“Kampionët e Vlorës 1930 – 1990”

1903
Nga Ergys Alushi vjen në një libër të vetëm 60 vjet histori sportive 

Aty flitet për një kompozitor-futbollist, për një tifoz vlonjat të vdekur në stadium gjatë një ndeshjeje, për një mësues fizike-trajner që bëri epokë në basketbollin shqiptar, për një kampione në not që punonte në “frutore”, për vajzat me çitjane të volejbollit të Vlorës, për atletin kampionin e Ballkanit që nuk e lanë ta përqafonin disa kosovarë në Greqi, për futbollistin që ditën e dasmës mbas ceremonisë, shkoi e luajti futboll, e për shumë e shumë kampionë e ngjarje të tjera.

Dëshira e gazetarit vlonjat është që librin ta promovojë në një ceremoni me të gjithë kampionët e Vlorës, familjarët e atyre që nuk jetojnë më, për t’i mbledhur njëherë të gjithë bashkë, pas kaq shumë vitesh të ndarë brenda dhe jashtë vendit, si një festë e madhe sportive për qytetin. Për ta realizuar këtë ai kërkon mbështetjen e kryeministri Edi Rama si deputet i Vlorës, pasi nuk e ka gjetur mbështetjen e kryetarit të bashkisë. Për herë të parë, të gjithë kampionët e Vlorës në sporte të ndryshme, do të jenë të gjithë bashkë, të përmbledhur në një libër të vetëm. Është gazetari i Vlorës, Ergys Alushi, që mbas librit “Përse në Vlorë?” me përmbledhje të ngjarjeve kryesore historike të qytetit bregdetar, vjen me një libër të ri, këtë herë në fushën e sportit. “Kampionët e Vlorës” është libri që do të vijë në qarkullim për të gjithë sportdashësit vlonjatë dhe jo vetëm. Gazetari Ergys Alushi, po bën një përmbledhje të sportit të qytetit bregdetar për harkun kohor të 60 viteve, nga 1930 deri në 1990. “Flamurtari” i Vlorës ka qenë dhe mbetet një nga emrat e klubeve më të mëdhenj në Shqipëri për nxjerrjen e talenteve në çdo fushë sporti, ndërsa ka vite që shumica e sporteve kanë mbetur jashtë vëmendjes së pushtetit vendor. Për të ngjallur nostalgjinë e kampioneve dhe të sporteve të suksesshëm, ndoshta libri “Kampionët e Vlorës 1930-1990” do të jetë një dokument me vlera historike me qëllim kthimin e vëmendjes tek disa sporte që Vlora i ka pasur traditë e të suksesshme si futbolli, noti, mundja, peshëngritja, qitja e volejbolli.

Çfarë përmban libri?
Libri është një përmbledhje e të gjithë kampionëve të Vlorës, në të gjitha sportet që nga viti 1930 deri në vitin 1990. Duke e nisur me kampionin e parë në Atletikë në vitin 1930 e deri në fitimin e titullit kampion nga ekipi i futbollit Flamurtari në vitin 1990 – 1991. Libri është ndarë me kapituj sipas sporteve dhe jepen në mënyrë të detajuar, jo vetëm të gjitha rezultatet e arritura nga sportistët kampion, por përshkruhen bukur artistikisht edhe ngjarje sportive që në ato vite kanë emocionuar e ngritur peshë një qytet të tërë si Vlora.

Puna për librin
Gazetari Ergys Alushi ka filluar që në vitin 2015 për grumbullimin e materialit, duke u mbështetur në kronikat sportive të gazetës “Sporti Popullor” të viteve deri në 1990. Bashkë me artikujt e nxjerrë nga gazeta e vetme sportive në Shqipëri, gazetari Alushi në këto dy vite ka kontaktuar dhe me pjesën më të madhe të sportistëve kampion, duke marrë prej tyre kujtimet dhe emocionet e atyre viteve. Libri do të ilustrohet edhe me një numër të konsiderueshëm fotosh dhe do të jetë me rreth 500 fletë. “Të them të drejtën, – shprehet gazetari për këtë iniciativë – nuk më ka ndihmuar askush, jam duke i realizuar vetë të gjitha. Kur ta përfundoj, do të kërkoj ndihmën e bashkisë, ndoshta jo për botimin e librit, por për të krijuar një Muze për Sportet në Vlorë, në mjediset e pallatit të sportit të qytetit. Sot, Vlora, nuk e ka një muze të tillë, ndërkohë që disa qytete si Korça, Shkodra, di që e kanë një muze të tillë, ku ka të pasqyruar të gjithë kampionët e titujt kampion në sporte që i kanë fituar”

