Artan Banushi: Për dosjet e premierave Tano mban rekord, njeriu më perfekt

1635
Sigal

PERSONAZH/ Flet Artan Banushi, djali i aktorit të mirënjohur shkodran, Tano Banushi

 Biseda me Artan Banushin djalin e vogël të Tano Banushit ishte shumë interesante. Askush nuk e beson se Tano Banushi nuk qeshte kurrë në shtëpi, nuk bënte kurrë humor në shtëpi dhe kur ngrinte zërin rrallë të gjithë rrinin sus. Ai kurrë nuk ka ngritur dorë mbi fëmijët, kurrë nuk i ka qortuar, por kurrë nuk dinte as në çfarë klase ishin. Nuk e mendonte asnjëherë të ndërhynte tek mësuesit, tek ministrat për punë apo shkollim. Biseda me Artanin dhe me Frederik Ndocin ishte befasuese për mua. As e mendoj se Tano s’ka pirë asnjë gotë birrë me Artanin në sheshin e Shkodrës, ashtu si nuk e mendoja se Tano ishte një kuzhinier i mirë.

 Ditën e fundit të jetës së babait, Tan Banushit, unë isha me leje në kampin e pushimit në Sarandë. Më ka ngel peng që nuk munda ta arrij gjallë. Ishte 7 gusht i vitit 1993. Më njoftuan në mes të natës. Atëherë s’kishte as telefona. Kishin marrë në Degën e Brendshme të Sarandës në telefon për gjendjen e tim eti. Një polic i degës më lajmëroi duke më thënë gjendjen. Jam nis menjëherë me makinë rasti dhe kam mbërritur në Shkodër në 8 të mëngjesit. Kur mbërrita gjeta disa gra që pastronin oborrin e shtëpisë duke rregulluar ambientet. Ai kishte sëmundje të pashërueshme, cerozë në mëlçi. Kur ika i thashë mjekut a mund të lëviz 10 ditë. Për aq ditë mundesh,- më tha, por ja që nuk ishte e thënë.

Sistemi komunist e ka ndihmuar të mjekohej?

Po, e ka ndihmuar e çuan në Austri. Aty ka takuar dhe për herë të parë Berishën. U takuan rastësisht. Sipas bisedës, babai më tha që ishte treguar shumë mendjemadh në takim dhe indiferent. Kur filluan lëvizjet studentore babai më tha këtë doktorin e kam takuar në Vjenë, është shumë mendjemadh.

 A ju morën për ngushëllime nga jashtë?

I pari ishte Zef Deda dhe Rita Ndoci. Rita nga Gjermania ndërsa Zefi më duket se ishte në Itali.

 Kur u ndërruan sistemet, a ju kërkoi të mos shkoni jashtë?

Jo, kurrë nuk na tha një fjalë, kurrë nuk na futej në jetën tonë.

 Kishte ndonjë peng në jetë?

Kurrë nuk na tha se kishte pengje, kurrë. Ai ishte  shumë serioz me ne. Por pengje kam unë që shumë prej materialeve të tij nuk i kemi të regjistruara. Janë qindra metër filmime që nuk po i gjejmë. Në shtëpi kemi shumë pak. Kam kërkuar kudo, por s’mund t’i shikoj. Kam  parë shumë materiale të ndryshme në televizione të ndryshme, por nuk kam mundur t’i siguroj. Ai kishte një galeri shumë të pasur me role nga më të ndryshmet.

 Çfarë  keni nga krijimtaria e tij?

Kemi më shumë arkivat e tij, qysh kur është krijuar Estrada e Shkodrës, deri tek shfaqja e fundit që ka dhënë. Aty gjen  dosjet e shfaqjes, roli që kishte, pjesë të tekstit të rolit, numri biletave që është shitur, ditët e shfaqjes, regjisori, aktorët, këngëtarët, shkrime, bileta, lajmërime shfaqjesh. Pra, këto  janë për çdo shfaqje. Një pasuri dosjesh që s’i ka pasur as arkivi i Estradës së Shkodrës. Kishte afishet për çdo shfaqje. Pra çdo shfaqje kishte dosjen e vetë. Shtëpia ishte mbushur me dosje të tilla.

 Keni qëndruar shumë me babanë?

Shumë pak, për të mos thënë aq sa kujtimet i kam të pakta. Kjo për arsyen se kur unë isha i vogël ai ishte tërë kohën në punë, ndërsa kur u rrita 18 vjeç ika nga Shkodra dhe s’u ktheva më në shtëpi vetëm në vitet e para të demokracisë.  Pra në 1986-n, mbarova shkollën e lartë, në 1986 u caktova në Pukë. Në vitin 1989 jam kthyer në Shkodër. Pra vitet e rinisë kur duhet të isha me babën, ku është dhe mosha që mund të bisedosh unë isha larg tij. Fëmijë, çfarë mund të bisedoja me të. Pastaj erdhën vitet e ndryshimeve, estrada e humbi aktivitetin, ai u sëmur kështu që kam shumë pak kujtime. Kujtimet për babanë tim unë i kam më shumë prej të tjerëve, prej shokëve të tij, se sa prej vetes. Unë habitem  për ato që më tregojnë të tjerët për babanë tim. Kur ngriti njëherë zërin Tano në shtëpi ne rrinim sus të tërë.

 Babai juaj ka shkruar dhe poezi?

Po. Por di jo vetëm poezi, por edhe pjesë për skeçe. Të gjitha krijimet e tij i ka marrë Isa Alibali dhe ka bërë një libër më vete. Ndoshta, ai ja kishte lënë Isait amanet. Madje, Tano ka bërë dhe tekste këngësh që unë s’i kam ditur. Më vonë Isa Alibali ka bërë një monografi për jetën e babait.

