Arqile Teta: E vërteta e jetës së Prof. Stanisllav Zuber

948
Kohët e fundit më ra në dorë libri i studiuesit Shaban Sinani me titull “Shqiptarët dhe Hebrenjtë, mbrojtja dhe shpëtimi” botimi i dytë 2015, Bot. “Naimi”, 398 fq. Këtë libër, me tematikë interesante e të veçantë e lexova me shumë kërshëri. Në fund të faqes 59 të librit shkruhet: “Në vitet 1930 vërehet një lëvizje e shtuar e hebrenjve drejt Shqipërisë. Midis tyre kishte dhe studiues, si prof. Stanislav Zuber, një prej etërve të gjeologjisë shqiptare” dhe në fq. 60 jepet referenca 17, e gjatë dhe me disa çështje. Aty shkruhet disa herë se prof. S. Zuber ishte hebre-polak e të tjera të pavërteta e pasaktësi. Cilësimi hebre për Zuberin e kam lexuar dhe në ndonjë shkrim tjetër. Por në këtë rast kemi të bëjmë me një punim serioz të një pene të njohur, prandaj detyrohem të vë në vend, një të vërtetë të padiskutueshme, meqë jam marrë vetë vite me radhë me jetën dhe veprën e këtij gjeologu të shquar me famë ndërkombëtare. Për këtë figurë të pavdekshme të gjeologjisë shqiptare kam mbledhur e studiuar materiale të shumta, duke udhëtuar edhe jashtë vendit, sidomos në Poloni. Më 2010 kam botuar librin monografik “Profesor Stanisllav Zuber, jeta dhe vepra”, Shtepia Botuese ‘ILAR’, 310 f. Ky libër (më poshtë:Monografia), nga të rrallët libra monografik shqiptarë, tërhoqi vëmendjen e të huajve për t’u përkthyer e botuar jashtë. Për hir të së vërtetës detyrohem të bëj këtë replikë dhe të rendis sqarimet e mia lidhur me çështjet se kush ishte Stanisllav Zuberi, si erdhi në Shqipëri dhe cili që fundi i tij. Prof. S. Zuber nuk erdhi në Shqipëri “në vitet1930”, siç thuhet në libër, me valën e hebrenjve që ndiqeshin nga nazistët hitlerianë. Ai erdhi në Shqipëri në kapërcyellin eviteve 1926 – 27 i punësuar nga shoqëri italiane për kërkimin e naftës në Shqipëri. S. Zuberi u zgjodh mes shumë të tjerëve si figura më e spikatur e gjeologjisë europiane në ato vite (lexo Monografinë). Për prof. S. Zuber gjithmonë është shkruar (kur ishte në jetë dhe pas vdekjes) “Gjeologu i shquar polak”, “Kolosi polak”, etj. Libri më i freskët ku përmendet Zuber-i është ai i profesorit të Universitetit të Napolit F. De Sio-Lazzari me titull “Antonio Lazzari dall’ Albania alla Val d’Agri”, (A. Lazzari, prof. gjeolog, babai i autorit, bashkëpuntor i afërt e nga miqtë më të ngushtë të Zuber-it në Kuçovë). Ky autor shkruan: “Zuber era un grande geologo polacco…”. Dhe më 30.12.015 në një e-mail (në përgjigje të pyetjes sonë a ishte hebre) konfirmon se Zuberi ishte thjesht polak. Kam patur rastin të bisedoj me nipin e Zuber-it (djalin e të vëllait) prof. dr hab. ing. Andzhej Zuber, gjeolog, shkencëtar i shquar në përcaktimin e moshës së shkëmbinjve dhe ujrave. Ishte në moshën 70 vjeç. Sa ishte kthyer në Krakov nga një ekspertizë në Brazil. Kur folëm për këtë çështje m’u përgjigj. “E pavërtetë. Jemi polakë, por fatkeqësisht polakët me talent e intelekt të spikatur shpesh i quajnë żyd (hebre)”. Më tregoi se gjyshi i tij kishte banuar në Lvov, Rruga Dllugosha 31 dhe të tjera hollësi të familjes Zuber. Motra e S. Zuber-it, Julia, si besimtare e devotshme katolike, e rrëmbyer nga predikimet e kohës, u mbyll në manastirin të krishterë kontemplacijn deri sa vdiq. (Lexo Monografinë).
