Alida Hisku: “Më dënuan se shkruajta në ditar, “këtu në Shqipëri ha pula gurë”

3659
Sigal

PORTRET/ Dikur në diktaturë festivalet në RTSH ktheheshin në festa të vërteta popullore

Ka rreth 24 vjet në Gjermani, por ajo kurrë se ndan Shqipërinë nga vetja. Mban lidhje të rregullta me miqtë sikundër me pjesëtarët e tjerë të familjes. Sa zbret në aerodrom ajo puth tokën mëmë duke lotuar. Në Tiranë ndryshon puna. Ajo s’mund të ecë e qetë pasi kudo e rrethojnë miqtë e shumtë, të cilët e pyesin deri në detaj. Dhe ajo përgjigjet ashtu thjeshtë, qartë duke buzëqeshur. Është një femër tepër optimiste që çdo sukses e ka arritur me punën e saj. Dhe pse me bashkëshort gjerman, ajo kurrë nuk  mendon se atdheu i parë është Gjermania. Kjo për shumë arsye. Fëmijët e saj dinë shqip në mënyrë të përkryer dhe të tre kanë emra shqiptarë.

  Dikur

Dikur në diktaturë festivalet në RTSH ktheheshin në festa të vërteta popullore. Kjo për shumë arsye, por kryesorja ashtu të izoluar këto veprimtari i jepnin gëzim jetës së popullit shqiptar. Salla, ku zhvillohej festivali nuk diskutohej që ishte plot, por në ato net nëpër rrugët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë nuk gjeje njeri. Të gjithë i kishe pranë televizorëve apo radiove duke ndjekur festivalin. Kërkesa e llogarisë ishte në maksimum. Nuk kishte miqësi për t’u ngjitur në skenë. Ku njihej atëherë superpozimi apo play back?! Kush kishte zë, kishte zë, pikë! Ai ngjitej në skenë. S’të faleshin teprimet në skenë. Skena ishte e shenjtë. Për të tjerat s’ia vlen të diskutojmë, se dihet si ishte ai regjim. Sigurisht, në këtë mënyrë nuk dalin aftësitë e vërteta të këngëtarit. Aparatura e përmirëson zërin deri në atë masë sa këngëtari s’ka pse të japë gjithë aftësitë dhe mundësitë. Shumë zëra mund të jenë dhe artificialë. Kënga direkt si në festivalet e RTSH nxjerr në pah këngëtarët e vërtetë. Me këtë lloj të kënduari s’bëhet shaka.

 E ftuar e veçantë

E mban mend shumë atë ditë. Është një nga ditët më të bukura të jetës së saj. E ftuar speciale në Festivalin e 50 të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar (2011), ajo lë për disa ditë Gjermaninë, ku punon e jeton për mëse 20 vjet, për të marrë pjesë në natën e tretë të Festivalit që u kthye në një natë të pazakontë për të gjithë spektatorët, por edhe për teleshikuesit kudo në botë. Dalja në skenë e Alida Hiskut në këtë natë Gala u prit me duartrokitje të stuhishme. Dhe ajo ngjitet në skenë, ashtu  entuziaste, plot dëshirë për të dhënë këtë natë atë çka ajo ka dhënë gjatë gjithë jetës së saj. Dhe nuk zhgënjen asnjë. Dhe pse 20 vjet pa marrë pjesë në festivale, ajo këndon live, me po atë pathos, me po atë zë magjik, me po atë finese, sa i detyron spektatorët ta kthejnë dy-tre herë. Ndoshta e ekzagjeroj, por atë zë të kënduari direkt, them se e kanë shumë pak këngëtare të reja sot. Këtë e vërtetuan duartrokitjet e stuhishme kur mbaroi këngën “Vajzat e fshatit tim”, të kënduar në vitin 1974 në Festivalin e 14 të Këngës në RTSH, ku ajo fitoi Çmimin e Parë. Ajo kthehet në skenë, ulet në gjunjë, puth mikrofonin dhe loton. Ajo përulje kalorësiake tregon botën e saj të gjerë. Respektin që ka pasur dhe ka ajo për publikun, për atë publik që s’e ka harruar edhe pas 20 vjetësh. Dhe mes duartrokitjeve, ajo i uron të gjithë shqiptarët kudo në botë “Faleminderit! Gëzime, hare, lumturi! Ju dua shumë nga Gjermania ime!”. Kjo ishte Alida Hisku e datës 28 dhjetor 2011, ajo Alidë që për mëse 12 vjet ishte protagonistja e festivaleve në RTSH duke mos zbritur asnjëherë nga skena pa çmim.