Nuk është libri i parë
Edhe pse punon prej 20 vitesh si gazetar lokal në Vlorë dhe korrespodent ndër vite i disa televizioneve e gazetave kombëtare dhe është i njohur më tepër për shkrimet politike e kronikën, gazetari Ergys Alushi, nuk e ka librin e parë në fushën e sportit, librin që pritet të dalë shumë shpejt nga botimi. Pak muaj më parë ai ka botuar një libër-monografi për peshëngritësin e njohur vlonjat e shqiptar, kampionin e Ballkanit në vitin 1987, Hysen Cenaj. Pikërisht, duke kërkuar material në gazetën e sportit për këtë peshëngritës, atij i lindi ideja për të përmbledhur të gjithë kampionët e Vlorës në një libër të vetëm, ndikuar dhe nga fakti se Vlora nuk e ka një libër të tillë.

Personazhet e librit
Personazhet kryesorë në libër janë vetë sportistët, kampionët, rezultatet e tyre, jeta sportive, kujtimet, fotot, garat, miqësitë sportive, trashëgimitë e titujve kampion. Personazhet e këtij libri, janë personazhet më të bukur në botë, me jetën e kujtimet që deri edhe të tronditin, nderonin qytetin edhe pse sistemi nuk i nderonte, i varrosnin prindërit vetëm pas fitores së një ndeshjeje që nuk mund ta linin dot pa e luajtur etj, si këto. Aty flitet për një kompozitor-futbollist, për një tifoz vlonjat të vdekur në stadium gjatë një ndeshjeje, për një mësues fizike-trajner që bëri epokë në basketbollin shqiptar, për një kampione në not që punonte në “frutore”, për vajzat me çitjane të volejbollit të Vlorës, për atletin kampionin e Ballkanit që nuk e lanë ta përqafonin disa kosovarë në Greqi, për futbollistin që ditën e dasmës mbas ceremonisë, shkoi e luajti futboll, e për shumë e shumë kampionë e ngjarje të tjera. 

Zhvillimi i sporteve në Vlorë
Në libër paraqitet dhe jeta sportive në Vlorë në periudha të ndryshme, për të treguar rritjen e cilësisë sportive. Ja një pjesë e shkëputur nga një shkrim i vitit 1961 : “Në muajt e parë të vitit 1961, jeta sportive në qytetin e Vlorës, po ta krahasoje me vitet e kaluara kishte mjaft ndryshime. Më përpara ajo fillonte, në të vërtetë, me aktivitetin kombëtar të futbollit dhe mbaronte me atë. Gjithçka lidhej me futbollin: kujdesi i komitetit të fizkulturës së Rrethit, stërvitja e futbollistëve dhe puna e trajnerëve, materiali apo inventari sportiv dhe, si rrjedhim, edhe pasioni i spektatorëve ishte për këtë lloj sporti. Dy pikët e fituara në një ndeshje nga futbollistët mbulonin, si të thuash, humbjen e pësuar në një tjetër aktivitet kombëtar…”

Për basketbollin
Në libër për çdo sport, jepet dhe një historik i shkurtër i zhvillimit të sportit, si është rasti i sportit të basketbollit për femra që po botohet me shkurtime nga plot 40 faqe që ka ky sport brenda në libër: “Pas ekipit të futbollit, ekipi i basketbollit të femrave të “Flamurtarit” është padyshim më i dashuri për vlonjatët ndër vite. Për sa u takon trofeve të fituara, është ekipi absolut.

