.

Kam të ngulitur pamjen e tij diellore: i gjatë, i pashëm, kaçurrel, buzagaz, fliste me zë të lartë, qeshte shumë, duke ngritur kokën paksa lart e i  binin kështu në sy dhëmbët e bardhë. Rrezatonte ngrohtësi e besim. Më tepër e shihje në shoqëri me debatikasit, aq shumë të adhuruar nga fëmijët për bëmat e tyre të luftës. Këta, për një rastësi  të bukur kishin qëlluar edhe djem të penës dhe, përveç se botonin krijimet e tyre, u bënë punonjës të shtypit të rinisë e të pionierëve. Aty, në Shtëpinë e Rinisë, (sot Ministria e Arsimit), ishin mbledhur edhe redaksitë,edhe zyrat e tjera të organizatave. Dyert hapur, njerëzit hynin e dilnin. E mbaj mend Dragon në tryezën e punës me plot njerëz në këmbë: aty  shkruan për vete, aty sqaron ndonjë rishtar. Kjo do shkurtuar – vizë me laps, – kjo këtu s’bën fare – kryq – , ou, diku entuziazmohej dhe lexonte zëshëm një pjesë  që i pëlqente – sa bukur! Paske prirje ti shejtan, na sill shkrime prapë. Këtë ka bërë Dragoja gjithë jetën – poezitë e kolegëve i ka lexuar me shije, sikur të ishin të tijat dhe po kështu, qysh në fillimet e veta e gjer në fund i ka mbështetur talentet e reja.

Krijimet e hershme

Krijimet e hershme të Dragos e të shokëve të tij në shumicën e tyre ishin poezi militante e bombastike. Ne, në atë kohë, nxënës të Unikes, i pëlqenim dhe i recitonim nëpër aktivitetet e shkollës po ashtu me pat’hos të madh,                                         në një valë me humoret e kohës.

Drago Siliqi  me shokët do të vizitonin edhe shkollat – për veprimtaritë letraro – artistike apo në nxitje të talenteve të reja. Jo rrallë ata do të vinin edhe në Shkollën tonë Pedagogjike.

Një ditë të bukur Dragoja  më ndalon në rrugë e më thotë se pëlqen shumë një shoqen time të klasës – Drita  Shundin.

Si i kish vajtur syri! Drita ishte një nga vajzat më të bukura e më të virtytshme të shkollës, por që nuk binte shumë në sy, sikur i vinte zor nga bukuria e saj. Vishej me shije por qe e përkorë e nuk donte të tërhiqte vëmendjen. Dëgjonte shumë e fliste pak. Nuk e mbaj mend të jetë zënë apo të ketë ngritur ndonjëherë zërin. As në orën e matematikës, ku ajo shkëlqente mbi të gjitha, nuk fliste, po pëshpëriste, sikur donte të mos e nxirrte në pah inteligjencën e saj. Shoqet i donte, sillej me respekt por një farë  distance e ruante. Komplimentet i kishte me kursim, kritika nuk bënte kurrë. Kishte një pjekuri jo sipas moshës. Ishte dhe e lëçitur, lexonte libra edhe në italisht,”Ana Kareninën”, p. sh. –  gjë e rrallë për brezin tonë, por nuk i komentonte, nuk donte të mburrej. Në aktivitet e rinisë vinte rregullisht, pa ndonjë entuziazëm. Shkurt – ishte rritur e selitur në familje qytetare për së mbari, të kamur e të kulturuar.

 -Nuk puqeni gjëkundi, o Drago, jeni fare të ndryshëm! ia preva me mendjen time të atëhershme. -Thuaja, thuaja, pa atë e di unë, ma ktheu duke qeshur. Dritës ia thashë, por pasi mbaruam provimet e maturës. I fola për Dragon, nuk bëri pyetje, nuk lëvizi asnjë muskul të fytyrës.