Në Poloni 
Në Poloni, ku gjuetia e hebrenjve nga nazistët gjermanë ishte nga më të egrat, asnjë anëtar i familjes Zuber apo dhe kushëri, nuk u çua në Oświęcim (Auschwitz). Po të ishin hebrenj me siguri do të ishin shfarosur pamëshirshëm (së paku një ose dy). Si argument që Zuberi ishte hebre thuhet se emrat e njerëzve të afërt si “Rudolph (i ati), Matilde (e shoqja)” janë emra hebrenj. Po emri i nënës Stanisllava (Zofia) Topolnicka, po i të vëllait e i së motrës, po i nipërve Andrzej dhe Kazhimiezh, po e kunata Marilka (nga familja e vjetër fisnike polake Rozwadowski) çfarë janë? Babai i Rudolfit (S. Zuberi kudo e shkruan emrin e të atit me f dhe jo me ph. Kështu është dhe në “Enciklopedinë polake”) nuk ishte as tregtar, as avokat, as bankier. Ishte vetëm oficer në ushtrinë austro-hungareze (që shtrihej edhe në Galici, pra në Krakov, Lvov, etj). Shumë miq, shokë e ushtarë të tij kanë patur emrin Rudolf (Rudi). Pse mos t’i vinte djalit këtë emër, që e mbajnë të krishterë dhe hebrenj. Ndërsa Matilda Zuber është krejtësisht e pabesueshme të ishte hebreje. Aristokratja italiane M. Filippa Giampietro (pas 1942, M. Zuber) punoi në gazetën e Vermachtit “Signal”. Paulseni (komandanti gjerman në Kuçovë) në varrimin e saj (1943) në varrezat katolike mbajti një fjalim lavdërues dhe u varrosë si heroinë. Distilerisë i vunë emrin “Zuber”. Një rrugë të Kuçovës e quajtën “Straβe Zuber”.Në dosjen e Zuberit kemi lexuar mbi16 letra në gjermanisht me përgëzime e urime dërguar asaj nga oficerë a titullarë të revistës. Me që jemi te emrat po i referohem toponimisë që në gjuhësi është element bazë i lashtësisë. Tatrat janë mal i adhurueshëm për polakët e sllovakët, siç është për ne mali Tomor. Në Tatra është lugina më e madhe dhe më e bukur, e cila mban emrin “Zuberowska dolina”. Këtë emër nuk e kanë vënë hebrenjtë, sepse nuk i çonte puna në male, por malësorët vendas. A mund të ketë në Tomor një luginë me emër të një fisniku apo kalorësi të huaj italian apo grek? 
