Antoneta Doka: “U riktheva nga emigrimi, sepse më mungonte magjia e teatrit”

733
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” aktorja e tetarit “Skampa” në Elbasan, Antoneta Doka

Rikthehet pas 10 vitesh emigrim në Itali, aktorja e mirënjohur e teatri “Skampa”, Antoneta Doka. Në këtë intervistë dhënë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, Antoneta tregon arsyet e rikthimit të saj dhe falënderon të gjitha ata që e mbështetën për t’ja rinisur sërish atje ku e kishte ndërprerë. Rikthimi i saj energjik e ka bërë atë që të hartoj edhe planet për të ardhmen, ku së shpejti artdashësi elbasanas do të mbushen me emocione të mëdha, që vetëm Antoneta di t’i fali. Rrugën e artit ajo e ka nisur që në fëmijëri duke mbaruar më pas Akademinë e Arteve. Në skenë numëron mbi 60 role dhe nuk harron të përmendi edhe pjesët që i kanë mbetur në kujtesë. Sigurisht, pa anashkaluar edhe vështirësitë në rastet kur nuk ka mundur dot të përfshihet në rol, gjë që i ka sjell edhe probleme në aktrim. Por këto nuk janë të gjitha. Lexoni intervistën.

Si lindi dëshira  që ju të merreshit me aktrimin?

Dëshirat dhe ëndrrat lindin që në fëmijëri dhe aty e ka zanafillën edhe dashuria ime për teatrin.

Sa role keni luajtur në skenë deri tani dhe cili ka qenë roli më i vështirë për ju?

Gjatë jetës sime artistike janë bërë pjesë e imja mbi 60 role të luajtura në teatër dhe në estradën profesioniste të qytetit të Elbasanit, ndër rolet më të bukura dhe më të vështira që më ka përfshirë emocionalisht përmend Ollga tek drama “Shtëpia me rrota” e Erand Sojlit.

Po roli që të ka dhënë më shumë sukses?

Ndër rolet që mund të veçoj si më të suksesshme janë: Mira te “Kyçi i Artë”, Gjylja tek “Pallati i Grave”, shërbëtorja tek “Shërbëtori i dy zotërive”, Vali tek “Dashuria e dytë e moshës së tretë” e Haxhi Ramës.

Ju jeni më shumë aktore komike apo dramatike dhe kë bëni më me shumë dëshirë?

Unë kam luajtur edhe dramën edhe komedinë e nëse do t’i përmblidhja me një fjalë do të thoja që skena e teatrit është magjia për mua dhe i bën të adhurueshme të gjitha rolet që më jepet mundësia të interpretojë.

Ndërkohë që ju keni bërë  dhe regjinë e dy estradave si jeni ndjerë?

Vënia në skenë e dy pjesëve me estradën profesioniste më vuri përpara një përgjegjësie më të madhe, por ndihma e bashkëpunimi i kolegëve të mi si, Ilmi Belshaku, Dhimitër Topuzi, Agim Ibrahimi etj., ma lehtësuan punën. Kohët e fundit kam vënë në skenë me kolegun tim Ilmi Belshaku pjesën për fëmijë “Ëndërrojmë Europën”, dhe disa shfaqe teatrale me kukulla me kolegun Ramadan Shingjini.

Cilat janë projektet që Antoneta ka në dorë për momentin?

Tani jam duke përgatitur një mjuzikëll me të rinjtë e talentuar të qytetit të Elbasanit në bashkëpunim me “Qendrën e Artit”, menaxherin Xhani Shqerra, udhëheqës artistik Elis Lloshi dhe Ilir Sokoli, me koreografinë e Denis Blacerit, Kordinator Elton Alla. Do të doja të përmendja këtu edhe disa nga artistët e rinj pjesëmarrës Arjola Xhikollari, Anisa Dervina, Engjell Çaushi, Rezarti, Bjorni, Doris, Redoni etj..

Nëse nuk do ishe bërë aktore çfarë profesioni tjetër do kishe dashur të zgjidhje?

Nëse nuk do të kisha ndjekur Akademinë e Arteve do të kisha vazhduar rrugën e mësuesisë që e kisha nisur në shkollën pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, një profesion tjetër ky që adhuroj.

Ju keni jetuar prej 10 vjetësh në Itali përse vendoset të riktheheni pikërisht tani?

Ishin të mjaftueshme ato vite për qëllimin që unë kisha në lidhje me familjen time.

Ç’do të thotë për një nënë të jetojë larg fëmijëve të saj?

Largësia nga fëmijët të krijon boshllëk e vuajtje shpirtërore, por kur ato janë në rrugën e drejtë për realizimin e objektivave të tyre, të lehtëson largësinë.

Jeni ndjerë ndonjëherë keq në skenë dhe pse?

Po. Kur rolin nuk e kam pas bërë timin dhe kjo të bën të ndjehesh keq.

Dhe së fundi çfarë do t’u thuash fansave të tu?

Fillimisht dua t’i falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që më kanë dhënë në gjithë këto vite të udhëtimit tim në fushën e artit. Asnjëherë nuk kam për t’i zhgënjyer. Duartrokitjet që më falin janë të rëndësishme për mua.