Historia e artë do të nis në vitin 1972. Atë vit, Petrit Stefës, i cili do të refuzonte të shkonte mësues në fshatin Kuç të Vlorës, do t’i besohet ekipi, i cili luante në kategorinë e dytë.

 Në qershor 1972, ekipi del kampion dhe fiton të drejtën të luajë në kategorinë e parë.
Luan, dhe në vitin e parë renditet në vendin e katërt.
 Në vitin 1973, renditet në vendin e tretë në kampionat dhe në Kupë, ku në këtë të fundit, Valentina Hysi, do të vlerësohet si basketbollistja më e mirë.
 Në vitet 1976-1977, “Flamurtari “ ndalet vetëm nga “17 Nëntori” i Tiranës.
 Në vitet në vazhdim, rivaliteti midis këtyre dy ekipeve, do të kthehet gati në një mit
Janë vitet e Çikës, Kuqit, Birçes, Belit, Vjero, Laboviti, Çala, etj. që sapo kishin filluar të shkruanin historinë…”
Këndi “Spartak”
Këndi “Spartak” i ngritur pranë teatrit të Vlorës, mund të konsiderohet “Olimpi” i kampionëve të Vlorës të atyre viteve.

Historinë e një qyteti që mblidhej i gjithi fillimisht në këndet sportive të qytetit “Eftiqi Baka” dhe “Spartak” e në vazhdim në pallatin e sportit, brenda dhe jashtë tij, duke qarë nga gëzimi i fitoreve, duke u dridhur nga fitorja me koshin e fundit, pikën e fundit, tucin e fundit, boksimin e fortë, rekordet në shtangë. Duke brohoritur spektaklin e vajzave e djemve të Vlorës, duke përkëdhelur sedrën vlonjate me fitoret përballë “17 Nëntorit”, “Dinamos” e “Partizanit”, duke duartrokitur edhe Fahrie Hotin, Faruk Kalleshin, Teodor Jankun, Edra Alibegajn e të tjerë kampion nga Shqipëria. Na ka marrë malli për atë kohë, për atë atmosferë, për atë histori, ku në këndin “Spartak” mblidhej i gjithë qyteti dhe kishte sytë e veshët e gjithë Vlora…”

Shfaqje të shëmtuara antisportive
Gazetari ka shkruar dhe për ngjarje të ndryshme që lidheshin me sportin, me fenomene që e shoqëronin atë siç është rasti i fenomenit të sharjeve në stadiumin e Vlorës : “Në numrin e ditës së enjte, 11 janar 1979, gazeta “Zëri i Vlorës”, do t’i kushtonte goxha vend një artikulli me titull “Shfaqje të shëmtuara e antisportive” – vëzhgim nga shkallët e stadiumit. Po çfarë kishte ndodhur?…”

Familjet sportiste të Vlorës
Në libër shkruhet edhe për disa familje sportistësh vlonjatë, si familja Sharra, Cenaj, Meçani, Ruçi, Zguro etj, familje të cilat kanë nxjerrë jo thjesht sportistë, por kampion e rekordmen, duke u kthyer në simbole të sportit vlonjat.

“Flamurtari” në futboll
Ekipi i futbollit “Flamurtari” zë një vend të rëndësishëm në librin historik me kampionët e Vlorës, ku flitet për fillimet e deri ndeshjet historike ndërkombëtare, jo vetëm për “Flamurtarin”, Vlorën, por edhe për Shqipërinë. Bashkë me rezultatet, kujtimet, emocionet, trajtohen edhe tema të sjelljes së shtetit komunist me ekipin e futbollit, por edhe sporte të tjera, ku biografia e familjes dhe e fisit, bënte kërdinë. Ja një pasazh nga libri në lidhje me këtë temë : “Ishin vitet e arta të “Flamurtarit” të madh në futboll. Ishin vite dhe rezultate, të cilat ende janë të pa përsëritshme dhe më të cilat krenohen jo vetëm në Vlorë por edhe më gjerë. Ishin vite kur “Flamurtar”i përballej me “Partizanin” e Beogradit, “Leh Poznan”, “Vismut Aue” dhe mbi të gjitha do të përballej dy herë me “Barcelonën” e madhe. Por, ndërsa në Vlorë dhe në mbarë Shqipërinë i gëzoheshin atij ekipi të madh që po bënte emër në Evropë, problemet nuk kishin fund në këtë ekip. Politika komuniste i ishte vënë nga mbrapa dhe mundohej si e si t’ia errësonte famën dhe suksesin..”.