Kjo qe e gjitha. Atë vit unë vajta në Moskë për studime, kurse dashuria e Dragos e kishte gjetur rrugën e vet pa ndërmjetës. Pas një viti,  më 1952 vjen Dragoja në Moskë në institutin “Gorki” e takohemi. Ishte në qiellin e shtatë.  Mbi komodinë kish nja 4-5 fotografi të shoqes sime në korniza, plot te tjera në album, një vandak me letra, provë që ata letërkëmbeheshin çdo ditë. Unë e pyesja për Institutin, ai nuk reshte së foluri për Dritën.

Për Institutin, i cili kishte emër të madh, më ka rrëfyer në takimet e mëpasme dhe gjerë e gjatë. Më ka folur me entuziazëm për nivelin e lartë të leksioneve, për seminaret e krijimtarisë artistike, që i drejtonin shkrimtarët më të shquar të vendit. Më thoshte se ishte fort i kënaqur nga lëndët, ndër të cilat edhe kursi i psikologjisë krijuese. Gjinitë letrare jepeshin secila kurs më vete.

 Toni i kritikës

Dragos i bënte përshtypje që toni i kritikës nëpër seminare  ishte më i fortë nga mënyra si diskutoheshin veprat në Shqipëri. Sidomos, thoshte, studentët frontovikë kishin më tepër  kurajë  gjatë debateve,  s’u bëhej vonë se si mund t’i interpretonin fjalët e tyre, dhe ishte akoma viti ‘52-‘53,  në kohën kur akoma stalinizmi  ishte në formën e tij më të egër. Këta studentë, të regjur në  front, nuk e gëlltitnin dot mospërputhjen midis propagandës dhe realitetit, aq më tepër në veprat e letërsisë që diskutoheshin me imtësi në seminare.

Jevgeni Jevtushenko

Ndër emrat e shokëve të kursit, që më ka përmendur, mbaj mend, Jevgeni Jevtushenkon, anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve qysh në vitin e parë. Mbaj mend pastaj, në Tiranë, fill pasi ishte kthyer nga Moska, duke më folur për shokun e tij, më ka cituar rusisht poezinë e Jevtushenkos, tanimë  proverbiale, e cila thotë, se edhe miku i Galileut, e dinte që toka rrotullohej, po ai kishte familje.

Më pas, sa herë e kam menduar, ishte fat i madh që Dragoja studioi në atë institut me prestigj, fat për zhvillimin e tij , por fat edhe më shumë për kulturën tonë.

Këtë e mendoj, ngaqë Dragoja  i përjetoi në vend dhe gjallërisht të gjitha fazat e transformimit marramendës të shoqërisë ruse: edhe fazën e fundit të stalinizmit, edhe periudhën e çmontimit të kultit të Stalinit, edhe sidomos,  periudhën e shkrirjes së akujve që e pasoi. Them gjallërisht, se instituti”Gorki” në atë kohë u bë një vatër  e mendimit  emancipues.  Më 1956 doli romani i M. Dudincevit “Jo vetëm me bukë.” Për opinionin shoqëror ishte sensacion . Por debate të ndezura rreth romanit u bënë në sallën e Institutit. Nëse orientimi ‘nga lart’ ishte për ta demaskuar autorin zyrtarisht, Jevtushenkoja, miku i Dragos, i del në mbrojtje hapur shkrimtarit dhe kësisoj e përjashtojnë nga Instituti. Të njëjtën gjë pësoi edhe poetja e re, Bela  Ahmadulina, e cila i doli në mbrojtje publike Boris Pasternakut, për romanin “Doktor Zhivago”, madje ajo, për sfidë, i shkoi dhe në shtëpi. Mirëpo, këmbëngulja e opinionit bëri që të rikthehen këta dy poetë në auditor.

Dragoja ishte dëshmitar i këtyre episodeve dhe i ngjarjeve të tjera mbresëlënëse.