 Harresa

Ishin lënë në heshtje… Po. Ishin harruar. Duhej Festivali i 50-të që organizatorët t’i thërrisnin ndërgjegjes dhe kujtesës se ky festival ka një histori. Kur kujton një histori të tillë, zgjon tek kombi rrugëtimin e një prej aktiviteteve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare që ka bërë epokë. Sa të rëndësishëm kanë qenë dhe janë ata plejada e vjetër për publikun shqiptar. Këtë e tregoi më së miri ajo ditë, skena e kësaj nate. Këngëtarë  si: Vaçe Zela, Avni Mula, Sherif Merdani, Ema Qazimi, Liljana Kondakçi, Kozma Dushi, Tonin Tërshana, Bashkim Alibali, Lindita Sota, Myfarete Laze, Zija Saraçi, e shumë e shumë të tjerë i vijnë rrallë një kombi…

Kujtimet

E kish marrë malli të ngjitej në skenë nën siglën e festivaleve tradicionalë të RTSH-së. Me këto festivale e lidhin shumë kujtime. Me këto festivale ka lidhur pjesën më të bukur të jetës së saj. Me këto festivale ka qarë dhe ka qeshur, ka lidhur miqësi dhe ka marrë çmime, ka kaluar emocione të pashpjegueshme, sikundër dhe mërzi kalimtare. Tek këngëtarët e atëhershëm ka pasur një miqësi që s’e beson askush sot. S’kishin xhelozi dhe e ndihmonin me shpirt njëri-tjetrin. Rrinin bashkë edhe jashtë pune. I gjendeshin njeri-tjetrit në çdo situatë. Ishin vitet më të arta të jetës së saj, ato vite kur ishte në skenën e festivaleve, paçka se në regjimin komunist  e hoqën nga jeta skenike që e vuajti së brendshmi për shumë kohë. Ajo s’e ka pranuar dhe s’e pranon kurrë atë regjim. E kujton me dhimbje atë regjim. Por do të jetë realiste. Në drejtim të artit, ai regjim kishte të mirat e veta. Nuk duhet të mohohet çdo gjë.

 Albumi “Kthimi” 

Albumin “Kthimi”  më i miri, më i suksesshmi i saj. E ka realizuar së bashku me djalin e saj, Albinin (që u largua 4-vjeç nga Shqipëria).

Çdo promovim ka kohën e tij të veçantën e tij. Titulli “Kthimi” i albumit që e ka bërë së bashku me Albinin, i ka dhënë zemër. Është dhe si një rrugë nisjeje për djalin e saj. Albumi ka si ide kthimin e saj në skenë para publikut, por tashmë jo vetëm, por me djalin e saj, Albinin. Ky album u prit siç e meritonte, sepse për të ngelet unik, sepse është albumi i jetës së saj. Tek ai album ka dhënë shpirtin dhe momentet që i kanë dhembur aq shumë. Konkretisht kënga  “Kthimi”, me të cilën ka titulluar edhe albumin, është fabula e vetë jetës së saj, që në formë balade përcjell gjithë filozofinë e një realiteti të dhimbshëm, por me një rikthim plot shpresë.

 Libri

Tashmë ka kaluar mëse një vit që ajo ka botuar edhe një libër… Një libër që për çudi  u shit shumë shpejt… Në një panair të librit në Gjermani ai u kërkua shumë.  Ai libër është një dëshmi jete në dy sisteme shoqërore. Libri erdhi tek ajo ashtu si një frut që ka kohën e vet për t’u pjekur, ashtu erdhi edhe vetë koha për të bërë një analizë të jetës së saj prej 50 vjetësh. Libri i dha një sadisfaksion të veçantë. Aty është historia e jetës si dhe fati në emigracion, që është pothuajse e njëjtë me atë të mijërave vëllezërve e motrave shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Ajo thotë me bindje se bëri mirë që e botoi atë libër. Sigurish që, të këndojë është talenti dhe jeta  e saj, por edhe pse shkruaj për jetën apo mendimet e sajë për jetën, nuk mund të themi se është një sensacion. Libri titullohet “Die Hofnärrin des Diktators” që në shqip mund të përkthehet “Lolot e Diktatorit”. Ky libër është një autobiografi që përshkon fazën e jetës  së saj qysh fëmijë e deri në vitin 2005. Pas këtij viti, ndoshta duhet të ndalet më vonë, thekson ajo.

