Partizani, i “uritur” për fitore

469
Sigal

Të kuqtë do të luajë sot kundër durrsakëve në “Qemal Stafa”. Teuta, “prova” e fundit e Likës?!

Kategoria Superiore do të luajë sot 90 minutat e fundit të fazës së parë, ku kryendeshja është Partizani-Teuta, ndërkohë që lideri i kampionatit, Skënderbeu do të udhëtojë në Ballsh për t’u ndeshur me Bylisin në “Adush Muça”. Partizani ka nevojë jetike për fitore me Teutën (aktualisht në vendin e dytë), për të mos pësuar zhgënjimin e radhës, në kampionat, pas tri humbjeve rresht me Lushnjën, Vllazninë dhe Skënderbeun. Konfirmimi në bankinë i trajnerit Hasan Lika dhe kualifikimi i pritshëm me Adën e Velipojës në Kupën e Shqipërisë, për në raundin e dytë e ka rritur entuziazmin në kampin e kuq. Trajneri Hasan Lika, i cili mm parë e ka drejtuar disa herë Teutën, e vlerëson shumë ndeshjen kundër durraskëve. “Është një ndeshje shumë e vështirë, si të gjitha të tjerat. Në kampionat nuk ka asnjëherë takime të lehta. Gjatë të gjithë këtyre ditëve po përgatitemi maksimalisht për këtë ndeshje. Futbollistët do japin gjithçka në fushë, ashtu siç kanë bërë edhe në ndeshjet e mëparshme apo te përballja e fundit e kupës ndaj Adës. Besojmë se do arrijmë një rezultat pozitiv ndaj Teutës për ta kaluar këtë moment të vështirë në kampionat.

Keni drejtuar për disa vite skuadrën durrsake. Unë e njoh Teutën dhe vlerat e çdo futbollisti. Por, mos harroni diçka se ekipet ndryshojnë dhe pjesë e saj janë edhe lojtarë të tjerë. Nga ana tjetër, nuk mendoj se është e vështirë për një trajner që të njohë lojtarët dhe karakteristikat e tyre në skuadrën kundërshtare”, – tha Lika gjatë një konference për shtyp. Në fakt, në tri ndeshjet e fundit, Partizani jo vetëm që nuk ka marrë asnjë pikë, por edhe nuk ka shënuar asnjë gol, kështu që është momentin që ndaj Teutës jo vetëm duhet të shënojë, por dhe të sigurojë fitoren e parë dhe të pestë për këtë fazë (bilani aktual: 10 ndeshje; 4 fitore, 2 barazime, 4 humbje, golaverazhi 7-9). Goli i fundit i Partizanit e mban firmën e Ertan Demirit, shqiptarit nga Maqedonia, i cili realizoi golin e tij në derbin me Tiranën (katër ndeshje më parë), çka e ngjiti bindshëm Partizanin në vendin e tretë. Por, pas tri humbjeve radhazi të kuqtë zbritën tre pozicione dhe tani janë në vend të gjashtë (14 pikë), duke qenë 8 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Skënderbeu dhe vetëm 3 pikë larg vendit të nëntë që të zbret një kategori më poshtë. Por, duke ditur që skuadrat janë të ngjeshura në klasifikim, çdo rezultat pozitiv të ngjit në renditje dhe anasjelltas, një humbje të zbret disa shkallë. Partizani e ndjen shumë mungesën e një futbollisti fanatazist, që do të lidhte dy repartet, mesfushë-sulm. Deri para disa javësh, ndërtimi i aksioneve te Partizani bëhej nga krahët dhe peshën kryesore e mbante Mentor Mazrekaj, por ky i fundit nuk po kalon një moment të mirë, madje është kritikuar ashpër nga drejtuesit të klubit, për rënien të rendimentit në lojë. Teuta, javën e kaluar pësoi humbjen e parë në dhjetë javë, ajo me Kastriotin (2-1), duke humbur kështu edhe vendin e parë dhe tani ndodhet në një moment jo të mirë psikologjik pas zhgënjimit në “Niko Dovana” me krutanët. Synon fitoren e dytë radhazi në kampionat formacioni i Kastriotit të Ramadan Ndreut, që pret në Krujë Laçin. Kampionët në fuqi të Superligës, Skënderbeu, udhëtojnë drejt Ballshit me moralin e kryesuesve, por përballë Bylisit, që ka treguar nivel të lartë loje, sidomos në sfidën e fundit me Vllazninë, do të jetë shumë e vështirë.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XI