 Lëvizja e paparë artistike

 Them kështu, se shpejti do të niste ajo lëvizje e paparë artistike e kulturore me përmasa shoqërore, ku të rinj të talentuar, shumë edhe nga  Instituti, –  poetë, kantautorë, piktorë, aktorë performuan nëpër sheshet e kryeqytetit rus, duke shpalosur  me një gjuhë ndryshe, pa retorikë propagandistike, probleme  të mprehta sociale të ditës, duke vënë në fokus të artit njeriun me halle e jo heroin e sajuar. Ajo lëvizje zgjoi nga letargjia vetëdijen shoqërore të inteligjencës  sovjetike.                                                                                                                                                                                      Sot që jemi këtu bashkë me Dragon e që  dimë më shumë për atë kohë, do të doja ta pyesja Dragon: Çfarë mbresash, o Drago, të ka lënë ajo lëvizje, cilët poetë, çfarë vargjesh, çfarë këngësh, të kanë rrëmbyer në  ato ditë? poezitë me tingëllimë sociale? politike? këngët për burgaxhinjtë të V.Visockit? Apo poezia për gjykatësin – Tmerr është kur armikun e bën mik/ tmerr e më tmerr kur mikun bën armik  (J. Jevtushenko )

Apo shkrimtarët e brezit më të vjetër, si I.Ehrenburgu,  A.Tvardovski, B.Slucki e të tjerë, që nisën

katharsisin poetik? Mbase O.Bergolc kur thoshte: ne në hetim dhëmbët shtrënguam/ mohuam veten dhe gënjyem/?

Këto pyetje tani nuk mund të kenë përgjigje, ashtu sikurse kanë mbetur të pabëra shumë biseda të sinqerta me miqtë e tu, siç të mbetën përgjysmë punët dhe planet e tua…

Por ama, mund të themi me siguri se Drago Siliqi atë kohë e përjetoi emocionalisht si poet, racionalisht si kritik dhe natyrisht nxori mësimet e duhura si intelektual shqiptar i vetëdijshëm.

 Në ato vite në B.S. u rehabilituan jo pak poetë e shkrimtarë të dënuar nga gjyqet staliniste /Mandelshtami, etj./.Shumë të tjerë nga ata të lënë në hije iu rikthyen lexuesit./Esenini, Ahmatova, etj../Interesimi opinionit shoqëror ndaj kulturës bashkëkohore europiane bëri që organet shtetërore të lëshojnë pe ndaj botimeve të  letërsisë perëndimore. Këto të gjitha përkojnë me frymëzimin, me të cilin Dragoja iu vu punës të Shtëpisë Botuese që drejtoi  dhe me arritjet e mëdha që akoma i kujtojmë. Në rrugën e jetës së vet të shkurtër D.S. u rrit shumë, si poet, si studiues, si kritik, si botues. U rrit, po tiparet e karakterit nuk i ndryshuan. Mbeti modest, i pastër, i drejtë, i çiltër, i  ndershëm dhe human, me po ato veti që ia kemi njohur qysh në rininë e tij të hershme.

 Dashuria e madhe e Dragos

Po as Drita Siliqi, dashuria e madhe e Dragos, që u nda nga ne vetëm dy muaj më parë e që, në të kundërt, mbijetoi edhe pesëdhjetë vite, as ajo nuk ndryshoi asgjë nga tiparet e saj të rinisë, nuk kish ç’të korrigjonte – as modestinë, as klasin e saj, as mprehtësinë, as fisnikërinë dhe, doemos, as dashurinë e saj të vetme. Edhe ajo u rrit e eci në një hap me kohën, se e  mbajti Dragon këshilltar në të gjitha dallgët e jetës, edhe kur rriti të bijat,nipërit e mbesat edhe kur përgatiste leksionet për letërsinë shqipe, edhe kur drejtonte “Shqiptaren e re”, edhe kur me përkushtimin më të madh  mblidhte, botonte e ribotonte shkrimet e tij edhe kur shkruante e përkthente vepra mbi pozitën e gruas në Shqipëri e gjetiu, edhe kur priste miqtë e tij, me të cilët nuk i këputi kurrë lidhjet.  Nuk i këputi as  me shoqet e saj, edhe kur jeta e hodhi përtej oqeanit.

Drita Siliqi, gjatë gjithë jetës së saj të gjatë e dinjitoze i ka pëshpëritur Dragos në vesh, që të mos ia dëgjojë kush fjalët, që ai ia ka thënë zëshëm e faqe botës në një poezi: “Dashuria nuk vdes as plaket!”