Berati, qyteti i njëmijë mrekullive

4268
Turistët kur vijnë në Berat kanë njohuri paraprake për kalanë dhe qytetin në tërësi, por Berati ka gjithmonë histori dhe pika që befasojnë
Është mesi i verës dhe Tomori hijerëndë është akoma i zbardhur. Nga larg është orientuesi kryesor për në Berat. “Berati është ndër të vetmet qytete që unë kam parë në jetën time, me “far natyral” shprehej udhëtari anglez Hobhauz. Thonë se projekti i arkitektëve italianë në vitet 30-të, ka qenë për një Berat që do të shtrihej deri në qytezën e sotme, Ura Vajgurore madje edhe deri edhe në Kuçovë, për të krijuar një nga qendrat më të mëdha të Shqipërisë dhe Ballkanit. Edhe sot për nga vendosja që kjo qytezë ka, duket se shërben si një portë prezantuese për Beratin, në fakt një portë e keqe, e ndotur, pa infrastrukturë dhe që sa herë lumi Osum “zemërohet”, dufin fillimisht e nxjerr në këtë qytezë. Por edhe kjo qytezë e vogël e ka një histori të vetën që e bën atë ekzotike. Në fillim ajo është krijuar si një vendbanim i komunitetit vlleh, të cilët për nga kushtet e favorshme natyrore vendosën që të krijojnë aty një vendbanim të tyrin të përhershëm.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht ‘Qytet muze’. Ai është qytet muze me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona: zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.

Sot Berati trashëgon 210 objekte muzealë, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Për beratasin qytetar, mësuar me rrugicat e pastra të lagjeve, asgjë nuk justifikon pamjen plot mbeturina rrëzë kështjellës, në disa rrugica, nën pishat diku më poshtë. Sikurse as lagjet e reja, mbirë si “kërpudhat pas shiut” mbi varrezat e Dëshmorëve, mbi agjencinë e vjetër, tek-tuk edhe nëpër lagje, ku dikush në paligjshmëri kanë ndërtuar sipas kokës së vet. Janë dëshmi që tregojnë papërgjegjshmërinë e pushteteve vendore, që as mbrojtën tokën e pakët në qytet, as detyruan arkitektët urbanë që të lidhnin harmonishëm bukurinë madhështore ofruar nga lagjet e vjetra shekullore.

Pozicioni gjeografik si “xhep” i Beratit, mosveprimi i pushteteve lokale në këto 23 vjet, i ka tejlodhur beratasit autoktonë, që kanë nisur vitet e fundit të mendojnë mbijetesën përmes turizmit. Deri tani gati 30 banesa të vjetra qindra-vjeçare në Kala, Mangalem dhe Goricë, pronarët i kanë kthyer në hotele familjare, ku tradita gërsheton bukur gurin dhe drurin. Këtu turisti nuk befasohet thjesht nga dhomat me baxha, apo mbështetur në shkëmb, siç janë në Mangalem disa shtëpi-hotel si “Kodikët”, “Guva”, “Vruho”, “Osumi”, “Hotel Aleksandër”, qerasjet me gliko e lëng trëndafili, tradita të vjetra qytetare, por kur sidomos përballet me histori familjesh të hershme gati mistike…

Një qytet si Berati i ndarë në mes nga një lum sigurisht që pjesë tejet të rëndësishme të tij ka urat që e lidhin atë, dhe më e bukura në Berat është ura e Goricës.

Ura e Goricës është ndërtuar fillimisht në vitin 1780 sipas dokumenteve osmane, por që më pas do të rindërtohej dhe do të shndërrohej në një urë të gurtë (pak a shumë në formën e sotme), nga pashai i sanxhakut të Beratit Ahmet Kurt Pasha. Pavarësisht se themelet e kësaj ure, datojnë në këtë shekull mendohet se ura që lidhte dy anët e Osumit ka ekzistuar edhe më herët, që kur ka lindur dhe nevoja për komunikim mes dy lagjeve Goricës dhe Mangalemit. Si çdo gjë tjetër në Berat, edhe ura mistike mbi Osum, të bën ta sodisësh për minuta dhe orë të tëra duke dashur ta zbulosh të gjithën. Një legjendë thotë se në një nga këmbët e urës së Goricës ka qenë një zgavër në të cilën sipas mitit burgosej dhe flijohej një vajzë për të mundësuar që ura të qëndronte e fortë dhe t’i rezistonte furisë së Osumit të “zemëruar” gjatë dimrit. Legjenda thotë se, zgavra ka ekzistuar deri afër fare në vitin 1923, kur dhe i është bërë një rikonstruksion urës. Ndërkohë për sa i përket ndërtimit dhe strukturës së saj, vlen të përmendet se kjo urë në fillim ka pasur 9 harqe ndërsa sot, pas disa rindërtimesh dhe rikonstruksionesh ka mbetur vetëm me 7 të tilla.