 Ju thatë për shkollën e lartë e keni mbaruar pas vitit 1980. Për çfarë dege dhe a ka ndërhyrë Tano Banushi për degën tuaj dhe për sistemimin?

Unë kam mbaruar për Ekonomi Politike. Unë kisha kërkuar për matematikë pasi aty isha mirë dhe kisha dëshirë. As e dija se çfarë ishte dega Ekonomi Politike. Por babai as e dinte fare se çfarë ishte kjo shkollë dhe as ishte interesuar kurrë për mësime. As e dinte ku ishte dera e shkollës. Ishte serioz dhe mbante distancë. Mbase e quante turp të vinte në shkollë, mbase ngaqë ne mësonim apo s’i kishim sjellë probleme. Të gjitha këto ishin pjesë e jetës së nënës. Mund të them se ai as dinte se në çfarë klase ishim. Mbase ai pyeste tërthorazi, pyeste nënën, apo miqtë për sjelljet, por ne kurrë nuk na tha asgjë. As më ndoqi kur shkova në shkollë, as më pyeste si ecja në shkollë, madje, se dinte fare çfarë dege ishte shkolla ime e lartë.

 Kjo indiferencë vetëm për ty?

 Jo edhe për vëllanë. Ndoshta ishte autoritet. Vëllai im kishte mbaruar 12 vjet shkollën 8-vjeçare dhe të mesme për kontrabas dhe nuk i doli e drejta e studimit në Konservator për këtë degë. Pra, ai ishte dashuruar me këtë profesion. Atë vit që mbaroi ai të mesmen për muzikë konservatori nuk kishte degë për kontrabas, ndaj ai ngeli pa universitet. I erdhi koha për ushtar dhe i dhanë dy alternativa, ose të bëhej oficer ose të shkonte ushtar. Vëllai u detyrua të pranonte të shkonte në shkollë për oficer. Babai as e pyeti si është puna. Kurrë nuk ndërhyri për vëllanë, madje as nuk i tha asgjë, ku donte të shkonte. Besoj se po të ndërhynte mund të realizonte diçka. Madje, vëllai donte të ngelej në shkollë për të ikur si oficer, por pedagogët e kalonin për hatër të Tanos dhe pse ai s’i kishte takuar kurrë. I kujt je i thoshin? I Tano Banushit. Ulu pesë i thoshin. P.sh kur mbarova unë shkollën e lartë nga 11 që mbaruam ekonomi politike, 9 u emëruan në Shkodër unë dhe një gocë u emëruam në Pukë. Di të them, madje se, kam pasur nota shumë të mira.  Babai a s’më pyeti fare se a do të të ndihmoj, vetëm thoshte ashtu duhet. Kur u ktheva nga Puka më morën pedagog në Universitetin e Shkodrës. Siç thotë Frederik Ndoci ai me një telefon mund të më rregullonte çdo vend se kishte influencë. Po të mos mësonim kushedi ku do kishim përfunduar.

 A e pinte duhanin dhe rakinë Tano Banushi?

 Rakinë e kishte dobësi, ndërsa, duhanin s’e ka pirë kurrë. Me shokë pinte në shtëpi jo. Ishte tepër serioz në shtëpi, aq sa nuk e mendoni.

Kishte kujtesë?

Shumë, mbante mend dhe vogëlsira.

Cilat ishin hobet e tij?

Shëtitjet, ato ishin preferenca më e madhe. Por edhe peshkimi, shkonte shpesh për peshk. Por ai dhe këndonte p.sh me Frederik Ndocin ka kënduar shumë parodi.

 Ju është sjell si shok?

Unë s’e kam pas kurrë shokë babanë, për arsyet e mësipërme, pra që u largova, që isha larg, që punova larg. Madje, mund të them se ai rrinte me shokët e mi ndërsa me mua jo. Edhe unë rrija me shokët e tij, ndërsa nuk rrija me të. Kurrë nuk kam dalë me ‘të, të pija një gotë raki apo një gotë birrë. Babai nuk na jepte koefidencë, thonë kështu ndodh në Shkodër tek prindërit shkodranë. Ndoshta donte të bëheshim të zotët e vetes.

Po me nënën si sillej?

Serioz si me ne. Ne çdo gjë e kishim lidhur me nënën. Nëna ka punuar në fillim Drejtore në Shtëpinë e fëmijës, pastaj në Komitetin Ekzekutiv. Çdo gjë e qanim me nënën. Ajo na sillte dhe fëmijë të Shtëpisë së Fëmijëve të dielave që hanin me ne, babai mbante atë qëndrim serioz.

A bënte shaka në shtëpi?

Kurrë, asnjëherë. Shokët të gjithë më thoshin, ju bëni qejf në shtëpi, ju bën humor Tano sa shqepeni. Unë qeshja me ta. Askush nuk e besonte se ai s’bënte kurrë humor me ne, vetëm rrallë, shumë rrallë, kur vinte dikush për vizitë. Rrallë e gjeje në shtëpi. Jashtë bënte humor pa fund. Nuk na ka qëlluar kurrë, nuk na ka qortuar rreptë kurrë.

 Kohët e fundit që ishte në shtëpi a qëndronit gjatë?

Mbas viteve 1990, ai ishte sëmurë qëndronte në shtëpi dhe gatuante. Ato tre vjet, gatimin e bënte vetëm ai. Por shëndeti i keq bënte që të mos flisnim shumë.

Albert Z. ZHOLI