“11 Prilli, dita e reflektimit për ne komunistët, në 18 Qershor dalim me kandidatët tanë”

312
Bisedoi Artur AJAZI
Intervista me ish-Anëtarin e Byrosë Politike të KQPPSH Muho Asllani
Në një intervistë për “Telegraf” ish-anëtari Byrosë Politike të KQPPSH Muho Asllani, tregon impresionin e tij dhe shumë komunistëve për 11 Prillin, ditën e përvjetorit të vdekjes së Enver Hoxhës, por edhe ambicien e tij për të kandiduar në 18 Qershor për deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Shoku Muho, sot është 11 Prilli, përvjetori vdekjes së Enver Hoxhës, çfarë impresioni keni ju dhe komunistët shqiptarë në këtë ditë ?
Në 11 Prill 2017, mbushen plot 32 vjet nga dita e vdekjes së Sekretarit të Parë të KQPPSH, Komandantit dhe Udhëheqësit të Shqipërisë shokut tonë të paharruar Enver Hoxha. Kjo ditë, ashtu si edhe çdo 11 Prill në këto 32 vite, ka qenë dhe mbetet dita e përkujtimit të njeriut që themeloi PKSh, e njeriut që ngriti në këmbë qytetarët dhe katundarët e vendit në luftën ndaj fashizmit italian dhe nazizmit gjerman dhe e bashkoi në Ushtrinë NÇ, e cila luftoi, dhe çliroi jo vetëm trojet e vendit në 29 Nëntor 1944, por edhe ato të vëllezërve tanë jashtë kufijve. Dita e 11 Prillit na kujton, se duhet të jemi më të përgjegjshëm, na bën ne komunistëve shqiptarë të reflektojmë për tu bashkuar në një forcë të vetme, për të siguruar fitoren mbi sistemin kapitalist, që e ka varfëruar popullin, dhe pa pasuruar kastën e batakçinjve. Ne komunistët shqiptarë, ne shokët e tij dhe të gjithë shqiptarët e sinqertë, në këtë 11 Prill, do të shkojmë tek varri Enver Hoxhës, Komandantit tonë Legjendar, dhe do ti çojmë atje lule të freskëta, do ta kujtojmë me dashuri dhe do ta nderojmë sepse ai burrë shteti meriton gjithçka. Dhe këtë do ta bëjmë çdo vit ne, dhe pasardhësit tanë. 

Shoku Muho, ju jeni ndër të paktët ish-anëtarë të Byrosë Politike që jetoni dhe që i keni mbetur Enverit besnik, pse ?
(Qesh) Enver Hoxhën e kam dashur, dhe do ta dua deri në fund të jetës time. Kjo pasi tek ai njeri, tek ai burrë shteti kam vlerësuar gjithmonë virtytet e njeriut vizionar, e udhëheqësit largpamës, e komandantit të zotë, e shokut të sinqertë, e mikut të mirë, e bashkëshortit dhe babait të dashur, e njeriut të rrallë që pas Ismail Qemalit, ka ngritur shtetin nga gërmadhat, ka ngritur industrinë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, blegtorinë, shkencën, institucionet, e bëri vendin me ushtri dhe polici, e bëri vendin me Kushtetutë, dhe i dha emër Shqipërisë në mbarë botën. Enver Hoxha më mori, pasi dëgjoi dhe mësoi për mua fjalët më të mira, më ngriti në detyrë, më bëri deri anëtar i Byrosë Politike, më caktoi detyra të vështira dhe unë nuk e zhgënjeva por i qëndrova atij dhe PPSH gjithmonë besnik, realizova detyrat dhe zgjidha problemet e shumta me të cilat përballesha kur unë u emërova edhe Sekretari Parë. I kam mbetur besnik atij burri shteti, jo sepse më ngriti në detyra të ndryshme, por sepse ai ishte dhe mbeti shqiptar me shpirt dhe zemër, sepse ai vlerësonte tek njerëzit aftësitë, jo si këto 26 vjet tranzicion, ku vlerësohet paraja, dhe veset e ndyra dhe jo aftësia dhe profesionistët. 

Po vjen 18 Qershori, si e vlerësoni ju të PKSHB situatën politike, dhe a do të garoni me kandidatët tuaj?
Po e vërtetë është, 18 Qershori po vjen, dhe mendoj se situata politike, mbetet disi e ndërlikuar, sepse nga njëra anë kemi çadrën e PD, e cila kërkon gjëra të pasqaruara politikisht, duke rrezikuar fatet e vendit, por nga ana tjetër kemi edhe një vendosmëri të Ramës që e justifikon me faktin sepse duhet “zbatuar Kushtetuta”. Mendoj se palët duhet të ulen dhe flasin si shqiptarë, sepse asnjë nuk del i fituar në rast se, Shqipëria mbetet kaotike dhe pas dore nga Evropa. Për sa i përket zgjedhjeve të 18 Qershorit, edhe ne komunistët e PKSHB, do të marrim pjesë me kandidatët tanë, pothuajse në çdo qytet, dhe nuk është sekret tashmë ta them se, në Shkodër kandidoj unë, po ashtu edhe shokët Gjon Bruçaj dhe Adem Mlloja, por jemi akoma në fazën e përcaktimeve emërore edhe në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër dhe mendoj se do të marrim edhe ne fitoren tonë, deputetët tanë sepse e meritojmë. Populli duke parë situatën, dhe rritjen e problemeve sociale, e ka kthyer kokën nga ne komunistët, pasi kujton me nostalgji kohën kur ne siguronim punën, bukën, arsimin, strehimin, rendin dhe qetësinë, dinjitetin e vendit dhe paprekshmërinë e kufijve. Kemi besimin se me platformën tonë komuniste, ne do të bëjmë për vete shumicën e shqiptarëve, për ti bindur ata se vota për ne , është vota për të mirën e shumicës, dhe jo një grushti njerëzish të pasuruar me metoda dhe forma të dyshimta, madje duke shitur edhe pasuritë e këtij vendi. 

Ju Faleminderit

Edhe unë ju falënderoj ju të “Telegraf”, sepse jeni e vetmja gazetë në Shqipëri, që vlerësoni luftën NÇ, dëshmorët e saj, arritjet e një periudhe e cila e bëri vendin me shtet. Gazeta juaj mbetet shumë e dashur për mua.