Mund të flasësh gjithë ditën për urat e Beratit apo shumëçka, të ndërtuar në rrjedhën e kohës në këtë qytet, por që të evitosh lajtmotivin e të gjitha këtyre ndërtimeve, do të ishte pa kuptim. Ky motiv pa dyshim që është Kalaja e Beratit, (ajo që shohim sot) është një kala mesjetare e ndërtuar në themelet e një kalaje dhe vendbanimi antik, ku kanë pasur qendrën e tyre fisi Ilir i Dasedaretëve. Kalaja e Beratit vazhdon të banohet që prej më shumë se 2400 vjetësh, duke e bërë atë një nga vendbanimet e rralla ku jeta nuk është ndërprerë për më shumë se 2400 vjet. Në antikitet kalaja ishte një vendbanim proto-urban dhe tejet strategjik, për shkak se ndodhet në një kodër gati 200 metra mbi nivelin e detit dhe pozicion dominues mbi të gjithë fushën e Myzeqesë, me fushëpamje deri në detin Adriatik.

Kalaja si ndër të paktat, në llojin e saj ka pasur 24 kulla vrojtimi. Këto të fundit më së shumti janë ndërtuar në periudhën e zotërimit të kalasë nga perandoria Osmane. Muri mbrojtës rrethon kodrën, e cila dominon qytetin modern të Beratit dhe ka formën e një shigjete drejtuar nga veriu, në fakt, më parë formonte një zinxhir me kodrën përballë Goricës. Kjo vendosje e kalasë besohet se është për shkak të kushteve atmosferike dhe të përballimit të tyre me sa më shumë sukses. Në tërësi kalaja i ka rezistuar planimetrisë dhe strukturës së saj fillestare, me ndryshime të vogla. Disa nga ndryshimet që mund të vërehen më lehtë janë muret në pjesën jugore ku dallohet lehtë, se për nga gdhendja gurët i përkasin epokës antike por se janë përdorur për ndërtesa të periudhës mesjetare, kjo tregon edhe njëherë për vazhdimësinë e pandërprerë të jetës në këtë kala.

Turistët kur vijnë në Berat kanë njohuri paraprake për kalanë, dhe qytetin në tërësi, por Berati ka gjithmonë histori dhe pika që befason çfarëdolloj turisti nga akademiku e deri tek turistët e thjeshtë që zgjedhin ta vizitojnë atë. Njëra nga historitë më të bukura është legjenda e betejës mes Tomorit e Shpiragut për kalanë, që shpjegonte formën e malit, për ata që e mësojnë në Berat këtë legjendë, e vendosin në rangun e tregimeve epike Helene. Nëse do të bëjmë një krahasim të objekteve më të vizituara në këtë qytet, sigurisht që asnjë pikë tjetër nuk mund të rivalizojë kalanë legjendare. Por ka edhe pika të tjera që nuk ngelen pas, dhe një nga ato është dhe muzeu mesjetar “Onufri”.

Të vjen të vësh duart në kokë kur sheh që muzeu i artistit të madh mesjetar Onufri është mbuluar nga pluhuri. Është shumë e vështirë që të gjesh aty të kuqen magjikë të Onufrit, pasi më lehtë mund të gjesh drynin e derës i cili siguron që ajo të jetë e mbyllur mirë. Në kishën ku është i vendosur ky muze mendohet se për një kohë të gjatë, përgjatë luftës së dytë botërore është mbajtur fshehur një nga pasuritë më të mëdha që ka Shqipëria siç janë Kodikët e Beratit. Këta kodikë të shkruar me germa të arta në mesjetë, u mbrojtën me fanatizëm nga beratasit gjatë gjithë kohës duke i mbajtur ato si njëra ndër gjërat më të çmuara që ky qytet ka.

Kërkesa në rritje për të blerë banesa në lagjet karakteristike nga arkitektë, inxhinierë, piktorë e së fundi, politikanë, ka nxitur shpirtin mbrojtës beratas të atyre që nuk e braktisin më qytetin, por dhe të tjerë që mendojnë aty rikthimin. Ndihen të lodhur beratasit për çdo ngadalësi tashmë dhe po bëhen përherë e më shumë kritikë. Ndryshe nga ai anashkalimi proverbial beratas ndaj atij që nuk e do, sot indiferenca po ja lë vendin revoltës që po thuhet me zë, duke firmosur një ndryshim shekullor të të sjellit qytetar. Beratasit janë kritikë dhe që u deshën 9 vjet që u hartua plani rregullues dhe menaxhues i territorit urban, nga 2004-2013, që përfshin statusin e Beratit si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore UNESCO, menaxhimin e Qendrës Historike, zgjeron vijën administrative të qytetit, përfshin Unazën, stabilizon qarkullimin e automjeteve, rehabilitimin e shtratin të lumit Osum, zgjerimin e hapësirave të gjelbra, ndërtimin e disa lulishteve, prishjen e gjithë ndërtimeve pa leje, etj. Berati i vjetër, kishat, xhamitë, bashkëjetesa e mrekullueshme fetare që të huajt e kanë kërshëri për të kuptuar pse-në, lagjet, prodhimet artizanale aq të mira, glikotë, qëndisjet, punimet në dru nëse do ringrihen. 
Sigal