Mundje 
1988 – 4-6 maj – Shkodër Kupa e Republikës në mundje klasike
“Atë ditë të 3 majit 1988, ekipi i mundjes “Flamurtari” udhëtonte drejt Shkodrës me autoritetin e fituesit në fuqi të Kupës së Republikës. Ishte dhe nënkampion i vendit.
Për herë të parë ekipi në finalet e Kupës që zhvilloheshin në Shkodër kishte mundësia në të gjitha peshat. Atje i prisnin, Bashke me ekipe të tjera, edhe “Dinamo” e “17 Nëntori”, dy ekipet rivale të “Flamurtarit”. Trajneri Mynyr Begaj, ka në përbërje një ekip me moshë të re, 20-24 vjeç dhe 5 prej mundësve, anëtarë të ekipit Kombëtar…”

Vështirësia për librin
Kur e pyet për vështirësinë në përgatitjen e librit gazetari Alushi thotë se “Realisht është një punë e vështirë. Duhet përqendrim e kujdes në çdo faqe gazete, në çdo shkrim, në çdo kujtim kampioni, për të mos humbur asnjë garë, asnjë rezultat, asnjë emocion nga kujtimet që ata kanë. Më është dashur të shkoj edhe në bibliotekën e Fierit e të Tiranës, për materiale që nuk i kam gjetur në Vlorë. Më është dashur të ulem, të flas e të dëgjoj sportistë të shumtë e të ndryshëm. Shkruaj rreth 6 orë në ditë, duke zbardhur me kujdes e me korrektësi, me citimet përkatëse, shkrimet e marra nga gazeta sportive”

Dëshira e gazetarit
Dëshira e gazetarit vlonjat është që librin ta promovoj në një ceremoni me të gjithë kampionët e Vlorës, familjarët e atyre që nuk jetojnë më, për t’i mbledhur njëherë të gjithë bashkë, pas kaq shumë vitesh të ndarë brenda dhe jashtë vendit, si një festë e madhe sportive për qytetin.

Sportet sot në Vlorë
Libri “Kampionët e Vlorës 1930-1990” vjen në një kohë të vështirë për sportet në Vlorë. Realisht gjendja e sportit në Vlorë, lë shumë për të dëshiruar. Kur e krahason me nivelin e para viteve 90, është si nata me ditën, për cilësinë, nivelin e titujt kampion. Sot, Vlora, me përjashtim ndoshta të basketbollit të femrave që vazhdon traditën, nuk ka kampion në shumë-sportësh dhe kjo është jo normale. Mungojnë terrene sportive, palestra, pishina noti, pista për vrapime e plot element të tjerë. Një infrastrukturë e tillë mungon në qytet dhe për pasojë kjo ndihet edhe në shuarjen e disa sporteve që dikur ishin elitare për Vlorën. Gazetari vlonjat do dëshironte që libri “Kampionët e Vlorës” të ishte një “infrastrukturë”më vete për të shërbyer pikërisht në ringjalljen e nostalgjive, traditës, kampionëve, sepse jam i bindur që Vlora i ka aty brenda në Vlorë, talentet në të gjitha sportet.

Ideja për ngritjen e një muzeu të sporteve
Gazetari Ergys Alushi hedh idenë edhe të një muzeu të sporteve në Vlorë, ku Holli i pallatit të sportit është vendi i duhur, ndërkohë që përpara hollit, në lulishten aty pranë të ngrihet dhe një obelisk që të përkujtojë të gjithë kampionët e sportistët e Vlorës. Për ta realizuar këtë ai kërkon mbështetjen e kryeministri Edi Rama si deputet i Vlorës, pasi nuk e ka gjetur mbështetjen e kryetarit të bashkisë.
Sigal