 Bashkëshorti gjerman

Kur e kam takuar jam befasuar. Ai është natyrë krejt, krejt tjetër. Shumë, shumë i qetë. Ndërsa Alida e vrullshme, ekspresive. Por ai nuk ka qenë dhe nuk është fare xheloz ndaj saj. Ja njeh tipin.  Alidës  në rrugë i vijnë burra e gra që e puthin dhe ai e pranon dhe e buzëqesh me njohjet e saj. Ajo ka përfituar shumë prej tij dhe është kacavjerrë për ta kapur, në mënyrë që të arrij  aty ku ai është. Shumë gjëra që i dukeshin të dëmshme, është munduar t’i heq nga vetja. Në shtëpinë e tyre nuk ka ekzistuar xhelozia. Ajo thotë: “Më duket se xhelozia bën pjesë tek njerëz të një niveli tjetër, jo tek unë”.

 Ditari i saj, si ditari i Ana Frankurt!…

Atëherë ka qenë tre muaj në një fshat të Sarandës, ku do të bënte punë fizike për t’u kalitur. Ashtu thoshte Partia në atë kohë. Në punën prodhuese ajo kishte në dhomë tri vajza nga Rrësheni, Vlora dhe Fieri. Ja si shprehet ajo: “Si sot më kujtohet ajo ditë. Ishte 13 qershor. Mbushej plot një vit që më kishte vdekur nëna, ndaj e mbaj mend atë ditë. Kujtimet për të mundohesha t’i hidhja në ditar. Pra çdo kujtim timin për nënën mundohesha ta hidhja në ditar. E doja shumë nënën pasi ajo ishte nënë për të gjithë lagjen dhe për shumë fëmijë jetimë.  Dua të theksoj se, edhe motra ime mbante një ditar. Këtë ndjesi për ditar na e kishte kultivuar nëna, ndaj dhe e mbaja. Në ditar shkruaja çka më ndjente zemra. Ato çka pashë në realitet: P.sh… “Pikërisht sot në një vjetorin e vdekjes së nënës time të dashur jam shumë e mërzitur. Dhe jeta më duket skëterrë. Këtu ku jam, ha pula gurë. Gjithë fshatarët rropaten gjithë ditën në punë dhe bëjnë jetë të keqe”. Të nesërmen ndodhi çudia. Ditari nuk ishte nën jastëk. Atë ja kishin dhënë profesorit të Shkollës së Partisë, i cili e çoi në Komitetin e Partisë. Po të nesërmen më thonë të nisemi direkt në Tiranë, ku do të paraqitesha në Komitetin e Partisë Nr.3. Aty më priti F.B., e cila më tha se keni thyer rregullat e partisë, ky ditar është hapur agjitacion e propagandë. Duhet të dorëzosh teserën e partisë. Ditarin ja dorëzova babait. Filluan dënimet. M’i zhdukën edhe këngët, organizata e partisë më hoqi dhe më çoi në një repart ku ishin punëtorët e dënuar. Kështu fillova jetën nga e para, por tashmë larg skenës, larg aktiviteteve, larg njerëzve, në një punë që rropatesha. Kështu kam punuar dhe jetuar derisa erdhi demokracia dhe u largova për Gjermani”.

 Çmime

• 1970, 13 vjeçe në Festivalin e 9-të, merr çmimin e dytë. Kompozimi Agim Krajka “Portret”

• 1971, 14 vjeçe në Festivalin e 10-të, merr Çmimin e Dytë. Teksti Dritëro Agolli “ E paharruara”

• 1973, në Festivalin e 12-të fiton Çmimin e Dytë me këngë të Josif Mingës “Agimi i Kuq”

• 1974, në Festivalin e 13-të fiton Çmimin e Parë me këngën “Vajza e fshatit tim”

• 1975, në Festivalin e 14-të fiton Çmimin e Parë me këngën “Buka e duarve tona”.

• 1976, në Festivalin e 15-të me këngën “Bisedon me popullin”, duet me Liliana Kondakçiun.

• 1979, në Festivalin e 18-të me këngën “Nëntori i Lirisë”, fiton Çmimin e Dytë

• 1980, në Festivalin e 19-të fiton Çmimin e Dytë me këngën “Njerëzit e Agimeve”

• 1981, në Festivalin e 20-të me këngën “Flaka e Betimit”, në duet me Ema Qazimin.