Abdurraman Çiraku, patrioti i madh, përkrahës dhe mbështetës i Ismail Qemalit

1210
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Në kuadrin e 96 vjetorit të përgatitjeve për Luftën e Vlorës 1920 

Vërmiku dhe fisi Çiraku
Fshati i Vërmikut gjendet në grykën që krijohet mes maleve të Gribës me majën më të lartë atë të Këndërvicës, në anën lindore të kësaj gryke dhe malit të Çipinit në anën perëndimore. Gryka me karakteristikat e saj të veçanta dhe disa kilometra e gjatë mban emrin e këtij fshati. Banorët e fshati ashtu si dhe të gjithë krahinës së Kurveleshit, në kohët më të hershme janë shquar në vazhdimësi për ndjenja të larta patriotike, duke luftuar me pushkë pushtuesit që kanë dashur të hynë në fshat, por dhe për ta hyrë në krahinën e Kurveleshit, nëpërmjet kësaj “porte”. Nga ky fshat herë pas here, kur e kanë kërkuar interesat e vendit kanë dalë djem dhe vajza, burra dhe gra të zot në mbrojtje të vatanit dhe i kanë thënë ndal ushtrive të huaja pushtuese. Në këtë fshat malor midis shumë familjeve dhe fiseve, ka jetuar dhe fisi i Çiraku, i cili është larguar nga fshati në vitin 1939. Fisi Çiraku është një fis i vogël, por patriot, atdhetar dhe arsimdashës. Nga ky fis ka dalë dhe Abdurraman Çiraku, patrioti i madh, mbështetësi dhe përkrahësi i Ismail Qemalit, i cili i qëndroi atij besnik dhe i Luftës së Vlorës 1920. Në librin “Arti ushtarak në Luftën e Vlorës 1920”, kësaj figure ushtarake, patriotike dhe atdhetare i është kushtuar një vëmendje e veçantë.

Shkollat dhe formimi i Abdurramanit. 
Abdurramani është lindur më 5 mars 1888, pasi kreu shkollën në gjuhën turke në qytetin e Vlorës, vazhdoi studimet në Stamboll të Turqisë për oficer artiljer. Kreu studimet e larta në Stamboll. Ra në kontakt me atdhetarë të shquar shqiptarë, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe u ndikua prej tyre. Gjatë kohës në Turqi, u njoh me shumë patriotë shqiptarë, të cilët punonin për çështjen kombëtare. Për aktivitetin e tij ai shikohet me dyshim dhe për të shpëtuar, ai arratiset nga Turqia dhe shkon në Marsejë të Francës. Duke përfituar nga amnistia e shtetit turk ai kthehet përsëri në Turqi dhe shërben oficer në ushtri.

Në shërbim të qeverisë së Vlorës. 
Nga fisi i Çiraku kanë dalë patriotë që kanë dhënë kontribute për çështjen e lirisë dhe të pavarësisë së Atdheut. Një nga të parët e këtij fisi, Abdurraman Çiraku, ish ushtarak i lartë në Turqi, kur mori vesh se Ismail Qemal Vlora do vinte në Shqipëri për të shpallur pavarësinë, u arratis nga ushtria turke, në Tetor të vitit 1912, dhe vjen në Vlorë, në përkrahje të Ismail Qemalit. Ismail Qemal Vlora, kur krijoi qeverinë, Abdurramanin e caktoi në krye të policisë, kur Ismail Qemali iku nga Shqipëria, mori me vete si shoqërues për në Francë Abdurraman Çirakun. Komandoi artilerinë shqiptare në Luftën e Vlorës. Mbasi mbaroi punë Abdurramani, u kthye përsëri në Shqipëri dhe vazhdoi aktivitetin e tij patriotik, ku morri pjesë dhe në luftën e 1920-ës në Vlorë. Pas kthimit në atdhe vijoi veprimtarinë atdhetare. Bashkë me Halim Xhelo Tërbaçin, më 1919 formoi në Brataj të lumit të Vlorës shoqërinë “Shtiza e qytetërimit”. Më 1920 Komiteti Ushtarak i Luftës së Vlorës e ngarkoi të komandonte artilerinë e forcave shqiptare. Me forcat e mjetet që drejtonte, duke hapur zjarr nga mali i Shushicës, arriti të rrëzonte një aeroplan italian, si dhe dëmtoi rëndë bazën italiane në limanin e Vlorës. Ai ka qenë një ndër luftëtarët më në zë të luftës së vitit 1920, kur Labëria hodhi italianët në det. Në këto luftime ai rrëzoi një aeroplan dhe dëmtoi një benzinatë të flotës italiane në gjirin e Vlorës. Aeroplanin e rrëzoi me top artiljeri i diplomuar në Stamboll, Abdurrahman Ali Çiraku, i cili ishte komandanti i artilerisë në kalanë e Kaninës. Për këtë është bërë dhe këngë. “Të xhuma në Sabah,/ Një mjegull e zezë ra,/ Binin predhat nga Shashica,/ Binin si pika shiu./ I hidhte një djalë prej vendi,/ Trim Abdurrahman Aliu.” Përgatitjes së tij të lartë, zotësisë dhe trimërisë si ushtarak i kushtohet edhe kënga e kushtuar nga populli i Vlorës: Në urë të Peshkëpisë,/ Ra balona e Italisë,/ Aeroplanin kush e shtiu,/ Trim Avdurraman Aliu …! Abdurramani ishte pjesëmarrës aktiv në revolucionin e qershorit të vitit 1924. Më 16 maj 1924, ai ishte pjesëmarrës në batalionin “Bashkimi”, i cili marshoi drejt Tiranës për përmbysjen e Ahmet Zogut.
Fisi Çiraku u lidh ngushtë me LANÇ-in
Pas Abdurramanit, një bir i denjë i këtij fisi ka qenë dhe Xhule Çiraku, i cili që në moshën e tij të re u lidh me lëvizjen e LANÇ-it. Në vitin 1942, aktivizohet dhe merr pjesë në përpilimin dhe shpërndarjen e trakteve kundër pushtuesve italianë. Më qershor të vitit 1943, krijohet çeta “Avni Rustemi”, ku ai do të ishte një nga pjesëmarrësit e saj. Më vonë, inkuadrohet në Brigadën VI Sulmuese, duke arritur të bëhet komisar i saj. Aktivitet patriotik kanë pasur dhe vëllezërit në fisin e Çiraku, Qemali, Seiti dhe Jonuz Çiraku. Që në moshë të re ata u radhitën me forcat partizane dhe luftuan deri në çlirimin e Shqipërisë. Aktiviteti i fisit Çiraku, megjithëse, një fis relativisht i vogël, në shërbim e për të mirën e vendit, është i madh e i rëndësishëm, në aktivitetin e tij patriotik dhe atdhetar deri në ditët e sotme. Ata kanë qenë dhe do të mbeten një fis atdhetar e patriot, që gjithë jetën e tyre ia kanë kushtuar patriotizmës dhe ruajtjes së lirisë dhe pavarësisë të vendit, të kombit të tyre.
Sigal