Sot, 14:00

Partizani-Teuta

Kastrioti-Laçi

Bylisi-Skënderbeu

Të dielën, 14:00

Kukësi-Tirana

Flamurtari-Lushnja

Besa-Vllaznia

RENDITJA

V.Ekipi         N         P

1 Skënderbeu    10        22

2 Teuta         10        19

3 Vllaznia      10        17

4 Lushnja       10        15

5 Laçi          10        14

6 Partizani     10        14

7 Kastrioti     10        12

8 Bylis         10        11

9 Flamurtari    10        11

10 Kukësi       10        10

11 Tirana       10        10

12 Besa         10        8

– Flamurtarit i janë zbritur 3 pikë nga Komisioni i Disiplinës

 Sot shpallet zyrtarisht “kampioni i dimrit” i Kategorisë Superiore. Skënderbeu në “pole”

 90 minutat e fundit të fazës së parë

  Kategoria Superiore luan të dielën edhe minutat përmbyllës të javës së parë, ku vëmendja shkon kryesisht për Kukës- Tirana, me vendasit që synojnë të hedhin përfundimisht pas krahëve krizën, por duke fundosur 24-herë kampionët Shqipërisë. Përfundimi i pezullimit të stadiumit “Zeqir Ymeri” u jep mundësinë tifozëve verilindorë ta përkrahin nga afër skuadrën e Kukësit, që në këtë javë të fundit të fazës së parë do të përballet me Tiranën e halleve të mëdha. Suksesi i arritur fundjavën e kaluar në transfertën e Laçit (2-1), falë golave të Sokol Cikalleshi barazoi me kokë në minutën e 79-të dhe një penalltie të gjuajtur saktësisht nga Igli Allmuça në minutën e 94-t të ndeshjes, ka sjellë tjetër atmosferë te nënkampionët e Shqipërisë, megjithatë trajneri Naxhi Shensoj (i cili ndaj kurbinasve regjistroi fitoren e parë në stolin e nënkampionëve të Shqipërisë) këmbëngul se duhet krijuar një vazhdimësi rezultatesh për të thënë se problemet janë hedhur pas krahëve. Në Vlorë, Flamurtari që vjen pas fitores 2-0 me Tiranën me golat e Hair Zeqirit, synon të shfrytëzojë maksimalisht faktorin fushë përballë Lushnjës simpatike. Flamurtari i ka të gjitha shanset të marrë tri pikët e radhës dhe të ngjitet në kuotën e 14 pikëve, pra në mesin e tabelës. Nuk duhet të harrojmë se, Flamurtarit i janë hequr tri pikë nga klasifikimi, pas incidenteve të tifozëve me presidentin e Skënderbeut, Artan Takja, ndërkohë që vlonjatët me një ekip “baby” kanë mundur Skënderbeun dhe Vllazninë, të cilët renditen përkatësisht në vendin e parë dhe të tretë. Lushnja mbërrin në Vlorë pas fitores 1-0 me Besën dhe me një pozitë të mirë në renditje (vendi i pestë). Java e fundit ofron edhe përballjen në Kavajë mes Besës vendase dhe Vllaznisë. ku vendasve nuk u lejohet asnjë hap i gabuar në shtëpinë e tyre për vetë pozicionin e vështirë që kanë në tabelën e renditjes. Një javë më parë, në “Loro Borici”, Vllania nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Bylisin, por me ballshiotët që shënuan të parët (Kuli, barazoi Bushiç për shkodranët). Vllaznia është e treta, me dy pikë më pak se Teuta dhe pesë pikë larg korçarëve. Sulmuesi i Vllaznisë, kroati Tomislav Bushiç, me golin e shënuar ndaj Bylisit u ngjit në kuotën e shtatë golave, po aq sa Daniel Xhafaj i Teutës, dhe tashmë e bashkëkryesojnë që të dy renditjen e golashënuesve. Vllaznia do të jëtë trajnerin Agim Canaj në bankinë, pas pezullimit të tij me dy ndeshje nga Komsioni i Disiplinës.

 Radash bie në pesetë dhe dëmtohet

 Çuditë nuk kanë të mbaruar në futbollin shqiptar. Përveç skenave të dhunshme por edhe komike që shohim pothuajse çdo javë në stadiumet tona së fundmi vjen edhe një lajm nga Korça që rrallë herë rastisim ta dëgjojmë. Mbrojtësi kroat i Skënderbeut Marko Radash do të mungojë në sfidën e kësaj jave kundër Bylisit.

Shkak nuk është dëmtimi apo gjendja fizike por një ndodhi shumë komike që ka ndodhur në qytetin juglindor. Sipas faqes zyrtare të klubit në “Facebook”: njoftohet se futbollisti ka rënë në një pusetë të hapur dhe për pasojë është detyruar të marrë 8 të qepura në gju. “E çuditshme! Marko Radash bie në pusetë, qep gjurin me 8 penj dhe 100% do mungoje nesër (sot). Forca Markooo!”, shkruhet në faqen e klubit korçar në “Facebook”.