Dëshmia e shkrimtarit tonë të njohur, bashkëvuajtës në të njëjtën qeli me Zuberin, Petro Markon është e mjaftueshme
Ai, më 14 prill 1991 në gazetën e atëhershme “Republika” botoi artikullin tronditës “Krim kundër kulturës universale”. Ndërmjet të tjerash, ai shkruan “Orë të tjera ai (Zuberi) i lutej zotit, si katolik polak që ishte. Ai lutej në polonisht”.(Lexo dhe “Intervistë me vetveten” faqe 478 ku shkruan “ai ishte katolik dhe lutej” dhe më poshtë Zuberi thotë: “Ja tani, kur unë i falem Krishtit, …”). Pse nuk e besoni shkrimtarin e ndjerë që Zuberi ishtekatolik dhe falej polonisht (jo hebraisht)? P. Marko, në moshën 78 vjeç, nuk flet pa baza e nuk trillon. Ai bisedonte gjatë me Zuberin e patjetër ullia e bisedës do të ketë shkuar tek besimi dhe etnia (shih po aty fq. 478, 479). P. Marko në veprat e tij shpalos një galeri të tërë miqsh e shokësh intelektualë, që e njihnin nga afër dhe S. Zuberin. Askush nga ata nuk i paska thënë se Zuberi është hebre? Nuk ia paska thënë as miku Andrea Xega (erudit i jashtëzakonshëm, të cilin e kam njohur nga afër) e as ndonjë tjetër? Po të ishte hebre P. Markoja patjetër do ta dinte, sepse Zuberi nuk qëndroi disa ditë apo muaj, por plot 20 vjet. A keni ndonjë fakt apo dëshmi që Zuberi takohej me hebrenjtë e strehuar në Berat (fare pranë Kuçovës), p.sh. te Petro Shkurti, apo në ndonjë qytet tjetër? Miq të Zuberit ishin intelektualët shqiptarë A. Xega, R.Alizoti, S. Klosi, Sh. Toptani, S. Kasimati, A. Ashiku, Gj. Gjadri,E. Çabej etj. A keni ndonjë dëshmi të tyre që e quajnë hebre? Qoftë dhe në hetuesi (sepse një pjesë e tyre kaluan kalvarin e torturave të diktaturës). Në Tiranë Zuberi vizitonte diplomatin Thoma Luarasi që kishte bashkëshorte polaken J. Kaçkovska. Shtëpia e Luarasit ishte fare afër kishës katolike në rrugën e Kavajës. Para ose pas vizitës tek ata, Zuberi hynte në kishë. Kur shkonte në ekspedita gjeologjike në Veri, shoqëruesi i tij ishte Zef Boriçi (pronar i minierës së Rubikut, i ati i Loro dhe Mark Boriçit). Të dielave ata shkonin e faleshin në kishën e Rubikut. Në Kuçovë mik të afërt kishte priftin katolik (shih denoncimet në hetuesi). Nuk ka asnjë dëshmi apo fakt që Zuberi të ketë hyrë në ndonjë sinagogë apo të ketë patuar miqësi me ndonjë rabin. Ai i kishte të gjitha mundësitë të udhëtonte ku kishte të faltore hebraike. Lexoni letrat e tij të vitit 1934 e1937 (gjuetia e hebrenjve prej kohësh ishte egërsuar). Qeveria italiane e shumë titullarë të lidhur me Gjermaninë hitleriane, i ngarkuan Zuberit të udhëhiqte kërkimet e naftës në Itali. Si nuk doli një fashist italian e të thoshte “kë caktoni një hebre?”. Atë post e lakmonin shumë gjeologë me emër: italianë, gjermanë, amerikanë (lexo Monografinë).
Dosja e Zuberit
Në libër shkruhet se në arkivin i MPB ndodhet dosja e Zuberit me 200 faqe. Njohësi i arkivit të MPB Kastriot Dervishi në të përditshmen 55 në datat 14, 15, 16 ,17 tetor 2015 e shteroi atë dosje tërësisht. Ai shkruan; “Zuberi ka vdekur i vrarë në burgun nr. 5 të Tiranës (më vonë 313) në birucën e tretë…>. Kështu dëshmon dhe P. Marko. Ju jepni versionin se vdiq në Gjirokastër. Mbi ç’baza ky pohim? Edhe shpjegimi pse e vranë Zuberin në librin e studiuesit Sh. Sinani nuk është bindës. Për arin?! Sigurimi do ta detyronte ta gjente me kobure pas kokës e ai do të ishte gjallë. Arsyet janë më të thella dhe kryesorja është Shoqëria Shqiptare-Jugosllave e Naftës e v. 1947 (lexo Monografinë). Zuberi nuk ka deklaruar dhe as ka shkruar ndonjëherë se është hebre. Në burg (në faqen me nr.82 të dosjes) hetuesi shkruan “është me origjinë e kombësi polake”. Ndonëse ishte poliglot (dinte mbi 10 gjuhë), nuk e zotëronte as jidishten (yiddish – gjuhë e hebrenjve të Europës) as hebraishten. Mendoni ju se kur e akuzonin dhe e torturonin si spiun i gjermanëve, ai nuk mund të lozte kartën e hebreut, po të ishte i tillë? Zuberi nuk ka dhënë asnjë shenjë të njohjes së doktrinës e të praktikës zakonore të judaizmit. Pse doni me domosdo që të mbajë këtë kombësi hebre-polak? A është e drejtë që dikë që është dhe e quan veten shqiptar ta quajmë egjipto-shqiptar apo turko-shqiptar vetëm se neve (p.sh.nga ngjyra) mund të na duket i tillë? Në asnjë dokument të firmosur nga Zuberi nuk do gjeni kombësinë hebre. Edhe sikur dikush ta ketë shënuar në ndonjë listë apo fletushkë si hebre kjo është hamendje, sikurse edhe e juaja kur thoni “është njohur si hebre-polak”. Këto hamendje “është njohur”,“është dëgjuar”ose “është thënë”, janë të papranueshme në një studim monografik. Ndërsa kundër supozimit tuaj –zoti Sinani- flet dokumenti i identitetit për të cilin vet shkruani se “për kombësi shenjon polake”. Pse lejoni të hyjnë në studim kundërshti e qëndrime evazive?. Ju shkruani për prof. S. Zuberin “më shpesh i përmendur me mbiemrin Zuper”. Këtë formë Zuper nuk e kemi hasur as në 551 punimet e tij, as në hartat dhe korrespodencën e tij, as nga kolegët e tij; as në botimet shqiptare, as në ato të huaja. Nuk është përmendur nga asnjë autor në dy simpoziumet shkencore kushtuar Zuberit 1992, ’93(!).Nuk përmendet as në 200 faqet e hetuesisë.(Atje përmendet herëpashere Zyber). Po të ishte “shpesh i përmendur Zuper ”-siç thoni ju z. Sinani- do ta kishte hasur ndonjë nga gjeologët tanë (!).Mos vallë Zuper është bankier apo financier dhe me të ka lidhje dhe ekonomisti anglez lordi J. M. Keynes?(!). Po ndonjë letër e lordit si nuk u gjet në shtëpi apo në arkivin e Zuberit, kur në hetuesi gjenden letra të personave më pak të njohur?(!). Prova e fundit për t’u bindur është të vizitoni e të pyesni gruan e prof. Andzhej Zuber (e nipit të Zuberit), e cila banon në Krakov.
Figurë monumentale
Profesor Stanisllav Zuber është figurë monumentale e gjeologjisë shqiptare. Për të duhet shkruar saktë, me vërtetësi, mbështetur në dokumente e fakte. Ai ishte polak, vdiq si polak dhe ta lëmë të prehet si polak. Libri juaj ka synim të paraqes “mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve”. Profesori i ndjerë as nuk u mbrojt, as nuk u shpëtua, por u vra pa gjyq dhe u la pa varr. Është në dinjitetin tuaj ta hiqni krejt pjesën për prof. Stanisllav Zuber. Kështu studimi do të shpëtojë dhe nga përplasja flagrante e dy linjave, e asaj të humanizmit të popullit shqiptar dhe e linjës gjakatare të krimit e tragjedisë ndaj një shkencëtari. Do ta kuptoni këtë kontradiktë të madhe të punimit tuaj po të lexoni f. 297 (të Monografisë) dëshminë e prof. L. Pezës në artikullin e botuar “Viktimë e diktaturës”, kur një profesor polak pa të drejtë i thotë, kur ishte student: “Ju shqiptarët jeni gjakësorë, aq sa vrisni dhe shkencëtarë”. Profesori polak, nuk e njihte regjimin totalitar dhe nuk e imagjinonte makabritetin e ithtarëve mizorë të diktaturës, sidomos në hetuesi, burgje e internime.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 14.01.2016
Sigal